Allahu i Madhëruar ka zbritur për hipokritët një sure që mban emrin e tyre, duke zbuluar disa nga qëndrimet dhe cilësitë e tyre. Ndër ato që Ai i ka përshkruar është fjala e Allahut: “Kur i shihni ata, pamja e tyre e bukur ju mahnit e, nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë, ata janë si trungje të mbështetura. Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre! Allahu i vraftë! Sa shumë që janë larguar (nga e vërteta)?!”[1] (El-Munafikun: 4)
Allahu i përshkroi ata se kush i sheh, mahnitet nga pamja e tyre fizike, dhe kush i dëgjon, joshet nga elokuenca e tyre. Por në të vërtetë, ata janë si trupa bosh, si hije pa shpirt, si forma pa përmbajtje.
Këto cilësi përputhen me gjendjen e hipokrizisë, sepse tek hipokriti pamja e jashtme është gjithmonë më e mirë se brendësia pasi në dukje ai ka besim, ndërsa brenda ka mohimin. Ai është i ëmbël në të folur, por thotë ndryshe nga ajo që beson; pra është gënjeshtar. Është i bukur në pamje, por i zbrazët nga virtytet fisnike si besimi, burrëria dhe cilësitë që zbukurojnë shpirtin.
Është transmetuar nga Ibn Abasi (r.a) se ka thënë: “Abdullah ibn Ubej (koka i hipokritëve) ishte i bukur, i gjatë, i fortë dhe elokuent; kur fliste, Profeti (a.s) e dëgjonte fjalën e tij.”[2]
Pamja e jashtme ka ndikim të fortë dhe shpesh tërheq admirim, Profeti (a.s) i mësoi shokët e tij që të mos ndalen te ajo, por të kalojnë te kuptimi i brendshëm, sepse ai është kriteri i vërtetë në vlerësimin e njerëzve. Në një hadith të saktë kur një burrë kaloi në rrugë, i Dërguari i Allahut (a.s) i pyeti sahabët: “Çfarë thoni për këtë burrin që kaloi”? Ata thanë: “Ne biem dakord me atë që thua edhe ti,por ne mendojmë se ky është nga njerëzit më të fisshëm. Nëse kërkon nuse, e meriton t`ia japim. Nëse hyn për të ndërmjetësuar, ia pranojmë ndërmjetësimin. Nëse flet, duhet dëgjuar fjala e tij”. I Dërguari i Allahut (a.s) heshti. Më pas aty kaloi një burrë tjetër. I Dërguari i Allahut (a.s) i pyeti sahabët: “Çfarë thoni për këtë”? Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Betohemi në Allahun, se ne mendojmë, që ky është nga të varfërit e muslimanëve. Nëse kërkon nuse, nuk ia jep kush, nëse ndërmjetëson, nuk e pranon kush, nëse thotë një fjalë, nuk ia vë veshin kush”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ky (i dyti) është më i mirë se e gjithë toka, nëse ajo do të ishte e mbushur me njerëz si ai i pari”[3].
Profeti (a.s) e vlerësoi të varfrin mbi të pasurin, jo sepse çdo i varfër është më i mirë se çdo i pasur, por për të mësuar se vlerësimi i vërtetë nuk bazohet në pamjen e jashtme, por në cilësitë e brendshme dhe veprat.
Kjo çështje ngre një temë të rëndësishme në jetën e njerëzimit në përgjithësi dhe të muslimanëve në veçanti: raportin midis formës dhe përmbajtjes, apo midis thelbit dhe pamjes.
Me thelb kuptojmë: tërësinë e cilësive morale dhe shpirtërore, botën mendore, përvojat dhe vlerësimet e thella të individit. Ndërsa pamja përfshin: karakteristikat fizike, pasuritë materiale dhe pozitat që mban njeriu, të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me brendësinë e tij.
Në fillim, thelbi dhe pamja nuk janë dy gjëra të ndara plotësisht, por kanë ndikim të ndërsjellë. Për këtë ka tregues në traditën profetike, si kur Profeti (a.s) drejtonte shokët në rresht në namaz dhe thoshte: “Rreshtohuni drejt dhe mos u ndani, që të mos ndahen zemrat tuaja.”[4]
Kur zemra e njeriut është e qetë dhe e pastër, kjo reflektohet edhe në fytyrën e tij. Prandaj është thënë: “Ai që fal shumë namaz nate, fytyra e tij ndriçohet gjatë ditës.”
Nëse midis pamjes së jashtme dhe thelbit të brendshëm ekziston një lidhje dhe ndikim i tillë, atëherë është e qartë se Islami nuk i nënvlerëson njerëzit për pamjen e jashtme.
Namazi është një akt krejtësisht shpirtëror, por megjithatë Profeti (a.s) ka treguar kujdes të madh për rreshtimin e drejtë në të. Diçka e ngjashme vlen edhe për rreshtat në betejë. Islami gjithashtu nxit pastërtinë dhe higjienën, dhe Allahu na ka përmendur bukurinë që ndiejmë kur kafshët kthehen në mbrëmje dhe dalin në mëngjes, siç thotë Ai në Kuran: “dhe shikoni pamje të bukura, kur i ktheni nga kullota dhe, kur i nxirrni në kullotë.”[5]
Këto janë çështje që lidhen me formën dhe pamjen e jashtme, dhe shembujt në këtë drejtim janë të shumtë.
Pra, cili është problemi?
Problemi qëndron në çekuilibrin mes thelbit dhe pamjes, ose mes përmbajtjes dhe formës. Njerëzit bien dakord se thelbi është baza dhe duhet të marrë pjesën më të madhe të kujdesit, sepse të gjitha arritjet e vërteta që shfaqen në sipërfaqe burojnë nga ajo që ndërtohet në brendësi të njeriut.
Kjo përputhet edhe me faktin e “nënshtrimit të universit” që Allahu i ka dhuruar njeriut, në mënyrë që ai të jetë i lirë, aktiv dhe të veprojë në botë pa u kufizuar nga gjëra sipërfaqësore që vetë ai i ka krijuar, por duke u udhëhequr nga thelbi dhe vlerat e tij të brendshme.
Shoqëria dhe normat që ajo vendos mbi njerëzit kanë një ndikim shumë të madh. Kur gjykimi shoqëror fokusohet kryesisht te pamja e jashtme, atëherë është e natyrshme që njerëzit të priren drejt kujdesit për formën më shumë sesa për thelbin. Ndërsa kujdesi për brendësinë mund të zhvillohet përmes edukimit të veçantë në familje ose në shkollë, por ky ndikim mbetet i kufizuar nëse e gjithë shoqëria nuk udhëhiqet nga parime të larta që nuk burojnë prej saj vetë. Në këtë rast, burimi i këtyre parimeve nuk është toka, por qielli.
Por kur feja reduktohet vetëm në disa ide abstrakte ose emocione sipërfaqësore, siç ndodh në disa rryma, atëherë ajo nuk është në gjendje të përballet me rrjedhat e forta shoqërore. Në atë rast, ajo mbetet vetëm një element i dobët i kulturës. Ndërsa feja që udhëheq dhe korrigjon jetën e njeriut është ajo për të cilën ne e pastrojmë dhe e ndërtojmë jetën tonë.
Kur dobësohet besimi fetar te një musliman, atëherë ekuilibri menjëherë anon drejt pamjes së jashtme. Duke qenë se jetojmë në një kohë ku ndikojmë më pak sesa ndikohemi, këtij dobësimi të besimit i shtohet edhe ndikimi i filozofisë perëndimore në fusha të ndryshme të jetës një filozofi që ka kthyer prodhimin e pakufizuar, lirinë e pakufizuar dhe kënaqësinë e pafundme në një lloj “feje” të re që quhet progresizmi.
Kjo ka sjellë një orientim të plotë drejt natyrës, për të shfrytëzuar çdo gjë që ajo përmban, dhe më pas për ta konsumuar në mënyrë të pangopur, si kurrë më parë duke harruar se burimet natyrore janë të kufizuara dhe se natyra do të reagojë ndaj kësaj. Madje, ajo tashmë ka filluar të reagojë.
Në nivel simbolik, heroi në traditën e krishterë frymëzohej nga figura e dëshmorit, siç është Isai (a.s), i cili, sipas besimit të tyre, dha jetën për të tjerët. Por më pas, gjërat u përmbysën plotësisht: bota perëndimore filloi të frymëzohej nga figura e heroit pagan, siç paraqitet te heronjtë e grekëve dhe romakëve një hero që pushton, fiton, shkatërron, grabit dhe plaçkit.
Sa e madhe është diferenca mes figurës së dëshmorit, i cili jep jetën për të tjerët, dhe luftëtarit që synon të dominojë të tjerët dhe të fryjë jetën e tij personale!
Rezultati i kësaj ka qenë lindja e shoqërive që vuajnë nga vetmia, ankthi, depresioni, prirjet shkatërruese, frika nga e ardhmja, egoizmi dhe shpërbërja familjare.
Ne, si myslimanë, jemi ndikuar nga të gjitha këto ndonjëherë duke e ditur, e ndonjëherë pa e kuptuar. Energjitë tona janë orientuar drejt jashtmes, ndërsa kemi neglizhuar thelbin. Madje, në disa aspekte, gjendja jonë është bërë më e keqe se e atyre nga të cilët jemi ndikuar; sepse ata u fokusuan te pamja pasi kishin arritur një farë zhvillimi të brendshëm (edhe pse me devijime që mbartin pasoja), ndërsa ne e lamë thelbin për t’u zhytur në formalitete.
Kush e studion jetën e Profetit (a.s) dhe jetën e përgjithshme të sahabëve (r.a), vëren se dominonte brendësia (thelbi) dhe jo ajo që zotëronin njerëzit nga gjërat materiale. Boshti i jetës shoqërore ishte njeriu, jo sendet.
Ndërsa sot, pronësia dhe zotërimi i gjërave është bërë qendra e gjithçkaje. Kjo shfaqet qartë në shumë aspekte, prej të cilave:
1 –Fjalët që përdoren për të shprehur thelbin janë pakësuar, ndërsa është rritur përdorimi i fjalëve që lidhen me gjërat materiale. Bisedat nuk sillen më rreth heroizmit, arritjeve, qëndrimeve fisnike dhe cilësive të mira, por rreth pasurive të paluajtshme, makinave, çmimeve të mallrave, mobilimit të shtëpive dhe llogarive financiare.
2 – Dëshira për më shumë prodhim, për të arritur më shumë konsum, ka bërë që varësia e njerëzve tek mjetet të rritet dita-ditës. Njeriu është shndërruar në një ingranazh të vogël brenda tyre dhe roli i tij është bërë plotësues i rolit të makinerisë. Nga natyra e kësaj gjendjeje është që të rritet interesimi ynë për pamjen e jashtme dhe të na largojë nga të vërtetat thelbësore.
3 – Vlera e ekzistencës së njeriut dikur buronte nga ajo që ai bënte mirë dhe me mjeshtëri, ndërsa tani është krijuar një ekuacion i ri: vlera ime buron nga sa zotëroj dhe sa konsumoj! Kjo ka sjellë një frikë të vazhdueshme nga humbja e pasurisë, sepse humbja e saj shihet si humbje e vetë njeriut. Si pasojë, kjo ka çuar në më shumë koprraci, egoizëm dhe prishje marrëdhëniesh mes njerëzve.
4 – Marrëdhënia jonë me dijen ka ndryshuar; më parë dashuria për dijen dhe përvetësimi i njohurive bëheshin për të kuptuar fenë, për të zhvilluar personalitetin dhe për të njohur jetën. Procesi edukativ ishte një bashkim i gjallë mes dijes dhe nxënësit. Ndërsa sot, marrëdhënia e studentit me dijen është shndërruar në një marrëdhënie thjesht tregtare: ai mëson për të marrë një diplomë, dhe memorizimi i informacionit mbetet sipërfaqësor, duke përfunduar në momentin që ai e derdh në letër gjatë provimit.
–Karakteristikat kryesore të thelbit janë: pavarësia, liria, prania e mendjes kritike, përdorimi frytdhënës i energjisë njerëzore, rritja dhe rrjedhshmëria. Por marrëdhëniet e reja shoqërore, politike dhe ekonomike e kanë bërë aktivitetin e njeriut një angazhim të vazhdueshëm të shkëputur plotësisht nga forcat e tij shpirtërore, madje shpesh edhe në kundërshtim me to, duke e kufizuar efektivitetin e tyre. Kjo ka sjellë varësi, mërzi dhe ankesë, si dhe ka bërë që jeta në përgjithësi të humbasë shijen e saj të vërtetë.
6 – Pasojat e orientimit drejt formës dhe shpërfilljes së përmbajtjes janë shumimi i kënaqësive dhe mungesa e lumturisë! Kënaqësia është përmbushja e dëshirës në një mënyrë që nuk kërkon përpjekje, si për shembull kënaqësia nga fitimi i më shumë parave; ose është përjetimi i një momenti kulmor që shpesh pasohet nga një lloj trishtimi, sidomos kur është i paligjshëm, ku fillon qortimi i brendshëm.
Ndërsa lumturia është një ndjenjë që shoqëron veprimtarinë njerëzore; ajo është më afër një gjendjeje të vazhdueshme ekzistence në një hapësirë të gjerë, sepse është shkëlqimi i qenies së njeriut dhe i aktivitetit të tij të brendshëm. Mund të thuhet se lumturia, sipas matjes sonë islame, rritet sa më shumë që myslimani e ngushton hendekun midis bindjeve të tij dhe sjelljeve të tij, duke u ndier i kënaqur me veprat e tij dhe duke shpresuar për përfundimin e mirë të të devotshmëve.
Të gjitha këto ndryshime drejt formaliteteve kanë bërë që shumë nga umeti islam të jetë vetëm një forcë numerike, sepse ai që humbet lidhjen me përbërësit e tij themelorë, patjetër që bëhet sipërfaqësor.
Ky rizgjim i bekuar a do ta rikthejë çështjen në vendin e saj, duke rivendosur sërish ekuilibrin midis formës dhe përmbajtjes, thelbit dhe pamjes, që të rifillojmë misionin tonë qytetërues?! Kjo është ajo që shpresojmë.
Tek Allahu është drejtimi i rrugës së drejtë.
Autor: Abdulkerim Bekkar
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Munafikun: 4.
[2] – “Tefsiri i Kurtubijut” fq: 18/124.
[3] – Buhariu (5091).
[4] – Muslimi (432).
[5] – Sure Nahl: 6.



















