Bashkëshoqërimi me njerëzit e mirë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ebu Musa el Esh’arij (r.a) transmeton se Profeti a.s. ka thënë: “Shembulli i shokut të mirë dhe atij të keq është si shembulli i mbartësit të aromës së mirë dhe farkëtarit. Mbartësi i aromës së mirë ose do të dhurojë një aromë të mirë, ose do t’ia blesh ose atij do t’i vijë aromë e mirë. Ndërsa farkëtari mund të të djegë rrobat, ose ai mban erë të keqe”.[1]

Dritë mbi kuptimin e hadithit:

Njeriu nuk mund të jetojë pa shokë. Ai gjithmonë dëshiron që të ketë shokë, të takohet, të shoqërohet e të ulet me ta. Duke u nisur nga kjo, një rëndësi të veçantë ka përzgjedhja e shokut, sepse ai luan një rol të qartë në ndikimin e formimit. Nëse ai është në udhë të mbarë dhe njeri i mirë, atëherë edhe ndikimi i tij do të jetë i mirë. Por nëse ai është i shthurur, atëherë ndikimi i tij do të jetë i keq.

Në këtë hadith profetik, profeti a.s jep një shembull në një stil të mrekullueshëm dhe të urtë letrar, duke sqaruar ndikimin e mirë, që ka shoqëria e mirë dhe ndikimin e keq, që ka shoqëria e keqe dhe e shthurur.

Shoku i mirë është si mbartësi i aromës së mirë (shitësit të aromave).  Ai të këshillon, të orienton dhe të udhëzon për mirë. Këtë gjë ka për qëllim profeti a.s me fjalën: “do të dhurojë”. Në rastin tjetër do t’i kërkosh ndihmë për çështjet e fesë dhe dynjasë e ai asnjëherë nuk ka për të hezituar, por gjithmonë do t’i përgjigjet me sinqeritet kërkesave të tua. Kjo është qëllimi i fjalës profetike: “do t’ia blesh”. Ndërsa në rastin më të keq, nëse ai nuk të këshillon, nuk të orienton e as nuk të ndihmon, ti përsëri do të përfitosh nga aroma e tij e mirë. Do të përfitosh përmendjen dhe opinion të mirë ndër njerëz. Gjithashtu ti je i qetë kur ulesh me të, shpirti të rigjallërohet me shoqërimin e tij dhe ndikohesh nga sjellja dhe morali i tij i mirë.

Ndërsa shoku i keq është si shembulli i farkëtarit që nëse i afrohesh, shkëndijat e flakës do të bien në rroba dhe do t’i djegin. E nëse largohesh pak, nuk do të shpëtosh nga era e keqe, që vjen nga hekuri i skuqur që shpon hundët. Shpëton nga e keqja e tij, vetëm nëse shkëputesh plotësisht.

Ky është ndikimi i shokut të keq. Ose mund t’i bësh shoqëri shthurjes dhe degjenerimit të tij, që të bëhesh si ai e kështu ai  të djeg besimin dhe moralin, ose mund të shpëtosh nga e keqja e tij, por nuk mund të shpëtosh nga opinioni i keq që kanë njerëzit, duke e ekspozuar veten përpara rrezikut të devijimit në rrugën e shtrembër, sepse ai i cili i ruan dhentë pranë kufirit të ndaluar, është i predispozuar që të bjerë në gabim. Po kështu ai, i cili ulet me njerëz të këqinj e është dakord me shthurjen dhe degjenerimin e tyre, është shumë pranë ndëshkimit. Allahu i Lartësuar ka thënë në Kur’an: “Mos ano nga ata të cilët kanë bërë zullum, sepse pastaj edhe ju do të ndëshkoheni me zjarr”. Sure Hud: 113

Për këtë arsye Allahu na ka urdhëruar që të shoqërohemi me njerëzit e devotshëm e të qëndrojmë gjithmonë pranë tyre. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Bëj durim me ata të cilët e lusin Zotin në mëngjes dhe në mbrëmje duke kërkuar kënaqësinë e Tij”. Sure El Kehf: 28

Ndërsa përsa i përket kriminelëve dhe të shfrenuarve, Allahu na ka urdhëruar që të largohemi dhe të kemi kujdes prej tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Shmangju  atyre që i kthejnë shpinën përkujtimit Tonë dhe që duan vetëm jetën e kësaj bote”.  Sure En Nexhm: 29.

Imam Tirmidhiu transmeton nga Ebu Hurejra, se profeti a.s ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij. Kështu që çdokush le të shikojë mirë kë zgjedh për shok.”

Një poet është shprehur mjaft bukur duke thënë:

Mos u shoqëro me injorantin

mjerë ti dhe mjerë ai

Sa injorantë kanë shkatërrur

të mirët kur janë shoqëruar

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1- Nxitja për shoqërimin me njerëzit e devotshëm, të mirë e të ditur, dhe ndalimi i shoqërimit me njerëzit e këqinj, të shthurur e të degjeneruar.

2- Ndikimi i shpejtë nga sjellja dhe veprimet e shokëve. Ashtu siç shpërndahet kundërmimi i erës së mirë me shpejtësi, ashtu përhapen edhe shkëndijat e zjarrit si rrufeja e shpejtë.

3- Stili i mrekullueshëm profetik në dhënien e shembujve nga realiteti i prekshëm për një kuptim sa më të përafërt, po ashtu edhe dhënia e këshillës në formën më të mirë.

[1] Transmeton imam Buhariu: 5214 dhe imam Muslimi: 2628. teksti eshte i imam Muslimit.

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.