Këtë lloj ndarje të “nevojës sheriatike” – në këtë formë – është e vetmja formë të cilën juristët e kanë përmendur në librat e tyre. Kushdo që ka folur rreth “nevojës sheriatike” nuk ka lënë pa përmendur këto lloj ndarje dhe realisht kjo lloj ndarje e meriton një vëmendje të tillë, sepse ajo është ndër më rëndësishmet nga të gjitha llojet apo e kategoritë e tjera të “nevojës sheriatike”. Sa më poshtë do të flas rreth kësaj ndarjeje, rreth domethënies së secilës prej nevojës së përgjithshme dhe nevojës specifke duke e ilustruar edhe me shembuj, të cilat na japin një pasqyrim të saktë për secilën prej tyre.
Lloji i parë: Nevoja e përgjithshme:
Nevoja e përgjithshme është ajo për të cilën kanë nevojë të gjithë njerëzit, sepse ajo ka lidhje të drejtpërdrejtë me interesat dhe dobitë e tyre të përgjithshme në fushën e bujqësisë, industrisë, tregtisë, politikës së drejtë dhe qeverisjes së mirë.
Me përshkrimin e saj të përgjithshme nuk është qëllimi që ajo nevojë të përmbushet tek secili individ në veçanti, por qëllimi është që ajo nevojë të jetë e përhapur në mesin e muslimanëve dhe të mos kufizohet vetëm tek disa prej tyre. Ajo nevojë nuk është e veçantë vetëm për një individ të caktuar, as për një grup të caktuar dhe as për një vend të caktuar. Ky kuptim pëputhet me përshkrimin e saj si e përgjithshme, pasi siç thonë gjuhëtarët “e përgjithshmja” nënkupton gjithëpërfshirje dhe shumësi.
Shumica e atyre që kanë folur për nevojën e përgjithshme e kanë shpjeguar atë në një mënyrë të përafërt me atë që u përmend më sipër. Megjithatë, ekzistojnë disa interpretime të ndryshme nga ky kuptim. Një nga këto interpretime është ajo që disa studiues kanë sugjeruar, duke thënë se nevoja e përgjithshme është ajo që individi nuk mund ta përmbushë as vetë dhe as përmes individëve të tjerë, por sigurimi i saj është ndër detyrat e shtetit, si p.sh: ndërtimi i rrugëve, ndërtimi i stacioneve të energjisë elektrike, sigurimi i mjeteve të transportit, etj.
Megjithatë, duket se ky interpretim nuk përputhet me përshkrimin e saj si “e përgjithshme”, sepse kuptimi i përgjithësisë nënkupton gjithëpërfshirje dhe përfshirjen e shumë njerëzve, gjë që nuk realizohet në këtë interpretim. Po ashtu, ai që e përmbush nevojën e përgjithshme nuk ndikon në konceptimin e kuptimit dhe natyrës së saj; përkundrazi, ajo përcaktohet nga fakti se është diçka që nevojitet nga shumica e njerëzve, pavarësisht se kush e siguron atë. Për më tepër, shembujt që kanë dhënë dijetarët për nevojën e përgjithshme, siç do ta cekim në vazhdim, nuk pajtohen me këtë interpretim, pasi individi mund ta përmbushë atë vetë ose përmes ndihmës së individëve të tjerë.
Përveç këtij emërtimi, ne hasim edhe disa lloje të tjera emërtimesh, si p.sh.
“Nevoja e llojit”, me këtë emërtim e ka emërtuar imami i haramejnit, El Xhuejni.
“Dobia e përgjithshme”, me këtë emërtim e ka emërtuar Iz Abduselami.
“Lehtësimi i përgjithshëm”, me këtë emërtim e kanë emërtuar disa juristë të medh’hebit Hanbeli.
“Nevoja bazike”, me këtë emërtim e ka emërtuar shejh Abdullah ibn Bej’a.
Sa më poshtë do të japë një sërë shembujsh rreth “nevojës sheriatike të përgjithshme”, sepse nëpërmjet shembujve na bëhet më e qartë ky lloj i “nevojës sheriatike”.
Shembulli i parë: Legjitimiteti i shitblerjes me parapagesë (Es selem). Në parim kjo lloj shitblerje nuk lejohet, sepse është një lloj shitblerjeje e një malli inekzistent. Sheriati e ka ndaluar njeriun që të shesë një mall që nuk e posedon dhe padyshim që shitja e një malli që nuk ekziston është më e ndaluar. Por në lidhje me këtë lloj transaksioni, sheriati ka bërë një përjashtim duke e lejuar për shkak të nevojës së madhe që njerëzit kanë për të. Argument për lejueshmërinë e këtij transaksioni është hadithi në të cilin thuhet se: “I Dërguari i Allahut (a.s) kur shkoi në Medine vuri re që njerëzit paguanin për vlerën e frutave me parapagesë për një periudhë dy apo tri vjeçare. Ai (a.s) tha: Kush shet me parapagesë, atëherë ai duhet të shesë në sasi të caktuar (të ditur), në peshë të caktuar dhe në afat të caktuar!”[1]
Shembulli i dytë: Legjitimiteti i qirasë. Qiraja është një nga kontratat që sheriati e ka lejuar, duke marrë parasysh nevojën e përgjithshme të njerëzve. Në të kundërtën, kjo kontratë lidhet me përfitime që konsumohen me kalimin e kohës, ndërkohë që parimi themelor në kontrata është që objekti i kontratës të ekzistojë në momentin e lidhjes së saj. Megjithatë, ky parim është përjashtuar për shkak të nevojës së njerëzve për qiranë.
Imam el-Haramejni[2] e ka sqaruar këtë nevojë, duke dhënë si shembull faktin se: “Po kështu, qiraja është e ligjshme për shkak të nevojës për strehim, pasi jo të gjithë mund të zotërojnë një shtëpi, ndërsa pronarët e tyre nuk janë të gatshëm t’i japin ato falas.”[3]
Nga ana tjetër, Ibn Kudameh e konsideron nevojën për qiranë si një argument për vlefshmërinë e saj, duke thënë: “Argumentet për lejimin e qirasë gjenden në Kuran, Sunet dhe Ixhma (konsensusin e dijetarëve). Nevoja për përfitime është e ngjashme me nevojën për sende të prekshme, prandaj, ashtu siç është e lejuar kontrata mbi sendet, po ashtu duhet të lejohet edhe qiraja mbi shërbimet dhe përfitimet. Nuk mund të mohohet se njerëzit kanë nevojë për këtë, pasi jo të gjithë posedojnë një shtëpi për të jetuar ose një kafshë për udhëtim. Gjithashtu, nuk është e detyrueshme për pronarët e pasurive që të strehojnë ose të transportojnë të tjerët falas. Po ashtu, edhe zanatçinjtë punojnë me pagesë, sepse jo të gjithë janë në gjendje të kryejnë të gjitha punët vetë dhe nuk ka gjithmonë dikë që t’i ndihmojë falas. Prandaj, qiraja është e domosdoshme dhe madje është një prej mënyrave të sigurimit të jetesës që Allahu i ka caktuar për njerëzit, pasi shumica e fitimeve burojnë nga zanatet. E përsa i përket mendimit të Abdurrahman el-Asamit, i cili e konsideron qiranë të ndaluar për shkak të pasigurisë (dëmit) ai nuk merret parasysh krahasuar me nevojwn e madhe që ekziston për të. Për më tepër, një kontratë mbi shërbimet dhe përfitimet nuk mund të bëhet vetëm pasi ato të jenë realizuar, pasi përfitimet konsumohen me kalimin e kohës. Për këtë arsye, është e nevojshme që kontrata të lidhet paraprakisht.”[4]
Shembulli i tretë: Legjitimiteti i kontratës së porositjes së mallit të prodhuar (istisnasë). Edhe pse porostija e mallit të prodhuar (istisnaja) është një marrëveshje për diçka që nuk ekziston në momentin e kontraktimit, ajo është lejuar për shkak të nevojës së përgjithshme për të. Juristët kanë sqaruar se arsyeja e ligjshmërisë së kësaj kontrateje është plotësimi i nevojave të njerëzve.
Nevoja për këtë lloj kontrate buron nga fakti se njeriu mund të mos gjejë një mall të përshtatshëm që i nevojitet. Për shembull, ai mund të mos gjejë një rrobë që i përshtatet trupit, një këpucë që i rri saktësisht në këmbë, një unazë që i përshtatet në gisht, apo sende të tjera të ngjashme që njerëzit i kërkojnë por nuk i gjejnë në formën e dëshiruar. Për më tepër, një individ zakonisht nuk është në gjendje t’i prodhojë vetë këto sende dhe nuk ka ndonjë mënyrë tjetër për të përmbushur nevojën e tij, përveçse duke porositur mall (istisnasë), duke kontraktuar dikë tjetër për të prodhuar atë që i nevojitet.
Shembujt që lidhen me nevojën e përgjithshme janë të shumtë saqë është e vështirë të përmenden që të gjitha. Megjithatë, duke shqyrtuar shembujt e përmendur, vërejmë se kriteri i nevojës është i pranishëm tek secili prej tyre, pasi kjo nevojë nuk është e kufizuar vetëm për një grup të caktuar njerëzish apo për një vend të caktuar, por në përgjithësi i gjithë umeti ka nevojë për to dhe nuk mund të bëjë pa to.
Gjithashtu, duke analizuar shembujt e nevojës së përgjithshme, vërejmë se ato shpesh bien ndesh me analogjinë dhe rregullat e përgjithshme. Shpeshherë dijetarët theksojnë se parimisht këto kontrata nuk do të lejoheshin, por janë lejuar për shkak të lehtësimit, pasi janë të lidhura me nevojën e njerëzve dhe se ata nuk mund të bëjnë dot pa to.
Kjo është diçka e qartë dhe e dukshme, pasi edhe me zhvillimin e madh që ka ndodhur në mënyrat e jetesës sot, njerëzit ende nuk kanë mundur të bëjnë pa këto kontrata dhe të ngjashmet si to, ç’ka tregon qartë se ato kanë një karakter të përgjithshëm. Dëshmia më e qartë për këtë është se sot bankat dhe institucionet financiare islame e bazojnë pjesën më të madhe të transaksioneve dhe investimeve të tyre mbi kontrata si shitblerja me parapagesë (es selem) dhe porositja e mallit të prodhuar (istisna), të cilat janë lejuar për shkak të nevojës.
Nevoja e përgjithshme lidhet me një grup rregullash që e dallojnë atë nga të tjerat, dhe këto rregulla janë:
1 – Nuk kërkohet që nevoja e përgjithshme të realizohet tek çdo individ për të qenë e lejuar të veprohet sipas saj; përkundrazi, ajo lejohet për të gjithë, si për ata që kanë nevojë, ashtu edhe për ata që nuk e kanë. Prandaj, dijetarët nuk e kanë kushtëzuar që në kontratat e lejuara për shkak të nevojës së përgjithshme të njerëzve – si qiraja dhe shitblerja me parapagesë (es selem) – personi të jetë nevojtar për to. Kështu, një person mund të marrë hua edhe nëse nuk ka nevojë ose mund të marrë me qira edhe nëse ka mundësi të posedojë (blejë) një pronë.
Dijetarët kanë formuluar rregulla juridike tregues të këtij parimi, si rregulli: “Prezenca e nevojës së përgjithshme përfshin edhe atë që nuk ka nevojë”. Ibn Kudame ka përdorur këtë rregull si argument për të mbështetur një çështje që ka lidhje me nevojën e përgjithshme, ku ka thënë: “A lejohet bashkimi i namazeve për një person që falet vetëm, për atë që ka rrugën drejt xhamisë të mbuluar nga diçka që e mbron nga shiu, ose për atë që ndodhet në xhami?” – Në këtë çështje ka dy mendime, njëri prej të cilëve e lejon, sepse kur justifikimi[5] ekziston, në të përfshihet edhe ata që nuk kanë nevojë për të, ashtu si në rastin e shitblerjes me parapagesë (es selem).”
Ky rregull tregon konceptin e nevojës së përgjithshme, domethënë që ajo nuk kufizohet vetëm te personi që e ka atë nevojë, por aplikohet edhe tek të tjerët, qofshin ata nevojtar apo jo. Kjo domethënie e nevojës së përgjithshme përputhet me rregullat e saj, edhe nëse nuk është përmendur qartë.
2 – Duke qenë se nevoja e përgjithshme nuk kërkon domosdoshmërisht që të përmbushet tek çdo individ, atëherë vetëkuptohet që për vlefshmërinë e saj nuk kërkohet të ekzistojë realizimi i saj tek një individ i caktuar që dëshiron ta zbatojë atë. Ky rregull është përmendur në disa rregulla juridike islame, ndër të cilat është rregulli: “Çdo gjë që është lejuar për një nevojë të përgjithshme, nuk kushtëzohet me ekzistencën e vërtetë të kësaj nevoje.” Një shembull ku ky rregull zë vend është çështja e vendosjes së një trau mbi murin e fqinjit. Nëse kjo i shkakton dëm fqinjit, atëherë nuk lejohet. Por nëse nuk i shkakton dëm dhe personi që dëshiron ta vendosë traun nuk ka realisht nevojë për të, disa dijetarë e kanë lejuar këtë veprim duke u bazuar në disa argumente, ndër to: “Ajo që është lejuar për një nevojë të përgjithshme, nuk kërkon domosdoshmërisht ekzistencën reale të nevojës”, sikurse në rastin e marrjes së pjesës së bashkëpronësisë me të drejtën e shfrytëzimit (shuf’ah), të drejtën për të anuluar kontratën për shkak të defekteve, mbajtjen e qenit për gjueti, lejimin e kontratës së shitblerjes me parapagesë (es selem), lehtësitë e udhëtimit dhe raste të tjera të ngjashme.
3 – Nevoja e përgjithshme përcakton dispozita që janë të vazhdueshme dhe të përhershme, pa ndikuar në to fakti nëse nevoja mbetet apo zhduket. Për shembull, lejimi i qirasë, kontratës me shitblerje me parapagesë (es selem) dhe kontratës së porositjes së mallit të prodhuar (istisna) është i vazhdueshëm dhe nuk lidhet me ekzistencën e vazhdueshme të nevojës. Prandaj, nëse një person ka shfrytëzuar një prej këtyre kontratave për një nevojë të caktuar, ai mund të vazhdojë ta shfrytëzojë atë edhe pasi të mos ketë më nevojë për të.
Lloji i dytë: Nevoja specifike
Për këtë lloj kanë nevojë vetëm një grup i caktuar njerëzish, si për shembull banorët e vetëm një qyteti, zejtarët e një zeje të caktuar, një inidvid i vetëm ose një numër i vogël individësh.
Duke qenë se nevoja e përgjithshme është ajo që kërkohet nga të gjithë njerëzit, siç u përmend më parë, nuk duhet kuptuar nga përshkrimi i kësaj se nevoja specifike është e kundërta e nevojës së përgjithshme, pra që është e kufizuar vetëm për një individ. Përkundrazi, qëllimi i nevojës specifike është se ajo nuk është diçka që kërkohet nga të gjithë njerëzit; ajo mund të jetë e nevojshme për disa prej tyre, si banorët e një qyteti të caktuar, ose mund të jetë e nevojshme për një individ të caktuar, siç do të bëhet e qartë përmes shembujve.
Përveç këtij emërtimi, ne hasim edhe disa lloje të tjera emërtimesh, si p.sh.
“Nevoja personale”: për shkak se ajo lidhet me persona të caktuar.
“Nevojë juridike”: Ai që e quan nevojën e përgjithshme “nevojë themelore”, e quan nevojën specifike “nevojë juridike”, sepse është ajo që juristët kërkojnë ekzistencën dhe realizimin e saj për të lejuar shumë nga rregullat përjashtuese, dhe shpesh kjo nevojë është ajo që nënkuptohet kur juristët e përmendin.
Sa më poshtë do të përmend disa shembuj ilustrues, sepse nëpërmjet shembujve na bëhet e qartë kjo lloj nevoje:
Shembulli i parë: I lejohet mjekut që të shikojë avretin (pjesën e turpshme) e të sëmurit kur një gjë e tillë është e nevojshme. Në parim, nuk lejohet shikimi i avretit të tjetrit, por për shkak të nevojës një veprim i tillë është i lejuar. Në këtë rast, njeriun e godet një sëmundje në avretin e tij, ç’ka lips kurimin dhe shërimin e tij, sakaq mjeku nuk mund ta kurojë përveçse duke parë avretin e njeriut të sëmurë.
Shembulli i dytë: Legjitimiteti për të parë të fejuarën. Nëse një djalë dëshiron të martohet me një vajzë, i lejohet që ta shikojë atë megjithëse në parim një gjë e tillë nuk lejohet. Arsyeja se përse një gjë e tillë lejohet ka të bëjë me faktin se për djalin është e nevojshme që të dijë cilësitë dhe karekteristikat e vajzës me të cilën dëshiron të martohet dhe si rrjedhojë të përputhen karakteret midis tyre.
Kjo dispozitë fetare – legjitimiteti i shikimit të gruas – vlen për çdokënd që nevoja e shtyn për ta parë atë, si në rastin kur gjykatësi duhet të shikojë në fytyrën e saj kur nevoja e lips që ajo të dëshmojë në gjykatë, ose kur dikush e ka të nevojshme që të ketë marrëdhënie me një grua, i lejohet atij ta shikojë atë por brenda normave të lejuar.
Shembulli i tretë: Ligjvënësi ia ka ndaluar burrave që të veshin mëndafsh dhe të vendosin gjëra prej floriri, ashtu sikurse ia ka ndaluar si burrave dhe grave që të përdorin enët e floririt dhe të argjendit. Megjithatë, Ligjvënësi e ka lejuar përdorimin e këtyre gjërave në rast nevoje. Ligjvënësi e ka lejuar veshjen e rrobës së mëndafshtë për ata burra të cilët kanë zgjebe apo kruajte të trupit. Ashtu sikurse e ka lejuar edhe vendosjen e hundës apo dhëmbit prej floriri në rast nevoje. Po ashtu e ka lejuar ngjitjen me flori të enëve kur ato thyhen.
Shembuj të nevojës specifike, të cilat juristët i kanë përmendur në librat e tyre ka plot. Kështu që për çdo vendim përjashtues për cilët juristët kanë vendosur që të jetë i vlefshëm, kanë vënë si kusht prezencën e nevojës, që në rastin konkret është nevojë specifike. Kur shqyrtojmë shembujt e lartpërmendur të nevojës specifike, shohim se ky kriter është i pranishëm tek një individ, disa individë, apo një grup njerëzish të caktuar.
Duke qenë se dispozitat e përcaktuara nga nevoja e përgjithshme zakonisht bien ndesh me analogjinë dhe rregullat e përgjithshme, dispozitat e përcaktuara nga nevoja specifike nuk bien ndesh me rregullat e përgjithshme, por bien ndesh me argumentet dhe tekstet e veçanta. Kjo është në përputhje me përshkrimin e secilës prej tyre, pasi nevoja e përgjithshme bie ndesh me rregullat e përgjithshme, ndërsa nevoja specifike bie ndesh me argumentet e veçanta.
Përderisa nevoja e përgjithshme është e lidhur me një sërë rregullash e normash, po ashtu edhe nevoja specifike është e lidhur me një sërë rregullash e normash që e dallojnë atë nga të tjerat, dhe këto rregulla janë:
1 – Nevoja specifike duhet të vërtetohet dhe nuk mjafton vetëm dyshimi për ekzistencën e saj, sepse ajo bie ndesh me tekstet specifike të sheriatit. Çështjet e tilla kërkojnë siguri dhe nuk mund të bazohen në dyshime apo hamendësime. Për më tepër, dispozitat që bazohen në nevojën specifke janë të njëjta me lehtësimet (rukhsa), të cilat bien ndesh me argumentet e sheriatit, dhe në raste të tilla është e domosdoshme verifikimi. Nga ky parim, dijetarët kanë formuluar një rregull juridik: “Lehtësimet nuk bazohen në dyshim.” Për shembull, nëse një person që kryen haxhin është i dobët dhe e ka të vështirë të hedhë guralecët për shkak të turmës, ai nuk lejohet t’ia delegojë dikujt tjetër këtë detyrë, përveçse nëse është plotësisht i sigurtë se është nevojtar për këtë veprim. Nëse ai thjesht dyshon për ekzistencën e turmës, pa qenë i sigurt për të, nuk lejohet t’ia delegojë këtë veprim dikujt tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për zbulimin e fytyrës[6] nga një grua përpara një mjeku: kjo lejohet vetëm nëse nevoja është e sigurt. Nëse ajo thjesht dyshon për praninë e sëmundjes ose nuk është e sigurt nëse ekziston një mjeke femër në dispozicion, atëherë nuk i lejohet ta bëjë këtë.
2 – Nevoja specifike duhet të jetë e pranishme te çdo individ që dëshiron të veprojë sipas saj, dhe nuk lejohet përveçse për atë që ka nevojë. E sa i përket atij që nuk është nevojtar, ndaj tij aplikohet dispozita fillestare. Prandaj, kushtet për vlefshmërinë e zbatimit të dispozitave të lejuara për një nevojë specifike kërkojnë që përshkrimi i kësaj nevoje të jetë prezente tek personi që dëshiron të veprojë sipas saj. Dijetarët kanë formuluar rregulla juridike që flasin rreth kësaj çështje, si për shembull rregulli: “Ajo që është lejuar për një nevojë, nuk lejohet në mungesë të saj.” Ibn Kudame ka sjellë si argument këtë rregull për një çështje të lidhur me nevojën specifike, kur ka diskutuar mbi dispozitën fetare të shitjes së “arijas”[7] dhe kushtet e saj. Ai ka sqaruar se kjo shitje nuk lejohet përveçse për atë që ka nevojë të konsumojë hurmat e freskëta. Ai thotë: “Nuk lejohet ta blejë atë përveçse ai që ka nevojë ta hajë hurma të freskëta dhe nuk lejohet që një njeri i pasur t’i blejë ato… Prandaj, nëse dikush nuk ka nevojë të hajë hurmat e freskëta, ose nëse ka nevojë, por ka para për të blerë , nuk i lejohet ta blejë atë me hurma të thata.”[8]
3 – Nevoja specifike mund të përligjë vendime të përkohshme, të cilat varen nga vazhdimi apo zhdukja e kësaj nevoje. Nëse nevoja vazhdon të jetë prezente, atëherë është e lejueshme të veprohet sipas vendimit të dhënë. Por nëse ajo zhduket, atëherë nuk lejohet të vazhdohet me të njëjtin vendim, përkundrazi, duhet të kthehemi te rregulli fillestar i çështjes. Për shembull: Një person mund të mbajë një qen nëse ka për këtë një nevojë të ligjshme, si p.sh. në rastin kur ai është bujk, gjahtar ose ruan bagëtitë. Por nëse kjo nevojë zhduket, duke mos pasur më nevojë për qenin, atëherë i ndalohet ta mbajë atë, pasi arsyeja që e lejoi mbajtjen e qenit është zhdukur, dhe kështu edhe vendimi i lejuar bëhet i pavlefshëm.
Kjo mbështetet në rregullat juridike, ndër të cilat është edhe rregulli: “Ajo që është lejuar për shkak të një arsyeje, bëhet e pavlefshme me zhdukjen e saj.” Ky parim është i përgjithshëm për të gjitha arsyet që lejojnë përjashtime nga rregullat fetare, përfshirë nevojat specifike, të cilat përligjin vendime të përkohshme të lidhura me ekzistencën e nevojës.
Autor: Ahmet ibn Abdurrahman ibn Nasir Er Reshid
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu (2240) dhe Muslimi (4119).
[2] – Imam El Xhuejni.
[3] – “El Burhan”, fq: 2/924.
[4] – “El Mugni”, fq: 8/5-6.
[5] – Që në rastin konkret është shiu. Sh.pk.
[6] – Mesa duket autori është i mendimit se zbulimi i fytyrës për gratë është i ndaluar. Sh.pk.
[7] – Me shitblerjen e “Arijas” nënkuptohet shitja e hurmave të freskëta që janë në palmë me hurma të thata që janë në tokë, ose të rrushit në hardhi me stafidhe, për një sasi për më pak se pesë uesuk (612 kg). Ky është përkufizimi që imam Shafiu ka përcaktuar për këtë lloj shitblerjeje. Sh.p.k.
[8] – “Mugni” i Ibn Kudames, fq: 6/127.



















