Llojet e zemrave

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Madhëruar e ka veçuar përfitimin nga ajetet për njerëzit me zemër duke thënë: “Vërtet, në këtë ka përkujtesë për atë që ka zemër, ose e dëgjon me vëmendje dhe është i pranishëm.”

Kuranin Fisnik e përmend zemrën në rreth 130 ajete – disa thonë 132 ajete – pra mbi 130 ajete flasin për zemrën dhe cilësitë e saj: shëndetin apo sëmundjen, pastërtinë, lavdërimin apo qortimin e saj. Mbi 130 ajete flasin për sëmundjet e zemrës, ilaçet e saj, pastërtinë apo sëmundjen e saj, për dyshimin që mund të gjendet në të dhe për bindjen që mund të mbajë ajo, e të tjera si këto.

Nëse Kurani i kushton kaq shumë rëndësi kësaj çështjeje, saqë flet në më shumë se 130 ajete për zemrat, atëherë ne duhet t’u kushtojmë këtyre ajeteve vëmendje të madhe. Boshti i të gjitha këtyre ajeteve është një ajet madhështor në suren Kaf, ku Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, në këtë ka përkujtesë për atë që ka zemër, ose e dëgjon me vëmendje dhe është i pranishëm.”

Ky ajet tregon se ai që përfiton nga ajetet ka tri cilësi. Natyrisht, Kurani këtu nuk flet për zemrën fizike, muskujt që gjenden në kraharor, sepse të gjithë njerëzit e kanë këtë lloj zemre. Madje Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo gjë ka zemër”, pra jo vetëm njeriu. Të gjitha krijesat kanë zemër. Po ashtu Profeti (a.s) ka thënë : “Zemra e Kuranit është Jasini.”

Pra, ne nuk po flasim për zemrën si organ fizik, por për zemrën si fuqi e gjallë shpirtërore. Kur themi “filani ka zemër”, nuk nënkuptojmë zemrën muskulore, por nënkuptojmë se ai ka zemër të gjallë, të zgjuar, vigjilente dhe që ka frikë Allahun e Lartësuar

Ky ajet flet për këtë lloj zemre: “Për atë që ka zemër” – pra zemër të gjallë që e mbikëqyr Allahun në çdo lëvizje dhe qetësi të saj. Ndërsa zemrat që janë vetëm muskul fizik, Allahu thotë në Kuran: “Ata kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë, kanë sy me të cilët nuk shohin dhe kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më të humbur. Ata janë të shkujdesurit.” Po ashtu Allahu thotë në suren Haxh: “A nuk udhëtuan nëpër tokë që të kenë zemra me të cilat të kuptojnë, ose veshë me të cilët të dëgjojnë? Nuk janë sytë që verbohen, por verbohen zemrat që janë në kraharor.”

Pra, nuk duam të flasim për zemrën në kuptimin fizik apo formal, por për zemrën në kuptimin e largpamësisë dhe jetës shpirtërore.

Kurani thotë se ai që përfiton nga përkujtimi i Allahut dhe nga këshilla e udhëzimi, duhet të ketë tri cilësi:

1 – Të ketë zemër të gjallë dhe të vetëdijshme.

2 – Të jetë i pranishëm me dëgjimin e tij.

3 – Zemra e tij të mos jetë e shpërqendruar, por e përqendruar tek ai që flet.

Ndonjëherë njeriu mund të ketë zemër të zgjuar, por mendja i shpërqendrohet. Ose mund të ketë zemër të gjallë dhe të dëgjojë folësin, por dëgjimi i tij nuk është i përqendruar. Allahu thotë se ai që përfiton nga ajetet është ai që ka zemër, zemra e tij është e pranishme dhe ai dëgjon me vëmendje:
“Për atë që ka zemër, ose e dëgjon me vëmendje dhe është dëshmitar (i pranishëm).”

Shejh el-Firuzabadi (r.h) në librin e tij “Besair Dheut-Temjiz fi Letaif el-Kitab el-Aziz” thotë se Kurani ka përmendur shtatë lloje zemrash. Këto shtatë lloje do t’i përmendim shkurtimisht:

1 – Zemra mohuesе; zemra e jobesimtarit. Allahu thotë: “Ata që nuk besojnë në botën tjetër, zemrat e tyre janë mohuese dhe ata janë mendjemëdhenj.”

2 – Zemra e sëmurë; zemra e hipokritit. Allahu thotë: “Në zemrat e tyre ka sëmundje, prandaj Allahu ua shtoi sëmundjen.”

3 – Zemra e ashpër; zemra e besimtarit mëkatar. Allahu thotë: “Mjerë për ata zemrat e të cilëve janë ngurtësuar ndaj përmendjes së Allahut.”  Po ashtu Allahu thotë: “Jo, por zemrat e tyre i mbuloi ndryshku i asaj që fitonin.” Profeti (a.s) ka shpjeguar se “ndryshku” është mëkati mbi mëkatin derisa zemra të nxihet. Kur robi bën mëkat, në zemrën e tij vendoset një pikë e zezë. Nëse pendohet, ajo pastrohet; nëse vazhdon në mëkat, zemra nxihet derisa vuloset.

4 – Zemra pendimtare dhe e kthyer tek Allahu. Allahu thotë: “Ai që vjen me zemër të kthyer tek Allahu.”

5 – Zemra dashuruese dhe ky është kuptimi i ajetit: “Për atë që ka zemër.” Edhe sot ne themi: “Filani është prej njerëzve të zemrës”, domethënë prej njerëzve me zemër të mbushur me dashuri.

6 – Zemra frikësuese. Allahu thotë: “Besimtarë janë vetëm ata që kur përmendet Allahu, zemrat e tyre dridhen.”  Dhe thotë: “Ata që japin atë që japin, ndërsa zemrat e tyre janë të frikësuara se do të kthehen tek Zoti i tyre.”

7 – Zemra e pastër dhe njohëse e Allahut. Allahu e përmend në lidhje me Ibrahimin (a.s): “Atë Ditë kur nuk do të bëjnë dobi as pasuria e as fëmijët, përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të pastër.”

Pra: zemër njohëse, zemër frikësuese, zemër hipokrite, zemër besimtare, zemër jobesimtare… kështu Allahu i ndan zemrat në Kuran që njeriu të kuptojë se cilën zemër posedon.

Dijetarët thonë: cila është dobia e të folurit për zemrën? Ata thonë: vlera e veprave tek Allahu ngrihet sipas dallimit të realitetit të imanit në zemër.

Ndonjëherë unë bëj një vepër dhe ti bën të njëjtën vepër, por ti më tejkalon tek Allahu me të njëjtën vepër. Pse? Sepse veprat dallojnë sipas zemrave.

Dy njerëz mund të japin secili nga dhjetë monedha sadaka, por sadakaja e njërit ngrihet në qiell ndërsa e tjetrit mbetet në tokë. Shkaku është dallimi i zemrave.

Hasan ibn Atijje (r.h) thoshte:“Dy njerëz mund të jenë në të njëjtin namaz, por dallimi mes tyre është sa qielli me tokën.”

Pse? Të dy falen, të dy bëjnë ruku dhe sexhde. Por njëri është i kthyer me zemër nga Allahu, ndërsa tjetri është i pavëmendshëm dhe i shpërqendruar.

Prandaj dy veta falen, dy veta përkulen dhe dy veta bëjnë sexhde, por dallimi mes tyre është i madh.

Lus Allahun e Madhëruar të na bëjë dobi me atë që dëgjuam. Ai është Kujdestari dhe i Plotfuqishmi për këtë. Falënderimi i takon Allahut.

Autor: Ed’hem el Asimi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *