Duke qenë se Suneti është burim thelbësor i së drejtës islame, atëherë juristët e kanë obligim të thellohen në shkencën e hadithit ashtu sikurse edhe dijetarët e hadithit e kanë për obligim të perfeksionojnë shkencën e të drejtës islame. Një boshllëk i dijes që duhet të mbushet është boshllëku midis juristëve dhe dijetarëve të hadithit. Për këtë kam bërë thirrje qysh para shumë vjetësh.
Kryesisht, juristët nuk i kanë perfeksionuar disiplinat e hadithit dhe nuk janë thelluar në njohjen e tyre, veçanërisht në disiplinën e kritikimit dhe vlerësimit të transmetuesve, disiplinë e cila që merret me verifikimin apo jo të transmetuesve të haditheve.
Prandaj në librat e juristëve ne hasim hadithe të cilat nuk janë të sakta sipas dijetarëve të hadithit. Dhe megjithatë ata i kanë të shkruara në librat e tyre dhe i marrin si argumente në çështjet e hallallit dhe haramit, apo të dispozitave fetare obligative apo të pëlqyeshme.
Madje, ngandonjëherë në librat e tyre ata përmendin disa hadithe që nuk kanë fare bazë dhe as varg transmetimi. Saqë në mesin e disa dijetarëve të hadithit është përhapur fjala: Ky hadith është transmetuar nga juristët duke pasë për qëllim se ky hadith i transmetuar prej tyre nuk ka bazë fare.
Po ashtu, kryesisht, dijetarët e hadithit nuk kanë njohuri të thella rreth Fikhut dhe Usul Fikhut, nuk kanë aftësi për të nxjerrë konkluzione nga dispozitat fetare, nuk janë të aftë të zbulojnë thesaret dhe çështjet e hollësishme të saj, nuk janë të mirëinformuar për thëniet e imamllarëve, morinë e mendimeve dhe drejtimeve të tyre, arsyet e divergjencave të tyre në mendime dhe diversitetin e përpjekjeve të tyre juridiko-fetare.
Ky është realiteti. Prandaj secila prej palëve – juristëve dhe dijetarëve të hadithit – ka nevojë të domosdoshme për palën tjetër për të plotësuar atë që i mungon. Juristi ka shumë nevojë për hadithin dhe shkencat e tij, sepse shumica e dispozitave fetare është vërtetuar nëpërmjet Sunetit. Po ashtu edhe dijetari i hadithit ka shumë nevojë për rregullat e të drejtës islame, për të perceptuar atë që mbart, mos të jetë thjesht përcjellës, apo ta perceptojë atë krejt ndryshe.
Këtë fenomen e kanë vënë re edhe dijetarët e hershëm të cilët e kanë kritikuar ashpër këdo që ka qenë i shkujdesur ndaj këtij fenomeni. Saqë është përcjellur prej disa dijetarëve, si rasti i Sufjan ibn Ujejnes se ka thënë: Nëse do të ishte çështja në dorën tonë, do të rrihnim me kamzhik çdo dijetar hadithi që nuk preokupohet me çështjet e të drejtës islame ashtu sikur do të rrihnim me kamzhik çdo jurist që nuk preokupohet me çështjet e hadithit.
Është i habitshëm fakti se librat e fikhut janë mbushur plot e përplot me hadithe të dobëta, sakaq ajo për të cilën ata kanë rënë dakord është se: Hadithi i dobët nuk merret për bazë dhe nuk është funksional në çështjet e dispozitave fetare, teksa pjesa dërrmuese e tyre e kanë lejuar transmetimin e haditheve të dobëta në çështjen e vlerave, motivimit dhe frenimit.
Jo vetëm kaq, por në librat e Fikhut gjenden hadithe shumë të dobëta, madje të trilluara që nuk kanë fare bazë.
Pikërisht kjo gjë i ka shtyrë disa prej dijetarëve të mëdhenj të hadithit të cilët kanë qenë edhe juristë të shkruajnë libra rreth referimit dhe verifikimit të haditheve[1] të cilat juristët i kanë përmendur në librat e tyre por pa përmendur vargun e transmetimit.
Kështu ka vepruar imam Ibn Xheuzi në librin e tij të titulluar “Et Tahkiku fi Takhrixhit Tealik” Më pas erdhi Ibn Abdulhadi që e ka retushuar librin e imam Ibn Xheuzit duke e titulluar “Tenkihut Tahkik”
Po ashtu disa Hafiza,[2] në disa libra të njohur e mjaft të përhapur të së drejtës islame kanë bërë referimin dhe verifikimin e haditheve, si rasti i librit “Nasbur Rajeh Li Ehadithil Hidajeh” i Hafiz Xhemaludin Zejla’ijit. Ky libër me katër vëllime është botuar shumë herë. Më vonë, Hafiz Ibn Haxher e ka shkurtuar këtë libër dhe ka shtuar disa dobi shkencore duke e titulluar librin e tij “Ed Dirajetu fi Tahrixhi Ehadithil Hidajeh”. Ky libër është botuar në një vëllim. Libri “Hidajeh” konsiderohet prej librave bazë të medh’hebit Hanefij dhe është referencë.
Po ashtu libri i Ibn Haxherit në referimin dhe verifikimin e librit “Fet’hul Aziz fi Sher’hil Uexhiz” i Rafi’ijut i cili ka shpjeguar librin “Uexhiz” të Gazalijut. Referimin dhe verifikimin e librit të Rafi’ijut e kanë bërë shumë dijetarë, një prej tyre edhe imam Ibn Haxheri në librin e tij mjaft të njohur “Telkhisul Hibjer”. Shpjegimi i Rafi’ijut është prej librave bazë të medh’hebit Shafi’ij dhe është referencë.
Disa jursitë kanë marrë si argument hadithe të dobëta, që pas vdekjes së tyre të tjerëve ju është bërë e qartë dobësia e tyre. Megjithatë ata janë të justifikuar në këtë aspekt. Nuk ka asnjë justifiki për atë jurist, që i është bërë e qartë dobësia e një hadithi, nuk ka më justifikim të vazhdojë të sjellë si argument një hadith të tillë. Dhe si rrjedhojë e kësaj dispozita fetare që është nxjerrë në sajë të atij hadithi duhet braktisur, përveçse nëse ajo dispozitë fetare është bazuar në argumente të tjera nga tekstet e sheriatit, rregullat e përgjithshme dhe objektivat gjenerale.
Kushdo që lexon librat e “Referimit dhe Verifikimit të haditheve” – për të cilat folëm më lart – të librave të njohur të së drejtës islame sipas medh’hebeve, do ta vërejë shumë qartë këtë dukuri. Si për shembull në librat “Nasbur Rajeh Li Ehadithil Hidajeh” i Zejlaiut, “Telkhisul Hibjeri fi Takhrixh Ehadithi Sher’hir Rafi’ijil Kebiri” i Ibn Haxherit, “Ir’uaul Galili fi Takhrixhi Ehadithi Menaris Sebil”[3] i shejh Albanit. “Menarus Sebil” është prej librave të medh’hebit Hanbeli. Si dhe libri “El Hidajeh fi Takhrixh Ehadithil Bidajeh”[4] i Ahmed ibnus Sidik El Gimari. Me “bidaje” është për qëllim libri “Bidajetul Muxhtehid” i imam Ibn Rushdit.
Gjatë kohës kur po hulumtoja për të përpiluar librin “Fikhus Zekati” vura re një sërë hadithesh të trilluara që jursitët e medh’hebeve i marrin për bazë, sakaq dijetarët e hadithit i kanë konsideruar si të trilluara. Si për shembull:
Hadithi: “Tek perimet nuk ka zekat”[5]
Apo: “Nuk bën të ketë njëkohësisht pagesë prej 1/10[6] dhe haraç.”[7]
Apo: “Tek pasuria nuk ka detyrim tjetër përveçse zekatit.”[8]
Madje, hadithi i fundit është përhapur shumë në mesin e juristëve, madje edhe të atyre që janë të shquar si imam Mauerdi në librin “El Ahkamus Sultanijeh”, Shirazi në librin “El Muhedheb”, Ibn Kudameh në librin “El Mugni”
Imam Neueuiju, në librin “Mexhmu’u” ka thënë: [Ky hadith është shumë i dobët dhe nuk ka bazë.]
Kurse imam Bejhakiu – më parë – në Sunen pat thënë: [Këtë hadith e kanë transmetuar dijetarët tanë në hadithet “mualak”. Për këtë hadith nuk di të ketë varg transmetimi.]
Megjithatë, këtë hadith, Tirmidhiu, ibn Maxheh dhe Tabariju në tefsirin e tij e kanë transmetuar në këtë formë: “Tek pasuria ka detyrime të tjera përveç zekatit”. Më pas, në disa kopje të Ibn Maxhes ka ndodhur një gabim, në fillim të këtij hadithi është shtuar fjala “Nuk”. Ky gabim është përhapur dhe ka vazhduar të jetë i tillë, ashtu siç ka treguar Hafiz Ebu Zur’ah ibnul Hafiz Zejnud Din El Iraki në librin “Tarhut Tethrib fi Sherhit Takrib” vëllimi i katërt, fq; 18. Këtë gabim e ka sqaruar edhe dijetari ekspert Ahmed Shakir në verifikimin që ka bërë në Tefsirin e Tabarijut, hadithi me numër: 2527. Ai ka sjellë aq argumente saqë nuk ka lënë asnjë dyshim të besosh të kundërtën.[9]
Në librat dhe kapitujt e “Fikhut” përmenden edhe hadithe të tjera si ky lloj për të cilat Hafizët e hadithit nuk njohin as edhe një varg transmetimi. Për këtë lloj hadithi Hafiz Ez Zejlaij në librin “Nasbur Rajeh” ka thënë: “Garib”. Ky është një term i veçantë i përdorur nga ana e tij që nënkupton se hadithi nuk ka varg transmetimi. Kurse Hafiz Ibn Haxheri në librin “Ed Dirajeh” ka thënë: Nuk e kam hasur një hadith të tillë asgjëkund, nuk di që ky hadith të jetë transmetuar nga Profeti (a.s), apo shprehje të ngjashme si kjo.
Madje aq shumë përmenden këto hadithe në disa kapituj – të librave të Fikhut – saqë kanë tërhequr vëmendjen.
Kam vëzhguar hadithet e përmendura në librin “Edh Dhebaih” – të cilat janë përmendur në librin “Ed Dirajeh” – dhe kam gjetur se aty janë përmendur më tepër se 20 – të hadithe; disa prej tyre janë hadithe të sakta, disa të tjera të dobëta dhe të tjera që Hafiz Ibn Haxheri nuk i njihte apo nuk ju ka gjetur varg transmetimi.
Si për shembull hadithi: “Silluni me zjarrputistët ashtu sikurse silleni me ithtarët e librit, vetëm se ju nuk duhet të martoheni me gratë e tyre dhe as të hani kurbanet e tyre.” Ibn Haxheri ka thënë: Këtë hadith nuk e kam hasur me këtë shprehje, duke nënkuptuar shprehjen shtesë “vetëm se ju nuk duhet të martoheni me gratë e tyre…”
Apo hadithi: “Muslimani therr kurban në emër të Allahut, e shqipton apo jo emrin e Zotit.” Ibn Haxheri ka thënë: Këtë hadith nuk e kam hasur me këtë tekst.
Apo hadithi i Ibn Mes’udit: “Përpara se të therrni kurban jini të sinqertë kur e përmendni Zotin!” Ibn Haxheri thotë: Këtë hadith nuk e kam hasur.
Apo hadithi: “Kurbani duhet të therret midis fytit dhe mjekrës” Ibn Haxheri ka thënë: Këtë hadith nuk e kam hasur.
Apo hadithi: “Priti venat e qafës me çfarë të duash!” Ibn Haxheri ka thënë: Këtë hadith nuk e kam hasur.
Apo hadithi se “Profeti (a.s) ka ndaluar që deles t’i pritet palca e kurrizit me thikë pasi ajo të jetë therrur kurban.” Ibn Haxheri ka thënë: Këtë hadith nuk e kam hasur.
Apo hadithi se “Profeti (a.s) e ka ndaluar Aishen të hajë zhapikun, kur ajo e ka pyetur se a lejohet ngrënia e tij.” Ibn Haxheri ka thënë: Këtë hadith nuk e kam hasur.
Apo hadithi se “Profeti (a.s) e ka ndaluar shitjen e gaforreve” Ibn Haxheri ka thënë: Këtë hadith nuk e kam hasur.
E shumë hadithe të tjera.[10]
Ky fenomen nuk ndodh vetëm me librat e shkollës së racionalistëve – sikurse i emërtojnë – por ndodh edhe me librat e medh’hebeve të tjera. Edhe në këto libra – gjithashtu – gjenden hadithe të dobëta që nuk kanë fare bazë, megjithëse në disa medh’hebe janë thënë me përqindje më të mëdha dhe në disa të tjera me përqindje më të ulët.
Ai që shikon librin “Telkhisul Hibjer” të Hafiz ibn Haxherit, i cili ka bërë referimin dhe verifikimin e haditheve të shpjegimit të Rafi’ijut dhe të “Uexhizit” të Gazalijut – këta të dy të fundit konsiderohen prej imamllarëve të medh’hebit Shafi’ij – qartësisht do ta vërejë vërtetësinë e kësaj që po themi. Ibn Haxheri shumë hadithe që janë përmendur në libër i ka cilësuar si hadithe të dobëta, megjithëse ai vetë i përket medh’hebit Shafi’ij, por e vërteta duhet të thuhet.
Hafiz Ebu Bekër Ahmed ibnul Husejn El Bejhakij i ka shkruajtur imam Ebu Muhamed Abdullah ibn Jusuf El Huuejnit – djali i imamit të dy haremeve – duke e kritikuar me edukatë rreth disa haditheve të rreme që Ebu Muhamedi i ka shkruajtur në librin “Muhit”, si për shembull duke filluar me hadithin që flet se marrja e guslit me ujë të ngrohur nga dielli është e ndaluar. Ky hadith nuk është i saktë.
Prej objektivitetit të imam Bejhakiut është fakti se ai nuk është pajtuar me dijetarët e hadithit të medh’hebit Shafi’ij, të cilët janë treguar tolerantë duke mos bërë dallimin midis atyre haditheve të cilat merren për argument, përmes vargut të transmetimeve që janë transmetuar nga transmetues të dobët e të panjohur, e raste të tjera të cilat ai i ka përmendur në traktatin “Er Rasinetur Reknijeh”[11]
Më e çuditshme se kjo është fakti se edhe librat “Usul Fikhut” kanë hadithe të sajuara e të trilluara që nuk kanë fare bazë, si për shembull hadithi: “Shokët e mi janë si yjet. Këdo prej tyre që ju e merrni si model do të jeni të udhëzuar.” Ky është hadith jashtëzakonisht i dobët, madje shejh Albani e ka konsideruar hadith të trilluar.
Apo hadithi: “Atë që muslimanët e shikojnë si të mirë, ajo është e mirë tek Allahu.” Në fakt këtë shprehje e ka thënë Ibn Mes’udi dhe nuk është hadith i transmetuar nga Profeti (a.s). Apo hadithi: “Diversiteti i Umetit tim është mëshirë”[12] si dhe hadithe të tjera që i has çdo studjues që ka lexuar librat e njohur të Usulit.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Që nënkupton se ata kanë treguar se kush e ka transmetuar hadithin dhe pastaj kanë folur për autencitetin e tij. Sh.pk.
[2] – Në terminologjinë e hadithit “Hafiz” quhet ai person i cili di 300 000 mijë hadithe apo më tepër me tekst dhe varg transmetimi. Sh.pk.
[3] – Ky libër është botuar në 8 – të vëllime nga shtëpia botuese “El Mektebul Islamije” në Bejrut. Nëpërmjet shkrimit (botimit) këtij libri, shejh Albani ka pasë dëshirë që në medh’hebin Hanbeli të kishte një libër që të ishte “Referencë dhe verifikim” të haditheve që flasin për dispozitat fetare, ashtu sikurse në medh’hebin Hanefi dhe Shafi’ij ka libra të tillë.
[4] – Ky libër është botuar në 7 – të vëllime dhe konsidedoret si një libër që ka bërë verifikimin e haditheve të medh’hebit Maliki, sepse libri “Bidajetul Muxhtehid” është libër i medh’hebit Maliki.
[5] – Tirmidhiu (638) dhe Darakutni (vëllimi i dytë, faqe 97) prej Muadhit. Tirmidhiu e vlerëson vargun e haditheve të dobët dhe thotë: Në lidhje me këtë çështje nuk është transmetuar asgjë e vërtetuar ng ai Dërguari i Allahut (a.s).
[6] – Nënkupton zekatin e prodhimeve të tokës. Sh.pk.
[7] – Bejhakiu në “Es Sunen El Kubra”, vëllimi 4, fq: 132 nga Abdullah ibn Mes’udi. Dhehebiu në “Mizanul I’tidal” vëllimi 4, fq: 400 ka thënë: Ky hadith është i trilluar.
[8] – Ibn Maxhe (1789) nga Fatime bintu Kajs. Neueuiju në “Mexhmu’u” ka thënë: Ky hadith është shumë i dobët.
[9] – Për më tepër shih librin tim “Fikhuz Zekati” shënimet kritike 3 dhe 4 në faqet 966 dhe 967. Shtëpia botuese: “Er risaleh”
[10] – Për më tepër shih librin “Ed Dirajeh fit Takhrixhil Hidajeh” të Hafiz Ibn Haxherit me komentet e Hashim El Jemanit, vëllimi i dytë, fq: 205-213.
[11] – Për më tepër shih parathënien e librit “Ma’rifetus Sunen uel Athari” i professor Es Sejjid Ahmed Sakr, fq: 19-24. Shtëpia botuese “El Mexhlisul A’la Lish Shu’unil Islamijeh” në Kajro.
[12] – Për më tepër shih librin tonë “Es sahuel islamije bejne ikhtilafil meshrui uet teferrukil medhmum” në tematikën me titull “Diversiteti është mëshirë”. Hadithi nuk ka bazë fare, megjithëse kuptimi është i saktë nëse interpretohet në tematikën e të kuptuarit apo çështjeve sekondare. Gjithmonë nëse ky diversitet nuk shpie në ndasi, ashtu sikurse sahabët nuk ishin ndasi me njëri-tjetrin në çështjet e jurisprudencës.



















