A jemi mësuar t’i shohim tragjeditë dhe pastaj ta vazhdojmë jetën tonë?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pak ditë më parë lexova një lajm të trishtueshëm që lidhej me një shtet të caktuar, u mërzita. E mbylla telefonin për disa minuta, pastaj hapa televizorin sepse m’u kujtua se ishte një ndeshje që doja ta ndiqja. Ky çast më shqetësoi dhe më bëri të kuptoj se ekziston një problem që duhet rregulluar.

Këtu fillova ta pyes veten: pse jemi bërë të pandjeshëm kur lexojmë lajmet?

Pse mund të shohim bombardime që lënë pas dëshmorë, të trishtohemi dhe, në rastin më të mirë, të shkruajmë një postim ose të shpërndajmë një video në “story”, pastaj jeta të vazhdojë normalisht?

Çështja nuk ka qenë kurrë politike, por morale. Duhet t’ia shtrojmë vetes disa pyetje: Cila është përgjegjësia jonë ndaj dhimbjes që shohim? A mjafton të ndihemi të trishtuar për disa minuta, të shkruajmë një postim dhe pastaj të kthehemi si më parë?

Unë nuk i kërkoj askujt të shkatërrohet nga zemërimi, as të shndërrohet në aktivist politik. Por kur dhimbja njerëzore ndaj vëllezërve tanë muslimanë kthehet në një përmbajtje që kalon pa lënë gjurmë, atëherë këtu qëndron problemi i madh: që të mësohemi me tragjeditë që shohim para syve tanë.

Ka disa gjëra që e kanë shkaktuar këtë ndjesi tek ne…

Lodhja

Ne jetojmë në një kohë ku lajmet derdhen mbi ne çdo minutë. Çdo ditë shohim një krizë në një shtet të caktuar, derisa mendja fillon të mpaket që jeta të vazhdojë.

Pastaj njerëzit janë të rënduar; disa prej nesh kanë kredi, përgjegjësi dhe frikë për vendin e punës, ndaj njeriu fillon të përpiqet ta izolojë veten nga ajo që ndodh në shtetet e tjera dhe kërkon vetëm shpëtimin individual.

Mungesa e besimit tek veprimi

Shumë njerëz e pyesin veten: çfarë do të ndodhte nëse do të vepronim? A e kanë vërtet njerëzit e zakonshëm fuqinë për të ndikuar në vendimet politike?

Shtohen pyetjet e vështira dhe negative, kështu që dobësohet besimi në fitore dhe me kalimin e kohës shuhet entuziazmi.

Iluzioni i pjesëmarrjes

Platformat e rrjeteve sociale na kanë dhënë ndjesinë e arritjes gjatë krizave.

Një “like” në videon e një personi nga Gaza që nuk ka strehë dhe një koment me “Hasbunallahu ue ni’mel uekil” në një postim që flet për numrin e dëshmorëve gjatë muajit të fundit, na krijon ndjesinë sikur e kemi kryer detyrën dhe “Zoti na shpërbleftë”.

Atëherë, pyetja logjike është: cila është zgjidhja?

Njerëzit lëvizin kur shohin një ndikim të prekshëm. Për shembull, kur shohin se bojkotimi e ka ndryshuar sjelljen e një kompanie që mbështet okupimin, ose se kompania ka shpallur falimentimin; dhe këtë gjë e kemi parë realisht.

Njerëzit lëvizin kur shohin se ndikimi i donacionit që japin arrin realisht tek ata që e meritojnë.

Njerëzit lëvizin kur shohin se presioni mediatik ka ndihmuar vërtet në ndryshimin e rrjedhës së një çështjeje të caktuar. Këto janë gjëra që tregojnë se përpjekja që bëjmë jep fryte.

Pastaj duhet ta shndërrojmë ndjeshmërinë në përkushtim. Si?

Ndërveprimi në rrjetet sociale nuk është mbështetje e plotë, edhe nëse ka ndikimin e vet.

Veprat tona duhet ta tejkalojnë ekranin e televizorit dhe telefonit.

Kemi nevojë për vepra të vogla, por të vazhdueshme; një donacion mujor, qoftë edhe i vogël, dhe një mbështetje modeste për një institucion që merret me çështje humanitare në çfarëdo forme, qoftë politike, studimore apo bamirëse.

Edhe përpjekja për ta rritur vetëdijen tënde personale përmes leximit konsiderohet prej veprave që të shtyjnë të vazhdosh në rrugën e së vërtetës. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?”

Pastaj, gjëja më e rëndësishme është: kthimi tek Allahu.

Kjo nuk është një fjali predikimi, por në fakt është tema më e rëndësishme nga të gjitha ato që u përmendën më parë. Ne jemi një umet që Allahu na ka nderuar me Islamin, ndërsa para tij ishim në fund të popujve, pa mendim dhe pa fuqi. Por çfarë ndodhi kur Allahu na nderoi dhe na dërgoi të Dërguarin tonë, Muhamedin (a.s)? Ne u nisëm drejt botës.

Besimi i sinqertë i riorganizon prioritetet e njeriut dhe na kujton se ne nuk jemi thjesht vëzhgues të lajmeve, por secili prej nesh është përgjegjës para Allahut për qëndrimin e tij ndaj asaj që ndodh në botë, për heshtjen e tij dhe për zgjedhjet e tij.

Në fund, ndoshta nuk kemi fuqinë të ndryshojmë balancat e forcës në botë, por kemi fuqinë të refuzojmë që tragjedia të kthehet në një skenë të zakonshme. Dhe kujto: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë vetveten e tyre.”

Autor: Halid Nasir el Keuari

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *