Në një prej haditheve më madhështore të Profetit (a.s) që përshkruajnë gjendjen e umetit, thuhet: “Ka për t’u afruar koha kur kombet do të vërsulen kundër jush nga çdo anë, ashtu siç vërsulen ngrënësit mbi pjatën e tyre.” I thanë: “O i Dërguari i Allahut! A mos do të jemi të paktë atë ditë?” Ai tha: “Jo, përkundrazi, ju atë ditë do të jeni të shumtë, por si shkuma që sjell rrjedha e ujit. Allahu do ta heqë frikën prej jush nga zemrat e armiqve tuaj dhe do të fusë dobësi në zemrat tuaja.” U tha: “Çfarë është dobësia, o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Dashuria për dynjanë dhe urrejtja ndaj vdekjes.”[1]
Ky hadith nuk është thjesht një parashikim për të ardhmen, por vendos një rregull të qartë: sa herë që umeti humbet forcën e tij të vërtetë, kombet e tjera do të sulen mbi të ashtu si të uriturit mbi ushqimin.
Hadithi nuk flet për një ngjarje të veçantë historike, por vendos një ligj që përsëritet sa herë që umeti kalon në një gjendje dobësie të brendshme.
Në këtë artikull, do të përpiqemi ta kuptojmë këtë hadith nga këndvështrime të ndryshme dhe të reflektojmë se si fjalët e tij përputhen me etapa të rëndësishme të historisë sonë, veçanërisht në kohën e kolonializmit modern evropian.
Kuptimi i hadithit… me një gjuhë të thjeshtë
Hadithi fillon me fjalën “ka për t’u afruar koha”, që do të thotë se çështja është pranë ndodhjes, por jo domosdoshmërisht menjëherë. Pastaj Profeti (a.s) e krahason gjendjen e umetit në atë kohë me një pjatë ushqimi, ndërsa njerëzit rreth saj vërsulen mbi të.
Kur Profeti (a.s) u pyet: “A do të ndodhë kjo për shkak të pakicës së muslimanëve?”, ai tha: “Përkundrazi, ju atë ditë do të jeni të shumtë, por si shkuma që sjell rrjedha e ujit.”
Kjo do të thotë se problemi nuk është te numri, por te ndikimi dhe fuqia reale. Ashtu si shkuma që e bart përroi: është e shumtë në pamje, por pa peshë dhe pa vlerë.
Pastaj ai sqaron se shkaku i thellë i kësaj dobësie është: dashuria për dynjanë dhe urrejtja ndaj vdekjes.
Pra, muslimanët në atë periudhë jetojnë vetëm për rehati dhe kanë frikë nga sakrifica. Si pasojë, hiqet frika prej tyre nga zemrat e armiqve dhe në zemrat e tyre hidhet dobësia.
Nga dobësia e brendshme… te sulmi i jashtëm
Hadithi paraqet këtu një zinxhir të lidhur ngjarjesh:
Dobësia e brendshme (dashuria për dynjanë dhe urrejtja ndaj vdekjes)
Humbja e respektit dhe frikës në sytë e armiqve
Vërsulja dhe sulmi i kombeve mbi umetin.
Sepse armiku nuk sulmon, veçse kur ndien se pala përballë nuk ka as forcë dhe as vullnet për të rezistuar.
Epoka e rënies: si filloi të dobësohej umeti?
Në shekujt XIX dhe XX, bota islame përjetoi një nga periudhat më të dobëta të saj, ndërsa Perandoria Osmane – e cila përfaqësonte manifestimin e fundit të unitetit – ndodhej në një gjendje rënieje të madhe.
Disa prej shenjave të kësaj rënieje:
Korrupsion i gjerë administrativ: postet shiteshin, aftësia dhe merita liheshin mënjanë, ndërsa sundimtarët merreshin me luksin dhe rehati.
Dobësi e qartë ushtarake: ushtritë nuk arritën ta ndiqnin zhvillimin industrial të Perëndimit.
Stagnim intelektual: ndalimi i ixhtihadit, frika nga shkencat moderne dhe ngurtësimi në mendim.
E gjithë kjo ishte pasqyrim i gjendjes së “dashurisë për dynjanë dhe urrejtjes ndaj vdekjes” për të cilën foli Profeti (a.s).
Shfaqja konkrete e hadithit: si e ndanë fuqitë koloniale botën islame?
Shembulli më i qartë i “vërsuljes së kombeve” ishte ajo që ndodhi gjatë periudhës së kolonializmit evropian, kur fuqitë e mëdha u mblodhën dhe bashkëpunuan haptazi e fshehurazi për të kontrolluar tokat islame.
Marrëveshja Sykes–Picot: plani që ndau Shamin dhe Irakun
Në vitin 1916, Britania e Madhe dhe Franca (me miratimin e Perandorisë Ruse) nënshkruan një marrëveshje sekrete për ndarjen e zonave të ndikimit në Lindjen Arabe:
Britania merrte jugun e Irakut, Jordaninë dhe Palestinën.
Franca merrte Sirinë dhe Libanin.
Rusia planifikonte të merrte pjesë të Anadollit, por më vonë u tërhoq.
Kjo marrëveshje nuk ishte gjë tjetër veçse ndarja e “pjatës” për të cilën foli Profeti (a.s).
Harta e vërsuljes evropiane
Por çështja nuk u ndal vetëm te Marrëveshja Sykes–Picot, pasi shumë shtete të tjera iu bashkuan kësaj “vërsuljeje” koloniale:
Shtetet koloniziatore ishin Britania e Madhe që kontrolloi Indinë, Egjiptin, Sudanin, Irakun, Palestinën dhe Gjirin Persik; Franca që kontrolloi Algjerinë, Tunizinë, Marokun, Sirinë dhe Libanin; Italia që kontrolloi Libinë, Somalinë dhe Erriterian; Spanja që kontrolloi Veriun e Marokut dhe Saharanë Perëndimore; Portugalia që kontrolloi Mozanbikun, brigjet e Omanit dhe Afrikën Lindore; Rusia që sundoi Kuakazin, Azinë Qëndrore dhe Krimenë; Hollanda që kontrolloi Indonezinë; SHBA –ja që pushtoi Filipinet.
Të gjitha këto shtete u bashkuan – edhe pse motivet e tyre ishin të ndryshme – për të shfrytëzuar dobësinë e umetit dhe për ta kontrolluar atë.
Dhe nuk ishte vetëm kolonializmi… por kjo skenë ishte përsëritur edhe më herët.
Kryqëzatat
Në shekullin XI, muslimanët ndodheshin në një gjendje ndarjeje të thellë: Kalifati Abasid ishte i dobët në Bagdad, Shteti Fatimid në Egjipt dhe Selxhukët në Sham Kjo përçarje ishte një mundësi e artë për kryqtarët, të cilët nisën fushata të njëpasnjëshme për të pushtuar Jerusalemi, duke shfrytëzuar dobësinë dhe ndarjen e umetit. Edhe këtu u përsërit “vërsulja e kombeve”, sepse dobësia kishte filluar nga brenda.
Pushtimi mongol
Para se mongolët të sulmonin botën islame, shteti Khvarezmshahët ishte i copëtuar dhe Kalifati Abasid kishte humbur autoritetin e tij. Mongolët hynë në qytetet muslimane njëra pas tjetrës, derisa rrëzuan Bagdadin dhe vranë kalifin.
Mongolët nuk do të kishin guxuar ta bënin këtë, po të mos ishte rrënuar më parë struktura e brendshme.
Çfarë na mëson ky hadith sot?
Numri i madh nuk do të thotë fuqi: rëndësi ka cilësia, jo sasia.
Armiku i jashtëm nuk është problemi kryesor: por dobësia që lejojmë të lindë brenda nesh.
Autoriteti dhe frika nuk blihen vetëm me armë: por ndërtohen me vlera, besim dhe gatishmëri për sakrificë.
Reforma e vërtetë fillon nga brenda njeriut dhe shoqërisë: një umet nuk mund të jetë i fortë nëse është i përçarë nga brenda.
Hadithi nuk na shkurajon… por na zgjon
Hadithi i Profetit (a.s) për “vërsuljen e kombeve” nuk është për të frikësuar apo për të futur dëshpërim, por është një alarm i hershëm që na tregon se humbja nuk fillon kur armiku hyn… por kur ne vetë hyjmë në gjendjen e dobësisë.
Dhe duhet ta kuptojmë se hapi i parë drejt ngritjes nuk është as arma dhe as ekonomia, por rikthimi i shpirtit të fortë, vullnetit të sinqertë dhe besimit të thellë.
Sepse ashtu si “dashuria për dynjanë” ishte fillimi i rënies, dashuria për të vërtetën dhe gatishmëria për sakrificë për të është fillimi i ngritjes së re.
Autor: Firas Velidi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Ebu Daudi dhe Ahmedi. Hadithi është Sahih.



















