Gabimi më i madh që prindërit bëjnë në edukimin e fëmijëve është se i edukojnë ata me vlera dhe virtyte të mira brenda familjes, pa u folur për sjelljet dhe moralin e njerëzve në shoqëri. Për shembull, ne e mësojmë fëmijën që të jetë i sinqertë që në moshë të vogël brenda shtëpisë, por nuk i shpjegojmë se në shoqëri ka njerëz të sinqertë dhe të tjerë gënjeshtarë. E edukojmë me ndershmëri dhe i mësojmë të mos vjedhë brenda shtëpisë, por nuk i përmendim se në shoqëri ka njerëz që vjedhin dhe që nuk janë të ndershëm.
Gabimi që bëjmë në edukim është se i edukojmë fëmijët me një idealizëm të skajshëm brenda shtëpisë dhe ndihemi të lumtur kur i shohim të sinqertë, të bindur, të kujdesshëm ndaj namazit dhe respektues ndaj prindërve. Por, në të njëjtën kohë, gabojmë kur nuk u mësojmë se këto vlera nuk i praktikojnë të gjithë njerëzit në shoqëri. Në shoqëri ka hajdutë, gënjeshtarë, njerëz që përdorin drogë, ateistë e të tjerë.
Kur fëmija rritet dhe del në shoqëri, ai mund të përballet papritur me sjelljet dhe moralin e njerëzve, qofshin ata shokë, shokë klase apo kolegë pune. Atëherë ai mund të vendosë t’u përshtatet dhe t’i imitojë, vetëm që të mos jetë ndryshe prej tyre. Kështu, ai mund të devijojë në aspektin edukativ dhe të rrënojë vlerat me të cilat është rritur në shtëpi. Shkaku është se prindërit e kanë edukuar me një idealizëm brenda familjes, pa i treguar se shoqëria ku ai do të jetojë nuk është ideale.
Zgjidhja edukative e këtij problemi, në mënyrë që fëmija t’i ruajë virtytet e tij gjatë gjithë jetës dhe të mos i refuzojë apo braktisë ato, është që, ndërsa e edukojmë me vlera brenda shtëpisë, t’i mësojmë se edhe në shoqëri ka shumë njerëz që nuk i praktikojnë këto vlera. Për shembull, kur e mësojmë të flasë me fjalë të mira dhe të mos shajë brenda shtëpisë, duhet t’i shpjegojmë njëkohësisht se jashtë shtëpisë mund të hasë njerëz që shajnë. Nëse e edukojmë me respektin ndaj të tjerëve, duhet ta përgatisim edhe për faktin se jashtë shtëpisë mund të përballet me tallje, ngacmime ose sjellje abuzive.
Kjo është formula e drejtë edukative. Megjithatë, disa prindër kundërshtojnë: “Pse t’ia mësojmë të keqen? Pse t’ia hapim sytë ndaj sjelljeve të devijuara?” Ky është një arsyetim i gabuar dhe një logjikë jo e saktë. Edukimi i fëmijës me një idealizëm të shkëputur nga realiteti mund ta bëjë atë të mendojë se të gjithë njerëzit janë si ai. Prandaj, kur të shohë njerëz që nuk janë të tillë, të shoqërohet me ta dhe t’i pëlqejë, mund të heqë dorë nga parimet, morali dhe vlerat me të cilat është edukuar. Arsyeja është se, gjatë fëmijërisë, prindërit nuk i kanë folur për sjelljet e ndryshme që mund të hasë në shoqëri dhe, për pasojë, ai përballet me to i papërgatitur.
Pra, edukimi nuk nënkupton vetëm mbjelljen e vlerave, por edhe ndërtimin e imunitetit moral. Ky imunitet ndërtohet duke e mësuar fëmijën për natyrën dhe larminë e sjelljeve që mund të hasë te njerëzit në shoqëri. Kur prindërit arrijnë t’i edukojnë fëmijët që të jetojnë në një botë jo ideale pa i humbur vlerat dhe parimet e tyre, atëherë kemi të bëjmë me edukim të drejtë dhe të suksesshëm. Kjo nuk është një formulë e lehtë, por është e mundur.
Për shembull, kur e mësojmë fëmijën të zgjedhë me kujdes shokët, duhet t’i shpjegojmë njëkohësisht se jo çdo shok klase është i përshtatshëm për të qenë mik. Kur mbjellim tek ai virtytin e mëshirës, duhet ta mësojmë se disa njerëz mund të jenë të ashpër. Kur e mësojmë me drejtësinë, duhet t’i tregojmë se mund të përballet me njerëz të padrejtë. Kur e mësojmë të kontrollojë zemërimin, duhet ta përgatisim për faktin se të tjerët mund ta provokojnë qëllimisht. Prandaj, duhet ta stërvitim që të kontrollojë veten para se të reagojë. Dhe kështu me radhë.
Nuk duhet të presim që fëmija të përballet vetë me problemin apo të tronditet kur të shohë njerëz të paedukuar në shoqëri dhe pastaj t’i imitojë ata. Përkundrazi, duhet t’ia paraqesim paraprakisht problemet që mund të hasë në shoqëri ose në shkollë, përpara se të përballet me to, gjithmonë në një mënyrë që i përshtatet moshës dhe nivelit të tij të të kuptuarit.
Në këtë mënyrë, shtëpia bëhet jo vetëm vendi ku fëmija edukohet me vlera, por edhe qendra ku ai përgatitet për jetën. Fëmija del nga shtëpia duke mbartur vlera të qëndrueshme, por njëkohësisht duke zotëruar edhe aftësitë e nevojshme për t’u përballur me një shoqëri që mund të mos i ndajë të njëjtat vlera.
Prandaj, themeli i edukimit është mbjellja e vlerave dhe ndërtimi i imunitetit moral. Parandalimi është më i mirë se kurimi. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri!”[1]
Ruajtja e përmendur në fjalën “ruajeni” nënkupton t’i mësoni, t’i edukoni, t’i këshilloni dhe t’i përgatitni ata përpara se të bien në shkatërrim.
Autor: Xhasim Mutava
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Tahrim: 6.



















