Imami i vatrës së emigrimit – Imam Maliku (02)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Dhënia e imam Malikut pas diturisë dhe shmangia e tij prej dynjasë:

Dituria asokohe nuk ishte e detyrueshme sikurse është sot. Në kohët e mëparshme jo të gjithë të rinjtë ishin pjesë e kuvendeve të diturisë së Sheriatit. Gjithsesi pati mjaft individë, me të cilët u realizua urdhri hyjnor: “Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehet te ata, në mënyrë që ata të kuptojnë (e të tregojnë devocion)”[1]

Imam Maliku filloi të jepej pas diturisë, kur ishte ende fare i vogël. Ai kaloi shtatë vjet tek ibn Hurmuzi dhe sikurse thotë dhe vetë, Ibn Hurmuzi nuk e përzjeu atë me të tjerët.

Angazhimi dhe përkushtimi i imam Malikut në përftimin e diturisë që mori nga profesori i tij, arriti deri aty sa imam Maliku qëndronte vërtet gjatë tek dera e profesorit të tij Ibn Hurmuzit. Ndodhte që Ibn Hurmuzi ta ndiente nga brenda shtëpisë së tij ndonjë lëvizje të mundshme që bënte Maliku teksa priste bri derës, gjë që i jepte Ibn Hurmuzit të kuptonte se dikush ishte tek dera. Ai i thoshte shërbyeses së tij të shikonte se kush ishte në derë. Ajo shkonte e shihte se kush ishte në derë e pastaj kthehej t’i thoshte padronit të saj: “Asnjë tjetër nuk ishte tek dera, përveç atij bjondit”. Atëherë Ibn Hurmuzi i thoshe: “Ma thirr. Ai është dijetari i njerëzve”

Vlera e përkushtimit dhe angazhimit të imam Malikut në vjeljen e diturisë, personifikohet në përpjekjen që ai bënte për të marrë dije nga Nafi’u, shërbyesit të Abdullah ibn Umerit. Maliku bënte çmos, që ta takonte atë. Ai vuante duke qëndruar për orë të tëra në nxehtësinë e rrezeve të diellit, pa pasur diçka që ta mbronte nga dielli dhe qëndronte kështu, derisa shfaqej Nafi’iu. Atëherë Maliku i qepej pas dhe gjuante shansin ta pyeste dhe të merrte informacion prej tij. Maliku e përshkruan kështu këtë lajm: “Vija tek Nafi’iu në mes të ditës, në dritë të diellit, pa u futur në hijen e asnjë peme dhe gjuaja rastin kur ai dilte. Pasi e shikoja, e lija paksa sikur nuk e kisha parë, pastaj i dilja përpara dhe i jepja selam. E lija deri sa të hynte në xhami, ku i thosha: Çfarë ka thënë Ibn Umeri lidhur me këtë e këtë çështje? Ai më përgjigjej…”

Nga rrëfimet që tregojnë dedikimin e Malikut karshi diturisë dhe përkushtimin e tij për fitimin e saj, është fakti se ai nuk ka ditur të çlodhej ndonjë ditë, por ishte gjithmonë në kërkim të diturisë, bile edhe në ditë festash. Jo vetëm kaq, por ai shfrytëzonte ditën e festës, për shkak se në atë ditë nuk kishte shumë dyndje njerëzish, duke shfrytëzuar rastin të shkonte  tek shtëpia e Ibn Shihab ez Zuhriut, që ishte kthyer nga Shami në Medine…

Maliku vetë e tregon rrëfimin e mësimit të ditës së festës duke thënë: “Ditën e festës thashë: Kjo është dita në të cilën Ibn Shihebi ngelet vetëm. U largova nga xhamia dhe arrita tek dera e tij. Aty e dëgjova t’i thoshte shërbyeses së vet: Shiko kush është tek dera? Ajo pa dhe e dëgjova të thoshte: Është asistenti yt, bjondi, Maliku. Ai tha: Fute brenda! Hyra dhe më tha: Me sa po shoh ende nuk ke shkuar në shtëpinë tënde. Unë i thashë: Jo. Më tha: A ke ngrënë gjë? I thashë: Jo. Më tha: Ha! I thashë: Nuk e kam të nevojshme të ha. Më tha: E çfarë do? I thashë: Më thuaj hadithe! Më tha: Mirë. Nxora sendet e mia të shkrimit dhe më dha dyzet hadithe. I thashë: Shtomë! Më tha: Të mjaftojnë, nëse i përthith këto hadithe konsiderohesh prej memorizuesve të hadithit. I thashë: I kam përthithur ato. M’i mori sendet e shkrimit nga dora dhe më tha: M’i thuaj hadithet! Ia thashë ato. M’i ktheu sendet dhe tha: Ngrihu. Ti je prej hambarëve të diturisë.”

Studimi i vazhdueshëm i imam Malikut me fukahatë (juristët islam) dhe muhadithët (dijetarët e hadithit) kryhej në mënyrë shumë aktive dhe me pasion, madje ai kënaqej dhe argëtohej me diturinë që merrte, dhe intelekti i tij i jashtëzakonshëm e ndihmonte shumë për këtë. Fuqinë e tij e përforconte akoma më shumë numri i shumtë i fukahave (juristëve myslimanë) dhe muhadithëve (dijetarëve të hadithit), si dhe toleranca e tyre deri në atë masë, sa ata pranonin t’i mësonin dhe t’u përkushtoheshin nxënësve edhe në ditët e festave. Bëhet fjalë për profesorët e Medines, të cilët u edukuan në një atmosferë, e cila e kishte akoma të frskët ndikimin e edukimit të të Dërguarit  të Allahut, i cili kish lënë një mori të pashtershme të moraleve fisnike, udhëzimin e të cilave njerëzit e gjurmonin hap pas hapi.

Sot imam Maliku njihet si modeli i ekspertit në mesin e muslimanëve, i cili arriti të konstatonte se dhuntitë, mundësitë dhe kapacitetet e tij, e favorizonin atë t’i shërbente Islamit në lëmin e memorizimit të diturisë, shpërndarjes, mësimdhënies dhe punës me diturinë.

Maliku (r.h) u takua me kategori të ndryshme prej njerëzve të spikatur në çështjet e dynjasë, të cilët e joshën ta linte diturinë, por ai i refuzoi të gjtiha këto, sepse konstatoi se ajo që gjendet tek Allahu është më e mirë dhe më e qëndrueshme.

Gjithashtu ai takoi edhe persona të tjerë, të cilët e ftuan të merrej me xhihad e ta linte diturinë, por ai ishte i mendimit se dituria me të cilën ishte i preokupuar, ishte gjëja më e mirë, pa e nënvlerësuar edhe rëndësinë e xhihadit.  Ai ishte i mendimit, se farzet kifaje (obligimet e mjaftueshme) nuk kompensonin njëri-tjetrin, por ato përbënin llogore të ndryshme të Islamit dhe çdo musliman duhet të qëndronte në një prej llogoreve të Islamit.

Imam Maliku është takuar edhe me asketë si Abdullah ibn Abdulaziz el Umeri, i cili ishte imam në çështjet e asketizmit, devotshmërisë, përkushtimit dhe izolimit. Kur ai mbetej vetëm për vetëm me imam Malikun, e nxiste atë për asketizëm, izolim dhe ndërprerje nga njerëzit. Imam Maliku ia vinte veshin dhe bënte lutje për të, por nuk u pajtua me idenë e tij sa i përket izolimit prej njerëzve. Përkundrazi imam Maliku u përzie me njerëzit dhe bëri durim me ta. Ku është sot Abdullah ibn Abdul Aziz el Umeri?! Imam Maliku [Allahu e mëshiroftë] i shkroi atij një letër, ku i thoshte: “Allahu i Lartësuar i ka ndarë punët ashtu siç ka ndarë furnizimin dhe begatitë. Ndodh që një personi t’i jepet për namazin dhe jo për agjërimin, tjetrit t’i jepet për sadakanë dhe jo për agjërimin, tjetrit t’i jepet për xhihad dhe jo për namaz;  teksa dihet se publikimi i diturisë dhe mësimi i saj, janë nga punët e mira më të preferuara. Unë jam i kënaqur për sa më është dhënë në këtë drejtim dhe nuk mendoj se ajo ku unë jam, qëndron më poshtë se ajo ku ti je. Unë shpresoj se të dy ne jemi mbi diçka të mirë dhe duhet që gjithsecili prej nesh të kënaqet me dhuntinë që i është dhuruar. Selam”

Fizionomia dhe hijeshimi i tij:

Imam Maliku (r.h) ishte i gjatë, trupmadh, shumë i bardhë, me pamje të hijshme, me sy të gjerë. Kur dilte tek njerëzit, dilte i stolisur dhe i parfumosur me misk dhe parfum prej më të mirëve. Ai i jepte rëndësi të theksuar rrobave të tij. Sytë e njerëzve kurrë nuk arritën ta shihnin ndryshe, përveçse të stolisur në mënyrën më të kompletuar.

Bishër ibn Harith (r.h) ka thënë: “Hyra tek Maliku dhe pashë mbi të një mantel pesëqindësh, dy anët e të cilit kishin rënë mbi dy sytë e tij, krejt ngjashëm me mbretërit”

Kur e vishte umamen (shallin e kokës) e kalonte atë përposhtë mjekrës dhe dy anët e saj i zbriste midis shpatullave.

Kur e pyetën imam Malikun (r.h) lidhur me veshjen e të leshtave, ai tha: “Nuk ka dobi në veshjen e tij (leshit) përveçse në udhëtim, pasi ai përbën reklamim (veshja e tij është shtirje për asketizëm dhe modesti).“

Kur dilte për në mësimin e hadithit, ai merrte abdes si për namaz, vishte rrobat e tij më të mira, vishte kapotë, krihte mjekrën e tij dhe nëse ndodhte që dikush ta qortonte mbi këtë, ai i thoshte: “Unë kështu e respektoj hadithin e të dërguarit të Allahut ”[9].

Kjo paraqitje e hijshme nuk bie në kundërshtim me fetarizmin e drejtë, as me diturinë dhe as me imamllëkun, as me arsyen dhe as me seriozitetin, por ishte një gjë që i takonte një burri si Maliku, në një qytet si Medinja e të dërguarit të Allahut. Gjithashtu dynjaja ishte zgjeruar për njerëzit asokohe dhe ata kishin nevojë, që dikush t’ua sqaronte lejimin e stolisjes në përputhje me bollëkun prezent, duke qenë se kjo gjë i vinte përshtat natyrës dhe prirjes së imam Malikut, si dhe për faktin tjetër se ai ishte prej nipërve të mbretërve. Madje ai ishte njeri me personalitet aq dhe aq i madh, saqë mbretërit vinin dhe uleshin në shtrojën e tij, para tij, sikurse bëri Rashidi. Me këtë veprim njerëzit dëshmonin madhështinë e dijetarit, pa e tepruar aspak dhe pa mendjemadhësi.

Autor: Selman Aude

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Teube: 122.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *