Kjo ndarje nuk ka të bëjë me llojet e nevojës nga aspekti i natyrës apo cilësisë së saj, por është një ndarje e nevojës nga këndvështrimi nëse robi është shkaktar për ekzistencën e saj apo jo. Prandaj, kjo ndarje lidhet me rrugën që çon në konfirmimin e nevojës dhe mënyrën e shfaqjes së saj.
Nga ky këndvështrim, nevoja ndahet në dy kategori:
Kategoria e parë: Nevoja që lind nga veprimi i njeriut
Kjo kategori i referohet atyre nevojave që lindin si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimit të vetë njeriut. Me fjalë të tjera, është individi ai që, përmes veprimeve të tij – me vetëdije apo jo – bëhet shkaktar për shfaqjen e një nevoje të caktuar.
Kriteri themelor për përfshirjen e një rasti në këtë kategori është: çdo nevojë që lind si rezultat i përfshirjes së njeriut në një veprim që gjeneron një gjendje të re – pavarësisht nëse ky veprim është aktiv ose pasiv (veprim ose mosveprim) – konsiderohet një nevojë që buron nga veprimi i tij.
Shembull i veprimit të qëllimshëm: Udhëtimi është një veprim i ndërgjegjshëm dhe i planifikuar nga ana e njeriut. Nga ky veprim rrjedhin një sërë nevojash të njohura në jurisprudencën islame, si: nevoja për të prishur agjërimin gjatë muajit Ramazan, nevoja për të bashkuar dhe shkurtuar namazet, si dhe nevoja për të marrë tejemum në mungesë të ujit.
Shembull i mosveprimit të qëllimshëm: Mospuna apo mospërfshirja në aktivitete që gjenerojnë të ardhura konsiderohet zakonisht një qëndrim i vetëdijshëm i njeriut. Si pasojë, lindin nevoja të natyrshme si: nevoja për ndihmë materiale nga të tjerët, për strehim, veshmbathje, dhe forma të tjera të mbështetjes jetike.
Kjo nevojë që lind nga veprimi i njeriut ndahet në dy lloje, në varësi të gjykimit që ka vetë veprimi nga i cili ka lindur nevoja.
Lloji i parë: Nevojë që lind nga veprimi i njeriut dhe është e lejuar nga sheriati:
Në rastet kur një person kryen një veprim të lejuar nga sheriati — qofshin ato të obligueshme, të pëlqyeshme ose të lejuara — dhe si pasojë e këtij veprimi lind një nevojë, atëherë konsiderimi i kësaj nevoje është plotësisht i pranueshëm. Kjo për faktin se Ligjvënësi ka marrë parasysh nevojat e njerëzve dhe ka lehtësuar prej tyre atë që do të ishte e rëndë dhe e vështirë për t’u përballuar. Këto lehtësime kanë për qëllim t’i nxisin besimtarët drejt bindjes ndaj Tij dhe t’i motivojnë në vazhdimsinë e adhurimit ndaj Tij. Kjo nevojë mund të ketë si shkak një veprim të ligjshëm të urdhëruar nga sheriati, si për shembull udhëtimi i detyrueshëm për të kryer haxhin ose luftëtari në rrugë të Allahut; të dyja këto kategori mund të kenë nevojë të përfitojnë nga lehtësimet që u janë dhënë udhëtarëve. Po ashtu, kjo nevojë mund të ketë si shkak një veprim të ligjshëm të rekomanduar, siç është udhëtari që kërkon riskun (për të fituar jetesën), ose ai që ka nevojë për të bërë tregti në çështje të lejueshme, siç janë shitblerjet e “al-‘araja”[1] dhe “es-selemi”[2] dhe të tjera të ngjashme që janë lejuar për shkak të nevojës.
Lloji i dytë: Nevojë që lind nga veprimi i njeriut dhe është i ndaluar nga sheriati:
Në rast se një neri kryen një mëkat dhe si pasojë e saj lind një nevojë e caktuar, shtrohet pyetja nëse i lejohet të përfitojë nga kjo nevojë, apo kjo gjë ndalohet për shkak se origjina e saj është një veprim i papranueshëm nga ana ligjore?
Disa prej shembujve të këtij lloji janë: nevoja që i paraqitet një personi pas kryerjes së një akti grabitjeje në rrugë dhe frikësimit të udhëtarëve; nevoja e një individi që udhëton për një qëllim të ndaluar nga sheriati (siç është udhëtimi për kryerjen e një mëkati); apo nevoja e një gruaje për të abortuar fëmijën e saj për shkak të kryerjes së imoralitetit. Në këto raste, hasim një kundërthënie të qartë mes marrjes në konsideratë të nevojës dhe përdorimit të saj si justifikim për mbështetjen e mëkatit.
Më saktë, kemi të bëjmë me një përplasje midis legjitimimit të një nevoje që buron nga një veprim i ndaluar dhe objektivit sheriatik për të cilin është lejuar parimi i marrjes në konsideratë të nevojave. Kjo, sepse Allahu i Lartësuar e ka ligjëruar këtë parim me qëllim që njeriu të afrohet më shumë në bindje ndaj Tij, të lehtësohet në përmbushjen e obligimeve dhe të përballojë me më pak vështirësi sfidat e jetës. Ndërkohë, në rastet e mësipërme, individi nuk realizon këtë qëllim hyjnor, por përkundrazi, e përdor nevojën si mjet për të kryer atë që Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar. Në këtë mënyrë, nevoja përdoret në të kundërt të qëllimit për të cilin është lejuar.
Kjo çështje është trajtuar gjerësisht nga dijetarët në kontekstin e lehtësimeve juridike (rukhsa), ku është theksuar se këto lehtësime janë ligjësuar ekskluzivisht për të ndihmuar njeriun në përmbushjen e bindjes ndaj Allahut. Si rrjedhojë, zbatueshmëria e tyre kufizohet vetëm në rastet të cilave u është dhënë miratim nga sheriati. Ndërkohë, në situatat për të cilat sheriati nuk ka dhënë leje — siç janë rastet e mëkatit — nuk ka vend për aplikimin e lehtësimeve, siç është rasti i një personi që udhëton për një qëllim të ndaluar.
Kjo është një nga çështjet për të cilat dijetarët kanë shfaqur mospajtime, dhe diskutimet lidhur me të kanë qenë të shumta. Një pjesë e dijetarëve ka pohuar se mëkatari nuk ka të drejtë të përfitojë nga lehtësimet juridike (rukhsa), meqenëse këto janë ligjësuar nga Allahu si ndihmë për njeriun në përmbushjen e bindjes ndaj Tij, ndërkohë që mëkatari nuk meriton të ndihmohet në shkeljen e normave hyjnore. Ndërkaq, disa të tjerë kanë mbajtur qëndrimin se nuk ka dallim mes atij që i bindet Allahut dhe atij që mëkaton, përsa i përket të lejuarës dhe të ndaluarës; madje disa prej tyre kanë shkuar më tej në këtë qasje, duke thënë: “Sa i përket pohimit se mëkatari nuk ka të drejtë për lehtësim, kjo është një pikëpamje e pasaktë, sepse bie në kundërshtim me konsesusin e myslimanëve.”
Kjo çështje është përfshirë edhe në disa rregulla juridike islame, si rregulli: “Lehtësimet juridike nuk aplikohen tek ato veprime që janë mëkate.”
Kategoria e dytë: Nevoja që lind nga faktorë të jashtëm, të pavarur nga veprimi i drejtpërdrejtë i njeriut
Qëllimi i kësaj kategorie është të evidentojë ato nevoja të cilat lindin pa dëshirën apo zgjedhjen indivduale të njeriut. Njeriu nuk ka asnjë ndikim në krijimin e tyre, pasi ato ndodhin jashtë kontrollit dhe vullnetit të tij. Këtu bëhet fjalë për ato vështirësi që e godasin individin pa qenë pasojë e veprimeve të tij. Brenda kësaj kategorie përfshihen një sërë rastesh konkrete, si për shembull:
1 – Sëmundja: Sëmundja përbën një gjendje që i ndodh njeriut pa qenë pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të tij, pasi është Allahu i Madhëruar Ai që i vë njerëzit në sprovë përmes saj. Ajo konsiderohet një nga faktorët kryesorë që gjenerojnë nevojë për lehtësime juridike, meqenëse personi i sëmurë ka nevojë për trajtime të veçanta të cilat nuk kërkohen nga një individ i shëndetshëm. Ndër këto lehtësime mund të përmendim: përdorimin e alternativave në pastrim (taharet) në rast se përdorimi i ujit paraqet vështirësi, ndryshimin e mënyrës së faljes nëse qëndrimi në këmbë është i lodhshëm, dhe raste të ngjashme.
2 – Humbja e pasurisë pa shkak të drejtpërdrejtë nga vetë njeriu: Kjo ndodh, për shembull, kur pasuria e dikujt shkatërrohet nga zjarri, humbet për shkak të një stuhie, përmbytjeje apo fatkeqësish të tjera natyrore. Në raste të tilla, individi gjendet përballë një nevoje të pashmangshme për të kërkuar ndihmë nga të tjerët, me qëllim lehtësimin e barrës dhe përballimin e vështirësive që i janë imponuar pa fajin apo zgjedhjen e tij.
3 – Memecëria: Kjo i referohet pamundësisë së të folurit si pasojë e një mangësie të lindur në organin e të folurit. Personi që vuan nga memecëria përballet me një sërë nevojash praktike në jetën e përditshme. Për shembull, në rastet kur dëshiron të shesë, të blejë, të lidhë një kontratë apo të martohet, ai ka nevojë që komunikimi përmes gjuhës së shenjave të trajtohet si ekuivalent me të folurën për ata që janë në gjendje të artikulojnë. Në këtë drejtim, juristët kanë formuluar një parim juridik i cili përcakton: “Shenjat e zakonshme të memecit vlejnë sa e folura me gojë.”
Vërehet se këto nevoja i paraqiten njeriut pa ndërhyrjen apo dëshirën e tij, pasi as i sëmuri, as ai që ka humbur pasurinë dhe as memeci nuk janë shkaktarë të drejtpërdrejtë të gjendjes së tyre. Kjo përfaqëson, në thelb, atë që njihet si nevojë e imponuar nga faktorë të jashtëm dhe jo si pasojë e një veprimi të vetëdijshëm apo të zgjedhur nga individi.
Duhet theksuar se, nga këndvështrimi i pasojave ligjore, nuk ka dallim ndërmjet kësaj forme të nevojës dhe asaj që lind nga veprime të lejuara të njeriut. Sa i takon nevojave që burojnë nga veprime të ndaluara, një pjesë e dijetarëve i kanë përfshirë gjithashtu në të njëjtën kategori, pa bërë dallim mes tyre dhe dy kategorive të përmendura më sipër.
Autor: Ahmet ibn Abdurrahman ibn Nasir Er Reshid
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Shitblerja e frutave të freskëta me hurma të thata për nevojë.
[2] – Shitblerja me parapagesë.



















