Havarixhët (4/6)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Dalja e Aliut për të debatuar me pjesën e mbetur të havarixhëve

Pas debatit të Ibn Abasit me havarixhët dhe kthimit të dy mijë prej tyre në xhematin e myslimanëve, Prijësi i besimtarëve, Ali ibn Ebi Talibi (r.a), doli vetë për t’u folur atyre. Ai bisedoi me ta dhe ata u kthyen së bashku me të në Kufe. Mirëpo, ky pajtim nuk zgjati shumë.

Shkaku ishte se havarixhët  kuptuan nga fjalët e Aliut – sipas pretendimit të tyre – se ai ishte tërhequr nga arbitrazhi dhe ishte penduar nga “gabimi” i tij. Ata filluan ta përhapnin këtë pretendim mes njerëzve.

Atëherë Esh’ath ibn Kajs el-Kindij hyri tek Aliu dhe i tha: “Njerëzit po flasin se ti je kthyer tek ata dhe je penduar nga kufri yt.”

Të nesërmen, që ishte e premte, Aliu u ngjit në minber. Pasi falënderoi dhe lavdëroi Allahun, mbajti hytbe, duke ua kujtuar havarixhëve ndarjen e tyre nga xhemati dhe duke qortuar qëndrimin dhe veprimet e tyre.

Kur zbriti nga minberi, nga anët e ndryshme të xhamisë filluan të dëgjoheshin thirrjet: “Nuk ka gjykim veçse për Allahun!”

Aliu tha: “Gjykimin e Allahut e pres për ju.”

Pastaj, me dorë, u bëri shenjë të heshtnin, ndërsa ishte ende në minber. Në atë çast u ngrit njëri prej tyre, i cili vuri gishtat në veshë dhe recitoi: “Sikur t’i bëje shok Allahut, veprat e tua do të zhvlerësoheshin dhe do të ishe prej të humburve.”[1]

Aliu iu përgjigj me fjalën e Allahut: “Prandaj bëj durim, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë dhe mos lejo që të të lëkundin ata që nuk janë të bindur.”[2]

Politika e drejtë e Aliut ndaj havarixhëve

Aliu shpalli politikën e tij të drejtë dhe të urtë ndaj këtij grupi ekstremist. Ai u tha: “Ju keni tre të drejta tek ne: Nuk do t’ju ndalojmë faljen në këtë xhami; nuk do t’ju privojmë nga pjesa juaj e pasurisë publike, për sa kohë duart tuaja janë bashkë me duart tona dhe nuk do t’ju luftojmë derisa ju të filloni të na luftoni.”

Kështu, Aliu (r.a) ua garantoi këto të drejta për sa kohë që ata nuk ngrinin armët kundër halifit dhe nuk rebeloheshin kundër bashkësisë myslimane. Megjithëse ruanin bindjet e tyre të veçanta brenda kuadrit të pretendimit për Islamin, ai nuk i nxori menjëherë nga feja, por u njohu të drejtën e mospajtimit, përderisa ai nuk shndërrohej në përçarje dhe konflikt të armatosur.

Dëshmia e Aishes (r.a) për ngjarjen

Ubejdullah ibn Ijad ibn Amr el-Kari’i transmeton: “Abdulla ibn Sheddad erdhi tek Aishja (r.a), ndërsa ne ishim ulur pranë saj. Ai po kthehej nga Iraku disa net pas vrasjes së Aliut. Aishja i tha: “O Abdulla ibn Sheddad! A do të më tregosh të vërtetën për atë që do të të pyes rreth këtyre njerëzve që Aliu i vrau?”

Ai tha: “Pse të mos ta them të vërtetën?”

Ajo tha: “Më trego historinë e tyre!”

Ai tregoi: “Kur Aliu shkroi marrëveshjen me Muaviun dhe u caktuan dy arbitrat, tetë mijë prej lexuesve të Kuranit u shkëputën prej tij dhe u vendosën në një vend të quajtur Harura, pranë Kufes.

Ata e qortuan duke i thënë: “Ti e hoqe petkun që Allahu ta kishte veshur dhe emrin me të cilin Allahu të kishte quajtur. Pastaj pranove që njerëzit të gjykonin në fenë e Allahut, ndërkohë që nuk ka gjykim veçse për Allahun.'”

Kur Aliu mori vesh ankesat e tyre dhe ndarjen e tyre, urdhëroi që të thirrej: “Askush të mos hyjë tek Prijësi i besimtarëve, përveç atyre që e mbartin Kuranin.”

Kur shtëpia u mbush me dijetarë dhe lexues të Kuranit, ai solli një Mus’haf të madh dhe e vendosi para vetes. Filloi ta prekte me dorë dhe tha: “O Mus’haf! Folu njerëzve!”

Të pranishmit thanë: “O Prijësi i besimtarëve! Ai është vetëm bojë mbi letër. Ne flasim sipas asaj që kemi mësuar prej tij. Çfarë synon?”

Aliu tha: “Këta shokët tuaj që janë larguar thonë se ndërmjet meje dhe tyre duhet të jetë vetëm Libri i Allahut.

Ndërkohë Allahu thotë në Librin e Tij për një burrë dhe një grua: “Nëse frikësoheni për përçarje mes tyre, dërgoni një arbitër nga familja e tij dhe një arbitër nga familja e saj; nëse dëshirojnë pajtim, Allahu do t’u japë sukses.”[3]

A nuk është gjaku dhe shenjtëria e umetit të Muhamedit (a.s) më e madhe se çështja e një burri dhe një gruaje?”

Pastaj tha: “Ata më qortojnë sepse në marrëveshjen me Muaviun është shkruar: “Ali ibn Ebi Talib”. Ndërkohë, në Hudejbije, kur Suhejl ibn Amri erdhi tek Profeti (a.s), ai nuk pranoi që të shkruhej: “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.” Por tha: “Shkruani: Në emrin Tënd, o Allah.”

Pastaj Profeti (a.s) tha: “Shkruaj: Muhamedi, i Dërguari i Allahut.”

Suhejli tha: “Po ta dija se je i Dërguari i Allahut, nuk do të të kundërshtoja.”

Atëherë u shkrua: “Kjo është marrëveshja që Muhamedi, biri i Abdullahut, bëri me Kurejshët.”

Allahu thotë: “Vërtet, ju e keni tek i Dërguari i Allahut shembullin më të mirë.”[4]

Këmbëngulja e havarixhëve

Kur havarixhët u bindën se Aliu ishte i vendosur ta dërgonte Ebu Musa el-Esh’ariun si arbitër, i kërkuan të hiqte dorë nga kjo. Por Aliu refuzoi dhe u shpjegoi se një gjë e tillë do të ishte tradhti dhe shkelje e besës, sepse marrëveshjet ishin lidhur tashmë.

Ai u kujtoi fjalën e Allahut: “Përmbushni besën e Allahut kur të lidhni marrëveshje dhe mos i prishni betimet pasi i keni forcuar ato, ndërkohë që Allahun e keni bërë garant për veten tuaj.”[5]

Megjithatë, havarixhët vendosën të shkëputeshin përfundimisht nga Aliu. Ata filluan ta ndërprisnin gjatë hytbeve, ta fyenin dhe ta sulmonin duke përdorur ajete kuranore jashtë kontekstit të tyre.

Organizimi i havarixhëve

Më pas, havarixhët u mblodhën në shtëpinë e Abdulla ibn Vehb er-Rasibit për të zgjedhur një prijës. Ai mbajti një fjalim prekës, duke i larguar nga dashuria për dynjanë dhe duke i nxitur për ahiretin dhe xhenetin. I inkurajoi për urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja dhe tha: “Dilni me ne nga kjo qytezë, banorët e së cilës janë zullumqarë, drejt maleve ose ndonjë qyteti tjetër, duke kundërshtuar këto gjykime të padrejta.”

Pastaj u ngrit Hurkus ibn Zuhejr dhe tha: “Kënaqësia e kësaj bote është e pakët dhe ndarja prej saj është e afërt. Mos ju mashtroftë zbukurimi i saj duke ju penguar nga kërkimi i së vërtetës dhe kundërshtimi i padrejtësisë. “Vërtet Allahu është me ata që e kanë frikë Atë dhe me ata që bëjnë mirë.”[6]

Më pas, Sinan ibn Hamze el-Esedi tha: “O njerëz! Mendimi është ai që keni shprehur dhe e vërteta është ajo që keni përmendur. Caktoni një prijës nga mesi juaj, sepse ju duhet një shtyllë ku të mbështeteni dhe një flamur rreth të cilit të mblidheni.”

Ata ua propozuan prijësinë disa prej krerëve të tyre, por të gjithë refuzuan, derisa ia ofruan Abdulla ibn Vehb er-Rasibiut, i cili e pranoi duke thënë: “Për Allahun! Nuk e pranoj nga dëshira për dynjanë dhe nuk e refuzoj nga frika e vdekjes.”

Ata u mblodhën edhe në shtëpinë e Zejd ibn Hisn et-Taijjit, i cili i nxiti sërish për urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja, duke lexuar ajetet: “O Daud! Ne të kemi bërë mëkëmbës në tokë, prandaj gjyko mes njerëzve me të drejtë dhe mos ndiq dëshirën, që të mos të të largojë nga rruga e Allahut.”[7] dhe: “Kush nuk gjykon me atë që ka zbritur Allahu, ata janë jobesimtarë.”[8] “…ata janë zullumqarë.”[9]  “…ata janë mëkatarë.”[10] Pastaj tha: “Dëshmoj se njerëzit e kibles sonë kanë ndjekur epshin, kanë braktisur gjykimin e Librit dhe kanë devijuar në fjalë e vepra. Luftimi i tyre është detyrë për besimtarët.”

Njëri prej tyre, i quajtur Abdulla ibn Sehbire es-Sulemij, qau dhe i nxiti të ngrinin armët kundër njerëzve, duke thënë: “Goditini fytyrat dhe ballët e tyre me shpata derisa të adhurohet i Gjithëmëshirshmi. Nëse fitoni dhe Allahu adhurohet ashtu si dëshironi, do të shpërbleheni si të bindurit ndaj Tij. E nëse vriteni, çfarë është më e mirë se të shkoni drejt kënaqësisë së Allahut dhe Xhenetit?”

Komenti i Ibn Kethirit

Duke komentuar prishjen e besimit të tyre, Ibn Kethiri thotë: “Ky lloj njerëzish është ndër format më të çuditshme të bijve të Ademit. I Lartësuar qoftë Ai që i ka krijuar krijesat në mënyra të ndryshme sipas urtësisë së Tij dhe e ka parapërcaktuar këtë në caktimin e Tij madhështor.”

Disa prej selefëve kanë thënë se havarixhët janë ata që përmenden në fjalën e Allahut: “Thuaj: A t’ju tregojmë për ata që janë më të humburit në veprat e tyre? Ata, përpjekja e të cilëve në jetën e kësaj bote ka humbur, ndërsa ata mendojnë se po bëjnë mirë. Këta janë ata që mohuan argumentet e Zotit të tyre dhe takimin me Të; prandaj veprat e tyre janë zhvlerësuar dhe në Ditën e Kiametit nuk do t’u japim kurrfarë peshe.”[11]

Shkëputja përfundimtare

Ibn Kethiri vazhdon: “Këta injorantë të humbur, fatkeq në fjalë dhe vepra, vendosën të largoheshin nga mesi i myslimanëve. Ata planifikuan të shkonin drejt qyteteve për t’i marrë nën kontroll dhe për t’u fortifikuar në to, duke thirrur shokët e tyre nga Basra dhe vende të tjera që mendonin si ata, në mënyrë që të bashkoheshin kundër njerëzve.”

Megjithatë, Zejd ibn Hisn et-Taijji u tha: “Ju nuk mund t’i pushtoni qytetet, sepse aty ka ushtri që nuk mund t’i përballoni. Por caktoni takim me vëllezërit tuaj pranë urës së lumit Xhukha dhe dilni nga Kufeja një nga një, që të mos zbuloheni.”

Ata u dërguan letra ithtarëve të tyre në Basra dhe vende të tjera, duke i ftuar të mblidheshin në Nehrevan, ku u bashkuan dhe fituan forcë e ndikim.

Letra e fundit e Aliut

Aliu u shkroi havarixhëve në Nehrevan: “Tashmë ka ndodhur ajo që dëshironit: dy arbitrat janë ndarë pa marrëveshje dhe pa vendim të përbashkët. Kthehuni në gjendjen që ishit më parë, sepse unë dua të nisem drejt Shamit.”

Ata iu përgjigjën: “Nuk na lejohet të të marrim si imam, pasi ke bërë kufër, derisa të dëshmosh kundër vetes se ke bërë kufër dhe të pendohesh, ashtu siç jemi penduar ne. Ti nuk u zemërove për Allahun, por për veten tënde.”

Kur Aliu lexoi përgjigjen e tyre, humbi shpresën se do të ktheheshin. Prandaj vendosi të vazhdonte nga kampi i tij në Nuhajle drejt Shamit dhe u shkroi edhe banorëve të Basrës që të përgatiteshin për t’u bashkuar me të.

Beteja e Nehrevanit (38 h.)

Shkaku i betejës

Kushtet që Prijësi i besimtarëve, Ali ibn Ebu Talibi (r.a), ua kishte vënë havarixhëve ishin që të mos derdhnin gjak, të mos frikësonin njerëzit e pafajshëm dhe të mos pengonin udhëtarët në rrugë. Nëse do të kryenin këto shkelje, atëherë lufta kundër tyre do të bëhej e ligjshme.

Duke qenë se havarixhët i konsideronin jobesimtarë ata që nuk pajtoheshin me ta dhe e lejonin gjakun e pasurinë e tyre, ata filluan të derdhnin gjakun që Islami e ka shpallur të shenjtë. Transmetimet mbi shkeljet e tyre janë të shumta.

Një burrë nga fisi Abdul-Kajs tregon:“Isha me havarixhët dhe pashë prej tyre diçka që e urreva. Prandaj u largova prej tyre, duke vendosur të mos bashkohesha më me ta. Ndërsa isha me një grup prej tyre, panë një burrë që po vinte i trembur. Midis nesh dhe tij ishte një lumë.

Ata e kaluan lumin dhe i thanë: “Mos vallë të kemi frikësuar?”

Ai tha: “Po.”

Ata thanë: “Kush je ti?”

Ai tha: “Unë jam Abdulla ibn Habbab ibn el-Erett.

Ata thanë: “A ke ndonjë hadith që na e transmeton nga babai yt prej të Dërguarit të Allahut (a.s)?”

Ai tha: “E kam dëgjuar babanë tim duke thënë se e ka dëgjuar Profetin (a.s) të thotë: “Do të vijë një fitne; ai që rri ulur në të është më i mirë se ai që ngrihet, ai që ngrihet është më i mirë se ai që ecën drejt saj. Kur t’i takosh ata, nëse mundesh, bëhu Abdulla që vritet dhe mos u bëj Abdullahu që vret.”

Ata e morën Abdullahun bashkë me një grua që ishte me të. Gjatë rrugës, njëri prej tyre mori një hurmë të rënë nga një palmë dhe e futi në gojë. Disa prej tyre i thanë: “Është hurmë e një njeriu me të cilin kemi marrëveshje. Si e lejove për vete?” Ai e nxori menjëherë nga goja. Pastaj kaluan pranë një derri dhe njëri prej tyre e goditi me shpatë.

Të tjerët i thanë: “Është derr i një njeriu me të cilin kemi marrëveshje. Si e lejove këtë?”

Atëherë Abdullahu u tha: “A t’ju tregoj për diçka që është më e shenjtë se kjo?”

“Po” – thanë ata.

Ai tha: “Unë.”

Megjithatë, ata e çuan përpara dhe ia prenë kokën. Transmetuesi thotë: “Pashë gjakun e tij duke rrjedhur mbi ujë, sikur të ishte një rrip sandaleje që u shty nga rrjedha derisa u zhduk nga sytë.”

Pastaj morën gruan që ishte me të dhe ishte shtatzënë, ia çanë barkun dhe nxorën foshnjën që mbante në bark.

Ky veprim përhapi tmerr mes njerëzve dhe tregoi shkallën e terrorit të tyre: çarja e barkut të kësaj gruaje dhe therja e Abdullahut sikur të ishte një dele. Ata nuk u mjaftuan me kaq, por filluan të kërcënonin njerëzit me vrasje. Madje, disa prej tyre e dënuan këtë veprim duke thënë: “Mjerë ju! Për këtë nuk u ndamë nga Aliu.”

Megjithëse havarixhët kishin kryer këto krime të shëmtuara, Aliu (r.a) nuk nxitoi t’i luftonte. Ai u dërgoi fjalë që t’ia dorëzonin vrasësit për t’u zbatuar ndëshkimi ligjor ndaj tyre.

Ata iu përgjigjën me kryeneçësi: Si mund të na ndëshkosh, kur të gjithë ne e kemi vrarë?

Aliu tha: A mos vallë të gjithë e keni vrarë?

Ata thanë: Po.

Atëherë ai u drejtua kundër tyre me ushtrinë që e kishte përgatitur për të luftuar kundër banorëve të Shamit, në muajin Muharrem të vitit 38 h. Ai ngriti kampin në bregun perëndimor të lumit Nehrevan, ndërsa havarixhët qëndronin në bregun lindor, përballë qytetit të Nehrevanit.

Aliu e dinte se këta ishin njerëzit për të cilët i Dërguari i Allahut (a.s) kishte paralajmëruar se do të dilnin nga feja. Prandaj, gjatë marshimit drejt tyre, ai i nxiste shokët e tij dhe i inkurajonte për luftë kundër tyre.

Ushtria u vendos përballë havarixhëve, të ndara nga lumi Nehrevan. Aliu urdhëroi ushtrinë e tij të mos e fillonte luftën derisa havarixhët ta kalonin lumin drejt perëndimit.

Ai u dërgoi përsëri të dërguar, duke i përkujtuar Allahun dhe duke i urdhëruar të ktheheshin. Dërgoi tek ata edhe Bera ibn Azibin (r.a), i cili i thirri për tri ditë rresht, por ata refuzuan.

Të dërguarit vazhduan të shkonin tek ata derisa havarixhët i vranë të dërguarit dhe më pas kaluan lumin.

Kur havarixhët arritën në këtë pikë, duke shuar çdo shpresë për pajtim dhe ruajtje të gjakut, duke refuzuar me mendjemadhësi kthimin në të vërtetën dhe duke këmbëngulur në luftë, Aliu organizoi ushtrinë e tij.

Ai vendosi: në krahun e djathtë: Huxhr ibn Adijun; në krahun e majtë: Shibth ibn Rib‘iun dhe Makil ibn Kajs er-Rijahin; në krye të kalorësisë: Ebu Ejjub el-Ensariun; në krye të këmbësorisë: Ebu Katade el-Ensariun; ndërsa mbi banorët e Medinës, të cilët ishin shtatëqind veta, caktoi Kajs ibn Sa‘d ibn Ubadën.

Aliu urdhëroi Ebu Ejjubin të ngrinte një flamur sigurie për havarixhët dhe t’u thoshte: “Kush vjen nën këtë flamur është i sigurt. Kush kthehet në Kufe ose Medain është i sigurt. Ne nuk kemi punë me ju, përveçse me ata që vranë vëllezërit tanë.”

Si pasojë, shumë prej tyre u larguan. Ata kishin qenë rreth katër mijë veta dhe nuk mbetën me Abdulla ibn Vehb er-Rasibin veçse rreth një mijë ose edhe më pak.

Fillimi i luftës

Havarixhët marshuan drejt Aliut.

Aliu vendosi kalorësinë në vijën e parë, pas saj harkëtarët dhe këmbësorinë pas kalorësisë. Ai u tha shokëve të tij: “Përmbahuni prej tyre derisa ata t’ju sulmojnë të parët.”

Ndërsa havarixhët afroheshin, thërrisnin: “Nuk ka gjykim tjetër veç gjykimit të Allahut! Përpara, përpara drejt Xhenetit!”

Pas një beteje të shkurtër, por vendimtare, që zgjati vetëm një pjesë të ditës së nëntë të muajit Safar të vitit 38 h., havarixhët pësuan humbje të mëdha.

Transmetimet përmendin se pothuajse të gjithë u vranë. Ndërsa Mesudiu përmend se vetëm një numër i vogël, jo më shumë se dhjetë veta, arritën të iknin pas kësaj disfate dërrmuese.

Sa i përket ushtrisë së Aliut, disa transmetime thonë se u vranë vetëm dy veta. Të tjera thonë dymbëdhjetë ose trembëdhjetë. Ndërsa sipas një transmetimi tjetër, numri i të vrarëve nga myslimanët ishte vetëm nëntë persona.¹⁰

Dhuth-Thudje dhe ndikimi i vrasjes së tij në ushtrinë e Aliut

Aliu (r.a) kishte folur për havarixhët që nga shfaqja e bidatit të tyre dhe shpesh përmendte Dhu eth-Thudjeh (njeriun me deformimin karakteristik në krah), duke thënë se ai ishte shenja dalluese e këtij grupi dhe përshkruante tiparet e tij.

Pas përfundimit të betejës, Aliu urdhëroi shokët e tij të kërkonin trupin e këtij njeriu, sepse gjetja e tij ishte një prej dëshmive se Aliu ishte në të drejtë.

Pas një kërkimi të gjatë, pranë bregut të lumit u gjet një grumbull trupash të hedhur njëri mbi tjetrin.

Aliu tha: “Nxirrini!”

Kur i nxorën, doli se el-Muhdexhi (Dhu eth-Thudjeh) ndodhej poshtë të gjithëve, pranë tokës.

Atëherë Aliu bëri tekbir dhe tha: “Allahu tha të vërtetën dhe i Dërguari i Tij e përcolli mesazhin!”

Më pas bëri sexhden e falënderimit. Edhe njerëzit bënë tekbir kur e panë dhe u gëzuan për këtë shenjë që vërtetonte lajmin e Profetit

Trajtimi i Aliut ndaj havarixhëve

Prijësi i besimtarëve, Ali ibn Ebu Talibi (r.a), i trajtoi havarixhët para dhe pas luftës si myslimanë. Menjëherë pasi përfundoi beteja, ai urdhëroi ushtrinë e tij që: të mos ndjekin ata që iknin,  të mos e vrasin të plagosurin dhe të mos i masakrojnë të vrarët.

Shikik ibn Seleme, i njohur si Ebu Vail, një prej dijetarëve të tabi’inëve dhe nga ata që morën pjesë në luftërat e Aliut, ka thënë: “Aliu (r.a) nuk mori robër as në Ditën e Xhemelit, as në Ditën e Nehrevanit.”

Revolta e vazhdueshme dhe përçarjet e tyre

Asnjë grup tjetër i myslimanëve nuk ka ndjekur rrugën e kryengritjes në mënyrë të vazhdueshme si havarixhët. Revoltat e tyre u bënë si një kryengritje e pandërprerë në kohë dhe e përhapur në hapësirë: kundër Emevitëve, dhe madje edhe kundër vetë Ali ibn Ebu Talibit (r.a), që nga çështja e arbitrazhit e deri në fund të sundimit të tij në vitin 40 hixhri.

Në këtë rrugë të vazhdueshme të kryengritjes, betejat e tyre karakterizoheshin nga një përkushtim i madh deri në vetëflijim, duke lënë pas dëshmorë dhe viktima që shërbenin si shembuj për ata që vinin pas.

Pas humbjes në Nehrevan, vetëm dy muaj më vonë, ata u ngritën sërish dhe luftuan ushtrinë e Aliut në Daskara në tokën e Horasanit në Rabi’ el-Thani të vitit 38 hixhri, nën drejtimin e Eshras ibn Auf esh-Shejbanit.

Muajin pasues, pas humbjes në Daskara, ata u riorganizuan nën drejtimin e Hilal ibn Ulefe dhe vëllait të tij Muxhalid, dhe luftuan përsëri ushtrinë e Aliut në Masbadhan në Persi në Xhumada el-Ula të vitit 38 hixhri.

Pas humbjes në Masbadhan, el-Eshheb ibn Bishr el-Bexheli i udhëhoqi në një tjetër kryengritje në të njëjtin vit, duke luftuar në Xhaxhraya pranë lumit Tigër.

Në Ramazan të vitit 38 hixhri, ata marshuan nën drejtimin e Ebu Merjemit nga fisi Benu Sa’d Temim deri në portat e Kufës dhe u përballën me ushtrinë e Aliut, por u mposhtën.

Pas vrasjes së Aliut dhe dorëzimit të Hasan ibn Aliut tek Muaviu, havarixhët vazhduan luftën kundër banorëve të Shamit. Në betejën e parë kundër tyre, ata pothuajse e mposhtën ushtrinë e Muaviut, sikur të mos kishte ndërhyrë përforcimi nga banorët e Kufës.

Në vitin 41 hixhri, Sahm ibn Ghalib et-Temimi dhe el-Khatim el-Bahili udhëhoqën një kryengritje të brendshme kundër Emevitëve që zgjati deri sa u shua nga Zijad ibn Ebihe pranë Basrës në vitin 46 hixhri, pas pesë vitesh.

Revoltat e tyre vazhduan kundër Emevitëve. Në fund të Shevalit të vitit 64 hixhri, filloi revolta e madhe e Nafi ibn el-Ezrak, e cila nisi me hapjen e burgjeve të Basrës dhe më pas marshuan drejt Ahvazit.

Në vitet 76 dhe 77 hixhri, Shabib ibn Jezid ibn Nuaim arriti të shkaktojë disa humbje të ushtrive të Haxhaxh ibn Jusuf eth-Thekafiut.

Krahas këtyre, pati edhe kryengritje të tjera që vazhduan deri në fund të shtetit Emevit.

Është me rëndësi të përmendet se, megjithëse këto kryengritje të havarixhëve nuk arritën të krijonin një shtet të qëndrueshëm, ato e dobësuan ndjeshëm shtetin emevit. Ky dobësim kontribuoi në rënien e shpejtë të tij përballë Revolucionit Abasid në vitin 132 hixhri. Abasidët nuk u ngritën në revoltë për gati një shekull, ndërsa havarixhët e kaluan këtë shekull në kryengritje të vazhdueshme, dhe më pas Abasidët përfituan nga përgatitjet e bëra nga të tjerët.

Burimi: islamstory.com

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Zumer: 65.

[2] – Sure Rum: 60.

[3] – Sure Nisa: 35.

[4] – Sure Ahzab: 21.

[5] – Sure Nahl: 91.

[6] – Sure Nahl: 128.

[7] – Sure Sad: 26.

[8] – Sure Maide: 44.

[9] – Sure Maide: 45.

[10] – Sure Maide: 47.

[11] – Sure Kehf: 103 – 105.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *