Epoka e halifëve të drejtë konsiderohet modeli më i lartë në historinë tonë islame për të treguar se si shtetet ndërtohen mbi bazat e thirrjes islame dhe si njerëzit udhëhiqen me të vërtetën dhe me shura (konsultim). Thirrja në këtë periudhë u dallua me tipare të qarta; ajo filloi me qëndrueshmëri në metodën profetike në rrethanat më të vështira, kaloi në zgjerim të kontrolluar gjeografik dhe përfundoi me institucionalizimin e veprimtarisë thirrëse përmes gjykatave, arsimit dhe organizimit të çështjeve të shoqërisë.
Ky studim trajton këto tipare kryesore dhe metodat që përdorën sahabët në përcjelljen e mesazhit, si dhe një reflektim mbi mënyrat e përfitimit nga kjo përvojë e drejtë për zhvillimin e thirrjes islame sot.
Nga tiparet më të rëndësishme të thirrjes në epokën e halifëve të drejtë:
1 – Qëndrueshmëria në metodën profetike: Halifët ndoqën gjurmët e Profetit (a.s) në përcjelljen e thirrjes, me butësi, urtësi dhe këshillë të mirë. Parimet nuk u ndryshuan; besimi, legjislacioni dhe edukimi vazhduan mbi të njëjtën metodë atë të Kuranit dhe Sunetit.
2 – Fokusimi në teuhid dhe iman: Thirrja vazhdoi në njëjësimin e Allahut dhe në luftimin e dukurive si mosdhënia e zekatit, pretendimi i profetësisë dhe dalja nga feja pas vdekjes së Profetit (a.s). Luftërat e riddes në kohën e Ebu Bekrit ishin pjesë e mbrojtjes së thelbit të thirrjes nga devijimi.
3 – Thirrja përmes shembullit praktik: Jeta e halifëve ishte një model praktik i moralit islam; drejtësia, asketizmi, amaneti dhe shura. Kjo i tërhiqte njerëzit në Islam përmes shembullit, jo vetëm fjalës. Drejtësia e Omer ibn Hatabit është një shembull i gjallë që ndikoi edhe jo-muslimanët dhe bëri shumë prej tyre të pranonin Islamin.
4 – Përhapja e Islamit jashtë Gadishullit Arabik: Thirrja u zgjerua gjeografikisht në kohën e halifëve të drejtë drejt Irakut, Shamit, Egjiptit, Afrikës dhe Persisë. Këto zgjerime nuk ishin thjesht pushtime për zotërim, por mjete për përhapjen e mesazhit me urtësi, drejtësi dhe largim të padrejtësisë e tiranisë.
5 – Kujdesi për dijen dhe Kuranin: Ajo që bënë halifët e drejtë në mbledhjen e Kuranit Famëlartë në një mus’haf të vetëm në kohën e Ebu Bekrit, dhe më pas unifikimi i mus’hafeve në kohën e Uthmanit, e ruajti unitetin e umetit në aspektin e thirrjes dhe mendimit, dhe e mbrojti atë nga mosmarrëveshjet në leximin e tij, e më pas edhe në kuptimin e tij. Kjo gjithashtu çoi në përhapjen e edukimit kuranor dhe fikhut në vendet e reja të çliruara nga sahabët e nderuar, duke dërguar grupe lexuesish dhe mësuesish në këto territore, gjë që u bë shkak që banorët e tyre të hynin në fenë e Allahut në turma.
6 – Kujdesi për drejtësinë shoqërore: Halifi i dytë, Omer ibn Hatabi, e bëri Bejtul-Malin në shërbim të të gjithë qytetarëve, muslimanë dhe jomuslimanë, dhe vendosi sistemin e divaneve për të organizuar çështjet e njerëzve dhe për të realizuar drejtësi ekonomike dhe shoqërore për të gjithë banorët e shtetit islam. Kjo kontribuoi në hyrjen e shumë jomuslimanëve në Islam, për shkak të drejtësisë së tij dhe zbatimit praktik të saj në epokën e halifëve të drejtë.
7 – Zbatimi i parimit të shuras dhe pjesëmarrja e umetit: Halifët konsultoheshin me sahabët në çdo çështje, gjë që forconte shpirtin e pjesëmarrjes dhe përgjegjësisë në veprimtarinë thirrëse dhe politike.
Metodat më të rëndësishme të thirrjes në epokën e halifëve:
1 – Metoda kuranore dhe profetike: mbështetja në Kuranin dhe Sunetin si burim kryesor për udhëzim dhe thirrje; thirrja bëhej me urtësi dhe këshillë të mirë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë”[1]
2 – Metoda edukative praktike: ngulitja e imanit në zemra para vendosjes së dispozitave, edukimi i shpirtrave me devotshmëri dhe durim, si dhe edukimi përmes shembullit praktik; thirrësi është i pari që e zbaton atë që predikon. Gjithashtu, metoda kolektive dhe institucionale: thirrja nuk ishte vetëm individuale, por edhe përmes institucioneve në zhvillim si xhamia, Bejtul-Mali, gjykatat dhe ushtria; çdo institucion shtetëror ishte një mjet në shërbim të thirrjes.
3 – Metoda realiste dhe fleksibile: trajtimi i realitetit me mjete të përshtatshme pa dalë nga parimet e pandryshueshme.
Shembull për këtë është mënyra si Umeri u soll me popullin e dhimijëve dhe organizimi i tokave të çliruara në mënyrë që të sigurohej drejtësi për të gjithë.
Si mund të përfitojmë nga këto tipare në kohën e sotme?
1 – Kthimi te metoda profetike dhe e halifëve të drejtë në thirrje; me sinqeritet, sinqeritet të plotë dhe butësi, larg teprimit, ashpërsisë apo lehtësimit të tepruar, si dhe me balancë mes besimit dhe veprës, adhurimit dhe ndërtimit të shoqërisë.
2 – Aktivizimi i shembullit praktik në jetën e thirrësve: thirrësi duhet të jetë model i gjallë në sjellje dhe marrëdhënie, ashtu siç ishin halifët, sepse shembulli ka ndikim më të madh se mijëra ligjërata.
3 – Zgjerimi i konceptit të thirrjes për të përfshirë punën institucionale: thirrja sot ka nevojë për institucione mendore, mediatike, arsimore dhe shoqërore që i shërbejnë mesazhit.
4 – Kujdesi për dijen dhe njohuritë fetare dhe bashkëkohore njëkohësisht: ashtu siç sahabët përhapën dijen me thirrjen, sot kemi nevojë të kombinojmë dijen fetare me dijen shkencore moderne në shërbim të fesë.
5 – Fokusimi në drejtësinë shoqërore dhe dinjitetin njerëzor: thirrja nuk kufizohet vetëm në xhami, por përfshin reformën ekonomike, sociale dhe politike në dritën e qëllimeve të sheriatit.
6 – Bashkimi i radhëve dhe largimi nga përçarja: ashtu si halifët e bashkuan umetin në një fjalë të vetme, sot duhet të tejkalohen ndarjet sektare dhe politike në favor të unitetit të umetit në thirrje.
Thirrja në epokën e halifëve të drejtë ishte një model i plotë i qëndrueshmërisë në parim, drejtësisë në zbatim, shembullit në sjellje dhe zgjerimit në ndikim përmes dijes, veprës, mëshirës dhe modelit praktik, për të ndërtuar një shoqëri të udhëhequr nga besimi, drejtësia dhe reforma, dhe kjo është metoda e halifëve të drejtë, Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Autor: Ferexh Kindi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Nahl: 125.



















