Pyetja:
Përmbledhja:
Një i ri zbuloi se vëllai i tij, rastësisht, e kishte kuptuar që ai shikon materiale pornografike dhe pyet: A është kjo një shenjë nga Allahu që të heq dorë prej tyre?
Detajet:
Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju.
Problemi im është se herë pas here shikoj video pornografike. Në një moment kam shkarkuar në telefonin tim disa video pornografike, pastaj i kam fshirë. Por rastësisht ndodhi që vëllai im zbuloi, përmes listës së shkarkimeve, se unë kisha shkarkuar këto video pornografike.
Më kaploi shqetësimi dhe pikëllimi dhe u lëndova shumë. Pyetja ime është: A është kjo një shenjë nga Zoti ynë, i Madhëruari, që të mos kthehem më te këto lloj videosh?
Ju lutem më përgjigjeni, sepse kjo çështje më shqetëson shumë dhe më ka zënë mendjen.
Allahu ju shpërbleftë me të mira.
Përgjigjja:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Me ndihmën e Allahut të Madhëruar, them:
Së pari: Po, mundet që fakti që vëllai yt ka zbuluar shikimin tënd të gjërave të ndaluara të jetë një e mirë për ty, në mënyrë që të heqësh dorë nga këto shikime të ndaluara.
Së dyti: U çudita me gjendjen tënde kur vëllai yt e mori vesh. Të kaploi shqetësimi dhe pikëllimi dhe u lëndove shumë. Kjo ndodhi për shkak të dijes dhe vëzhgimit të një krijese. Por ku je ti ndaj dijes së të Gjithëfuqishmit, të Gjithëdijshmit, Dëgjuesit dhe Shikuesit? I Pastër është Ai, i Cili ka thënë: “Nuk nxjerr njeriu asnjë fjalë, veçse pranë tij është një vëzhgues i gatshëm (që e shënon atë).”[1]
Dhe ku je ti ndaj fjalës së Tij: “Ti nuk merresh me asnjë çështje, nuk lexon prej tij asnjë pjesë nga Kurani dhe ju nuk bëni asnjë vepër, veçse Ne jemi dëshmitarë mbi ju kur ju angazhoheni në të. Zotit tënd nuk i fshihet as pesha e një grimce në tokë dhe as në qiell, as më e vogël e as më e madhe se ajo, veçse është në një Libër të qartë.”[2]
Dhe ku je ti ndaj fjalës së Tij: “Asgjë nuk është si Ai; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.”[3]
Së treti: Duket se besimi yt është i dobët dhe adhurimet e tua kanë mangësi. Prandaj përmirësoje veten duke e forcuar besimin dhe duke i mbushur boshllëqet në adhurimet e tua përmes këtyre gjërave:
1 – Kërkimi i dijes së dobishme.
2 – Faljen e namazeve rregulisht në xhami.
3 – Shtimi i leximit të Kuranit me meditim dhe përsiatje.
4 – Lutja ndaj Allahut të Madhëruar duke i kërkuar përmirësimin e zemrës sate.
5 – Martohu sa më shpejt!
6 – Angazhimi i vetes me gjëra që të sjellin dobi në fenë dhe jetën tënde, sepse zbrazëtia sjell prishje.
7 – Kërkimi llogari vetes dhe përpjekja e madhe për pendim të sinqertë nga gjërat e ndaluara.
8 – Largimi nga shoqëria e keqe dhe qëndrimi pranë njerëzve të mirë.
9 – Kujtimi i vdekjes dhe i asaj që vjen pas saj: varri, llogaria dhe shpërblimi.
Së katërti: Kujto se me shikimin e ndaluar ti i bën mëkat Allahut të Madhëruar, i Cili të ka dhuruar begatinë e shikimit dhe të ka urdhëruar ta ulësh shikimin nga gjërat e ndaluara. Allahu thotë: “Thuaju besimtarëve që t’i ulin shikimet e tyre dhe t’i ruajnë organet e tyre të turpshme. Kjo është më e pastër për ta. Me të vërtetë, Allahu është i Mirinformuar për atë që ata bëjnë.”[4]
Së pesti: Dije – Allahu të udhëzoftë – se kur Allahu e ndaloi zinanë Ai nuk tha: “Mos bëni zina”, por tha: “Dhe mos iu afroni zinasë, sepse ajo është vepër e shëmtuar dhe rrugë e keqe.”[5]
Kjo është që ndalesa të përfshijë jo vetëm zinanë, por edhe çdo gjë që të çon drejt saj, si shikimi, vetmia me personin e ndaluar, shfaqja e bukurive trupore dhe të tjera.
Së gjashti: Pastaj kujto: Çfarë përfiton nga këto mëkate? Asgjë. Vetëm zemërimin e Allahut ndaj teje, shpërqendrimin e mendjes nga adhurimet që të afrojnë tek Allahu, ndezjen e dëshirës seksuale dhe bërjen tënd rob të saj. Madje mund të përfundosh në imoralitet ose në zakonin e masturbimit.
Së shtati: Për shkak të gjithë kësaj, ji i vendosur me veten tënde dhe hiq dorë menjëherë. Dije se dera e pendimit është e hapur, por mos e shty atë derisa vdekja të të vijë papritur, sepse atëherë pendimi nuk do të të sjellë dobi. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush bën një të keqe ose i bën padrejtësi vetes së tij, pastaj i kërkon falje Allahut, do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirues.”[6] Dhe thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni tepruar në dëm të vetes suaj, mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut. Me të vërtetë, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Falësi, Mëshirëploti.”[7]
Madje, kur Allahu përmendi mëkatet e mëdha – idhujtarinë, zinanë dhe vrasjen e një personi të pafajshëm më pas tha: “Përveç atij që pendohet, beson dhe bën vepra të mira; të tillëve Allahu ua shndërron të këqijat në të mira. Allahu është Falës dhe Mëshirues.”[8]
Kjo është një përgëzim i madh për atë që pendohet me sinqeritet: Allahu, Mëshiruesi, e pranon pendimin e tij dhe ia shndërron mëkatet e mëparshme në vepra të mira.
Prandaj nxito drejt pendimit, mos u vono dhe kërko ndihmën e Allahut!
Allahu të ruajtë dhe të dhëntë sukses në pendimin e sinqertë. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamed, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Këshillues: Abdulaziz Saleh
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Kaf: 18.
[2] – Sure Junus: 61.
[3] – Sure Shura: 11.
[4] – Sure Nur: 30.
[5] – Sure Isra: 32.
[6] – Sure Nisa: 110.
[7] – Suer Zumer: 53.
[8] – Sure Furkan: 70.



















