Një lexim i një projekti që tejkalon historinë dhe hyn në gjeopolitikë
Projektet e infrastrukturës në Lindjen e Mesme nuk janë më thjesht mjete zhvillimi, por janë shndërruar në çelësa për riformësimin e balancave të fuqisë dhe ndikimit.
Në këtë kontekst, projekti i hekurudhës së Hixhazit rikthehet në vëmendje, jo si një ide historike që ringjallet, por si një zgjedhje strategjike që pasqyron ndryshime të thella në llogaritjet dhe ambiciet e shteteve.
Mes një trashëgimie osmane me prani të fortë dhe një realiteti rajonal në ndryshim, Turqia synon ta përdorë këtë projekt për të ripozicionuar veten në zemër të rrjetit tregtar rajonal, duke lidhur të kaluarën me të tashmen brenda një vizioni që tejkalon simbolikën dhe futet në llogaritjet e gjeopolitikës dhe interesave ekonomike.
Pra, çfarë kërkon të arrijë Turqia përmes ringjalljes së projektit të hekurudhës së Hixhazit në Lindjen e Mesme që po përjeton transformime të mëdha?
Nga ëndrra e Abdul Hamidit te një projekt pranë zbatimit
Rrënjët e projektit kthehen në fillim të shekullit XX, kur sulltani osman Abdul Hamid II, në vitin 1900, nisi projektin e hekurudhës së Hixhazit në përpjekje për të lidhur skajet e shpërndara të Perandorisë Osmane dhe për të forcuar unitetin e saj.
Qëllimi nuk ishte thjesht lehtësimi i udhëtimit të haxhit, edhe pse kjo kishte rëndësinë e vet, por projekti mbante dimensione të qarta politike dhe ushtarake. Sulltani Abdul Hamid synonte të forconte kontrollin qendror mbi provincat e perandorisë, të përshpejtonte transportin e trupave ushtarake, si dhe të fuqizonte idenë e “bashkësisë islame”.
Brenda vetëm tetë viteve, linja arriti në Medinë në vitin 1908, duke përshkuar një distancë prej më shumë se 1300 kilometrash dhe duke e shkurtuar udhëtimin e haxhit nga javë të tëra në vetëm disa ditë. Muslimanë nga e gjithë bota kontribuan në financimin e tij, duke e bërë atë një projekt që tejkalonte kufijtë në kuptimin shpirtëror dhe politik.
Por kjo ëndërr nuk zgjati shumë, pasi rënia e Perandorisë Osmane u përshpejtua me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, dhe me nisjen e Revoltës Arabe që u mbështet fuqishëm nga Britania.
Hekurudha e Hixhazit u bë një objektiv kryesor i operacioneve të sabotimit, të cilat gëzuan mbështetje vendimtare nga Londra. Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, hekurudha e Hixhazit u mbulua nga rërat e shkretëtirës dhe, sipas Marrëveshjes Sykes-Picot, Franca dhe Britania kishin ndarë tashmë mes tyre pjesën perëndimore të Azisë Perëndimore.
Linja e hekurudhës së Hixhazit konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme historike në rajon, pasi shtrihej rreth 1322 kilometra midis Shamit dhe Medinës, ndërsa më vonë, me zgjerimet, arriti rreth 1900 kilometra. Kjo është linja që sot Turqia po përpiqet ta ringjallë sërish për lidhje hekurudhore me vendet e rajonit si Siria, Jordania dhe Arabia Saudite.
Turqia arrin një marrëveshje trepalëshe si fillim për ringjalljen e projektit
Pas më shumë se një shekulli, projekti është rikthyer në vëmendje, por këtë herë në një kontekst krejtësisht të ndryshëm rajonal. Më 11 shtator 2025, Turqia, Siria dhe Jordania zhvilluan një takim teknik në kryeqytetin jordanez Aman, me qëllim nisjen e një bashkëpunimi të përbashkët për ringjalljen e hekurudhës së Hixhazit.
Takimi nuk ishte thjesht protokollar, por prodhoi marrëveshje konkrete, ndër të cilat përfshihet rehabilitimi i pjesëve të dëmtuara të linjës brenda territorit sirian, si dhe ndërtimi i rreth 30 kilometrave që mungojnë midis Damaskut dhe kufirit jordanez. Po ashtu u ra dakord për zhvillimin e bashkëpunimit në transportin rrugor dhe hekurudhor, si dhe rifillimin e linjave të transportit të mallrave që kanë qenë të ndaluara për më shumë se 13 vjet.
Ky hap pasqyron një vetëdije në rritje te tre shtetet se rilidhja gjeografike nuk është më luks, por domosdoshmëri ekonomike, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve që po përjetojnë zinxhirët globalë të furnizimit.
Deklarata zyrtare që formësojnë projektin
Orientimi drejt ringjalljes së projektit nuk u kufizua vetëm në marrëveshje teknike, por u forcua edhe nga deklarata zyrtare që tregojnë seriozitetin e nismës. Ministri saudit i Transportit dhe Shërbimeve Logjistike, Saleh Al-Jasser, njoftoi se studimi i projektit të lidhjes hekurudhore me Turqinë, përmes Jordanisë dhe Sirisë, do të përfundojë para fundit të vitit.
Al-Jasser deklaroi për “Al Arabiya” se projekti do të forcojë integrimin rajonal, do të mbështesë tregtinë dhe do të zhvillojë sistemin e transportit tokësor të qëndrueshëm mes vendeve të rajonit. Ai shtoi se rrjeti hekurudhor në Arabinë Saudite tashmë arrin deri në kufirin jordanez, duke e bërë atë një pikë natyrore nisjeje për zgjerim drejt veriut.
Nga ana tjetër, ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, konfirmoi se Turqia planifikon të zgjasë linjat hekurudhore deri në qytetin sirian Alepo, si pjesë e një vizioni më të gjerë për ringjalljen e linjës së Hixhazit.
Ambiciet nuk ndalen këtu, pasi ai përmendi edhe mundësinë e zgjerimit të projektit në të ardhmen deri në Sultanatin e Omanit, gjë që do të nënkuptonte lidhjen e Gadishullit Arabik me Evropën përmes Turqisë.
Në një deklaratë të fundit, ministri turk i Transportit tha: “Në periudhën e ardhshme do të arrijmë me tren të shpejtë deri në portin e Basrës në Irak. Sulltan Abdul Hamidi kishte ndërtuar hekurudhën e Hixhazit, dhe ne nga ana jonë do ta lidhim këtë linjë atje, në mënyrë që në realitet të arrijmë në Siri, Jordani dhe Arabinë Saudite.”
Po ashtu, ambasada turke në Aman organizoi një udhëtim në terren që bashkoi turq dhe jordanezë në hekurudhën e Hixhazit në Jordani, në një hap që synon të vërë në pah trashëgiminë historike të përbashkët dhe të forcojë shkëmbimin kulturor mes popujve të rajonit.
Këto deklarata dhe qëndrime të njëpasnjëshme tregojnë se projekti nuk është më thjesht një ide, por është pjesë e një vizioni më të gjerë strategjik për riformësimin e rrjetit rajonal të transportit, me dakordësinë e një numri të konsiderueshëm shtetesh të rajonit, veçanërisht atyre që ndajnë një interes të përbashkët për ringjalljen e linjës së hekurudhës së Hixhazit.
Pse interesohet Turqia për këtë projekt?
Për Turqinë, projekti ka dimensione që shkojnë përtej ekonomisë dhe hyjnë në gjeopolitikë. Ankaraja synon të forcojë pozicionin e saj si një qendër logjistike që lidh Azinë, Evropën dhe Lindjen e Mesme.
Përmes kësaj linje, Turqia mund të rrisë tregtinë me vendet arabe, ku vëllimi i shkëmbimeve arriti rreth 27.7 miliardë dollarë në vitin 2024, me pritshmëri për rritje nëse përmirësohet infrastruktura.
Gjithashtu, projekti i jep Turqisë një dalje të drejtpërdrejtë drejt Detit të Kuq përmes Akabës, duke hapur tregje të reja në Afrikë dhe duke ulur varësinë nga korridoret detare tradicionale që shpesh përballen me ndërprerje.
Nga ana ekonomike, linja mund të ndihmojë në uljen e kostove të transportit dhe përshpejtimin e lëvizjes së mallrave, sidomos pasi kostot e tregtisë në rajonin arab arrijnë rreth 148% të vlerës së mallrave, sipas vlerësimeve ndërkombëtare.
Nga ana politike, projekti rrit ndikimin rajonal të Turqisë dhe i jep asaj një rol qendror në rindërtimin e Sirisë, i cili vlerësohet rreth 400 miliardë dollarë. Kjo hap mundësi të mëdha për përfshirjen e Turqisë në këtë proces, duke shfrytëzuar përvojën e kompanive të saj në ndërtim, kontraktim, rehabilitimin e aeroporteve, porteve dhe linjave hekurudhore.
Sfidat e mëdha të projektit
Pavarësisht ambicies së madhe, projekti i ringjalljes së hekurudhës së Hixhazit përballet me pengesa komplekse. Ndër to është financimi, pasi rehabilitimi dhe përfundimi i linjës kërkon investime të mëdha, në një kohë kur disa vende të përfshira kanë vështirësi ekonomike.
Ka gjithashtu sfida teknike, si ndryshimi i sistemeve hekurudhore dhe standardeve të operimit, që kërkojnë koordinim të nivelit të lartë. Po ashtu, ekzistojnë rreziqe të sigurisë, veçanërisht në zonat që ende vuajnë nga paqëndrueshmëria, si disa pjesë të Sirisë.
Por sfida më e madhe mbetet ajo politike, pasi projekti shihet nga disa fuqi ndërkombëtare dhe rajonale si një nismë që mund të ndryshojë balancat e ndikimit në rajon.
Një shembull i afërt është marrëveshja mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë për ndërtimin e një projekti të madh hekurudhor me emrin “Hekurudha e Akabës”, që synon të lidhë zonat minerare në Jordani me portin e Akabës në një gjatësi prej rreth 360 kilometrash dhe me një investim prej rreth 2.3 miliardë dollarësh.
Plani afatgjatë i këtij projekti përfshin lidhjen e rrjeteve të transportit të Gjirit me Jordaninë dhe deri në portet e Detit Mesdhe, nëse krijohen kushtet e duhura politike dhe të sigurisë.
Këtu shfaqen pengesat reale për projektin turk të ringjalljes së hekurudhës së Hixhazit në rajon, pasi konkurrenca për korridoret tregtare është bërë pjesë e një përplasjeje më të gjerë të njohur si “lufta e infrastrukturës”, ku çdo fuqi përpiqet të imponojë rrugët e saj strategjike.
Skenarët e projektit të hekurudhës së Hixhazit mes ëndrrës dhe realitetit
Përpara këtij projekti ekzistojnë disa skenarë të mundshëm:
Skenari i parë: sukses gradual, ku projekti zbatohet në faza, duke filluar me rifillimin e linjave ekzistuese dhe më pas zgjerimin e tij hap pas hapi drejt një lidhjeje të plotë.
Skenari i dytë: ngecje për shkak të sfidave financiare dhe politike, gjë që mund të çojë në shtyrjen e projektit ose në kufizimin e fushëveprimit të tij.
Skenari i tretë: shndërrimi në një projekt më të gjerë rajonal, nëse i bashkohen edhe vende të tjera, ç’ka mund ta bëjë atë pjesë të një rrjeti global transporti që lidh Azinë me Evropën përmes Lindjes së Mesme.
Dhe fjala vendimtare për këtë projekt mbetet në zhvillimet e ditëve të ardhshme, në një kohë kur transformimet rajonale po përshpejtohen dhe do të përcaktojnë se cili prej këtyre skenarëve do të kalojë nga mundësia në realitet të zbatueshëm.
Ringjallja e hekurudhës së Hixhazit nuk është thjesht një projekt transporti, por pasqyrim i ndryshimeve më të thella në rajon. Ai bashkon historinë, gjeografinë dhe politikën në një ekuacion të vetëm dhe zbulon përpjekjen e Turqisë për të ripërcaktuar rolin e saj rajonal përmes mjeteve ekonomike dhe strategjike, në një moment kur llogaritë e tregtisë ndërthuren me garën për ndikim dhe me riformësimin e rrugëve globale të furnizimit.
Në fund, ndoshta pyetja nuk është nëse projekti do të ketë sukses apo jo, por si do të riformësohet rajoni përmes tij dhe kush do të dijë ta shfrytëzojë më mirë brenda garës në rritje për korridoret ekonomike.
Mes së kaluarës që frymëzon, së tashmes që imponon dhe së ardhmes që po riformësohet sipas ritmit të interesave, hekurudha e Hixhazit duket sërish se ka një takim me historinë, por këtë herë nuk kthehet si kujtim, por si një mjet aktiv në krijimin e një ekuilibri të ri fuqish që mund të përcaktojë pamjen e Lindjes së Mesme për dekadat e ardhshme.
Autor: Ahmed Dervish
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















