Qysh në fillim, surja Fatiha vendos themelet morale dhe intelektuale të një vizioni global për unitetin njerëzor dhe kohezionin shoqëror. Ajeti kuranor “Falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve”[1]është një shpallje teologjike dhe një parim shoqëror njëkohësisht, duke theksuar se sundimi i Allahut përfshin të gjithë krijesën pa dallime apo hierarki. Duke përkufizuar Allahun si “Zot i gjithë botëve”, Kurani shkatërron tribalizmin e ngushtë, ekskluzivitetin racor dhe ndarjet klasore që karakterizonin Gadishullin Arab para Islamit dhe shumë shoqëri të tjera.
Ai i zëvendëson këto me një vizion global gjithëpërfshirës që lidh njerëzimin përmes origjinës së përbashkët dhe përgjegjësisë morale të përbashkët. Çdo individ, pavarësisht nga raca, gjuha, gjinia apo statusi shoqëror, qëndron i barabartë para Krijuesit, nën të njëjtin sistem etik dhe drejtësi hyjnore.
Pranim i një Zoti të vetëm për gjithë botën formon themelin shpirtëror për një etikë shoqërore të bazuar mbi barazinë, solidaritetin dhe ndihmën reciproke. Ai e shndërron monoteizmin nga një koncept krejtësisht teologjik në një filozofi shoqërore që përcakton se si duhet të veprojnë njerëzit me njëri-tjetrin brenda një uniteti të udhëheqjes hyjnore.
Në këtë kuadër, besimi në një Zot të vetëm detyron njohjen e unitetit të njerëzimit, duke i obliguar individët dhe komunitetet të zëvendësojnë konfliktin me bashkëpunim, përjashtimin me përfshirje dhe ndarjet me harmoni morale.
Kështu, surja Fatiha nuk konsiderohet vetëm një hyrje në Kuran, por edhe shpallja themeluese e filozofisë së tij morale dhe shoqërore; një shpallje e lidhjes universale njerëzore dhe e fatit moral të përbashkët. Ajetet e saj të hapjes kapërcejnë të gjitha ndarjet fisnore, racore apo kombëtare, duke i drejtuar njerëzit tek Allahu si “Zot i gjithë botëve”, duke theksuar se njerëzimi është i bashkuar nën sundimin e një Zoti të vetëm. Ky universalitet i besimit e shndërron adhurimin personal në një etikë kolektive, duke ftuar çdo individ të marrë pjesë në ruajtjen e drejtësisë, mëshirës dhe paqes si shprehje të rendit hyjnor.
Përmendja në sure e ajetit: “Të gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh”[2] e forcon idenë e mëshirës si thelb të jetës shpirtërore dhe shoqërore, duke e bërë mëshirën jo vetëm një atribut hyjnor, por edhe një detyrim njerëzor. Në të njëjtën mënyrë, thirrja për udhëzim “udhëzona në rrugë të drejtë”[3] paraqet një orientim etik universal; një thirrje për të gjithë njerëzit që të jetojnë brenda një kuadri të përbashkët të së vërtetës, përgjegjësisë dhe drejtësisë.
Nga një perspektivë sociologjike, surja Fatiha përfaqëson një kontratë shoqërore që lidh individët me njëri-tjetrin përmes njohjes së përbashkët të autoritetit hyjnor dhe përgjegjësisë morale. Ajo shfuqizon konceptet e mbizotërimit bazuar mbi forcën, pasurinë apo identitetin, dhe forcon barazinë njerëzore përmes varësisë së ndërsjellë ndaj Krijuesit. Në këtë mënyrë, surja përbën parathënien e një kushtetute hyjnore për shoqërinë, ku sjellja morale, mëshira dhe drejtësia nuk janë vetëm virtyte të zgjedhura, por principet mbi të cilat duhet të ndërtohet civilizimi.
Duke i drejtuar njerëzimit si një komunitet etik para Allahut, surja Fatiha i fton njerëzit të tejkalojnë kufijtë e interesit personal dhe të marrin përgjegjësinë për harmoninë morale dhe shoqërore në botë.
Prandaj, ajo nuk është thjesht një lutje hapëse e Kuranit, por edhe deklarata e tij e përhershme për unitetin njerëzor; një vizion i një bote të sunduar nga drejtësia, e udhëhequr nga mëshira dhe mbështetur nga pranim i përbashkët që të gjitha format e jetës ekzistojnë nën kujdesin dhe udhëheqjen e “Falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve”
Surja Fatiha inauguron themelin e konceptit global të unitetit njerëzor që kapërcejnë të gjitha format e ndarjeve shoqërore, duke mishëruar një të vërtetë të thellë sociale: unitetin e Krijuesit, që pasqyron unitetin e të gjithë krijesave. Ky ajet shkrin kufijtë fisnor, racor dhe kombëtar, duke vendosur njerëzimin në një komunitet etik të vetëm, i udhëhequr nga një rend hyjnor i vetëm. Duke paraqitur Allahun si “Zot i gjithë botëve”, Kurani ri-përcakton identitetin kolektiv mbi bazën e përgjegjësisë morale të përbashkët, në vend të statusit të trashëguar apo hierarkisë shoqërore.
Ky universalizëm nuk është vetëm një temë teologjike në Islam; ai formon edhe bazën morale për kohezionin shoqëror. Kur të gjithë njerëzit ndajnë të njëjtën origjinë hyjnore dhe fat moral, drejtësia, bashkëpunimi dhe respekti reciprok bëhen parime të domosdoshme për jetën kolektive. Në këtë mënyrë, Kurani shndërron besimin në një Zot të vetëm në një filozofi shoqërore të unitetit, një filozofi që lidh individët dhe komunitetet përmes një qëllimi moral të përbashkët.
Prandaj, surja Fatiha përfaqëson kushtetutën hapëse të një sistemi etik të qëndrueshëm. Ajo i fton njerëzit të kapërcejnë besnikëritë e ngushta dhe të adoptojnë një solidaritet shoqëror më të gjerë, të bazuar mbi udhëheqjen hyjnore. Kështu, vizioni kuranor i unitetit është njëkohësisht shpirtëror dhe shoqëror; ai bashkon njohjen se besimi në një Zot të vetëm nënkupton përgjegjësi ndaj të gjithë krijesave dhe se kohezioni i shoqërisë njerëzore pasqyron harmoninë e vullnetit hyjnor.
Frazë kyçe e dytë tek ajeti kuranor “Udhëzona në rrugë të drejtë” nuk ka ardhur në numrin njëjës “udhëzomë” por në numrin shumës “udhëzona”. Ky zgjedhje gjuhësore forcon konceptin e përpjekjes morale kolektive; udhëzimi shpirtëror dhe shoqëror janë procese të përbashkëta dhe jo individuale. “Rruga e drejtë” simbolizon një sistem etik dhe shoqëror të përbashkët, një kornizë morale të qëndrueshme që rregullon marrëdhëniet njerëzore me drejtësi, mëshirë dhe bashkëpunim.
Koncepti i unitetit dhe kohezionit shoqëror zhvillohet më tej në suren Bekare, ku Kurani përcakton karakteristikat e shoqërisë së mirë: “Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej Allahut), është udhëzues për ata që janë të devotshëm, të cilët besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen dhe prej asaj që ne ju kemi dhënë ata e japin.”[4] Këtu, Ku’ani lidh besimin dhe veprimin si dy shtylla themelore për kohezionin shoqëror. Besimi në të padukshmen lidh individët me një sistem etik të përbashkët, ndërsa veprime të tilla si namazi dhe bamirësia forcojnë lidhjet sociale.
Veprimi i dhënies, “shpenzimi nga ajo që na është dhënë”, është një shprehje shoqërore e solidaritetit, rikthen shpërndarjen e burimeve dhe zvogëlon shpërbërjen shoqërore. Më vonë në të njëjtën sure, kjo kornizë etike shtrihet për të përfshirë një vizion për umetin: “Dhe ashtu ju kemi bërë një komunitet të mesëm, që të jeni dëshmitarë mbi njerëzit, dhe Profeti të jetë dëshmitar mbi ju.”[5]
Ky ajet vendos rolin shoqëror të komunitetit mysliman si një referencë morale; një komunitet që nuk njihet për racën apo gjeografinë, por për drejtësinë, ekuilibrin dhe përgjegjësinë ndaj njerëzimit. Ai thekson se uniteti nuk është identitet i ngjashëm; është harmonizimi i diversitetit nën një drejtim të përbashkët etik dhe shpirtëror.
Sure Ali Imran thellon thirrjen kuranore për unitet duke e kthyer atë nga një shembull etik në një parim shoqëror të prekshëm që përcakton bazën e jetës kolektive. Ajeti i nderuar thotë: “Dhe kapuni të gjithë për litarin e Allahut dhe mos u ndani! Kujtoni dhuntinë e Allahut mbi ju, kur ishit armiq, Ai bashkoi zemrat tuaja dhe me dhuntinë e Tij u bëtë vëllezër.”[6]
Ky ajet nuk është thjesht një ngjarje shpirtërore, por një metodë për kohezionin shoqëror. Ai i kujton besimtarëve se besimi nuk është një veprim individual dhe i izoluar, por një projekt kolektiv që lidh njerëzit me një qëllim moral të përbashkët dhe një përgjegjësi të ndërsjellë. Koncepti i “litarit të Allahut” përfaqëson thelbin e udhëzimit hyjnor si një marrëveshje gjithëpërfshirëse, një besëlidhje morale që lidh qiellin me tokën, Allahun me njerëzimin, dhe individët me njëri-tjetrin. Duke urdhëruar besimtarët të mbahen për këtë litar, Kurani thekson qëndrueshmërinë në promovimin e drejtësisë, mëshirës dhe së vërtetës si shtylla të një sistemi shoqëror të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Ky ajet nuk përcakton unitetin bazuar në racë, prejardhje apo interes material, por në lidhjen e besimit dhe përkushtimin etik më të lartë. Ai rikujton fuqinë transformuese të dhuntisë hyjnore që ktheu armiqësinë dhe ndarjen në vëllazëri dhe paqe, duke treguar se rinovimi shpirtëror mund të shërojë çarjet e thella shoqërore.
Kurani paraqet këtu unitetin si një dhunti hyjnore dhe një detyrim njerëzor në të njëjtën kohë; një detyrë që duhet mbrojtur përmes vigjilencës morale të vazhdueshme dhe vlerave të përbashkëta etike. Nga perspektiva e sociologjisë, ky ajet vendos bazën për atë që mund të quhet sociologjia kuranore e shoqërisë; një vizion për jetën kolektive, i rrënjosur në vlerat morale të përbashkëta dhe unitetin shpirtëror, jo në detyrim, klasë apo dominim.
Në këtë kuptim, sistemi shoqëror që përshkruan Kurani nuk bazohet vetëm në autoritet të jashtëm ose forcë politike, por në një konsensus moral të brendshëm që lidh individët së bashku përmes besimit të ndërsjellë dhe përgjegjësisë morale. “Litari i Allahut”, siç përmendet në ajet, simbolizon më shumë se një metaforë të besimit; ai përfaqëson një kornizë morale hyjnore që është qendra e kohezionit shoqëror. Ai është besëlidhja morale që bashkon besimtarët nën sundimin e drejtësisë dhe mëshirës hyjnore, duke shndërruar individë të ndryshëm në një entitet moral të vetëm, të udhëhequr nga besimi dhe të orientuar nga vlerat e përbashkëta. Ky litar është lidhja midis hyjnores dhe njerëzores, mes shpalljes hyjnore dhe komunitetit; një ligj suprem që siguron që uniteti shoqëror të bazohet në qëllim dhe moral dhe jo thjesht në përshtatshmëri politike apo interes material.
Në këtë sociologji kuranore, harmonizimi shoqëror nuk lind nga frika ndaj autoritetit ose nënshtrimi ndaj hierarkisë, por nga përkushtimi moral vullnetar dhe solidariteti shpirtëror. Marrëdhënia e besimtarit me Allahun bëhet baza e marrëdhënies së tij me të tjerët, duke e bërë besimin një forcë shoqërore aktive që forcon empatinë, drejtësinë dhe bashkëpunimin. Kur individët mbahen pas litarit të Allahut, ata nuk konfirmojnë vetëm besimin e tyre personal, por marrin pjesë në një veprim kolektiv të harmonisë morale; një nënshtrim i përbashkët ndaj rendit hyjnor që prodhon ekuilibrin dhe kohezionin shoqëror.
Kurani e paraqet shoqërinë si një trup të gjallë, ku çdo anëtar kontribuon në ndërtimin e tërësisë përmes përmbushjes së detyrave morale dhe ushtrimit të mëshirës, përulësisë dhe drejtësisë. Në të kundërt, mungesa e këtij solidariteti moral çon në shpërbërje shoqërore, konkurrencë dhe korrupsion.
Kështu, Kurani ri-përcakton bazën e strukturës shoqërore; ai zëvendëson dominimin me bashkëpunim, detyrimin me ndërgjegje, dhe hierarkinë me një qëllim moral të përbashkët. “Litari i Allahut” bëhet parimi obligues për shoqërinë ideale; një shoqëri që harmonizon besimin individual me mirëqenien kolektive dhe vendos unitetin shoqëror në një besëlidhje të shenjtë të drejtësisë, mëshirës dhe përgjegjësisë së ndërsjellë. Në këtë kuptim, sure Ali Imran thekson se uniteti shoqëror nuk është thjesht politik ose emocional, por është i shenjtë, dhe është një shprehje e rendit hyjnor që manifestohet përmes bashkëpunimit njerëzor, vëllazërisë dhe përkushtimit të përbashkët ndaj drejtësisë dhe mëshirës.
Kurani zhvillon temën e unitetit dhe kohezionit shoqëror si gur themeli i vizionit të tij shoqëror. Nga shpallja e sures Fatiha për Zotin e gjithësisë, te koncepti i sures Bekare për shoqërinë e balancuar, dhe thirrja e sures Ali Imran për solidaritet kolektiv, Kurani krijon një sistem të plotë etik. Ai tregon se shoqëritë njerëzore lidhen jo përmes pushtetit ose gjakmarrjes, por përmes përkushtimit moral të përbashkët, drejtësisë sociale dhe përgjegjësisë së ndërsjellë nën udhëzimin e “Zotit të gjithë botëve”.
Autor: Salih Sulejman Abduladhim
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Fatiha: 2.
[2] – Sure Fatiha: 3.
[3] – Sure Fatiha: 6.
[4] – Sure Bekare: 2-3.
[5] – Sure Bekare: 143.
[6] – Sure Ali Imran: 103.



















