Nevoja, nga aspekti i trajtimit të saj në nivelin e domosdoshmërisë, ndahet në dy kategori:
Kategoria e parë: Nevoja që trajtohet si domosdoshmëri
Kjo është ajo nevojë që është vlerësuar në të njëjtin nivel me domosdoshmërinë dhe i janë dhënë dispozitat e saj, për shkak se kjo nevojë karakterizohet nga intensiteti se sa e madhe është dhe se sa urgjente është, gjë që e bën shumë të vështirë heqjen dorë prej saj.
Kategoria e dytë: Nevoja që nuk trajtohet si domosdoshmëri
Kjo është ajo nevojë që nuk është vlerësuar në të njëjtin nivel me domosdoshmërinë dhe nuk i janë dhënë dispozitat e saj, për shkak se nuk përmban cilësitë që do ta kualifikonin për një trajtim të tillë.
Kjo ndarje ka një rëndësi shumë të madhe, sepse si domosdoshmëria ashtu edhe nevoja kanë dispozitat e veta që i dallojnë nga njëra-tjetra, siç është përmendur më parë gjatë dallimit ndërmjet nevojës dhe domosdoshmërisë. Parimisht, dispozitat e domosdoshmërisë janë specifike vetëm për të, ashtu siç janë edhe dispozitat e nevojës specifike vetëm për të. Siç ka thënë Imam Shafi’u: “Nuk lejohet ndonjë vepër e ndaluar (haram) për shkak të nevojës, përveçse në rastet e domosdoshmërisë.” Megjithatë, ky parim mund të mos zbatohet në disa çështje, kur interesi (maslaha) e kërkon që një gjë t’i jepet dispozita e një tjetër dhe të trajtohet njësoj si ajo, pra që nevoja të trajtohet si domosdoshmëri kur ajo bëhet e madhe, e theksuar dhe është e vështirë të shmanget. Ky nocion është përmendur në rregullin e njohur juridik: “Nevoja trajtohet në nivelin e domosdoshmërisë.”[1]
Pastaj, disa dijetarë e shprehin në mënyrë të përgjithshme se nevoja trajtohet si domosdoshmëri, pa bërë ndonjë sqarim të detajuar mbi këtë çështje dhe pa e kufizuar këtë pohim tek disa nevoja të caktuara dhe jo të gjitha. Kjo, ndonëse ata vetë nuk e kanë për qëllim që ky trajtim të vlejë për të gjitha nevojat – sepse ky përjashtim është i kuptuar në mendjen e tyre – por kjo bën që ai që e lexon një pohim të tillë e merr atë në mënyrë të pakufizuar, dhe pastaj e zbaton atë në çdo çështje që i paraqitet, duke i dhënë nevojës dispozitat e domosdoshmërisë në çdo aspekt, duke u mbështetur në këtë pohim të përgjithshëm. Nëpërmjet kësaj ndarjeje (të nevojave në ato që trajtohen si domosdoshmëri dhe ato që jo), ne shmangim këtë paqartësi, dhe bëhet e qartë se ka nevoja që trajtohen si domosdoshmëri dhe ka të tjera që nuk trajtohen si të tilla, dhe për pasojë, ne ruhemi nga përzierja mes dispozitave të këtyre dy termave, dhe nga ajo që rezulton prej saj duke i dhënë shumë çështjeve dispozita që nuk u përkasin dhe nuk janë të përshtatshme për to.
Përmendja e kësaj ndarjeje është një kundërpërgjigje ndaj çdo personi që mbështetet në nevojën dhe e përdor atë si justifikim për t’u liruar nga detyrimet e kësaj feje dhe nga ndalesat e saj. Kjo vlen veçanërisht për ata që i shkojnë pas rrymave bashkëkohore – dhe sa të shumta janë ato në ditët e sotme – të cilat shfrytëzojnë këtë trajtim të nevojës si të barazvlefshëm me domosdoshmërinë dhe e zbatojnë atë mbi çdo gjë që njerëzit kanë nevojë për të, edhe nëse ajo gjë është e ndaluar për ta, si: kamata, përzierja e gjinive, ekspozimi i zbuluar i grave, heqja e mbulesës, braktisja e lojalitetit në emër të fesë, dhe të tjera ndalesa të kësaj natyre. Ata e bëjnë këtë pa marrë parasysh natyrën e kësaj nevoje, shkakun e saj dhe mundësinë për t’u shmangur prej saj, dhe në të vërtetë ky veprim nuk është tjetër veçse ndjekje e epshit, kënaqje e zemrave të sëmurura dhe dorëzim ndaj tekave të nefsit.
Shembujt që mbështeten në dy llojet e nevojës së përmendur më lart janë të shumtë dhe të larmishëm, por unë – për mos t’u zgjatur – do të mjaftohem me përmendjen e vetëm disa prej tyre, të cilat shprehin qartë kuptimin e synuar dhe sqarojnë qëllimin. Prandaj them:
Së pari: Nevoja që trajtohes si domosdoshmëri
1 – Tavafi i gruas me menstruacione rreth Qabes:
Nëse një grua me menstruacione ka nevojë të kryejë tavafin përreth Qabes për ndonjë arsye të konsiderueshme, atëherë kjo i lejohet sipas mendimit të një grupi dijetarësh. Ibn Kajimi, pasi ka mbështetur –me argumente – vlefshmërinë e tavafit të saj, citon: “Në këtë rast, asaj i lejohet të hyjë në xhami për shkak të kësaj nevoje që i përngjan domosdoshmërisë.”[2]
2 – Të lypurit njerëzve para:
Nëse njeriu ka nevojë për të kërkuar ndihmë për shkak të varfërisë së tij apo paaftësisë për të fituar vetë, atëherë i lejohet ta bëjë këtë. Përndryshe, në origjinë, të lypësh nga njerëzit është një veprim i ndaluar. Prandaj dijetarët thonë: “Të lypurit monedha njerëzve lejohet vetëm në rast domosdoshmërie, ose për ndonjë nevojë të rëndësishme që i afrohet domosdoshmërisë.”[3]
Së dyti: Nevoja që nuk trajtohet si domosdoshmëri
1 – Njeriu mund të ketë nevojë për pasurinë e një njeriu me qëllimin për të larguar hallin apo vështirësinë nga vetja e tij, por kjo nevojë nuk ia lejon atij të marrë pasurinë e tjetrit. Kjo lloj nevoje nuk është prej atyre nevojave që trajtohen si domosdoshmëri, sepse po të trajtohej si e tillë, do të lejohej për shkak të saj marrja e pasurisë së tjetrit. Imam Shafi’u duke qaruar këtë çështje ka thënë: “Nevoja nuk i jep të drejtë askujt të marrë pasurinë e tjetrit.”[4]
2 – Po ashtu, nëse njeriu ka nevojë për të ndërtuar në tokën e dikujt tjetër, për të mbjellë në të, apo për të përfituar diçka nga dobitë e saj, atij nuk i lejohet ta bëjë këtë pa lejen e pronarit të tokës. Kjo sepse kjo nevojë nuk trajtohet si domosdoshmëri, dhe për shkak të saj nuk lejohen gjërat e ndaluara.
Prej atyre çështjeve që meritojnë të theksohen – në këtë kontekst – është se ka disa gjëra të rëndësishme që patjetër duhet të trajtohen, pasi kanë ndikim të madh në këtë temë. Prandaj, ato duhet të shpjegohen qartësisht, në mënyrë që të ndihmojnë në kuptimin e saktë të realitetit të këtij trajtimi, sferës së tij dhe mënyrës së zbatimit të tij. Këto çështje janë:
Çështja e parë: Nocioni i trajtimit të nevojës si domosdoshmëri.
Çështja e dytë: Kriteri i nevojës që trajtohet si domosdoshmëri.
Çështja e tretë: Shkaku i këtij trajtimi.
Autor: Ahmet ibn Abdurrahman ibn Nasir Er Reshid
Përshtati: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – “El – Eshbah uen Nadhair” i Sujutit, fq: 62.
[2] – “I’lamul Muuekiine” i Ibn Kajmit, fq: 3/23.
[3] – “El-Meusuatu el-fikhije”, fq: 34/240.
[4] – “El Um”, fq: 2/83.



















