Morali: elementi i munguar në ekuacionin e përparimit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në vorbullën e garës së ethshme drejt përparimit material, zhvillimi shpesh reduktohet në shifra ekonomike dhe tregues teknikë, ndërsa lihet në harresë shtysa e tij më e thellë: morali. Zhvillimi i vërtetë nuk është thjesht investim në tokë, por, para së gjithash, investim te njeriu, sepse asnjë shoqëri nuk mund të arrijë një rilindje të qëndrueshme pa e ndërtuar atë mbi një themel të fortë vlerash.

Që nga agimi i tij, Islami ka përcaktuar se morali nuk është një element dytësor në ndërtimin e qytetërimit, por thelbi dhe qëllimi i mesazhit të tij. Profeti (a.s) thotë: “Jam dërguar vetëm për të përsosur virtytet e larta morale.”[1] Kjo është një dëshmi e qartë se përmirësimi i sjelljes njerëzore është një nga themelet më të rëndësishme të kësaj feje hyjnore. Edhe Kurani fisnik e ka bërë moralin kriter për vendosjen e drejtësisë dhe mbarëvajtjen e jetës. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë, bamirësinë dhe ndihmën ndaj të afërmve, si dhe ndalon imoralitetin, të keqen dhe padrejtësinë. Ai ju këshillon, në mënyrë që të merrni mësim.”[2]

Ky është një udhëzim gjithëpërfshirës për ndërtimin e një shoqërie të ekuilibruar, të mbështetur mbi vlera.

Ky sistem moral në Islam zbatohet për të gjithë anëtarët e shoqërisë, pavarësisht pozitës apo detyrës së tyre. Kështu, Profeti i Allahut (a.s) e shpalli këtë parim në shoqërinë myslimane, duke thënë: “Ajo që i shkatërroi popujt para jush ishte se, kur vidhte ndonjë njeri me pozitë mes tyre, e linin të pandëshkuar, ndërsa kur vidhte ndonjë njeri i dobët, zbatonin ndaj tij dënimin e përcaktuar. Betohem në Allahun se, edhe sikur Fatimja, e bija e Muhamedit, të vidhte, do t’ia prisja dorën.”[3]

Morali dhe zhvillimi: marrëdhënie themelore, jo plotësuese

Zhvillimi, në thelbin e tij, nuk është thjesht rritje e prodhimit, por ndërtim i një sistemi të integruar besimi, drejtësie dhe disipline. Të gjitha këto janë vlera morale përpara se të jenë administrative apo ekonomike. Për shembull, ndershmëria është një bazë për suksesin e transaksioneve financiare, sinqeriteti është shtyllë e qëndrueshmërisë së tregjeve, ndërsa drejtësia është kusht për arritjen e ekuilibrit shoqëror. Ndërkaq, padrejtësia paralajmëron shkatërrimin e qytetërimit, siç ka përmendur Ibn Halduni, Allahu e mëshiroftë.

Islami e ka theksuar këtë lidhje të ngushtë, duke e bërë moralin e mirë pjesë të përsosmërisë së besimit. Profeti (a.s) ka thënë: “Besimtarët me besimin më të përsosur janë ata që kanë moralin më të mirë.”[4] Kjo lidhje nënkupton se morali nuk është një zgjedhje individuale, por një domosdoshmëri qytetëruese, ndikimet e së cilës shtrihen në të gjithë shoqërinë.

Disa shfaqje të çrregullimit bashkëkohor

Ndër krizat më të spikatura të shoqërive moderne është ajo që mund të quhet “hendeku moral”, ku mjetet përparojnë, ndërsa vlerat pësojnë rënie. Mund të shohim kompani gjigante që falimentojnë për shkak të korrupsionit administrativ, ose sisteme financiare që tronditen si pasojë e mungesës së transparencës. Kjo tregon se përparimi teknologjik, i vetëm, nuk mjafton për të garantuar qëndrueshmërinë.

Studime bashkëkohore tregojnë se mbizotërimi i vlerave materiale ka çuar në rënien e ndikimit të moralit në jetën e njerëzve, deri në atë pikë sa disa periudha janë cilësuar si epoka e postmoralit. Ky është një sinjal alarmues se shoqëritë që i lënë pas dore vlerat, pavarësisht fuqisë që mund të arrijnë, mbeten të kërcënuara nga brenda.

Kur morali i prin zhvillimit

Në të kundërt, vërejmë se shoqëritë që i përforcojnë vlerat e integritetit dhe transparencës arrijnë rezultate të dukshme në zhvillim. Për shembull, disa shtete që mbështeten në qeverisjen e mirë, të bazuar në ndershmëri dhe llogaridhënie, shfaqin qëndrueshmëri më të madhe ekonomike dhe nivele më të ulëta korrupsioni.

Gjithashtu, përhapja e nismave të përgjegjësisë shoqërore në kompanitë e mëdha pasqyron një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh se morali nuk është barrë, por një investim afatgjatë. Kompanitë që respektojnë klientët dhe punonjësit e tyre ndërtojnë një reputacion të fortë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në fitimet dhe vazhdimësinë e veprimtarisë së tyre.

Në Sheriatin islam mund të sjellim si shembull sistemin e zekatit dhe të sadakave, si një model moral që trajton varfërinë dhe zvogëlon pabarazitë shoqërore. Këtë e vënë në dukje edhe disa studime që evidentojnë lidhjen ndërmjet veprimtarisë bamirëse dhe zvogëlimit të pabarazisë ekonomike.

Gjithëpërfshirja dhe koherenca

Konceptimi islam i moralit dallohet për karakterin e tij gjithëpërfshirës dhe të integruar. Ai nuk e ndan adhurimin nga sjellja dhe as individin nga shoqëria. Në Islam, morali është një sistem hyjnor dhe njerëzor që rregullon sjelljen për të realizuar të mirën në këtë jetë. Në këtë mënyrë, ai përfaqëson kuadrin që e orienton çdo veprimtari njerëzore drejt së mirës së përgjithshme.

Me moral nuk nënkuptohen vetëm vlerat individuale, si sinqeriteti dhe modestia, por edhe vlerat institucionale, si drejtësia në gjykim, transparenca në administrim dhe mëshira në politikat shoqërore. Kjo gjerësi e bën moralin një themel të qëndrueshëm për çdo projekt të mirëfilltë zhvillimor.

Drejt rikthimit të vlerës dhe rëndësisë së moralit

Rindërtimi i shoqërive moderne nuk mund të realizohet vetëm përmes politikave ekonomike, por kërkon një projekt moral të integruar, i cili nis nga individi dhe shtrihet deri te institucionet. Kjo kërkon:

Përforcimin e vlerave morale në edukim, arsim dhe formimin e individit.

Nxitjen e shembullit të mirë, veçanërisht nga drejtuesit e institucioneve publike.

Lidhjen e ligjeve me frymën e drejtësisë dhe jo vetëm me tekstet ligjore.

Gjallërimin e vetëdijes fetare si një shtysë e brendshme për sjelljen e drejtë.

Morali nuk është luks intelektual dhe as një plotësues dytësor i procesit të zhvillimit, por shpirti i tij i fshehtë dhe motori i vërtetë. Çdo përvojë zhvillimore që e shpërfill këtë dimension është e destinuar të jetë e brishtë, pavarësisht shkallës së përparimit të saj të dukshëm.

Ruajtja e vlerave është një nga shkaqet më të rëndësishme për ruajtjen e ekuilibrit dhe përparimin e shoqërisë. Nëse dëshirojmë një zhvillim të vërtetë, duhet t’ia rikthejmë moralit vendin që i takon, jo vetëm në ligjërimin publik, por edhe në jetën e përditshme, ku ai shndërrohet nga slogane të shpallura në sjellje të praktikuara dhe nga teori të shkruara në një qytetërim të gjallë.

Burimi: islamweb.net

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Ahmedi.

[2] – Sure Nahl: 90.

[3] – Buhariu.

[4] – Tirmidhiu.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *