Një nga iluzionet që ka rënduar më së shumti një brez të tërë prindërish në kohën tonë është ideja e “Babait ideal”. Babai që nuk zemërohet kurrë, nuk gabon, nuk e ngre zërin, di gjithmonë çfarë të thotë, merr vendimin e duhur në momentin e duhur, i kupton fëmijët e tij në çdo fazë të jetës dhe i jep secilit prej tyre atë që i nevojitet, pa tepruar e pa mangësur.
Një baba i tillë nuk ekziston.
Në thelb, edukimi është një marrëdhënie mes njerëzish. Një baba dhe një nënë me temperamentin, rrethanat dhe dobësitë e tyre, si edhe fëmijë, secili me personalitetin, nevojat dhe ndryshimet që përjeton gjatë rritjes. Prandaj, gabimi nuk është diçka e jashtëzakonshme në procesin e edukimit. Ai është një pjesë e natyrshme e tij.
Problemi nuk qëndron te fakti që babai gabon, por te mosnxjerrja e mësimit nga gabimet e tij.
Mund të ndodhë që babai të zemërohet në një situatë ku nevojitej qetësi, të sillet me ashpërsi kur duhej të tregonte butësi, ose të mos i kushtojë vëmendje djalit apo vajzës së tij pikërisht në një çast kur fëmija kishte më shumë nevojë për të. Më pas, në fund të ditës, ai kthehet i mbushur me keqardhje dhe nis ta gjykojë veten:
A jam një baba i keq?
A i kam dëmtuar fëmijët e mi?
A duhej të isha sjellë ndryshe?
Të reflektosh mbi veten është e domosdoshme, por ekziston një dallim i madh midis vetëreflektimit dhe vetëdënimit.
Vetëreflektimi të shtyn të thuash: Gabova. Si mund ta korrigjoj gabimin tim?
Ndërsa vetëdënimi të shtyn të thuash: Gabova, prandaj jam një baba i dështuar.
E para hap rrugën e përmirësimit ndërsa e dyta e lodh njeriun dhe e mban peng të ndjenjës së fajit.
Në të vërtetë, fëmijët nuk kanë nevojë për një baba të përsosur. Ata kanë nevojë për një baba të sinqertë në dashurinë e tij, të pranishëm sa herë që mundet, që kërkon falje kur gabon dhe që mëson sa herë zbulon mangësi në mënyrën se si i edukon dhe i trajton ata.
Ndoshta një nga mësimet më të bukura që një fëmijë mund të marrë brenda familjes së tij është të shohë babanë e vet të gabojë dhe më pas të kërkojë falje. Kjo nuk e ul autoritetin e babait, siç mendojnë disa por përkundrazi, i mëson fëmijës një mësim tepër të rëndësishëm: se njeriu mund të gabojë pa qenë i keq, se pranimi i gabimit është shenjë force dhe se marrëdhëniet mund të riparohen edhe pasi janë lënduar.
Edukimi i mirë nuk do të thotë të kesh një familje pa gabime, por një familje në të cilën anëtarët e saj dinë t’i pranojnë, t’i korrigjojnë dhe t’i riparojnë gabimet e tyre.
Po ashtu, prindërit nuk duhet ta ngarkojnë veten me përgjegjësinë për çdo gjë që u ndodh fëmijëve të tyre. Fëmija nuk është një faqe e bardhë ku prindërit shkruajnë çfarë të duan por përkundrazi, ai është një njeri me formimin e tij të veçantë, me natyrën, prirjet dhe zgjedhjet e veta. Në të ndikojnë gjithashtu shkolla, miqtë, shoqëria, mjedisi kulturor dhe dhjetëra faktorë të tjerë.
Ne jemi përgjegjës për të bërë atë që kemi në dorë në edukimin, udhëzimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve tanë, por nuk jemi zotërues të rezultateve.
Është e padrejtë që një baba të shohë vetëm një situatë të vetme në të cilën ka gabuar dhe të harrojë qindra momente kur i ka përqafuar dhe mbështetur fëmijët e tij. E padrejtë që vite të tëra dashurie, kujdesi dhe përpjekjesh të përmblidhen në një çast zemërimi për të cilin më pas është penduar.
Edukimi është një udhëtim i gjatë dhe udhëtimet e gjata nuk gjykohen nga një rrëshqitje e vetme.
Babai i mirë nuk është ai që nuk rrëzohet kurrë, por ai që mbetet gjithmonë i gatshëm të mësojë, të rishikojë veten, të afrohet me fëmijët e tij dhe të përmirësojë gjithçka që mundet.
Prandaj, në vend që të kërkojmë “babain ideal”, duhet të kërkojmë “babanë që rritet dhe zhvillohet”. Babanë që sot është më i vetëdijshëm se dje, më i kuptueshëm ndaj fëmijëve të tij, më i aftë për të kontrolluar zemërimin e tij, më i shpejtë për të kërkuar falje dhe më i mëshirshëm me veten dhe me ata që e rrethojnë.
Fëmijët tanë nuk kanë nevojë të na shohin të përsosur.
Ata kanë nevojë të shohin tek ne njerëz që i duan, që përpiqen për ta, që ndonjëherë gabojnë, por pastaj kanë guximin të kthehen dhe t’i rregullojnë gjërat.
Prandaj, të mos lejojmë që përpjekja për një edukim të përsosur të na privojë nga bukuria e edukimit njerëzor.
Në fund të çdo dite, në vend që babai ta pyesë veten:
A isha një baba ideal sot?
Ndoshta pyetja më e dobishme do të ishte:
A i desha fëmijët e mi? A mësova diçka të re për ta? A ka ndonjë gabim që mund ta përmirësoj nesër?
Kjo mjafton për fillimin e një dite të re.
Autor: Abdul Kerim Bekkar
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com



















