Edukimi i fëmijëve (2/6)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Vuajtja më e madhe që përjeton babai është edukimi i fëmijëve të tij

E them këtë sepse vetë përballem me këtë çdo ditë, sepse vëllezërit tonë ma tregojnë këtë gjë. Vuajtja më e madhe e një babai sot është që fëmijët e tij nuk janë ashtu siç ai dëshiron. Çfarë të bëjë?

Ndonjëherë shoh se njeriu ndien dhimbje të thellë në zemër. Çfarë mund të bëjë?

Prandaj, para se të jetë vonë  para se të jetë shumë vonë:  vëllezër. Të rinjtë që sapo janë martuar, ky fjalim është shumë i dobishëm për ta. Sado i vogël të jetë fëmija yt, ti duhet ta edukosh atë.

Profeti fisnik (a.s) na ka urdhëruar që të thërrasim ezanin në veshin e fëmijës kur lind, në mënyrë që fjala e parë që ai dëgjon të jetë fjala e teuhidit. Pastaj ai (a.s) ka thënë: “Edukoni fëmijët tuaj me tre gjëra: dashurinë për profetin tuaj, dashurinë për familjen e profetit dhe leximin e Kuranit.”

Unë habitem shumë kur shoh se nëse ulesh me disa të rinj në fillim të jetës së tyre, bisedat e tyre janë vetëm për lojtarë futbolli dhe ai lojtar mund të jetë jomysliman, ose i përfshirë në sëmundje dhe probleme morale megjithatë ata flasin vetëm për të. Kjo është ambicia e tyre. Nëse lojtarët e futbollit janë shembulli i të rinjve tanë, atëherë ky është një problem shumë i madh.

Prandaj gjëja më e mirë për një të ri është të lexojë biografitë e shokëve të Profetit (a.s). Tregimet janë të dashura për zemrën… ti je përballë një modeli të gjallë: një i ri që është rritur në bindje ndaj Zotit dhe që e ka dashur Profetin (a.s).

Pra, i riu në fillim të jetës së tij ka nevojë për histori që i zhvillojnë shpirtin e trimërisë, vlerat, guximin, burrërinë dhe moralin e lartë. Nuk ka temë më të përshtatshme për të rinjtë sesa jeta e shokëve të Profetit (a.s).

Vëllezër të dashur, nëse blini një libër për siren (jetëshkrimin) e sahabëve dhe uleni me familjen tuaj, dhe e fikni këtë pajisje (të padobishme) dhe lexoni për sahabët e Profetit, si për shembull për Sa’d ibn Ebi Vakkas, ose për Umejr ibn Vehbin,  pra ka histori shumë të bukura dhe të mrekullueshme.

Pyetni: a ka ndonjë libër të përshtatshëm për fëmijët e mi?

Nëse babai lexon… nëna lexon… ose i nxit fëmijët të lexojnë, atëherë kjo është një gjë shumë e bukur dhe e dobishme.

Njeriu besimtar është ai që e bën shtëpinë e tij një copëz nga Xheneti:

Po ju them sinqerisht: sado e vështirë të jetë jeta jote, nëse shtëpia jote është si Xheneti, ti harron çdo lodhje.

Duhet ta bësh shtëpinë tënde një pjesë të Xhenetit edhe nëse është 100 metra, edhe nëse ka vetëm dy dhoma, edhe nëse është ende në ndërtim.

Çështja e Xhenetit nuk është te mobiljet, por te: dashuria, mirësia, mirëkuptimi, bashkëpunimi.

Prandaj unë i ftoj shtëpitë e muslimanëve të jenë si Xheneti.

Besomëni: ushqimi më i thjeshtë, kur shoqërohet me dashuri dhe afeksion, bëhet ushqimi më i mirë. Mobilje të thjeshta, ushqim i pakët, por me dashuri mes bashkëshortëve dhe fëmijëve e bën njeriun të harrojë çdo lodhje të jetës.

Ndërsa ka shtëpi që kushtojnë pesëdhjetë milionë, por janë si një copëz Xhehenemi, sepse janë ndërtuar mbi mosbindje ndaj Zotit.

Ka edhe shtëpi ku: lexohet Kurani, falen pesë namazet me xhemat, nuk ka muzikë të ndaluar, nuk ka pamje që prishin pastërtinë e fëmijëve.  Kjo shtëpi është e bekuar dhe e do Zoti dhe i Dërguari i Tij (a.s).

Disa njerëz varin një tabelë ku shkruan: “O Zot, bekoje këtë shtëpi”, por problemi nuk zgjidhet nëse brenda shtëpisë ka mjete të shthurrjes dhe mëkatit. Edhe nëse vendos pesëdhjetë tabela, problemi nuk zgjidhet.

Shtëpia e bekuar është ajo ku: falet namazi, lexohet Kurani dhe ka thirrje për Allahun.

Dhoma e mysafirëve në një shtëpi të tillë është e shenjtë, sepse ka qenë vend ku janë mbajtur dhjetëra e qindra mbrëmje me përmendje të Allahut.

Në anën tjetër, ka mbrëmje e netë ku flitet për gratë, për çmimet, për tregtinë dhe biseda pa vlerë dhe pa kuptim.

Shtëpia e besimtarit është mbretëria e tij, prandaj ai duhet ta ngrej Islamin në të:

Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë kanë shpëtuar besimtarët, ata që janë të përulur në namazin e tyre, dhe ata që largohen nga fjalët e kota.”[1]

Shtëpia jote duhet të jetë e shenjtë…

Dhoma e mysafirëve është dëshmitare për ty: sa njerëz kanë hyrë në të dhe biseda a ka qenë për Allahun e Madhëruar?

Dhoma e ngrënies është dëshmitare për ty: sa njerëz ke ftuar për hir të Allahut?

Sa vëllezër besimtarë udhëtarë ke ftuar në ushqim për Allahun?

Sepse besimtari kur i fton njerëzit në ushqim, e ka një qëllim të madh. Apo kur fton në takim, mbrëmje apo tubim, ai ka një qëllim të madh.

Ajo që më shtyu të flas për këtë temë është se ne në realitet nuk zotërojmë shumë gjëra në jetë, edhe nëse fjala është e rëndë, ne nuk kemi në dorë veç shtëpitë tona.

A mund të ndryshosh botën? Jo.

Prandaj ajo që kemi në dorë është kjo shtëpi, e cila është mbretëria e besimtarit. Duhet ta vendosësh Islamin në të.

Nëse e bën atë që Allahu të ka urdhëruar në shtëpinë dhe në punën tënde, atëherë detyra jote është e kryer. Siç lutej Profeti (a.s): “O Allah, kjo është ndarja ime në atë që kam në dorë, prandaj mos më qorto për atë që është në Dorën Tënde dhe nuk është në timen.”[2]

Kush dëshiron të mos vdesë, le ta bëjë djalin e tij si veten:

A mund ta ndalosh sulmin e ashpër ndaj muslimanëve në botë? Jo, nuk mund të bësh asgjë.

Por ti ke në dorë shtëpinë tënde, punën tënde dhe fëmijët e tu.

Shpresojmë që gjatë verës t’i shohim të gjithë fëmijët tuaj në këtë institucion, sepse ne kemi përgatitur aktivitete islame që e lidhin fëmijën me xhaminë, me Kuranin dhe me shokët e Profetit (a.s).

Unë nuk mendoj se ekziston një baba që e sheh djalin e tij duke falur namazin me dëshirë, pa presion, dhe duke qenë i drejtë në rrugën e Allahut dhe i kapur pas moralit të mirë, e që të mos ndiejë se ka fituar gjithë botën.

Ndonjëherë i them një vëllai kur shoh djalin e tij të mirë: “Pasha Allahun, ky djalë është më i vlefshëm se një miliard, sepse ai është vazhdimësia dhe përjetësia jote. Ti nuk ke vdekur.”

Unë nuk harroj një nga dijetarët tanë të nderuar — Allahu e mëshiroftë — kur ndërroi jetë, u bë një tubim ngushëllimi në një xhami të madhe dhe unë isha i pranishëm. Papritur pamë se djali i tij ishte student i dijes fetare, si babai i tij, dhe u emërua imam në vend të tij. Kuptova se babai nuk kishte vdekur, sepse puna e tij vazhdoi përmes djalit të tij.

Prandaj, qëllimi i këtij mësimi është: nëse dëshiron të mos vdesësh, bëje djalin tënd si veten.

Nëse dëshiron të vazhdosh (pas vdekjes), sepse Profeti (a.s) ka thënë: “Kur vdes njeriu, i ndërpriten veprat e tij, përveç tre gjërave: sadakaja e vazhdueshme, dija prej së cilës përfitohet, dhe fëmija i mirë që lutet për të.”[3]

Njeriu duhet ta nxisë dhe motivojë fëmijën e tij që ai ta dojë xhaminë:

Fëmijët tuaj… fëmijët tuaj, kur vijnë në xhami, ne duhet t’i mirëpresim. Ne kemi organizuar që në Bajram, nëse babai vjen me djalin e tij, atëherë fëmija merr dhuratë. Fëmija ka nevojë për nxitje, motivim dhe nderim.

Ajo që më dhemb më shumë është kur një fëmijë që qëndron në rreshtin e parë të namazit, e kthejnë në rreshtin e dytë. Pse? Lëreni të qëndrojë në rreshtin e parë dhe të falet, që të ndiejë vlerën e tij në xhami, edhe nëse është i vogël.

Është transmetuar se kalifi Omer (r.a) po kalonte në rrugë. Ai pa disa fëmijë dhe kur e panë, të gjithë u larguan me vrap, përveç njërit. Ai i tha: “O djalosh, pse nuk ike me të tjerët?” Fëmija tha: “O prijës i besimtarëve, ti nuk je i padrejtë që të kem frikë nga padrejtësia jote, dhe nuk kam bërë mëkat që të kem frikë nga dënimi yt. Rruga është e gjerë për mua dhe për ty.” Ky ishte një fëmijë.

Në historinë islame ka shumë ngjarje të mahnitshme me fëmijë.

Një herë, një delegacion hyri te Abdul-Melik ibn Mervani dhe ai pa një fëmijë të vogël me ta. U zemërua dhe e konsideroi si mungesë respekti. Ai i tha rojes: “Si lejohet që të hyjë kushdo tek unë, madje edhe fëmijët?” Fëmija u ngrit dhe tha: “O prijës, hyrja ime te ti nuk e ul pozitën tënde, por më nderon mua.” “Na ka goditur një vit thatësire që ka shkrirë yndyrën, një vit që ka ngrënë mishin, dhe një vit që ka thyer kockat.” “Tek ju ka pasuri të tepërt. Nëse është e jona, pse e mbani larg nesh? Nëse është e Allahut, jepjani robërve të Tij. Nëse është e juaja, atëherë na jepni sadaka.” Ai tha: “Pasha Allahun, ky fëmijë nuk na la asnjë justifikim.”

Fëmija i edukuar dhe i guximshëm është një fëmijë i paçmueshëm:

Një delegacion hyri te prijësi i besimtarëve Omer ibn Abdul Azizi për ta uruar. Në krye të delegacionit ishte një djalë nga Hixhazi, udhëheqësi i të cilit nuk i kishte më shumë se dhjetë vjeç. Omeri i tha:
“Ulu, dhe le të ngrihet ai që është më i madh se ti në moshë.” Djali tha: “Zoti e përmirësoftë prijësin! Njeriu vlerësohet me dy gjërat më të vogla të tij: zemrën dhe gjuhën. Nëse Allahu i ka dhënë një robi gjuhë të aftë dhe zemër të kujdesshme, ai e meriton të flasë. Dhe nëse çështja do të ishte siç thua ti, atëherë në këtë umet do të kishte dikush më të denjë se ti për këtë vend.”

Nëse fëmija edukohet mirë, rritet me guxim dhe me sjellje të mirë, ai është i paçmueshëm.

Në Ramazan isha në një jetimore dhe më bëri përshtypje që disa vëllezër fisnikë bënë që donacionet e tyre të jepeshin në emër të fëmijëve të tyre të vegjël. Një fëmijë i vogël para një turme të madhe tha: “Filani ka dhuruar njëqind mijë…” Babai donte ta mësonte djalin e tij me dhënie dhe bamirësi.

Unë shoh që disa prindër i mësojnë fëmijët e tyre të japin për vepra të mira, në mënyrë që të mësohen me bujarinë. Ne sot kemi në dorë fëmijët tanë dhe shtëpitë tona  dhe kjo është përgjegjësia më e madhe që kemi. Sepse ti po vendos vlera besimi në këtë brez që po rritet  dhe ata janë të gjithë burrat e së ardhmes.

Ne disa të rinj të afërt në moshë, shkuam te Profeti (a.s) dhe qëndruam me të për njëzet ditë e net. Ai ishte shumë i mëshirshëm dhe i butë. Kur mendoi se ne kishim mall për familjet tona, na pyeti për ata që kishim lënë pas. Kur i treguam, ai tha: “Kthehuni te familjet tuaja, qëndroni me ta, mësojini, urdhërojini dhe përmendi disa gjëra të tjera.”[4]

Profeti (a.s) ishte shumë realist në marrëdhënien me shokët e tij.

I mjeri është ai që kalon nga vuajtja e punës në vuajtjen e shtëpisë

Ndonjëherë dikush udhëton për pesë ditë dhe thotë: më ka marrë malli për vajzën time të vogël, nuk më del nga mendja. Ndonjëherë e sheh duke vendosur fotografinë e saj para vetes në tavolinë ose në portofol. Kështu na ka krijuar Allahu i Lartësuar me dashurinë për fëmijët tanë.

Po ju them këtë fjalë: vërej ndonjëherë se dikush nga ne që nuk është i lirë për familjen e tij. Nëse e merr familjen për një shëtitje gjysmë dite, i gëzon ata dhe i gëzon fëmijët e tij, forcon marrëdhënien me ta dhe u lehtëson zemrat që të marrin frymë pak më lirshëm (edhe nëse është një shëtitje e thjeshtë). Sot transporti është i lehtësuar, falë Zotit; merre familjen në një vend larg njerëzve, ku fëmija del nga katër mure në një kopsht.

Ky veprim hyn në veprat e mira, jo në çështjet e kësaj bote, por në ato të ahiretit. Kur njeriu ndonjëherë i bën familjes së tij një shëtitje dhe i gëzon, kjo është mirësi. Hasani dhe Husejni hipnin mbi shpinën e të Dërguarit të Allahut (a.s), dhe ai ecte duke i mbajtur ata dhe thoshte: “Sa deve e mirë jeni ju të dy, dhe sa ngarkesë e mirë jeni ju të dy.” Njeriu madhështinë e tij e ka në përulësinë e tij. I Dërguari i Allahut (a.s) ishte si njëri prej familjes së tij; ai pastronte shtëpinë e tij, rregullonte këpucën dhe milte delen e tij, dhe ishte në shërbim të familjes së tij.

Tani lutemi që çdo shtëpi të jetë një shtëpi islame, një pjesë e Xhenetit: me dashuri, mirëkuptim, falje, tolerancë, dhe dhembshuri. Kur njeriu hyn në shtëpinë e tij dhe është i lumtur aty, ai harron të gjitha lodhjet e punës. Por kush është i mjeri? Ai që kalon nga vuajtja e punës në vuajtjen e shtëpisë; pra ka vuajtje edhe në shtëpi edhe jashtë saj.

Autor: Ratib Nabulsi

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Mu’minun: 1 – 3.

[2] – Ebu Daudi.

[3] – Ibn Huzejme.

[4] – Buhariu në “Edebul Mufred”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *