Gjërat që e prishin namazin

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1 – Të folurit dhe të ngrënët: Ibn Mes`udi (r.a) thotë: “Ne i jepnim selam të Dërguarit të Allahut (a.s) në namaz dhe ai na e kthente. Kur u kthyem nga Nexhashi (Abisinia) i dhamë selam, mirëpo ai nuk na e ktheu. Ne i thamë: “O i Dërguar i Allahut, ne të jepnim selam dhe na e ktheje, përse nuk e kthen më selamin”? I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: Në namaz nuk ka fjalë[1]

Zejd Ibn Erkam (r.a) thotë: “Ne flisnim në namaz me njëri – tjetrin, derisa zbriti ajeti: “Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij[2] Atëherë ne u urdhëruam, që të heshtnim dhe të mos flisnim”[3] Të gjithë dijetarët janë të mendimit, se të ngrënit dhe të pirët gjatë namazit e prishin namazin.

2 – Të lutesh për atë që teshtin: Muauije ibn Hakem (r.a) thotë: “Kur po faleshim me të Dërguarin e Allahut (a.s) një burrë teshtiu. Unë i thashë: “Allahu të mëshiroftë”. Njerëzit që faleshim më shikuan vëngër. U thashë: “Çfarë keni me mua”? Ata filluan t`iu bien kofshëve me pëllëmbë, derisa unë pushova. Pasi u fal, i Dërguari i Allahut (a.s) m’u afrua. Pasha Allahun nuk kam parë mësues më të mirë se ai. As nuk më qortoi, as nuk më rrahu, as nuk më shau, por vetëm më tha: Në namaz nuk duhet të flitet me fjalë njerëzish, namazi është tesbih (lavdërim), lartmadhërim dhe lexim Kurani…[4]

3 – E qeshura në namaz: Humejd ibn Hilal tregon: “Ebu Musa El Eshari (r.a) po falej me shokët e tij. Ata i panë diçka dhe filluan të qeshin. Kur mbaroi namazin, ai u tha: “Kush qeshi prej jush, të përsërisë namazin”[5]Xhabiri (r.a) thotë: “Buzëqeshja nuk e prish namazin, por e qeshura me zë e prish atë”[6] Xhabiri (r.a) thotë gjithashtu: “Ai që qesh në namaz, nuk e përsërit abdesin[7]

4 – Gjetja e lagështirës në rroba dhe prishja e abdesit: Khalid ibn Lexhlaxh tregon “Umeri (r.a) po falej me njerëzit dhe në uljen e rekatit të dytë qëndroi shumë. Më pas u ngrit, mori një burrë për dore nga rreshti dhe e vuri imam. Në namazin e Ikindisë pasi u fal me njerëzit, u ngrit dhe u ngjit në minber, lavdëroi dhe falenderoi Allahun e Madhëruar, pastaj tha: “O njerëz! Unë mora abdes dhe kalova para gruas time, duke qëndruar për një çast me të. Kur po falesha, ndjeva lagështirë në rrobat e mia. Isha para dy dilemave: ose të turpërohesha para jush dhe të jem i guximshëm me Allahun, ose të turpërohem nga Allahu dhe të jem i guximshëm me ju. Unë u turpërova nga Allahu. Dola dhe mora abdes, pastaj e përsërita namazin. Kujt i ndodh siç më ndodhi mua, të veprojë siç veprova unë”[8]

5 – Lënia e qëllimshme e çdo rukni apo sharti të namazit: Nëse qëllimisht lihet një rukn apo shart i namazit, ai namaz bëhet i pavlefshëm dhe duhet filluar nga fillimi. Mirëpo nëse një person harron apo gabon dhe nuk kryen një rukn apo shart, sipas mendimit më të drejtë, ai përsërit vetëm atë rekat, në të cilin nuk ka kryer ruknin apo shartin. Lënia e qëllimishme e veprimeve, që janë Uaxhib në namaz, e bëjnë namazin të pavlefshëm.

Autor: Rushit Musallari

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Buhariu dhe Muslimi.

[2] – Sure Bekare: 238.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.

[4] – Muslimi.

[5] – Darakutni. Hadithi është Daif.

[6] – Ibn Shejbe dhe Abdurrezaku. Thënie e pranuar.

[7] – Darakutni. Hadithi është Daif.

[8] – Bejhakiu. Hadithi është Munkati.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *