Projekti më madhështor në të cilin njeriu mund të ketë sukses në këtë jetë, i cili nuk është një projekt tregtar, as një diplomë shkencore dhe as një post pune; por është projekti i përmirësimit dhe pastrimit të vetvetes. Sa e sa njerëz kanë pasur sukses në sytë e të tjerëve, por e kanë humbur veten! Dhe sa e sa njerëz nuk janë njohur nga njerëzit, por kanë pasur sukses në përmirësimin e zemrës së tyre, derisa janë bërë prej evlijave të devotshëm të Allahut!
Për këtë arsye, Kurani Famëlartë e ka bërë pastrimin e shpirtit një prej shkaqeve më të mëdha të shpëtimit dhe suksesit; sepse, kur shpirti përmirësohet, bashkë me të përmirësohen edhe mendimi, gjuha, morali, marrëdhëniet dhe të gjitha veprat e tjera. Ndër mjetet më të mëdha për pastrimin e shpirtit janë adhurimet e fshehta, sepse ato e edukojnë zemrën me sinqeritet dhe e bëjnë atë të lidhet vetëm me Allahun, larg kërkimit të lavdërimit dhe vlerësimit të njerëzve.
Pastrimi i shpirtit nënkupton pastrimin e tij nga sëmundjet e zemrës, si mendjemadhësia, syfaqësia, zilia, vetëpëlqimi dhe dashuria për famën, si dhe edukimin e tij me besimin, sinqeritetin, durimin, mëshirën, frikën ndaj Allahut dhe dashurinë për Të. Për këtë arsye, Allahu e dërgoi të Dërguarin e Tij (a.s) që të përmbushte këtë mision madhështor. Allahu i Lartësuar thotë: “Është Ai që u dërgoi analfabetëve një të Dërguar nga mesi i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tij, t’i pastrojë ata dhe t’u mësojë Librin dhe Urtësinë.”[1]
Pra, pastrimi i shpirtit paraprin dijen e dobishme; sepse, kur zemra është e shëndoshë, njeriu përfiton prej dijes dhe e vë atë në praktikë.
O vëlla i bekuar! A e ke pyetur ndonjëherë veten: Pse adhurimet e fshehta janë ndër mjetet më të mëdha për pastrimin e shpirtit?
Sepse, kur njeriu e kryen një vepër larg syve të njerëzve, nuk i mbetet përpara veçse mbikëqyrja e Allahut. Ai që falet natën ndërsa njerëzit janë në gjumë, nuk pret duartrokitje; ai që qan nga frika e Allahut kur është vetëm, nuk pret admirimin e askujt; dhe ai që jep lëmoshë fshehurazi, nuk pret falënderime. Pikërisht këtu zemra edukohet me adhurimin më madhështor: sinqeritetin. Allahu i Lartësuar thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë ndaj Tij në fe.”[2]
O vëllai im! Sëmundjet më të rrezikshme nuk janë sëmundjet e trupit, por sëmundjet e zemrës. Syfaqësia, vetëpëlqimi, mendjemadhësia, zilia dhe dashuria për lavdërimet janë sëmundje që mund t’i asgjësojnë veprat. Adhurimet e fshehta i trajtojnë këto sëmundje, sepse ai që i kryen ato nuk vepron për hir të njerëzve, por për hir të Allahut. Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu i Lartësuar nuk shikon pamjen tuaj dhe pasurinë tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.”[3]
Prandaj, sa më shumë t’i kushtojë myslimani rëndësi zemrës së tij, aq më shumë i afrohet Allahut.
O i ri! Njeriu mund të përpiqet të paraqitet bukur para njerëzve për orë të tëra, por nuk mund ta mashtrojë Allahun. Njeriu i vërtetë është ai që në vetmi është po ai që është edhe mes njerëzve; madje, në vetmi është edhe më i kujdesshëm në mbikëqyrjen e Allahut. Disa prej të parëve tanë të devotshëm kanë thënë: “Nëse dëshiron të dish pozitën tënde tek Allahu, shiko se në çfarë të ka vendosur Ai.” Një tjetër ka thënë: “Mos e bëj Allahun më të parëndësishmin ndër ata që të shohin.” Prandaj, kush e ruan bindjen ndaj Allahut kur është vetëm, Allahu e ruan atë kur gjendet mes njerëzve.
O i dashur! Të parët tanë të devotshëm e shihnin përmirësimin e zemrës si kapitalin e vërtetë. Imam Shafiu thoshte: “Do të doja që njerëzit ta mësonin këtë dije dhe të mos më atribuohej mua asgjë prej saj.” Kjo është një prej formave më madhështore të pastrimit të shpirtit, sepse shqetësimi i tij kryesor ishte dobia e njerëzve dhe jo fama e emrit të tij. Edhe Imam Ahmed ibn Hanbeli i fshihte shumë prej adhurimeve të tij vullnetare dhe nuk dëshironte që njerëzit të shihnin adhurimin e tij, sepse e dinte se zemra mund të prishet nga dashuria për lavdërime.
Frytet e adhurimeve të fshehta në pastrimin e shpirtit
O ju të rinj! Adhurimet e fshehta kanë fryte të shumta në pastrimin e shpirtit. Ndër to janë:
Së pari: Realizimi i sinqeritetit. Sa më shumë të kryejë njeriu vepra për të cilat nuk di askush përveç Allahut, aq më shumë shtohet sinqeriteti i tij dhe aq më shumë dobësohet lidhja e tij me lavdërimet e njerëzve.
Së dyti: Forcimi i mbikëqyrjes së Allahut. Ai që e braktis mëkatin kur është vetëm, sepse e di se Allahu e sheh, ka arritur një shkallë të lartë besimi. Allahu i Lartësuar thotë: “Fshiheni fjalën tuaj ose shpreheni haptazi, Ai, pa dyshim, është i Gjithëdijshëm për atë që gjendet në zemra.”[4]
Së treti: Qetësia e zemrës. Ai që ka një çast vetmie me Allahun, përjeton një qetësi që nuk e gjen në zhurmën e kësaj bote. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.”[5]
Së katërti: Qëndrueshmëria përballë sprovave. Zemra e edukuar me adhurim në fshehtësi është më e fortë kur përballet me epshet dhe dyshimet, sepse marrëdhënia e saj me Allahun nuk është e lidhur me praninë dhe shikimin e njerëzve.
Së pesti: Përfundimi i mirë. Ai që e ka kaluar jetën me ndjenjën se Allahu e mbikqyr në fshehtësi, ka më shumë shpresë se Allahu do ta forcojë në çastin e vdekjes. Për këtë arsye, të parët tanë të devotshëm kujdeseshin që të kishin një vepër të fshehtë, përmes së cilës shpresonin për një përfundim të mirë.
O vëllai im! Ruhuni nga një adhurim që nuk e ndryshon zemrën tuaj. Njeriu mund t’i shtojë shumë veprat e tij, por zemra e tij të mbetet e ngurtë, gjuha e tij lënduese dhe sjellja e tij e keqe. Kjo tregon se ai është kujdesur për formën e adhurimit dhe nuk është kujdesur për ndikimin e tij. Sepse adhurimi i vërtetë është ai që e ndryshon moralin e atij që e kryen. Nëse del nga namazi më i mëshirshëm, nga Kurani më i përulur dhe nga lëmosha më bamirës, atëherë shpirti yt ka filluar të pastrohet. Por, nëse zemra ka mbetur po ajo që ishte, atëherë njeriu duhet ta llogarisë veten dhe ta ripërtërijë sinqeritetin e tij.
O i ri dhe o vajzë! Nëse dëshironi të njihni të vërtetën e besimit tuaj, mos shikoni vetëm atë që bëni para njerëzve, por shikoni edhe atë që bëni kur mbyllen dyert, zhduken shikimet e njerëzve dhe nuk mbetet me ju askush tjetër përveç Allahut. Bëjeni pjesë të qëndrueshme të jetës suaj adhurimet e fshehta, sepse ato janë shkolla e sinqeritetit, fusha e pastrimit të shpirtit dhe shenjë e sinqeritetit të besimit. Sa më shumë të jetë pjesa juaj prej tyre, aq më e pastër do të bëhet zemra juaj, aq më e fortë do të jetë lidhja juaj me Allahun dhe aq më i lehtë do t’ju bëhet qëndrimi i palëkundur në bindje ndaj Tij, derisa ta takoni Atë dhe Ai të jetë i kënaqur me ju.
Autor: Adnan Dervish
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Xhuma: 2.
[2] – Sure Bejjine: 5.
[3] – Muslimi.
[4] – Sure Mulk: 13.
[5] – Sure Ra’d: 28.



















