Edukimi i fëmijëve (4/6)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Këshilla edukative

Njeriu duhet ta edukojë fëmijën e tij me edukatë islame

Një herë po shikoja një shtëpi që njëri prej vëllezërve tanë dëshironte ta blinte. Ndërsa po shëtisnim nëpër dhomat e saj, në njërën prej tyre pamë një fëmijë të shtrirë në shpinë, me këmbët e ngritura mbi njëra-tjetrën, duke parë një program televiziv. Ne hymë në dhomë dhe dolëm prej saj, ndërsa ai nuk lëvizi fare dhe nuk e ndryshoi as pozicionin e tij, ndonëse babai i tij ishte me ne. Çfarë lloj edukimi është ky?!

Ndër shenjat e kohëve të fundit është edhe shtimi i fëmijëve që bëhen burim zemërimi dhe shqetësimi; njerëzit e ulët shtohen e përhapen, ndërsa njerëzit e ndershëm dobësohen dhe pakësohen. Fëmija bëhet burim shqetësimi, ndërsa shirat pakësohen dhe humbasin begatinë e tyre.

Njeriu duhet ta mësojë fëmijën e tij të thotë të vërtetën, ashtu siç përpiqet t’ia mësojë Kuranin

Një nga kalifët e këshilloi mësuesin e djalit të tij, duke i thënë: “Mësoju të vërtetën, ashtu siç u mëson Kuranin.”

Ndonjëherë e pyet djalin tënd: “Nga e more këtë stilolaps?” dhe ai të përgjigjet: “Ma ka dhënë hua shoku im.” Ti e beson, ose ndoshta e ndien se ajo që thotë nuk është e vërtetë, por e anashkalon çështjen. Nëse e lë kështu, më vonë mund të humbasësh gjysmën e ditës duke hetuar, duke shkuar në shkollë dhe duke thirrur shokun e tij. Por, nëse e ndjek çështjen menjëherë, fëmija e kupton se çdo fjalë që thotë mbart përgjegjësi.

Nëse gjen tek fëmija yt diçka që nuk është e tija, mos hesht! Ndiqe çështjen, pyet dhe heto. Shko vetë në shkollë të nesërmen; përndryshe, problemi mund të thellohet.

Babai duhet ta marrë gjithmonë djalin me vete, që ai të njohë të afërmit

Ndonjëherë babai ka mbrëmje ose vizita gjatë festave. Prandaj, merre djalin me vete, që të takojë këta njerëz, të njohë shoqërinë, të afërmit dhe miqtë e tu.

Ai duhet të dëgjojë biseda të sjellshme, fjalë të mira e diskutime të dobishme dhe të shohë një mjedis të kultivuar e të edukuar.

Por, nëse e lë vetëm me shokët e tij, ai mund të merret me shaka dhe fjalë boshe. Prandaj, mbaje gjithmonë pranë vetes, në mënyrë që të dëgjojë këshillat dhe udhëzimet e tua dhe të shohë nga afër moralin dhe parimet e tua.

Mos e poshtëro fëmijën përpara të tjerëve!

Askush nuk duhet ta poshtërojë fëmijën e tij përpara të tjerëve, qofshin këta të afërm, vëllezër apo shokë të tij. Qortimi i fëmijës duhet të bëhet në fshehtësi, jo në publik.

Është gabim i madh që prindi ta qortojë ose të sillet ashpër me fëmijën e tij përpara njerëzve të tjerë. Kjo ia cenon personalitetin, ia ul dinjitetin dhe lë gjurmë negative në edukimin e tij.

Njeriu duhet ta ndëshkojë fëmijën e tij kur gënjen, sepse gënjeshtra të çon në Zjarr

Ndëshkoji fëmijët kur gënjejnë, sepse një nga gjërat më të rrezikshme është gënjeshtra. Vërtet, gënjeshtra e çon njeriun drejt shthurjes morale, ndërsa shthurja morale e çon drejt Zjarrit.

Prandaj, gënjeshtra nuk është thjesht një gabim i vogël, por një rrugë që, nëse nuk ndërpritet që në fillim, mund ta shkatërrojë karakterin dhe moralin e njeriut.

Njeriu nuk duhet ta kalojë fëmijën nga një dije në tjetrën derisa ta ketë përvetësuar mirë të parën

Një njeri i urtë i tha mësuesit të djalit të tij: “Mos e kaloni nga një dije në një tjetër derisa ta ketë zotëruar mirë atë. Sepse grumbullimi i shumë dijeve në dëgjim dhe në mendje e huton nxënësin dhe e pengon të kuptojë.”

Kuptimi është se nxënësi duhet të mësojë gradualisht dhe të ndërtojë një themel të fortë, pa u ngarkuar me shumë gjëra njëherësh. Ngarkesa e tepërt sjell hutim dhe dobëson aftësinë për të kuptuar dhe përvetësuar dijen.

Fëmija duhet të shoqërohet me fëmijë të mirë në vendin ku mëson

Ibn Sina këshillon, në edukimin e fëmijëve, që pranë fëmijës gjatë studimit të tij të jenë fëmijë me sjellje të mira, edukatë të mirë dhe zakone të pëlqyeshme. Kjo sepse: “Fëmija mëson më lehtë nga një fëmijë tjetër, merr më shumë prej tij dhe ndihet më i afërt me të.”

Kam lexuar gjithashtu një studim në fushën e psikologjisë, i cili, pas shumë eksperimentesh, pohon se rreth 60% e ndikimeve që merr fëmija vijnë nga shokët e tij, ndërsa një përqindje shumë më e vogël vjen nga babai dhe nëna.

Kjo tregon qartë se sa ndikim të madh ka shoqëria në formimin e personalitetit dhe karakterit të fëmijës.

Edukimi i fëmijëve vazhdon edhe pas vdekjes së babait, sepse fëmija është vazhdim i babait të tij

O vëllezër, përgjegjësia më e madhe që na është besuar është edukimi i fëmijëve tanë, por njëkohësisht ajo është edhe puna më e çmuar dhe me ndikimin më jetëgjatë.

Çdo vepër që bën njeriu përfundon me vdekjen e tij, ndërsa edukimi i fëmijëve vazhdon edhe pas vdekjes së babait, sepse fëmija është vazhdim i tij dhe mund të jetë një sadaka e vazhdueshme.

Dikush mund të thotë: “Djali im është shumë i vështirë.” Përgjigjja është: “Kërko ndihmën e Allahut dhe mos u dorëzo!”

Kur Allahu sheh sinqeritetin tënd në edukimin e fëmijës, kujdesin dhe këmbënguljen tënde, Ai të udhëzon drejt rrugës së duhur dhe të frymëzon me mënyra të suksesshme e ndikuese për ta edukuar.

Njoh një familje ku djali kishte dështuar për gjashtë vjet radhazi në shkollë, por nëna e tij këmbënguli që ai të bëhej mjek. Me mësime private dhe ndjekje të vazhdueshme, ai arriti ta përfundonte shkollimin dhe u bë dentist.

Disa prindër, sapo vërejnë gabimin e parë te fëmija i tyre, dorëzohen menjëherë dhe nuk vazhdojnë më përpjekjet për ta përmirësuar. Ky është një gabim i madh.

Prandaj, nuk duhet ta humbni vullnetin dhe këmbënguljen, sepse shumë prej njerëzve të mëdhenj kanë hasur vështirësi në fillimet e tyre. Për shembull, disa figura të njohura, si shkrimtari Teufik el-Hakim, kanë pasur dobësi në gjuhë gjatë shkollës së mesme. Edhe Ajnshtajni, një nga shkencëtarët më të mëdhenj të fizikës, thuhet se kishte pasur vështirësi në disa lëndë dhe ishte përjashtuar nga shkolla.

Njeriu duhet të njohë rrethanat e fëmijës së tij dhe të zbulojë aftësitë që ai mbart

Mund të ndodhë që fëmija të duket i dobët në mësime, ndërkohë që në të vërtetë aftësitë e tij ende nuk janë zbuluar ose rrethanat nuk kanë qenë të përshtatshme për të nxjerrë në pah potencialin dhe energjitë e tij të fshehura.

Prandaj, mos u dorëzo shpejt me fëmijën tënd, sepse mund të ndodhë që dija të jetë më e dobishme për të sesa puna. Më vonë ai do të punojë, por nëse e fillon jetën pa dije dhe arsimim, vështirësitë e tij mund të bëhen edhe më të mëdha.

Njeriu duhet t’i shfrytëzojë të gjitha aftësitë dhe mundësitë që ka. Nëse nuk ka mundësi të ndjekë arsimin e zakonshëm, le të kërkojë dijen fetare. Nuk ka asnjë pengesë që ta kërkojë dijen në xhami, sepse edhe kjo është dije, madje prej dijeve më të larta.

Ai që merr pjesë rregullisht në tubimet e dijes në xhami është njeri i ditur. Çuditem me dikë që qëndron trembëdhjetë vjet në xhami dhe pastaj thotë: “Unë nuk jam i arsimuar!” Si mund të jetë kështu? Trembëdhjetë vjet, çdo javë, duke ndjekur tre mësime — tefsir, hadith, sirah, fikh dhe hytbe — dhe përsëri thua se nuk je i arsimuar? Përkundrazi, je i arsimuar, madje ke marrë një arsimim edhe më të vlefshëm. Prandaj, nuk duhet t’i përdorim shprehje të tilla.

Ai që ndjek mësimet në xhami është nxënës i dijes. Madje, shprehja më e saktë është: “I mjafton njeriut si dije që ta bëjë të frikësohet nga Allahu.”

Pra, çdo njeri që ecën në rrugën e drejtë — dhe nuk po e teproj me këtë — ka marrë dije, edhe nëse është analfabet dhe nuk e ka përfunduar as shkollën fillore.

Ai që e ul shikimin, e kërkon furnizimin në mënyrë hallall, nuk gënjen, nuk mashtron dhe nuk kryen vepra të këqija, e pastaj thotë: “Unë nuk jam i arsimuar”, është duke përdorur një shprehje të gabuar. Ai është i arsimuar, madje i arsimuar në atë që ka më shumë rëndësi.

Kush e njeh Allahun dhe merr dije në xhami është nxënës i dijes. Të gjithë ne jemi nxënës të dijes. Prandaj, nuk është e drejtë që dikush që ndjek mësimet të thotë: “Unë nuk jam i arsimuar”, sepse ai është duke mësuar dhe duke kërkuar dije.

Dija fetare është e këndshme, e dobishme dhe sjell lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër

Prandaj, o vëllezër të nderuar, dija fetare është, në të vërtetë, gjëja më e bukur në jetë. Ajo është e dobishme dhe përbën çelësin e suksesit tënd në këtë botë, si dhe burimin e pozitës së lartë dhe të besimit që njerëzit kanë tek ti.

Kështu, dija fetare bëhet burim kënaqësie, dobish dhe lumturie, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Për këtë arsye, njeriu duhet t’i kushtohet kërkimit të dijes fetare.

Transmetohet se Profeti (a.s.) hyri në xhami dhe pa një njeri. Ai pyeti: “Kush është ky?” I thanë: “Është njohës i gjenealogjisë.” Ai pyeti: “Çfarë është njohësi i gjenealogjisë?” I thanë: “Ai që njeh prejardhjen dhe fiset e arabëve.” Atëherë ai tha: “Kjo është një dije që nuk i sjell dobi atij që e mëson dhe nuk i bën dëm atij që nuk e di.” (Kur angazhimi me këtë dije bëhet në dëm të dijeve të dobishme.)

Gjithashtu, Profeti (a.s.) ka thënë: “O Allah, kërkoj mbrojtje tek Ti nga një zemër që nuk përkulet, nga një lutje që nuk dëgjohet, nga një shpirt që nuk ngopet dhe nga një dije që nuk bën dobi. Kërkoj mbrojtje tek Ti nga këto të katërta.”[1]

Pra, thelbi është ky: Dija e vërtetë është ajo që të afron me Allahun dhe të sjell dobi në jetën e kësaj bote dhe në ahiretin tënd.

Prandaj, dija fetare është dija e vërtetë. Imam el-Gazaliu thotë: “Kudo që përmendet fjala “dije” në Kuran, ajo nënkupton dijen për Allahun.”

Kjo është dija më e lartë dhe më e nderuar.

Ai që merr pjesë në një mexhlis dijeje mund të thotë: “Unë jam i arsimuar, madje edhe më shumë se kaq”, edhe nëse nuk ka diploma formale. Nëse ndjek rregullisht, për shembull, tri mësime në javë për trembëdhjetë vjet, kjo të bën realisht njeri të ditur, madje edhe më shumë se kaq.

Vetë fakti që je pjesë e një rrethi të dijes është dëshmi se je nxënës i dijes.

Prandaj është thënë: Bëhu njëri prej këtyre katërve:

1 – Dijetar.

2 – Nxënës i dijes.

3 – Dëgjues.

4 – Dashamirës i dijes.

Dhe mos u bë i pesti, sepse do të humbasësh.

Kuptimi i kësaj fjale është: Mos u largo nga dija dhe nga njerëzit e saj, sepse shpëtimi dhe përmirësimi i njeriut janë të lidhura ngushtë me dijen.

Autor: Ratib Nabulsi

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Tirmidhiu.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *