Behaizmi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ajo është një lëvizje ezoterike (batinite) që u shfaq në Iran në gjysmën e parë të shekullit të tetëmbëdhjetë, nën përkujdesjen e kolonializmit rus, hebraizmit botëror dhe kolonializmit anglez, me synimin për të prishur besimin islam, për të nxitur përçarje mes myslimanëve dhe për të shpërbërë unitetin e tyre, duke lehtësuar kështu kontrollin kolonial mbi botën islame.

Themeluesi i Bahaizmit

Ajo u themelua nga Husejn Ali ibn Abas Buzurg en-Nuri el-Mazenderani, i njohur me nofkën “el-Beha”, i cili lindi në fshatin Nur, nga fshatrat e Mazenderanit në Iran, më (2 Muharrem 1233 h ose 11 nëntor 1817).

Husejni nuk mori arsimim të rregullt, por mësoi në shtëpi dhe më pas u mbështet në leximin dhe studimin personal. Ai lexoi libra të sufizmit dhe të shiizmit, u tërhoq shumë nga librat e sektit ismailit, si dhe nga shkrimet e filozofëve të lashtë, dhe u ndikua nga idetë e budizmit dhe zoroastrizmit.

Në rininë e tij iu bashkua thirrjes babite, të nisur nga Ali Muhamed esh-Shirazi, i njohur si “el-Bab”, i cili pretendoi për vete profetësinë dhe misionin hyjnor. Rreth tij u mblodhën pasues dhe thirrës nga ekstremistët e batinizmit. Më pas, ai u nda nga babizmi pasi emri i tij u bë i njohur në radhët e tyre dhe fitoi ndjekës, duke e quajtur veten “Behaullah” dhe duke pretenduar se ishte trashëgimtari i vërtetë i Babit, Ali Muhamed esh-Shirazit, i cili u ekzekutua në vitin 1850.

Kur lëvizja bahaiste u përhap, Perandoria Osmane e internoi në vitin 1868 në Akka. Atje ai u prit nga hebrenjtë e Akkas, të cilët i siguruan mbështetje financiare dhe e rrethuan me kujdes dhe siguri. Që nga ajo kohë, Akka u bë qendër e Behaizmit dhe pikënisje e thirrjes së tij. Beha’iu nuk u mjaftua vetëm me pretendimin e profetësisë, por e tejkaloi atë duke pretenduar hyjni, duke pohuar se ai ishte i Përjetshmi, se do të mbetej përgjithmonë, se ishte shpirti i Zotit dhe se ai kishte dërguar profetët dhe të dërguarit dhe kishte shpallur fetë.

Në fund të jetës së tij, Beha’iu u godit nga çrregullime mendore dhe vdiq nga ethet në moshën 75-vjeçare më (2 Dhu el-Kade 1309 h ose 29 maj 1892). Pas tij e pasoi i biri, Abbasi, i njohur si Abd el-Beha, i cili kishte qenë shërbëtor i tij. Ai mori drejtimin dhe i shpërndau shumë pasuri grupit, gjë që i bëri ata ta donin. Abbasi vizitoi Zvicrën dhe mori pjesë në konferenca sioniste, përfshirë atë të Bazelit në vitin 1911. Ai gjithashtu e priti gjeneralin Allenby me mirëseardhje kur erdhi në Palestinë dhe mori nga Britania titullin “Sir”. Ai vizitoi Londrën, Amerikën, Gjermaninë, Hungarinë, Austrinë dhe Aleksandrinë për ta nxjerrë lëvizjen jashtë kornizës së botës islame, duke themeluar në qytetin e Çikagos, në SHBA qendrën më të madhe të Behaizmit. Më pas vdiq në Kajro në vitin (1340 h ose 1921).

Çfarë ndodhi më pas?

Pas Abbasit, drejtimin e Behaizmit e mori nipi i tij, Shuki Efendi, në moshën 24-vjeçare. Ai ndoqi të njëjtën rrugë në përpjekjen për përhapjen e kësaj thirrjeje dhe vdiq në Londër si pasojë e një krize kardiake. Ai u varros atje, në një tokë të dhuruar nga qeveria britanike për komunitetin “Behai”.

Më pas, në vitin 1963, nëntë persona nga Behaizmi morën drejtimin e çështjeve të kësaj lëvizjeje duke themeluar “Shtëpinë Universale të Drejtësisë”, e përbërë nga nëntë anëtarë: katër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy nga Anglia dhe tre nga Irani.

Aktualisht, shumica dërrmuese e Behai-ve ndodhen në Iran, ndërsa një numër më i vogël gjendet në Egjipt, Irak, Siri, Liban dhe në Palestinën e pushtuar, ku ndodhet edhe qendra e tyre kryesore.

Doktrina e Behaizmit:

Beha-i ka lënë disa libra, ndër to: “El-Ikān”, “Përmbledhja e Letrave të Bekuara” dhe “El-Akdes”, i cili konsiderohet libri më i rrezikshëm i tij; në të ai pretendoi se shfuqizon të gjitha librat hyjnorë, përfshirë edhe Kuranin. Behainjtë besojnë se Beha-i është ai që ka krijuar gjithçka me fjalën e tij, dhe besojnë në mishërimin e Zotit tek ai, si dhe se shpërblimi dhe ndëshkimi u takojnë vetëm shpirtrave në një mënyrë që i ngjan imagjinatës.

Beha-I  e bëri faljen tri herë në ditë, dhe në çdo falje ka tri rekate, si dhe e anuloi faljen me xhemat, përveç namazit të xhenazes.

Ai e kufizoi abdesin vetëm në larjen e fytyrës dhe duarve, me leximin e dy lutjeve të shkurtra, dhe e bëri haxhin drejt vendit të tij në qytetin Akka, duke e bërë obligim vetëm për burrat dhe jo për gratë, pa kohë të caktuar dhe pa mënyrë të përcaktuar për kryerjen e tij.

Gjithashtu ata e shenjtërojnë numrin 19, duke i bërë muajt 19 dhe ditët 19, si dhe besojnë në profetësinë e Budës, Konfucit dhe Zaratustrës, si dhe të ngjashmëve me ta nga dijetarët e Indisë dhe Kinës.

Ata mohojnë mrekullitë e profetëve dhe realitetin e engjëjve dhe xhinëve, si dhe mohojnë Xhenetin dhe Xhehenemin Gjithashtu ndalojnë mbulesën për gratë dhe lejojnë marrëdhëniet e përkohshme, si dhe përbashkësinë e grave dhe pasurisë.

Dhe ka shumë të tjera që konsiderohen si besëtytni dhe ide të kota, por ndër më kryesoret është anulimi i ligjshmërisë së xhihadit dhe ndalimi i plotë i luftës.

Behaitë në Egjipt dhe qëndrimi i Ez’herit ndaj tyre:

Behaitë kanë mbërritur në Egjipt në fillim të shekullit të XX, pasi kolonializmi u hapi rrugën. Ata krijuan disa qendra përmes të cilave arritën të përhapnin thirrjen e tyre, por zgjerimi i rrezikut të tyre u pengua nga vigjilenca e dijetarëve të umetit, të cilët iu kundërvunë fuqishëm kësaj lëvizjeje përmes shumë ligjëratave, leksioneve dhe deklaratave që shpjegonin devijimet e Behaizmiz dhe kundërshtimin e saj me mësimet e sheriatit islam.

Komisioni i fetvave në Akademinë e Kërkimeve Islame të Ez’herit ka theksuar se Islami nuk e njeh Behaizmin dhe ka lëshuar një fetva në dhjetor të vitit 2003, ku deklarohet se “Islami nuk pranon asnjë fe tjetër përveç asaj që Kurani na ka urdhëruar ta respektojmë”.

Kjo fetva ka konfirmuar atë që kishte dhënë më herët Shejh Xhad el-Hak Ali Xhad el-Hak, ish-Shejh i Ez’herit (r.h), se behaitë janë një sekt i dalë nga Islami dhe se nuk lejohet besimi në të, as pjesëmarrja në të, dhe as lejimi i tyre për të krijuar shoqata apo institucione; kjo për shkak se ajo bazohet në besimin e mishërimit të Zotit, në vendosjen e ligjeve ndryshe nga ato që ka zbritur Allahu, si dhe në pretendimin e profetësisë dhe madje edhe hyjnisë.

Behaitë konsiderohen një përzierje idesh dhe filozofish nga fe të ndryshme, dhe është sqaruar se ata veprojnë në shërbim të sionizmit dhe kolonializmit; duke qenë një degëzim idesh dhe sekteve me të cilat është sprovuar umeti islam si një luftë kundër Islamit, por me emrin e fesë.

Autor: Ragib Serxhani

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

 

 

 

 

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *