Pyetje: Një grua, për çdo problem që i ndodh me bashkëshortin, qoftë i madh apo i vogël, i kërkon atij që ta shkurorëzojë. Njëherë ajo i tha atij: “Më shkurorëzo!” Dhe ai i është përgjigjur: E ajo i ka thënë atij: “Ti je i shkurorëzuar”. Sa për dijeni, gjatë kësaj kohe gruaja nuk ka qenë me menstruacione dhe burri nuk ka pasë me të marrëdhënie intime. Në këtë rast, a është i vlefshëm ky lloj shkurorëzimi?
Përgjigja: Shkurorëzimi është lënë në dorë të burrit, ashtu siç i njihet edhe gruas e drejta e shkurorëzimit me kompesim, nëse ajo e kërkon atë për një shkak të arsyeshëm. Fjalët e bashkëshortit drejtuar asaj: “Vendos ti si të duash” konsiderohen autorizim, siç është rasti me bashkëshortin i cili autorizon një person që ta shkurorëzojë bashkëshorten e tij. Një autorizim i tillë na përcillet prej Ibn Abasit, Ibn Mes’udit, Omer ibn Hatabit, Othman ibn Afannit, Omer ibn Abdulazizit, etj. Këto transmetime i ka përcjellur Ibn Ebi Shejbe në “Musanaf”. Prej këtyre transmetimeve mund të përmendim sa më poshtë:
(18379) – Mesrku ka thënë: Një burrë erdhi tek Omeri dhe i ka thë: Unë ia lashë gruas në dorë çështjen e saj, që të vendosë si të dojë vetë dhe ajo e shkurorëzoi veten e saj tre herë. Omeri i tha Abdullahut: Çfarë mendimi ke në lidhje me këtë rast? Abdullahu tha: Mendoj se ka ndodhur shkurorëzimi vetëm një herë, sepse vetë burri ia ka lënë gruas në dorë. Omeri tha: Edhe unë kështu mendoj.
(18381) – Othmanin e kanë pyetur dhe i kanë thënë: Një burrë ia ka lënë në dorë shkurorëzimin gruas së vet?! Othmani është përgjigjur: Ashtu është, gruaja e ka në dorë shkurorëzimin.
(18393) – Ibn Omeri është pyetur për personin i cili ia lë shkurorëzimin në dorë gruas së vet. Ai ka thënë: Vlen ajo që ka vendosur burri. Nëse ndodh ta kundështojnë njëri – tjetrin, atëherë duhet të përbetohen.
Kështu pra, përsa i përket rastit të gruas së lartpërmendur, e cila nuk e ka shkurorëzuar veten, por ka shkurorëzuar burrin, ajo ka gabuar në mënyrën se si është shprehur dhe si rrjedhojë, shkurorëzimi nuk ka ndodhur. Ibn Abasi është pyetur për një burrë i cili i ka thënë gruas së tij: Çështja e shkurorëzimit është në dorën tënde, vetë ti vendos si të duash! Ajo i tha burrit: Ti je shkurorëzuar tre herë. Ibn Abasi ka thënë: Ajo ka gabuar në mënyrën se si është shprehur. Nëse ajo do të thoshte: Unë jam e shkurorëzuar tre herë, do të ndodhte ashtu sikur tha.
Kuptimi i kësaj thënie është si vijon: Sikur ajo ta shkurorëzonte veten, shkurorëzimi do të ishte i vefshëm. Mirëpo, pasi ajo e ka shkurorëzuar burrin e saj, shkurorëzimi nuk ka ndodhur.
Si përfundim: Në bazë të asaj që kemi cekur më lart, shkurorëzimi nuk ka ndodhur.
Fetvadhënësi: Komisioni Evropian për Fetva dhe Gjurmime