Pas rënies së kalifatit abasit, megjithëse për dy tre shekuj muslimanët politikisht u dobësuan, Fikhu Islam vazhdonte lulëzimin e tij. Orientialistët e kanë konsideruar këtë fazë si “koha e ngrirjes apo ngurtësimit”, mirëpo ky cilësim është subjektiv, keqdashës dhe stigmatizues. Si mund të konsiderohet kjo periudhë e ngurtësimit, ndërkohë që ajka e librave të Fikhut Islam është shkruar në këtë periudhë, ashtu siç ka pasur kalifat dhe mbretëri islame që jetësonin Sheriatin në të gjitha sferat e jetës së tyre?! Në këtë fazë kemi shkrimin e librave bazikë dhe enciklopedikë të Fikhut Islam. Sa për një ilustrim të thjeshtë:
1- Në fikhun hanefi, kemi shkrimin e veprave referenciale, si: “El-Hidâje” të Marginanit (v. 593 H/ 1197), “El-Ikhtijâr” të Meududit (v. 683 H/ 1284), etj, si dhe shkrimin e enciklopedive juridike, si: “El-Mebsût” të Serahsiut (v. 490 H/ 1090) në 31 vëllime, “Bedâiu`s-Sanâi”, të Kasanit (587 H/ 1191) në 10 vëllime, “Raddu`l-Muhtâr”, të Ibn Abidinit (1252 H/ 1836) në 24 vëllime, “El-Mexhel-letu`l-Adlije” nga një grup juristësh të kalifat osman, i botuar në vitin 1881 etj.
2- Në fikhun maliki, kemi shkrimin e veprave referenciale, si: “El-Kâfî fî Fikhi Ehli`l-Medîne” të Ibn Abdulberrit (v. 463 H/ 1071), “Mukhtesar Khalîl” të Khalilit (v. 767 H/1374) etj, si dhe shkrimin e enciklopedive juridike, si: “El-Bejânu ue`t-Tahsîl” të Ibn Rushdit (v. 520 H/ 1198) në 20 vëllime, “Edh-Dhekhîra” të Karafit (684 H/ 1285) në 14 vëllime, “Fet`hu`l-Fettâh” të Madeniut (v. 1140 H/ 1727) në 71 vëllime, etj.
3- Në fikhun shafi, kemi shkrimin e veprave referenciale, si: “El-Vexhîz”, të Ebu Hamid Gazaliut (v. 505 H/ 1111), “El-Muharrar”, të Rafiut (v. 623 H/ 1226), “Nehxhu`t-Tâlib”, të Xhevheriut, (1215 H/ 1800), si dhe shkrimin e enciklopedive juridike, si: “Nihâjetu`l-Matlab”, të Xhuvejnit (478 H/ 1028) në 21 vëllime, “El-Mexhmû`a”, të Neveviut (676 H/ 1277), në 23 vëllime, “Tuhfetu`l-Muhtâxh”, të Ibn Haxher Hejtemiut (v. 974 H/ 1566), në 12 vëllime, etj.
4- Në fikhun hanbeli, kemi shkrimin e veprave referenciale, si: “Umedetu`l-Fikh”, të Ibn Kudames (v. 620 H/ 1223, “Zâdu`l-Mustaknia”, të Haxheviut (v. 960 H/ 1560), “Akhsaru`l-Mukhtaserât”, të Balebanit (v. 1082 H/ 1672); si dhe shkrimin e enciklopedive juridike, si: “El-Mugnî”, të Ibn Kudames (v. 620 H/ 1223) në 15 vëllime, “Kesh-shâfu`l-Kinâ”, të Behutit (v. 1051 H/ 1641) në 6 vëllime, “El-Muknia”, me autorët: Ibn Kudamen, Shemsedin ibn Kudamen (v. 682 H/ 1283) dhe Merdaviun (885 H/ 1480) në 32 vëllime, etj.
5- Në fikhun dhahiri, kemi librat e shkruar nga Ibn Hazmi (v. 456 H/ 1064), ku vlen të theksohet enciklopedia juridike “El-Muhal-lâ” në 20 vëllime. Po kështu edhe në fikhun xhaferi, fikhun ibadi dhe fikhun zejdi.
Pas kolonializimit, në shumë vende u pezullua Sheriati dhe ai u zëvendësua me ligje pozitiviste të importuara dhe të imponuara.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com



















