Pyetja: Cili është gjykimi i pagesës së qirasë me një send konkret dhe jo me para në kontratën e qirasë, si për shembull kur qiramarrësi i jep qiradhënësit një telefon celular të caktuar në vend të shumës së parave?
Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut (a.s)
Lejohet sipas Sheriatit që pagesa e qirasë të bëhet me një send konkret të përcaktuar, me kusht që ai send të jetë plotësisht i njohur dhe i specifikuar në mënyrë që të eliminohet çdo paqartësi, si dhe që të dyja palët të bien dakord për këtë mënyrë pagese. Argumentet për këtë dispozitë nga Kurani dhe Suneti janë si vijon:
Së pari: Nga Kurani Famëlartë:
Allahu i Madhëruar thotë: “Njëra prej tyre tha: “O babai im, punësoje atë! Me të vërtetë, më i miri që mund të punësosh është ai i forti dhe besniku.” Ai tha: “Unë dëshiroj të të martoj me njërën prej këtyre dy vajzave të mia, me kusht që të më shërbesh tetë vjet.”[1]
Në këtë ajet, pagesa e qirasë është vendosur në formën e një dobie (ruajtja e bagëtive dhe martesa), dhe jo në formën e parave. Kjo tregon lejueshmërinë e ndryshimit të formave të pagesës së qirasë.
Dijetari Ibn el-Arabi ka thënë në librin e tij “Ahkamul Kuran”: “Fjala e Allahut: “të punësosh” është argument se qiraja mes tyre dhe tek ata ishte e ligjshme dhe e njohur… Dhe kjo përfshin edhe rastin kur pagesa është një send konkret, përderisa ai është i njohur dhe i përcaktuar.”[2]
Së dyti: Nga Suneti i Profetit (a.s):
Veprimi i Profetit (a.s):
Transmetohet nga Aishja (r.a) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) dhe Ebu Bekri punësuan një burrë nga fisi Benu Ed-Dil, i cili ishte udhërrëfyes shumë i aftë…”
Ky hadith tregon se Profeti (a.s) punësoi një person për një shërbim (udhëzim gjatë rrugës) me një pagesë të njohur, pa vendosur kusht që ajo të ishte domosdoshmërisht në formën e parave.
Fjala e Profetit (a.s):
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur dikush punëson një punëtor, le t’ia bëjë të ditur pagën e tij.”[3]
Ky hadith kërkon që pagesa të jetë e njohur, pavarësisht nga lloji i saj (qoftë para apo send konkret). Nëse sendi është i përcaktuar dhe i njohur, atëherë ky kusht është plotësuar.
Së treti: Parimi i njohur juridik:
“Çdo gjë që mund të jetë çmim në shitblerje, mund të jetë edhe pagesë në kontratat e qirasë.”
Këtë parim e kanë përmendur shumica e juristëve: hanefitë, malikijtë, shafiijtë dhe hanbelijtë. Prandaj, një telefon celular i caktuar mund të jetë pagesë qiraje, ashtu si edhe sendet e tjera konkrete.
Përfundimi:
Duke u bazuar në këto tekste dhe parime, pagesa e qirasë me një send konkret dhe të njohur (si një telefon i përcaktuar me karakteristikat e tij) është e lejueshme nëse të dyja palët bien dakord për të. Meqenëse paqartësia është eliminuar, kontrata është e vlefshme.
Allahu e di më mirë.
Fetvadhënësi: Muhamed Ebu Nasir
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Kasas: 27.
[2] – “Ahkamul Kuran” (3/494).
[3] – Bejhakiu dhe Ibn Ebi Shejbe



















