Vetëm në dhjetë minuta, njeriu mund të kalojë nga një sekuencë fetare, tek një lajm politik, një skenë prekëse, një reklamë tregtare, një histori e dhimbshme, një video gazmore, një mesazh pune, një foto suksesi, një koment plot zemërim, një informacion shkencor, e më pas te një video që as vetë nuk e di pse e pa.
E gjithë kjo… brenda pak minutash.
Pyetja që shtrohet këtu nuk është: A është përmbajtja e mirë apo e keqe?
Por: A është krijuar truri i njeriut për të përballuar këtë sasi kaq të madhe kontrastesh dhe emocionesh të njëpasnjëshme me këtë shpejtësi?
Problemi është se truri nuk po arrin ta jetojë asnjë ide në thellësi.
Nuk trishtohet mjaftueshëm…
Nuk mediton mjaftueshëm…
Nuk gëzohet mjaftueshëm…
Sepse ai vazhdimisht kalon nga një ndjenjë te tjetra dhe nga një mendim te tjetri, pa ndëprerje.
Në vetëm pak minuta, njeriu përjeton dhembshuri, zemërim, krahasim me të tjerët, frikë, të qeshura dhe ankth…
Emocionet konsumohen me shpejtësi, pa pasur kohë për përqendrim.
Me këtë përditshmëri ndikimi fillon të shfaqet gradualisht:
Në dobësimin e përqendrimit, shpërqendrim të vazhdueshëm, vështirësi në lexim të thellë,
mërzitje e shpejtë dhe lodhje mendore pa ndonjë përpjekje reale.
Çështja nuk ndalet vetëm tek shfletimi i rrjeteve sociale, por shtrihet në gjithë stilin e jetës: lajmërime pa fund, grupe të shumta, lajme të pandërprera dhe mesazhe që ndërpresin mendimin dhjetëra herë në ditë.
Këtu shfaqet një paradoks i rëndësishëm:
Shumë prej njerëzve më të qetë, më produktivë dhe më me ndikim në jetën e tyre nuk janë domosdoshmërisht më të zgjuarit, por janë ata që kanë ditur ta ruajnë mendjen nga zhurma e vazhdueshme.
Ata kanë kohë të qetë, distancë nga njoftimet dhe aftësinë për t’u shkëputur përkohësisht nga rrjedha e pandalur e informacione.
Ata e kanë kuptuar se përqendrimi nuk është vetëm një aftësi shtesë…por një mënyrë jetese.
Ky realitet nuk prek vetëm të rriturit, por një brez të tërë që po rritet duke kaluar me shpejtësi mes qindra nxitësve çdo ditë.
Brez që po mësohet më shumë me shpejtësinë sesa me meditimin dhe më shumë me shpërqendrimin sesa me thellësinë.
Prandaj, ruajtja e mendjes sot nuk është më luks, por domosdoshmëri për të ruajtur qetësinë mendore, ekuilibrin psikologjik dhe aftësinë për të ndërtuar një jetë që mbart kuptim.
Mendja e cila nuk gjen momente qetësie…fillon gradualisht të humbasë aftësinë për të dalluar atë që vërtet meriton vëmendje.
Autor: Adulkerim Bekkar
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com



















