Bashkëpunimi, ndihma reciproke dhe solidariteti

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ndër domosdoshmëritë e vëllazërisë në Islam janë: bashkëpunimi, solidariteti dhe ndihma reciproke; sepse ç’vlerë ka vëllazëria nëse nuk e ndihmon vëllanë tënd në nevojë, nuk e përkrah në vështirësi dhe nuk tregon solidaritet ndaj tij në dobësi?!

I Dërguari fisnik i Allahut (a.s) e ka përshkruar në mënyrë jashtëzakonisht elokuente shkallën e bashkëpunimit dhe të ndërlidhjes ndërmjet anëtarëve të shoqërisë myslimane, kur ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, pjesët e së cilës e forcojnë njëra-tjetrën”, dhe i ndërthurri gishtat e duarve të tij. Sepse një tullë e vetme është e dobët, sado e fortë të jetë, ndërsa mijëra tulla të shpërndara e të copëtuara nuk ndërtojnë asgjë dhe nuk formojnë asnjë ndërtesë.

Ndërtesa e fortë ndërtohet vetëm nga tulla të lidhura ngushtë, të rreshtuara në mënyrë të rregullt dhe sipas një ligji të caktuar; atëherë nga tullat formohet një mur i qëndrueshëm, e nga muret një shtëpi e fortë, të cilën duart e shkatërruesve e kanë të vështirë ta dëmtojnë.

Po ashtu, ai (a.s) e ka përshkruar nivelin e solidaritetit shoqëror, të integrimit dhe të ndjeshmërisë së ndërsjellë me fjalën e tij: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, solidaritetin dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj njëri-tjetrit është si shembulli i një trupi të vetëm: kur një gjymtyrë ankohet, tërë trupi i përgjigjet me ethe dhe pagjumësi.”

Kjo është një lidhje organike, ku asnjë pjesë nuk mund të bëjë pa tjetrën, as të shkëputet prej saj, as të jetojë pa të; sistemi i frymëmarrjes nuk mund të bëjë pa sistemin e tretjes, as këta pa sistemin e qarkullimit të gjakut apo sistemin nervor. Çdo pjesë e plotëson tjetrën dhe vetëm me bashkëpunimin dhe unitetin e tyre jeton i tëri dhe ka vazhdimsi.

Ai (a.s) gjithashtu ka thënë: “Gjakrat e myslimanëve janë të barabarta; më i thjeshti prej tyre merr përsipër përgjegjësinë për të gjithë; më i largëti prej tyre u jep mbrojtje të gjithëve; ata janë një dorë e vetme kundër të tjerëve; i forti i tyre i del në ndihmë të dobëtit dhe i shpejti i ndihmon atij që mbetet pas.”

Në mbështetjen e myslimanit për myslimanin futet edhe një element i ri, si në rastin kur ai (a.s) thotë: “Ndihmoje vëllanë tënd, qoftë ai shtypës apo i shtypur.” U tha: O i Dërguar i Allahut, e ndihmojmë kur është i shtypur, por si ta ndihmojmë kur është shtypës? Ai tha: “Ia ndaloni dorën ose e pengoni nga padrejtësia; kjo është ndihmë për të.”

Kurani fisnik e obligon bashkëpunimin dhe urdhëron për të, me kusht që të jetë bashkëpunim në mirësi dhe devotshmëri, ndërsa e ndalon dhe e ndëshkon nëse është bashkëpunim në mëkat dhe agresion. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri dhe mos u ndihmoni në mëkat dhe armiqësi”[1]

Ai i bën besimtarët mbrojtës të njëri-tjetrit në bazë të lidhjes së besimit, siç thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë mbrojtës të njëri-tjetrit; urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja”[2] ndryshe me përshkrimin e shoqërisë së hipokritëve, për të cilët thotë: “Hipokritët dhe hipokritet janë miq të njëri  tjetrit; urdhërojnë për të keqe dhe ndalojnë nga e mira, dhe i shtrëngojnë duart e tyre”[3] Kurse shoqëria e sahabëve është përshkruar me fjalët: “Të ashpër ndaj jobesimtarëve dhe të mëshirshëm mes vete”[4]

Solidariteti, pra, është një tipar themelor i shoqërisë myslimane. Kjo kërkon që i forti ta mbështesë të dobëtin, i pasuri ta ndihmojë të varfrin, dijetari t’ia ndriçojë rrugën të paditurit, i madhi të ketë dhembshuri për të voglin, ndërsa i vogli ta respektojë të madhin; që të paditurit t’ia njohin të drejtën dijetarit dhe që të gjithë të qëndrojnë një rresht i vetëm e solid si në kohë lufte ashtu edhe në kohë paqeje, siç thotë Allahu: “Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij të rreshtuar si një ndërtesë e fortë”[5]

Në rrëfimet e Kuranit gjenden shembuj praktik të bashkëpunimit frytdhënës dhe ndërtues. Prej tyre është bashkëpunimi ndërmjet Musait (a.s) dhe vëllait të tij Harunit (a.s), kur Musai (a.s) i kërkoi Allahut ta forcojë përmes tij në misionin e vet: “Do ta forcojmë krahun tënd me vëllanë tënd dhe do t’ju japim autoritet”[6] Kështu, Haruni (a.s) ishte ndihmës i Musait (a.s) në praninë e tij dhe zëvendësues i tij në mungesë.

Ndër shembujt e tjerë të bashkëpunimit është ndërtimi i murit të madh të Dhul-Karnejnit, për t’u bërë pengesë kundër sulmeve të Jexhuxh dhe Mexhuxhëve, të cilët ishin shkatërrues në tokë. Ky ishte fryt i bashkëpunimit ndërmjet sundimtarit të drejtë dhe popullit që frikësohej nga padrejtësia e të fortëve.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Maide: 2.

[2] – Sure Teube: 71.

[3] – Sure Teube: 67.

[4] – Sure Fet’h: 29.

[5] – Sure Saff: 4.

[6] – Sure Kasas: 35.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *