Lexuesi i Kuranit duhet të vërejë dhe të kuptojë misionin praktik dhe veprues të Kuranit. Kjo e çon atë te dy vërejtjet e mëparshme: “pikëpamja e përgjithshme” dhe “përshtatja me objektivat themelore”. Kur përdoren siç duhet këto dy çelësa, njeriu arrin të kuptojë misionin dhe mesazhin e këtij Kurani, i cili është një mision real dhe praktik.
Një nga veçoritë e Kuranit është “realiteti veprues”, i cili përbën çelësin për t’u marrë me këtë Kuran, për të kuptuar qëllimet e tij, për ta kuptuar drejt dhe për ta zbatuar atë. Siç thotë dëshmori Sejid Kutb në veprën e tij, ky realitet veprues është ai që përcakton “misionin praktik dhe veprues” të Kuranit fisnik dhe sqaron mesazhin e tij të ri e real në jetë.
Allahu e ka cilësuar Librin e Tij me një përshkrim të mrekullueshëm, që dëshmon qartë për misionin e tij praktik dhe veprues, kur na njofton se Libri i Tij është i urtë. Ai thotë: “Ja Sin. Pasha Kuranin e urtë!”[1] Dhe thotë: “Vërtet, e ai është te Ne, në Librin kryesor (Leuhi-mahfûdh), i lartësuar dhe plot urtësi..”[2]
Urtësia është një nga cilësitë e njerëzve të mençur. Prandaj, ky Kuran ka cilësitë e njerëzve të mençur: ai është i urtë, udhëzon me urtësi, vepron me urtësi, e udhëheq umetin me urtësi dhe e përmbush misionin dhe mesazhin e tij me urtësi.
Me këtë urtësi kuranore, Kurani bëri atë që bëri në jetën e sahabëve; dhe me këtë mision praktik e veprues, ai i nxori sahabët nga gjendja e mosqenies drejt udhëheqjes, nga vdekja drejt jetës. Me këtë tipar të “realitetit veprues”, Kurani ishte i pranishëm atje, veprues dhe i gjallë, si dhe një udhërrëfyes prijës. Sahabët e nderuar – ai brez i veçantë kuranor – e kuptuan këtë tipar dhe e vlerësuan këtë urtësi, ndaj bënë mrekulli në jetën e njerëzimit.
Duhet patjetër të vërejmë se këtë mision kuranor duhet ta përjetojmë edhe ne në jetën dhe realitetin tonë, të ndërveprojmë me urtësinë kuranore dhe të thellojmë kuptimin e realitetit veprues që përmban ai, në mënyrë që të dimë ta marrim prej tij dhe të veprojmë në përputhje me të. Për ta arritur këtë, duhet patjetër të shembim barrierën e trashë ndërmjet zemrave tona dhe Kuranit, të zhdukim humnerën e thellë që qëndron ndërmjet nesh dhe Kuranit dhe t’i pastrojmë zemrat nga perdet, mbulesat, shtrembërimet dhe dëshirat që janë ngjitur pas tyre dhe që kanë penguar depërtimin e dritës së Kuranit tek ato.
Duhet të bëjmë ne hapin drejt Kuranit dhe të hyjmë në botën e tij të gjerë; të hyjmë në të me tërë qenien tonë njerëzore dhe të marrim prej tij përmes të gjitha aftësive tona të perceptimit dhe të reagimit. Duhet të kuptojmë prej tij misionin e tij praktik, veprues dhe real, dhe ta vërejmë atë në të gjitha suret dhe ajetet e tij. Atëherë do ta shohim Kuranin të gjallë e veprues, të urtë e udhërrëfyes, prijës dhe edukues. Ai, me lejen e Allahut, do të na nxjerrë në një mënyrë të begatë, do të na formojë si një brez pararojë dhe do të na çojë drejt qendrës së udhëheqjes, të pararojës dhe të mbështetjes së njerëzimit.
Të gjitha ajetet e Kuranit dëshmojnë për misionin e tij praktik e veprues, tregojnë realitetin e tij të ri veprues dhe pulsojnë me shenjat e jetës dhe gjallërisë që ai përmban. Ndër këto është fjala e Allahut të Lartësuar: “Ju jeni populli më i mirë i nxjerrë për njerëzit: urdhëroni për të mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni Allahun.”[3]
Pra, umeti mysliman u shfaq si populli më i mirë ndër njerëz nga tekstet e Kuranit, dhe lindi një jetë e re në prehrin e Kuranit, u rrit dhe jetoi nën hijen e Kuranit. Kështu doli një komb i ri, dhe kush është ai komb që i afrohet këtij mirësie, e lëre më ta barazojë atë ose ta tejkalojë atë? Dhe a gëzojnë myslimanët sot këtë mirësi? Dhe a po kryejnë këtë funksion dhe a po udhëheqin botën drejt udhëheqjes? Përgjigja dihet, dhe sekreti qëndron në pikëpamjen e tyre ndaj Kuranit, marrëdhënien e tyre me të dhe lidhjen e tyre me të.
Sa do të përfitojë lexuesi nga Kurani, dhe sa informacione, udhëzime, fakte dhe frymëzime do të nxjerrë prej tij kur të lexojë tekstet e Kuranit, duke përdorur këtë çelës: “Misioni dinamik operacional i Kuranit” dhe kupton këtë karakteristikë: “Karakteristika dinamike e Kuranit” ! Ne e ftojmë atë të lexojë këto ajete:
“As hebrenjtë, as të krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty, derisa të pranosh besimin e tyre. Thuaju: “Vetëm udhërrëfimi i Allahut është i drejtë!” E, në qoftë se pas diturisë që të ka zbritur, ti ndjek dëshirën e atyre, atëherë askush nuk do të të ndihmonte apo mbronte nga dënimi i Allahut.”[4]
“Para jush kanë kaluar shumë shembuj (popujsh nga ndjekësit e profetëve që iu ndodhi ajo që po ju ndodh edhe juve). Prandaj udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ishte fundi i atyre që i përgënjeshtruan profetët. Këto janë lajme të qarta dhe udhërrëfyese për të devotshmit.”[5]
“O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar.”[6]
“Kështu, çdo profeti Ne i kemi caktuar armiq djajtë e njerëzve dhe të xhindeve, të cilët e frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë boshe të zbukuruara për mashtrim. Por, sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të bënin kështu, prandaj lëri ata dhe trillimet e tyre. Lëri zemrat e atyre që nuk besojnë në Ditën e Kiametit, që të priren nga mashtrimi dhe të kënaqen me të e le të bëjnë gjynahet që kanë bërë. Thuaj: “Vallë, a të kërkoj tjetër gjykatës përveç Allahut, kur është Ai që ju ka zbritur këtë Libër të hollësishëm?!” Ata që Ne u kemi dhënë Shkrimet e shenjta, e dinë se Kurani është me të vërtetë i zbritur nga Zoti yt. Prandaj, kurrsesi mos u bëj nga ata që dyshojnë! Të përkryera janë fjalët e Zotit tënd në vërtetësi dhe drejtësi; fjalët e Tij askush nuk mund t’i ndryshojë. Ai dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë. Nëse i bindesh shumicës së njerëzve që gjenden në tokë, ata do të të shmangin nga rruga e Allahut. Ata ndjekin vetëm hamendjet. Ata vetëm gënjejnë. Në të vërtetë, Zoti yt i njeh më së miri ata që i shmangen rrugës së Tij dhe i di më së miri ata që janë në rrugë të drejtë.”[7]
Autor: Salah Abdulfetah el Halidij
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Jasin: 1 – 2.
[2] – Sure Zuhruf: 4.
[3] – Sure Ali Imran: 110.
[4] – Sure Bekare: 120.
[5] – Sure Ali Imran: 137 – 138.
[6] – Sure Maide: 105.
[7] – Sure En’am: 112 – 117.



















