Pamaturia për të refezuar hadithin e saktë në rastin kur ai është i paqartë e i komplikuar

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ngutja për të refuzuar çdo hadith, kuptimi i të cilit është i paqartë dhe i komplikuar për ne  – edhe nëse ai është i saktë – është pamaturi, të cilët ata që janë të thelluar në dije nuk guxojnë ta bëjnë.

Dijetarët nuk i paragjykojnë të parët e Umetit, përkundrazi kanë mendim të mirë për ta. Nëse vërtetohet se të parët e Umetit e kanë pranuar një hadith si të saktë apo që një imam i konsiderueshëm nuk e ka refezuar atë, kjo nënkupton se rreth hadithit nuk ka pasë ndonjë kritikë për shkak se vargu i transmetuesve ka kundërshti apo të ketë shkaqe të fshehta dobësie.

Në këtë rast, a dijetar që është objektiv e ka për detyrë ta pranojë hadithin, t’i japë atij një kuptim logjik apo interpretimin e duhur.

Në fakt ky është dallimi midis Mu’tezileve dhe Ehlu Sunetit në këtë lëmi.

Mu’tezilet nguten duke e refezuar atë hadith që në aparencë bie ndesh dhe është i komplikuar, sepse bazohen tek parimet që ata i konsiderojnë apriori e të pakundërshtueshme. Kurse dijetaët e Ehlu Suneti përdorin logjikën për të interpretuar hadithin, bëjnë gërshetimin dhe bashkërendimin midis haditheve që në aparencë duken si kontradiktorë.

Pikërisht për këtë arsye, imam Ebu Muhamed ibn Kutejbeh në librin mjaft të njohur “Te’uilu Mukhtelefil Hadith” i ka hedhur poshtë dyshimet që  i kanë ngjallur Mu’teziletë rreth disa haditheve, se ato bien ndesh me Kuranin, logjikën, arsyen apo që bien ndesh me hadithe të tjera.

Më vonë, pas tij, do të shfaqej dijetari i hadithit që i përkiste medh’hebit Hanefi, imam Ebu Xhafer Tahuij i cili shkruajti librin “Sherh Mushkilil Athar” me katër vëllime duke u përpjekur që haditheve të paqarta e të komplikuara t’u jepte një interpretim të pranueshëm dhe pikëpamje logjike.

Duke u nisur nga kjo, themi se verifikimi i hollësishëm për kuptimin e hadithit është i domosdoshëm. Në rradhë të parë, detyrë e jona është verifikimi i hadhit. Ashtu sikurse duhet të bëjmë shumë kujdes që mos ta refuzojmë hadithin, për shkak se logjika e përjashton domethënien e tij, sakaq sekreti mund të jetë i fshehur brenda vetë atij.

Qëndrimi i Aishes (r.a)  ndaj disa haditheve:

Shembulli më i qartë për këtë që po themi janë disa prej qëndrimeve që ka mbajtur nëna e besimtarëve, Aishja (r.a).

Ajo nuk është pajtuar me disa hadithe duke menduar se ato bien ndesh me Kuranin, parimet bazë të islamit apo me rregullat e tjera të fesë. Sakaq ato janë hadithe, të cilat janë transmetuar nga sahabët që nuk ka kurrfarë dyshimi në besnikërinë dhe përpikmërinë e tyre. Dhe po ashtu domethënia e atyre haditheve është e saktë.

Le të marrim si shembull hadithin e koteles që flet për torturat dhe vuajtjet e saja derisa ngordhi. Imam Ahmedi ka transmetuar prej Alkames se ai ka thënë: Ne ishim tek Aishja (r.a), kur hyri Ebu Hurejra. Ajo tha: Ti je ai që ke thënë se një grua ka hyrë në zjarr për shkak të një koteleje që e ka lidhur, nuk e ka ushqyer dhe as i ka dhënë për të pirë?! Ai tha: Një gjë të tillë e kam dëgjuar prej tij, d.m.th. prej Profetit (a.s). Ajo tha: A e di ti se çfarë ka qenë ajo grua? Ajo grua ka qenë mosbesimtare, sepse gruaja besimtare është më e nderuar tek Allahu i Lartësuar dhe se Ai  nuk mund ta ndëshkojë atë për shkak të një koteleje?! Kur të flasësh rreth asaj që ka thënë i Dërguari i Allahut, bëj kujdes se çfarë flet!”[1]

Kështu pra, Aishja (r.a), nëna e besimtarëve, nuk është pajtuar me hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra i formuluar në këtë formë. Ajo mendoi se Ebu Hurejra nuk e kishte përcjellur me përpikmëri ç’ka pati dëgjuar prej Profetit (a.s).

Argumenti i Aishes (r.a), nënës së besimtarëve është se ajo e konsideroi si një gjë të rëndë faktin se besimtari të ndëshkohet për shkak të një koteleje. Dhe se besimtari tek Allahu i Lartësuar ka një pozitë të nderuar dhe si rrjedhojë Ai nuk mund ta fusë atë në Zjarr për shkak të një kafshe që nuk ka gojë të flasë.

Allahu e faltë Aishen (r.a), sepse në këtë rast ajo nuk ka vënë re një fakt  shumë të rëndësishëm: atë ç’ka tregon veprimi i asaj gruas. Burgosja  e koteles derisa ajo ngordhi për shkak të urisë është argumenti më i qartë se ajo grua ishte e pashpirtë, e vrazhdë me krijesat e dobëta të Allahut dhe nuk kishte pikë mëshire në zemër. E në Xhenet do të hyjnë vetëm ata që janë të mëshirshëm. Allahu mëshiron ata të cilët janë të mëshirshëm. Nëse mëshiron krijesat në Tokë do të të mëshirojë Ai që është në qiell.

Ky hadith, dhe hadithe të tjera të ngjashme konsiderohen krenaria e islamit në fushën e vlerave humane, pasi ato flasin për shpërblimin e njeriut, i cilit kujdeset dhe sillet me butësi ndaj  çdo krijesë të gjallë.

Madje, domethënien e këtij hadithi e plotëson hadithi tjetër të cilin e ka transmetuar imam Buhariu se një njeri i dha të pijë ujë një qeni të etur, e Allahu e falenderoi dhe e fali atë. Apo se një grua që ishte prostitutë i dha të pijë ujë një qeni, e Allahu e fali atë.

Gjithashtu, këtë hadith, nuk e ka transmetuar vetëm Ebu Hurejra, fakt ky që nuk të lë hapësirë për të menduar se ai nuk ka qenë i përpiktë në përcjelljen e fjalëve të tij. E si mos të jetë ai i përpiktë kur ai është sahabiju që ka mësuar përmendësh hadithe më shumë se kushdo tjetër.?

Imam Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar nga Ibn Omeri se Profeti (a.s) ka thënë:“Një grua është ndëshkuar për shkak të një koteleje. Ajo e burgosi atë derisa ngordhi nga uria. Për shkak të kësaj ajo do të hyjë në zjarr. Allahu i tha asaj: Ti nuk e ushqeve dhe nuk i dhe të pijë kur e burgose dhe po ashtu nuk e lë atë që të hante nga insektet e Tokës.”[2]

Imam Ahmedi ka transmetuar prej Xhabirit se Profeti (a.s) ka thnë: “Një grua është dënuar për shkak të një koteleje sepse ajo e lidhi atë derisa ajo ngordhi. Ajo nuk e lëshoi atë  të hante nga insektet e Tokës.”[3]

Pra siç shikohet qartë, këtë hadith nuk e ka transmetuar vetëm Ebu Hurejra. Por edhe sikur do ta transmetonte vetëm ai, prapë se prapë kjo nuk do të përbënte ndonjë problem.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Hejthemi në “Mexhmu’uz Zeuaidi” fq: (10/190). Ai ka thënë: Këtë hadith e ka transmetuar Ahmedi dhe transmetuesit e këtij vargu janë të saktë. Kurse hadithin se një grua ka hyrë në Xhehenem për shkak se e ka keqtrajtuar një kotele e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi prej Ebu Hurejres. Për më tepër shih “Sahihul Xhamius Sagir” (3374).

[2] – Sahihul Xhami’is Sagir (3995).

[3] – Sahihul Xhami’is Sagir (3996).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *