Sufizmi në Sudan.. “karta fituese” për atë që dëshiron të qeverisë!
Nuk ka asnjë vend arab ku lëvizja sufiste të jetë kaq e përhapur me një prani kaq mbizotëruese sa në Sudan. Në çdo rrugicë dhe rrugë, në çdo cep të këtij vendi, gjen kupolat e bardha të teqeve që shfaqen mbi horizontin e Kartumit dhe Omdurmanit, dhe dëgjon jehonën e ilahive dhe këngëve profetike që mbushin hapësirën, nga radioja dhe televizioni deri te taksitë.
Kjo prani, nuk është thjesht ritual fetar apo praktika të ngrira shpirtërore, por një ind shoqëror i ndërlikuar dhe thellësisht i rrënjosur, ku ndërthuret shpirtërorja me politikën, dhe ku shehu bëhet një ndërmjetës shpirtëror te i cili drejtohen edhe zyrtarët e lartë për t’u lexuar Fatiha dhe për të marrë bekime.
Numri i ndjekësve të tarikateve sufiste në Sudan vlerësohet të jetë më shumë se 40 tarikate, duke përfshirë mbi gjysmën e popullsisë së vendit, një fakt që e ka vendosur “kartën sufiste” në tryezën e çdokujt që synon pushtetin.
Nga “mesidi” te Këshilli Sovran
Rrënjët historike të ndërthurjes së sufizmit me politikën sudaneze kthehen disa shekuj pas, konkretisht në mesin e shekullit të XVI, në periudhën e Sulltanatit të Funxhit, i cili e përkrahte aktivitetin sufist dhe ftonte udhëheqësit sufistë nga Egjipti dhe Hixhazi për të vizituar Sudanin.
Që atëherë, sufizmi nuk ka qenë thjesht “khaleva” për mësimin përmendësh të Kuranit apo “mesid” për menaxhimin e çështjeve të muridëve (pasuesve), por një institucion shoqëror paralel që formësonte vetëdijen e njerëzve dhe orientonte sjelljen e tyre, duke u bërë një aktor me ndikim në ekuacionin politik.
Kjo ndërthurje historike e veçantë pasqyron përfshirjen e tarikateve sufiste në detajet e qeverisjes dhe në garën për pushtet. Kjo u shfaq qartë përmes formimit të dy partive politike që përbënin shtyllën e sistemit politik sudanez në periudha të ndryshme: Partia e Ummetit, e lidhur me tarikatin e Ensaritëve “Mahdiste”, dhe Partia Unioniste Demokratike, e lidhur me tarikatën e Khatmijes.
Këto dy parti, të cilat dolën nga vetë gjiri i sufizmit, për dekada të tëra kanë ndarë mes tyre “tortën e pushtetit” dhe kanë pasqyruar konfliktin e tyre historik në hartën e politikës sudaneze. Sa i përket votuesit sufist, ai shpesh ka qenë si një ushtar që zbaton atë që i urdhërohet, pa më shumë.
Roli i sufizmit në revolucionin sudanez.. mes mbështetjes së regjimit dhe përkrahjes së protestave
Me shpërthimin e revolucionit sudanez në dhjetor 2018, tarikatet sufiste u gjendën përballë një udhëkryqi të vërtetë: ose të mbështesnin regjimin e Omar al-Bashirit, i cili kishte lidhje me disa prej tarikateve, ose të rreshtoheshin përkrah rrugës protestuese.
Qëndrimet ishin të ndryshme. Ndërkohë që disa prej udhëheqësve sufistë u përpoqën të ruanin besnikërinë ndaj regjimit, një numër i madh ndjekësish u bashkuan me protestuesit që mbushën rrugët e Kartumit.
Pas konfirmimit nga drejtuesit e tarikateve për rrëzimin e al-Bashirit në prill 2019, tarikatet sufiste dolën me peshën e tyre të madhe popullore në protestat pranë Komandës së Përgjithshme dhe shpallën mbështetjen e tyre për tranzicionin demokratik.
Që nga ai moment, rruga u bë më e hapur për forcat e reja ushtarake që të tërhiqnin këtë rrymë me peshë të madhe popullore.
El-Burhani dhe Hemedti.. lufta për pushtet
Pas rrëzimit të al-Bashirit, udhëheqësit e fazës tranzitore u përfshinë shpejt në një garë të ashpër për të fituar simpatinë e tarikateve sufiste dhe për të siguruar mbështetjen e tyre. Më 8 shtator 2020, kreu i Këshillit Sovran, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan — familja e të cilit i përket tarikatës Khatmije — u takua me Këshillin e Lartë të Sufizmit në zyrën e tij dhe u kërkoi atyre të ruanin sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Nga ana tjetër, as zëvendësi i tij në atë kohë, komandanti i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, Mohamed Hamdan Dagalo “Hemedti”, nuk ishte larg kësaj gare. Në mars 2020, Hemedti u takua me kreun e Partisë Unioniste Demokratike, Mohamed Othman al-Mirghani, një nga figurat më të rëndësishme të sufizmit në Sudan, në një përpjekje të qartë për të tërhequr këtë rrymë.
U bë e qartë se rivalët për pushtet në Sudan e kishin kuptuar se tarikatet sufiste dhe ndjekësit e tyre përbënin “kartën fituese” që mund të anonte balancën në favor të secilës palë. Kjo u bë edhe më e ndërlikuar me diskutimet për mbështetje të jashtme për disa palë, ku disa analiza sugjerojnë se vende rajonale që mbështesin rrjetet e sufizmit politik në rajon mund të ndërhyjnë për të mbështetur një palë në dëm të tjetrës, në shërbim të strategjive të tyre rajonale.
Sufizmi në luftën e vitit 2023.. a mban çelësin e paqes?
Në kushtet e luftës që ka shpërthyer që nga mesi i prillit 2023, komponenti sufist gjendet përballë një prej provave më të vështira të tij. Ndërsa të dy palët e konfliktit — ushtria sudaneze dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë — janë “bij” të të njëjtës rrymë sufiste, ku secila palë merr një pjesë të mbështetësve të saj nga mjedisi sufist, tarikatet kanë vazhduar të bëjnë thirrje për paqe dhe të përpiqen të frenojnë konfliktin.
Disa sheikë kanë udhëhequr nisma për armëpushim, duke arritur suksese të kufizuara në disa zona si qyteti i Fashirit. Vëzhguesit mendojnë se pozicioni i sufizmit si një fuqi e butë me ndikim në shoqëri e bën atë një kandidat të mundshëm për të luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet e ardhshme për paqe dhe pajtim kombëtar.
Ndërsa tarikatet ndryshojnë në qëndrimet e tyre ndaj luftës – disa e përshkruajnë atë si “absurde”, ndërsa të tjerë e shohin si një luftë mes ushtrisë dhe djalit të saj të rebeluar — ajo që mbetet e përbashkët është aftësia e tyre e madhe për të depërtuar në thellësinë e shoqërisë sudaneze dhe për ta mobilizuar atë.
Përmbledhje.. një “kartë fituese” jo e garantuar
Sufizmi në Sudan nuk është thjesht një komponent fetar, por një rrjet i thellë ndikimi shoqëror dhe politik, dhe një aleat që nuk mund të nënvlerësohet në ekuacionin e pushtetit. Gjatë historisë, qeveritë kanë alternuar përpjekjet për ta tërhequr këtë rrymë të fuqishme, duke e përdorur atë për të forcuar legjitimitetin e tyre dhe për të fituar pranimin popullor.
Në mes të konflikteve aktuale, mbetet pyetja më e madhe: a do të arrijnë tarikatet sufiste ta shndërrojnë forcën e tyre masive popullore në një presion real për ndalimin e luftës, apo do të mbeten të robëruara nga ndarjet që kanë përçarë vendin? Në vendin e teqeve të bardha, sufizmi mbetet fuqishëm i pranishëm në skenën sudaneze, por roli që do të luajë në kapitujt e ardhshëm ende nuk dihet.
Khalevat janë vetë institucionet arsimore, ndërsa “mesidi” është kuadri më i gjerë që i administron dhe organizon çështjet e tyre.
Autor: Iued Nakr Babekër Muhamed
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















