Falënderimi i takon Allahut dhe mjafton, ndërsa paqja dhe bekimi qofshin mbi robërit e Tij që Ai i ka zgjedhur, veçanërisht mbi robin e Tij të zgjedhur, si dhe mbi familjen dhe shokët e tij.
Të dashurit e mi në Allah
Sot do të shërojmë zemrat e ngurtësuara, dhe kjo bëhet me një vepër të veçantë e të fuqishme, që ka forcën e shpërthimit të një lumi. Kjo merret nga fjala e Allahut të Lartësuar: “Pastaj zemrat tuaja u ngurtësuan pas kësaj dhe u bënë si gurë, madje edhe më të ashpra. E, me të vërtetë, prej gurëve ka të tillë nga të cilët burojnë lumenj; ka prej tyre që çahen dhe prej tyre del ujë; e ka prej tyre që rrëzohen nga frika ndaj Allahut. Dhe Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që veproni.”[1]
Ne duam një vepër të veçantë që i zbut zemrat e ngurtësuara, derisa të na dhurohen zemrat e robërve të devotshëm të Allahut. I Dërguari (a.s) ka thënë: “Vërtet Allahu ka enë nga banorët e tokës, dhe enët e Zotit tuaj janë zemrat e robërve të Tij të devotshëm; më të dashurat tek Ai janë ato më të butat dhe më të ndjeshmet.”[2]
Muttarrif ibn Abdullah ibn esh-Shihir ka thënë: “O vëllezërit e mi, përpiquni në vepra! Nëse çështja është siç shpresojmë nga mëshira dhe falja e Allahut, do të kemi grada në xhenet; e nëse është e ashpër siç frikësohemi, nuk do të themi: “Zoti ynë, na kthe që të bëjmë vepra të mira ndryshe nga ato që bënim”, por do të themi: “Ne kemi vepruar, por nuk na bëri dobi.”
Hafsa bint Sirin thoshte: “O ju të rinj, punoni (bëni vepra), sepse vërtet puna është kur jeni të rinj.”
Hasan el-Basriu ka thënë: “Besimtari mbështetet në varrin e tij mbi atë që ka dërguar nga veprat e tij: nëse janë të mira, mirë; e nëse janë të këqija, keq. Prandaj shfrytëzoni nxitimin (në vepra të mira), Allahu ju mëshiroftë, sa jeni ende në kohë.”
Detyra praktike:
Jep një sadaka të madhe, ose lexo sot shumë nga Kurani, ose fale një pjesë të madhe të natës, ose bëj një vepër të mirë që nuk e ke bërë më parë: lehtësoji një besimtari një brengë, shlyeje një borxh, ndihmo një të dëshpëruar, kuro një të sëmurë, plotësoji një nevojë një muslimani.
Autor: Hani Hilmi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Bekare: 74.
[2] – Tabaraniju. Hadithi është Hasen.



















