Shtatë gjëra që na rrethojnë dhe na vjedhin aftësinë për të menduar… pa e kuptuar

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1 – Videot e shkurtra

Reels-at dhe videot e shkurtra e mësojnë trurin të kalojë me shpejtësi nga një ide te tjetra.

Mezi i japim një ideje kohë të mjaftueshme për ta menduar, përpara se të kalojmë te një tjetër. Me kalimin e kohës, të qëndrosh me një libër, një çështje apo një ide që kërkon përqendrim dhe reflektim mund të bëhet lodhëse.

Problemi nuk qëndron te shikimi i një videoje të shkurtër, por te fakti që mendja mund të mësohet të mos qëndrojë gjatë me asgjë.

2 -Inteligjenca artificiale kur mendon në vendin tonë.

Tani është bërë shumë e lehtë t’i kërkojmë inteligjencës artificiale të shkruajë, të analizojë, të krahasojë dhe të na japë përgjigjen.

Ajo është një mjet i jashtëzakonshëm kur e përdorim si ndihmë për të menduar, por rreziku fillon atëherë kur e përdorim në vend që të mendojmë vetë.

Sepse mendja që nuk vihet përballë përpjekjes për të gjetur një zgjidhje, me kalimin e kohës mund të harrojë se si të përpiqet.

3 – Bollëku i mendimeve të gatshme

Në shumë çështje, gjejmë dhjetëra njerëz që kanë menduar, shkruar dhe analizuar para se t’i japim vetes mundësinë të formojmë mendimin tonë.

Kështu, mund të arrijmë në një pikë ku dimë shumë mirë se çfarë thonë të gjithë të tjerët, por nuk e dimë se çfarë mendojmë apo çfarë shohim ne vetë.

4 – Njoftimet e vazhdueshme

Të menduarit thellë kërkon kohë të pandërprerë. Por njoftimet, mesazhet dhe telefonatat i ndërpresin vazhdimisht mendimet tona, derisa mendja përfundon duke qenë e pranishme në shumë vende njëkohësisht, por nuk është plotësisht e pranishme askund.

Sa shumë ide të mira kanë humbur, sepse diçka e vogël i ndërpreu ato para se të piqeshin.

5 – Frika nga boshllëku

Nuk jemi më në gjendje ta durojmë pritjen pa telefon, të ulemi vetëm pa ndonjë zë në sfond, apo të ecim pa pasur diçka që na angazhon.

Por disa mendime nuk lindin në mes të zhurmës.

Ndoshta boshllëku prej të cilit përpiqemi të arratisemi është pikërisht vendi ku do të lindte një ide e re, një rishikim i sinqertë i vetes ose një vendim i rëndësishëm.

6 – Kërkimi i përgjigjes përpara se të mësojmë si të bëjmë pyetjen

Sot mund të arrijmë te mijëra përgjigje brenda pak sekondash. Por një pyetje e mirë kërkon një mendje që ka qëndruar gjatë përballë problemit.

Njeriu që mësohet t’i marrë përgjigjet shpejt, mund të humbasë gradualisht aftësinë për të bërë pyetjet që ia vlen vërtet të kërkohen.

7 – Të jetuarit në reagime

Një lajm i ri, një koment provokues, një video, një mesazh, një çështje që po qarkullon…

Kalojmë nga një gjë te tjetra dhe harxhojmë orë të tëra duke reaguar ndaj asaj që na vjen përpara, pa zgjedhur me vetëdije se çfarë e meriton vërtet vëmendjen tonë.

Të menduarit e vërtetë kërkon ndonjëherë të ndalojmë së reaguari, në mënyrë që të fillojmë të zgjedhim.

Përfundimi:

Problemi nuk qëndron te teknologjia, as te videot e shkurtra dhe as te inteligjenca artificiale. Të gjitha këto janë mjete që mund ta zgjerojnë mendjen e njeriut, por njëkohësisht mund edhe ta çlirojnë atë nga nevoja për ta përdorur vetë.

Ndoshta pyetja sot nuk është më:“Sa dimë?” por: “A po i japim ende mendjes sonë kohën e mjaftueshme për të menduar?”

Autor:  Abdulkerim Bekkar

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *