Historia e Karunit është ndër historitë më të spikatura në Kuran, që mishëron rrezikun e mendjemadhësisë, krenarisë me pasurinë dhe mashtrimit nga kjo botë. Ajo paraqet modelin e një njeriu që bashkoi pasurinë e tepërt me tiraninë e skajshme dhe koprracinë e urryer. Kurani Fisnik ka treguar edhe sekretin e devijimit dhe mendjemadhësisë së Karunit, që është “padrejtësia dhe shtypja (el-bag’j)” siç thotë Allahu i Madhëruar: “Vërtet, Karuni ishte nga populli i Musait, por ai bëri padrejtësi ndaj tyre. Ne i kishim dhënë atij aq shumë thesare, saqë çelësat e tyre mezi i bartte një grup njerëzish të fuqishëm. Kur populli i tij i tha: “Mos u gëzo me mendjemadhësi, sepse Allahu nuk i do ata që mburren.”[1]
Në meditimin mbi historinë e Karunit dhe këtë ajet ka paralajmërim kundër padrejtësisë në të gjitha format e saj, sepse padrejtësia është një nga dyert dhe paraprirjet më të mëdha të zullumit, arrogancës dhe keqpërdorimit të mirësive.
A – “Vërtet, Karuni ishte nga populli i Musait”
Karuni ishte izraelit, nga populli i Musait, por ai u ngrit kundër popullit të tij, bijve të Izraelit, dhe u rreshtua me Faraonin dhe parinë e tij, duke i ndihmuar ata kundër popullit të vet. Përmbledhja e historisë së tij përmendet në fund të sures Kasas, e cila është përqendruar në rrëfimin e Musait (a.s), që nga lindja e tij deri te dalja me bijtë e Izraelit nga Egjipti dhe fundosja e Faraonit.
Emri i Karunit është përmendur katër herë në Kuran
Herën e parë në fjalën e Allahut: “Ne e dërguam Musain me argumentet Tona dhe me autoritet të qartë te Faraoni, Hamani dhe Karuni, por ata thanë: “Ai është magjistar gënjeshtar.”[2]
Kurani Fisnik na tregon se kur Musai (a.s) u dërgua si profet dhe i dërguar te Faraoni dhe paria e tij, Egjiptin e sundonte “trekëndëshi tiranik”, i përbërë nga Faraoni, Hamani dhe Karuni. Prandaj ajeti i sures Gafir përmend se Allahu e dërgoi Musain (a.s) te Faraoni, Hamani dhe Karuni. Kjo tregon se Karuni ishte në kulmin e fuqisë dhe sprovës së tij në kohën e dërgimit të Musait (a.s) dhe se ai ishte pjesë themelore e sistemit sundues në Egjipt dhe ndihmës kryesor i Faraonit.
Sistemi faraonik mbështetej mbi katër fuqi:
1 – Fuqia financiare dhe ekonomike, që përfaqësohej nga Karuni.
2 – Fuqia administrative dhe ekzekutive, që përfaqësohej nga Hamani dhe paria.
3 – Fuqia mediatike dhe ndikuese, që përfaqësohej nga magjistarët që frikësonin njerëzit.
4 – Fuqia absolute faraonike, ku Faraoni i përdorte dhe i kontrollonte të tria këto fuqi për ta nënshtruar popullin e tij.
Prandaj ajetet i përmendin së bashku tre tiranët: Faraonin, Hamanin dhe Karunin. Ajo që i bashkonte ishte mohimi, tirania dhe korrupsioni.
Tirania e Faraonit vinte nga mbretëria dhe pushteti i tij, aq sa i thërriste njerëzit ta adhuronin.
Tirania e Hamanit vinte nga posti dhe pozita e tij.
Tirania e Karunit vinte nga pasuria dhe thesaret e tij.
Qëndrimi i këtyre tre tiranëve ishte i njëjtë: ata e pritën Musain (a.s) me përgënjeshtrim dhe e akuzuan si magjistar gënjeshtar. Largimi i Karunit nga populli i tij, bijtë e Izraelit, shkëputja e tij nga Musai – i cili ishte izraelit si ai – dhe rreshtimi me Faraonin kopt kundër popullit të vet, është dëshmi se mohuesit bashkohen në mosbesim dhe tirani, pavarësisht ndryshimit të prejardhjes dhe racës së tyre; sepse mosbesimi është një fe e vetme.
Hera e dytë ku përmendet Karuni është fjala e Allahut të Madhëruar: “Kështu ndodhi edhe me Karunin, Faraonin dhe Hamanin. Musai u erdhi atyre me prova të qarta, por ata u sollën me mendjemadhësi në tokë dhe nuk mundën t’i shpëtonin dënimit. Secilin prej tyre e kapëm për shkak të gjynahut të vet: disave u dërguam stuhi me gurë, disa i kapi britma shkatërruese, disa i fundosëm në tokë dhe disa i mbytëm. Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.”[3]
Hera e tretë në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Vërtet, Karuni ishte nga populli i Musait, por ai bëri padrejtësi ndaj tyre.”[4]
Hera e katër në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Pastaj ai doli para popullit të vet me stolitë e tij. Ata që dëshironin jetën e kësaj bote thanë: “Ah, sikur të kishim edhe ne si ajo që i është dhënë Karunit! Vërtet ai ka fat të madh.”[5]
Ajetet e Kuranit Fisnik na tregojnë se Karuni ishte izraelit, por i lidhur me sistemin kopt-egjiptian: “Vërtet, Karuni ishte nga populli i Musait.” Ne nuk e dimë prejardhjen e saktë të Karunit dhe as shkallën e afërsisë së tij me Musain (a.s). Gjithashtu nuk dimë si ishte fillimi i jetës së Karunit dhe si u ngrit pozita e tij derisa u bë një simbol i tiranisë.
E vetmja gjë që kuptojmë nga ajetet e Kuranit është se Karuni izraelit ishte ndër më të pasurit në kohën e sundimit të Faraonit, se u mashtrua nga pasuria dhe thesaret e tij, prandaj u rreshtua në anën e Faraonit kundër popullit të vet, bijve të Izraelit, dhe se Faraoni mbështetej tek ai dhe fuqia e tij financiare për forcimin e sistemit të vet.
Librat e trashëgimisë islame dhe rrëfimet historike kanë përmendur se Karuni ishte një nga njerëzit më të pasur dhe më të famshëm në gjithë historinë njerëzore. Ai ishte nga bijtë e Izraelit dhe kishte lidhje farefisnore me Musain (a.s), por etja e tij për pasuri dhe begati e shtyu të afrohej me Faraonin e Egjiptit, madje të vepronte kundër Musait (a.s) duke u përpjekur ta njolloste thirrjen e tij në sytë e pasuesve.
Rrëfimtarët e israiliateve janë zgjeruar shumë në tregimet rreth Karunit, thesareve dhe çelësave të tij. Disa prej tyre madje kanë thënë se çelësat e thesareve të tij mbarteshin nga shtatëdhjetë mushka, ndonëse secili çelës nuk ishte më i madh se një gisht.
Neve na mjaftojnë fjalët e imam Ibn Kethirit në kundërshtimin e atyre që pretendonin se Karuni e njihte emrin më Madhështor të Allahut dhe se zotëronte “alkiminë” që i kthente metalet në ar. Ai ka thënë: “Sa për ata që pretendojnë se kuptimi i kësaj është se ai njihte zanatin e alkimisë dhe se ruante emrin më Madhështor të Allahut e e përdorte atë për të mbledhur pasuri, kjo nuk është e saktë. Sepse alkimia është vetëm iluzion dhe mjeshtëri artificiale; ajo nuk i ndryshon realitetet dhe nuk mund t’i ngjasojë krijimit të Krijuesit. Ndërsa lutja me emrin më Madhështor nuk pranohet nga një mohues.” (Ibn Kethir, fq. 37).
B – “Por ai bëri padrejtësi ndaj tyre”
Fjala “el-bag’j” do të thotë tejkalim i kufijve dhe padrejtësi.
Ky është një term i përgjithshëm që përfshin të gjitha llojet e padrejtësive që dalin nga shtypësi ndaj atyre që i shtyp, qofshin:
padrejtësi materiale, si monopolizimi i pasurisë dhe gjërave materiale;
padrejtësi morale, që shfaqet në mendjemadhësi dhe shkakton dëm psikologjik tek të tjerët;
padrejtësi me fjalë, përmes teprimeve dhe sharjeve të gjuhës;
apo padrejtësi në vepra, përmes sjelljeve që dëmtojnë dhe fyejnë të tjerët.
Prandaj, padrejtësia në Kuranin Fisnik përmendet vetëm në kontekst qortimi, për shkak të pasojave të saj negative dhe rezultateve të shëmtuara, madje vetë ajo është shëmtim. Për këtë arsye Allahu i Madhëruar e ka ndaluar padrejtësinë si për besimtarin ashtu edhe për jobesimtarin, dhe ndalimi i saj është absolut. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Zoti im ka ndaluar vetëm veprat e turpshme, qofshin të hapura apo të fshehta, gjynahun, padrejtësinë pa të drejtë, t’i shoqëroni Allahut diçka për të cilën Ai nuk ka zbritur kurrfarë argumenti dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.”[6]
Allahu i Lartësuar e ndaloi padrejtësinë dhe e përmendi atë krahas imoralitetit dhe të keqes, kur tha: “Vërtet Allahu urdhëron drejtësinë, bamirësinë dhe dhënien ndaj të afërmve, ndërsa ndalon imoralitetin, të keqen dhe padrejtësinë. Ai ju këshillon që të merrni mësim.”[7]
Përçarja dhe largimi i popujve nga e vërteta erdhi si pasojë e padrejtësisë mes tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Feja tek Allahu është Islami. Ata që iu dha Libri nuk u përçanë veçse pasi u erdhi dija, nga padrejtësia mes tyre. E kush mohon ajetet e Allahut, atëherë Allahu është i shpejtë në llogari.”[8]
Mosbesimi i shumë popujve erdhi si rezultat i padrejtësisë, kur ata patën smirë ndaj të tjerëve për mirësitë që Allahu u kishte dhënë. Allahu thotë: “A mos i kanë zili njerëzit për atë që Allahu u ka dhënë nga mirësia e Tij? Ne familjes së Ibrahimit i dhamë Librin, urtësinë dhe u dhamë pushtet të madh.”[9] Dhe Allahu i Madhëruar tha për ta: “Sa keq e shitën veten e tyre, duke mohuar atë që Allahu zbriti, nga zilia që Allahu t’i japë nga mirësia e Tij kujt të dojë prej robërve të Tij. Prandaj merituan zemërim mbi zemërim, dhe për mohuesit ka dënim poshtërues.”[10]
Allahu i Madhëruar i ka lejuar atij që i bëhet padrejtësi të mbrojë veten dhe të hakmerret nëse i bëhet zullum. Allahu thotë: “Edhe ata që, kur u bëhet padrejtësi, mbrojnë veten.”[11]
Padrejtësia patjetër do t’i kthehet shtypësit, herët a vonë, dhe pasoja e saj nuk kalon përtej atij që e bën. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Ai i shpëton, ata menjëherë bëjnë padrejtësi në tokë pa të drejtë. O njerëz! Padrejtësia juaj është vetëm kundër vetes suaj; është vetëm një përfitim i jetës së kësaj bote. Pastaj tek Ne do të ktheheni dhe Ne do t’ju njoftojmë për atë që keni vepruar.”[12]
Shumë ndëshkime, privime dhe dënime që i godasin njerëzit janë rezultat i padrejtësisë së tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe atyre që ishin hebrenj ua ndaluam çdo kafshë me thundra të pandara, ndërsa nga lopët dhe delet ua ndaluam dhjamin e tyre, përveç atij që bartin shpina e tyre, zorrët apo atij që është përzier me kockë. Kështu i ndëshkuam për shkak të padrejtësisë së tyre, dhe Ne jemi vërtet të drejtë në atë që themi.”[13]
Allahu i kishte dhënë Karunit aq shumë thesare, saqë çelësat e tyre mezi i bartte një grup njerëzish të fuqishëm. Por ai u bë tiran dhe u soll me padrejtësi ndaj njerëzve për shkak të kësaj pasurie. Ajetet nuk e përcaktojnë se në çfarë forme ishte kjo padrejtësi, duke e lënë të përgjithshme që të përfshijë lloje të ndryshme.
Ndoshta ai u bëri padrejtësi duke i shtypur, duke ua marrë tokat dhe pasuritë, ashtu siç bëjnë shpesh tiranët e pasurisë. Ndoshta u bëri padrejtësi duke ua mohuar të drejtën e tyre në atë pasuri, të drejtën e të varfërve në pasurinë e të pasurve, në mënyrë që pasuria të mos mbetet vetëm në duart e të pasurve, ndërkohë që të tjerët rreth tyre kanë nevojë për të. Sepse kështu prishen zemrat dhe prishet jeta. E ndoshta ai u bëri padrejtësi me këto dhe me shkaqe të tjera.
Autor: Ali Salabi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonlin.com
[1] – Sure Kasas: 76.
[2] – Sure Gafir: 23 – 24.
[3] – Sure Ankebut: 39 – 40.
[4] – Sure Kasas: 76.
[5] – Sure Kasa: 79.
[6] – Sure A’raf: 33.
[7] – Sure Nahl: 90.
[8] – Sure Ali Imran: 19.
[9] – Sure Nisa: 54.
[10] – Sure Bekare: 90.
[11] – Sure Shura: 39.
[12] – Sure Junus: 23.
[13] – Sure En’am: 146.



















