Ajo që lidhet me vështrimin e lexuesit ndaj Kuranit si një vështrim i tërësishëm dhe gjithëpërfshirës, është vëmendja e tij ndaj objektivave kryesore të Kuranit. Saktësia dhe drejtpeshimi i këtij vështrimi çojnë në një marrëdhënie të mirë me Kuranin, në kuptimin dhe meditimin e tij, si dhe në njohjen e lexuesit me qëllimet e Kuranit, objektivat e tij kryesore dhe synimet e tij të përgjithshme. Nëse lexuesi i kushton vëmendje këtyre objektivave, ai do të përpiqet t’i realizojë ato tek vetja dhe te njerëzit rreth tij.
Shumë nga myslimanët gabojnë në përcaktimin e qëllimeve dhe objektivave të Kuranit; ata i veshin atij qëllime dhe synime dytësore, ose qëllime që Kurani as nuk i dëshiron dhe as nuk synon fare t’i ketë.
Kurani ka zbritur për të gjallët dhe jo për të vdekurit, siç mendojnë disa. Ata nuk i kushtojnë vëmendje atij veçse kur vdes ndonjë i afërm; atëherë magnetofonët ushtojnë me Kuran nëpër shtëpi për disa ditë, lexuesit ftohen në shtëpi e varreza gjatë ceremonive të mortit e përkujtimeve të të vdekurve, ndërsa radioja ndërpret transmetimin e saj të zakonshëm dhe kufizohet vetëm në transmetimin e Kuranit me rastin e vdekjes së ndonjë udhëheqësi apo sundimtari. Ndërsa që të gjallët të ndërveprojnë me Kuranin, të kërkojnë qëllimet dhe objektivat e tij për t’i realizuar ato tek vetja dhe në shoqëritë e tyre, kjo është diçka për të cilën këta njerëz nuk mendojnë fare.
Kurani ka zbritur edhe si bekim (bereqet) sipas disave, por ata e shndërrojnë atë në hajmali e shkrime letre që i vendosin mbi trupa, nëpër shtëpi apo në makina, me qëllim që të tërheqin bekimin e të largojnë dëmin. Po ashtu, këta njerëz i hapin fjalimet, konferencat, takimet, tubimet, festat dhe transmetimet e tyre me ajete nga Kurani, për të kërkuar mbarësi e bekim, për të parfumosur ambientin me përmendjen e tij, ose thjesht nga zakoni e tradita, si dhe për të shfrytëzuar pakujdesinë e popullit, për t’u gudulisur ndjenjat fetare e për t’i bërë të mendojnë se ata janë me Kuranin, nga ushtarët, mbrojtësit dhe njerëzit e tij të afërt.
Mirëpo ata nuk duan t’i hapin shpirtrat, ndjenjat, zemrat dhe qenien e tyre ndaj Kuranit që t’i ngjallë me jetën që mbart ai. Nuk duan t’i hapin ndaj tij institucionet, programet, ministritë dhe legjislacionet e tyre, në mënyrë që ato të shndërrohen në udhëzim, mëshirë e drejtësi. Dhe nuk duan t’i hapin ndaj tij shoqëritë e popujt e tyre, që ata të shndërrohen në mesazherë të mirësisë, thirrës të reformimit, udhëheqës dhe mësues për njerëzimin.
Atëherë, cilat janë objektivat kryesore të Kuranit, në mënyrë që t’i njohim ato në çdo ajet e suren të tij, dhe që t’i japim mundësi Kuranit t’i realizojë ato tek ne, në shoqëritë tona, në realitetin dhe në jetën tonë?
Objektivat kryesore të Kuranit pothuajse nuk dalin jashtë katër pikave:
1 — Udhëzimi drejt Allahut të Lartësuar: Udhëzimi i drejtë, me vend, i synuar e që të çon në destinacion; udhëzimi i gjithanshëm për individin në të gjithë qenien, ndjenjat, emocionet dhe aspektet e jetës së tij; udhëzimi i gjithanshëm për popullin në të gjithë pjesëtarët, institucionet, fushat dhe jetën e tij; si dhe udhëzimi i gjithanshëm për të gjithë njerëzimin drejt Zotit të tij të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e drejta.”[1] Udhëzimi në këtë ajet është i përgjithshëm e i gjithanshëm, dhe jeta me vlerë në të cilën ai thërret është gjithashtu e përgjithshme e e gjithanshme.
Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Po kështu, Ne të kemi shpallur ty një Shpirt (frymëzim/Kuran) me urdhrin Tonë. Ti nuk e dije çfarë është Libri, as çfarë është besimi, por Ne e bëmë atë një Dritë me të cilën udhëzojmë cilin të duam nga robërit Tanë. Dhe me të vërtetë, ti udhëzon drejt rrugës së drejtë”[2] Kësisoj, Kurani është frymë (shpirt) dhe nuk udhëzon veçse ai që ka frymë; po ashtu Kurani është dritë, dhe Allahu është Ai që udhëzon përmes kësaj fryme e përmes kësaj drite. Ai është që e ngarkoi të Dërguarin e Tij (a.s) që të udhëzojë me këtë Kuran drejt rrugës së drejtë të Allahut, dhe Ai është që e ka ngarkuar çdo besimtar që është udhëzuar me këtë udhëzim kuranor që t’u kalojë të tjerëve këtë udhëzim, për t’i udhëzuar drejt asaj me të cilën u udhëzua vetë.
Allahu i Lartësuar thotë gjithashtu: “O ithtarë të Librit! Ju ka ardhur i Dërguari Ynë për t’ju sqaruar shumë nga ato që i fshihnit prej Librit dhe për të kapërcyer (falur) shumë të tjera. Ju ka ardhur nga Allahu një dritë dhe një Libër i qartë. Më të Allahu udhëzon në rrugët e paqes ata që kërkojnë kënaqësinë e Tij, i nxjerr ata nga errësira në dritë me lejen e Tij dhe i udhëzon drejt një rruge të drejtë.”[3]
2 — Formimi i personalitetit Islam të plotë e të drejtpeshuar: Pothuajse e krijon atë nga mosqenia (nga e para) dhe e shkëput nga realiteti xhahilist (i padijes) i ndotur, ku humbasin shpirtrat, shkatërrohen mendjet dhe çaktivizohen perceptimet, shqisat e idetë. E shkëput prej atij realiteti e më pas nis punën me të me lehtësi, butësi, maturi, vëzhgim e përkujdesje… Mbjell besimin në këtë shpirt, ndriçon me dritën udhëzuese të gjitha anët e jetës së tij, rrit te ai të mirën e mirësinë, si dhe vë në punë aftësitë, talentet e energjitë që i ka dhuruar Allahu në mënyrë të dobishme e me dobi të madhe, për të arritur qëllimin e synimin. E pajis atë me mjetet e metodat që e ndihmojnë në misionin e tij dhe e ndihmojnë të vazhdojë kryerjen e tij, si dhe vë në duart e tij rregullat e bazat që e bëjnë të mundur dhënien e krijimtarinë.
Kurani arriti një sukses të jashtëzakonshëm në realizimin e këtij synimi në jetën e shokëve të Profetit të nderuar, ku secili prej tyre ishte një njeri kuranor, jetonte me Kuranin, për të dhe nëpërmjet tij, ashtu siç prodhoi edhe në shekujt e mëvonshëm burra kuranorë në cilësitë e tyre islame kuranore. Shembujt bashkëkohorë të këtyre burrave ekzistojnë me bollëk, të shpërndarë në një hapësirë të gjerë të botës sonë bashkëkohore.
Kurani vazhdon të jetë i gatshëm dhe i aftë — me lejen e Allahut — për dhënie e nxjerrje brezash, si dhe i përgatitur për kryerjen e këtij synimi e realizimin e këtij qëllimi, me kusht që lexuesi ta vërejë këtë te ai, t’i kushtojë vëmendje, të përmirësojë marrëdhënien e pranimin prej tij, si dhe të ndërveprojë me të në krijim, edukim e formim. Dhe sa e vërtetë është fjala e Allahut të Madhëruar: “A është ai që ishte i vdekur e Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që është në errësirë nga e cila nuk mund të dalë?”[4]
Njerëzit pa Kuranin janë të vdekur në zemrat, shqisat, ndjenjat dhe jetën e tyre: “Nuk janë të barabartë i verbëri me atë që sheh, as errësira me dritën, as hija me nxehtësinë e diellit, e as të gjallët me të vdekurit. Me të vërtetë, Allahu bën të dëgjojë kë të dojë, ndërsa ti nuk mund t’i bësh të dëgjojnë ata që janë në varre.”[5]
Prandaj, Kuranin nuk e kupton dhe nuk ndërvepron me të veçse ai që është i gjallë: “Ajo nuk është tjetër veçse një përkujtim dhe një Kuran i qartë, për të paralajmëruar cilindo që është i gjallë dhe për t’u bërë me vend fjala kundër mosbesimtarëve.”[6]
3 — Krijimi i shoqërisë islame kuranore origjinale: Kjo është shoqëria e përbërë nga individët kuranorë , të cilët i brumosi Kurani. Ndërtimi i kësaj shoqërie mbështetet mbi metodën e Kuranit, bazat, parimet dhe udhëzimet e tij, si dhe mbi vendosjen e themeleve të saj e të programeve të jetës së saj, duke e furnizuar atë me gjithçka që i nevojitet nga e gjithë kjo. Dhe kur shoqëria buron nga tekstet e Kuranit, jeton nën hijen e tij, rritet në atmosferën e tij dhe lëviz nën dritën e tij, ajo bëhet një shoqëri e gjallë, me dinjitet, e lirë dhe e ndershme e lumtur; përndryshe, ajo është një shoqëri e vdekur që vuan dhimbjet e tragjeditë e saj, duke përtypur nënçmimin, poshtërimin dhe turpin çdo çast.
Kurani e krijoi shoqërinë e parë të sahabëve — shoqërinë kuranore pararoje e të papërsëritshme — dhe Ai është i aftë të krijojë shoqëri të tilla, t’i ndërtojë e t’i mirëmbajë ato, nëse ka sinqeritet në qasjen ndaj tij, në ndërveprimin me të dhe në të jetuarit me të. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë!”[7]
Kurani është thirrja e Profetit (a.s) dhe thirrja drejt një jete dinjitoze për njeriun; jetës kuranore në të gjitha fushat, anët dhe shfaqjet e saj. Kush e refuzon këtë thirrje, ka refuzuar jetën dhe ka gjykuar veten me vdekje, vdekjen shpirtërore që i ngjan vdekjes fizike të kapshme. Allahu i Lartësuar thotë: “Përgjigjen vetëm ata që dëgjojnë, ndërsa të vdekurit Allahu i ringjall e më pas tek Ai do të kthehen.”[8] Dhe thotë i Lartësuari: “O njerëz! Ju ka ardhur një provë e qartë nga Zoti juaj dhe Ne ju kemi zbritur një dritë të qartë. Sa për ata që besuan në Allahun dhe u kapën pas Tij, Ai do t’i fusë në mëshirë e mirësi nga Vetë Ai dhe do t’i udhëzojë drejt Tij në një rrugë të drejtë.”[9]
Termi “jetë” përdoret në stilin kuranor në gjashtë mënyra, të cilat i ka përmendur imam Ragibi në veprën e tij “Mufredat”, ku ka sjellë edhe argumentet e shembujt nga ajetet e Kuranit të Fisnik:
I pari: Fuqia rritëse që gjendet te bimët dhe kafshët: “Dhe prej ujit kemi bërë çdo gjë të gjallë”[10]
I dyti: Fuqia ndijore, nga e cila rrjedh edhe emërtimi i gjallesave: “Dhe nuk janë të barabartë të gjallët me të vdekurit”[11]
I treti: Fuqia vepruese mendore: “A është ai që ishte i vdekur e Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që është në errësirë nga e cila nuk mund të dalë?”[12]
I katërti: Largimi i pikëllimit (heqja e brengës), dhe mbi këtë kuptim mbështetet fjala e të Lartësuarit: “Cilindo që bën vepër të mirë, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim pa tjetër një jetë të mirë.”[13]
I pesti: Jeta e amshuar e botës tjetër (Ahiretit), e cila arrihet nëpërmjet mendjes dhe dijes. Allahu i Lartësuar thotë: “Ajo ditë kur njeriu do të kujtohet, por si do t’i shërbejë kjo kujtesë? Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha përgatitur diçka për jetën time!”[14]
I gjashti: Jeta me të cilën cilësohet vetë Krijuesi i Lartësuar, që do të thotë se vdekja nuk mund t’i vishet Atij kurrsesi. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është i Gjalli, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij”[15]
4 — Udhëheqja e umetit mysliman në betejën e tij të domosdoshme me xhahilijetin (injorancën) që e rrethon: Përballë armiqve që i rrinë në pritë e që nuk respektojnë te ai as marrëveshje e as besë, e që nuk lënë asnjë mënyrë apo mjet pa përdorur në luftën kundër tij. Kurani e merr këtë umet për dore drejt fushëbetejës, e stërvit në të, e pajis me mjetet e fitores, me armët e luftës dhe me metodat e xhihadit. Ai ia bën të qartë shkakun pse armiqtë nisën luftën kundër tij, qëllimin e tyre në këtë luftë, bashkimin e tyre për ta luftuar atë dhe përdorimin e çdo gjëje që kanë mundësi për ta asgjësuar. Po ashtu, ia zbulon personalitetin e psikologjinë e tyre, metodat e kurthet e tyre, sprapsjet, mashtrimet, shpifjet e propagandën e tyre, si dhe armët e mjetet që përdorin. Kurani vendos në duart e këtij umeti përgatitjen për fitore, udhëzimin e rrugës dhe forcën e përballjes, duke e lidhur fort pas litarit të Zotit të tij dhe duke e përforcuar lidhjen me Islamin e tij. Kësisoj, umeti del fitimtar, i lartësuar, i lirë dhe i nderuar nga beteja e imponuar nën udhëheqjen e Kuranit, udhëzimet dhe udhërrëfimet e tij.
Këtë bëri Kurani me sahabët e nderuar gjatë përpjekjes së tyre, dhe këtë bëri me myslimanët kur ata iu përveshën punës dhe u angazhuan për realizimin e këtij qëllimi. Kurani vazhdon të jetë i përgatitur, i gatshëm dhe i aftë — me ndihmën e Allahut — por ku janë luftëtarët që t’i qasen atij? Ata që e mbartin atë? Ata që veprojnë sipas tij? Ata që përballen me armiqtë përmes tij dhe nën udhëzimin e tij? Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj mos u tundo nga mosbesimtarët, por luftoji ata me të (Kuranin) me një përpjekje të madhe.”[16]
Ky është një udhëzim hyjnor për të Dërguarin (a.s) dhe për umetin pas tij: që ta bëjnë Kuranin e Fisnik mjet e instrument përmes të cilit ndihmohen në përpjekjen kundër mosbesimtarëve, dhe ta konsiderojnë atë armën e parë, kryesore dhe efikase në këtë përpjekje.
Ajo që të pikëllon e të lëndon zemrën në këtë kohë është se ka njerëz nga liderët, pushtetarët e udhëheqësit e umetit që iu drejtohen armiqve të Islamit dhe Kuranit, duke u ndihmuar prej tyre në luftën kundër Kuranit e rezistencës së tij, në vend që të luftojnë përmes Kuranit kundër këtyre armiqve. Ata lidhin aleanca me ta për të fshirë udhëzimin e tij, për të shuajtur dritën e tij dhe për ta asgjësuar atë. Mirëpo të gjithë këta kanë harruar se po luftojnë Allahun e Lartësuar, dhe fati i çdo njeriu që ka luftuar Allahun është i njohur në histori.
Sa e vërtetë është fjala e Allahut: “Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, por Allahu do ta plotësojë dritën e Tij, edhe pse kjo nuk u pëlqen mosbesimtarëve. Ai është që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhëzimin dhe fenë e së vërtetës, për ta ngritur atë mbi të gjitha fetë, edhe pse kjo nuk u pëlqen idhujtarëve.”[17]
Autor: Salah Abdulfetah el Halidij
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Isra: 9.
[2] – Sure Shura: 52.
[3] – Sure Maide: 115 – 116.
[4] – Sure En’am: 122.
[5] – Sure Fatir: 19 – 22.
[6] – Sure Jasin: 69 – 70.
[7] – Sure Enfal: 24.
[8] – Sure En’am: 36.
[9] – Sure Nisa: 174 – 175.
[10] – Sure Enbija: 30.
[11] – Sure Fatir: 22.
[12] – Sure En’am: 122.
[13] – Sure Nahl: 97.
[14] – Sure Fexhr: 23 – 24.
[15] – Sure Gafir: 65.
[16] – Sure Furkan: 52.
[17] – Sure Saff: 8 – 9.



















