Historia e Musait (01)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mësime nga historia e profetit Musa (a.s)

Hyrje

Historitë zënë një vend të rëndësishëm në Kuranin fisnik. Ato zënë një të tretën e të gjithë Kuranit dhe ky fakt është tregues i vlerave që ato përçojnë. Shpeshherë gjatë punës time, kam takuar njerëz që më thonë: “Unë e lexoj Kuranin, por shumë gjëra nuk i kuptoj. E kam shumë të vështirë ta kuptoj gjuhën që përdoret në Kuran.”

Për ta lehtësuar kuptimin e Kuranit, Zoti e ka pasuruar atë me histori të ndryshme, të cilat janë të kuptueshme për të gjithë racat, kombësitë dhe etnitë. Zoti ka rrënjosur në natyrën e çdo njeriu, dashurinë për historitë dhe tregimet. Historitë e Kuranit, janë rrugëkalimi, e cila të çon drejt të kuptuarit të drejtë të Kuranit. Ato i përngjajnë lundrës, e cila përdoret për të kaluar nga njëra anë e lumit tek ana tjetër. Historitë janë si një anije që të lejon të udhëtosh në detin e pafund të Kuranit dhe të përfitosh nga xhevahiret e tij. Ato janë mënyra më praktike dhe më e lehtë, që Zoti ka zgjedhur për të përçuar idetë, konceptet dhe parimet islame te njerëzimi. Kështu, nëpërmjet historive, Zoti përçon konceptin më madhor të krijimit, atë të teuhidit (njësimit).

Në këtë cikël temash, do të trajtojmë historinë më të gjatë që përmendet në Kuran, atë të profetit Musa (a.s.). Kjo histori përmendet në pesëdhjetë sure të Kuranit famëlartë. Vetë profeti Musa (a.s.) është përmendur njëqind e tridhjetë e gjashtë herë në Kuran. Ai është profeti, i cili është përmendur më shumë se çdo profet tjetër në Kuran. Menjëherë pas tij vjen profeti Ibrahim (a.s.), i cili përmendet gjashtëdhjetë e nëntë herë.

Fakti që profeti Musa (a.s.) është përmendur kaq shpesh në Kuran, është tregues se ai ka qenë nga njerëzit dhe profetët e dashur të Zotit. Ai është profeti i vetëm, të cilit Zoti i ka folur pa ndërmjetës.

Një ndër objektivat tona me këto tema është që t’i ridimensionojmë marrëdhëniet tona me profetin Musa (a.s.) dhe ta shtojmë dashurinë karshi këtij profeti. Vetë Zoti në Kuran, ka deklaruar për profetin Musa (a.s.): “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim.[1]

“Unë të kam zgjedhur ty për Vete.”[2]

“Zoti tha: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët – me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë).[3]

Historia e Musait (a.s.) është e mbushur me vlera dhe koncepte të ndryshme. Ne do të përpiqemi të nxjerrim në pah vlerat e kësaj historie dhe për çdo vlerë do të bëjmë thirrje, që ta përvetësojmë dhe ta vëmë në jetë.

Historia e profetit Musa (a.s.), është zhvilluar në katër etapa dhe në katër shtete. Ngjarjet dhe ndodhitë e saj janë zhvilluar në Egjipt, Jordani, Arabi Saudite dhe Palestinë. Le të udhëtojmë në histori dhe të zhvendosemi në Egjipt, në brigjet e lumit Nil, atje ku e ka edhe zanafillën e saj kjo histori.

Para lindjes së Musait (a.s.)

Historia e profetit Musa (a.s.) ka ndodhur në vitin 1200 para erës sonë, ose njëmijë e dyqind vjet para lindjes së profetit Isa (a.s.) (Jezusit). Mes profetit Isa (a.s.) dhe profetit Muhamed (a.s.) ka gjashtëqind vite. Kështu, mes nesh dhe profetit Musa (a.s.) ka tremijë e dyqind vite në mes. Ndoshta ti lexues i nderuar, shpeshherë do të habitesh me ndodhitë e kësaj historie dhe shpeshherë do të gjendesh në dilemën: Kjo histori ka ndodhur vërtet para tremijë vitesh, apo ka ndodhur në vitin 2009?!

Bota ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo që është sot, pasi ekzistonin vetëm dy kontinente: Azia dhe Afrika. Asokohe, Egjipti ishte qendra e botës, ishte epiqendra e civilizimit, kulturës, fuqisë dhe pasurive. Gjithçka e gjeje në Egjipt, pasurinë, kulturën, forcën ushtarake, civilizimin etj… Egjipti gëzonte dhe një privilegj tjetër, ekzistencën e shkencëtarëve të mirëfilltë dhe të rrallë për atë periudhë. Dijet që zotëronin ishin me të vërtetë të rralla, saqë shumë prej dijeve të tyre nuk janë zbuluar akoma. Ata ishin mjeshtër të balsamosjes së kufomave të vdekura. Ata ishin shumë të aftë në fushën e kimisë, ashtu siç ishin në pikturën mbi mure dhe tempujt fetarë. Ata zotëronin njohuri të thella në fushën e inxhinierisë së ndërtimit dhe të arkitekturës, gjë e cila demonstrohet në ndërtimin e mrekullueshëm të piramidave. Nëse çmimi Nobël njihej për atë kohë, shkencëtarët e Egjiptit do të merrnin 90 % të këtyre çmimeve.

Me gjithë zhvillimin dhe arritjet, Egjiptit i mungonin dy gjëra të rëndësishme: Besimi dhe drejtësia. Për këtë shkak, historia e Musait (a.s.) përmendet më shpesh se çdo histori tjetër në Kuran. Ajo përmendet në pesëdhjetë sure. Kjo ndodh sepse bazat kryesore, mbi të cilat ngrihen reformat civilizuese, janë besimi dhe drejtësia. Personazhi kryesor i historisë mbi të cilën flasim, u dërgua dhe u zgjodh për të çuar në vend pikërisht këto dy vlera, besimin dhe drejtësinë. Profeti Musa (a.s.) është heroi dhe simboli i lirisë. Ai është përkrahësi dhe ndihmuesi i të vobektëve dhe i njerëzve pa përkrahje. Personazhi kryesor i kësaj historie, ka lindur dhe është rritur në zemrën e Egjiptit.

Asokohe, Egjipti përbëhej nga dy shtresa popullsie: shtresa e lartë dhe shtresa e ulët. Në shtresën e ulët hynin etnia e hebrenjve, çifutët. Ndërkohë që shtresa e lartë gëzonte të gjitha të drejtat dhe privilegjet e mundshme, shtresa e ulët ishte privuar nga të drejtat më elementare. Edhe pse ishin të lirë, ata njiheshin dhe thirreshin skllevër. Kjo shtresë e nënshtruar, e përdhosur dhe e nëpërkëmbur njihej me emrin Benu Israil. Ata jetonin në kasolle të vjetruara, të ndërtuara në brigjet e Nilit.

Kryeqyteti i Egjiptit asokohe njihej me emrin Bramasis. Bramasis, përveçse ishte kryeqyteti i Egjiptit, ishte edhe metropol i pjesës së tjetër të Botës. Ai i përngjante Londrës, apo Uashingtonit të sotëm për nga rëndësia, zhvillimet kulturore dhe ato politike. Nga një qytet i tillë, lind dhe rritet personazhi kryesor i historisë për të cilën flasim.

Bramasis është një fjalë e vjetër egjiptiane, që do të thotë shtëpia e perëndisë Ra, që është personifikuar tek faraoni Ramasis. Vendi ku ndodhet sot ky qytet, njihet me emrin Kantir, në provincën lindore. Asokohe, lumi Nil kishte shumë degë dhe një nga këto degë arrinte gjer tek ky qytet i zhvilluar. Faraoni e kishte ndërtuar pallatin e tij mbretëror mes një pylli pemësh, pranë bregut të Nilit.

E gjithë popullata kishin ndërtuar shtëpitë e tyre në brigjet e Nilit, ku njëra shtresë jetonin në pallate luksoze, kurse shtresa tjetër në kasolle plot mjerim dhe vuajtje.

Në bregun ku jetonin shtresa e ulët, mes qindra dhe mijëra familjeve të tjera, jetonte edhe një familje e vuajtur. Nëna e kësaj familjeje ishte shtatzënë në muajin e katërt. Emri i saj ishte Jukabid dhe ishte e martuar me një burrë, i cili quhej Imran. Ky çift kishin një djalë të vogël, i cili quhej Harun dhe një vajzë të madhe, tetëmbëdhjetë vjeçare, e cila quhej Merjeme. Embrioni që kjo nënë mbante në barkun e saj, do të shndërrohej në një nga personazhet më kryesore të historisë së Egjiptit asokohe.

 Skenë e frikshme

Ngjarjet zhvillohen në lagjen e Benu Israilëve dhe skena e mëposhtme është e tmerrshme dhe rrëqethëse. Ndërkohë që lagjja e Benu Israilëve ishte zhytur në gjumë dhe kudo mbretëronte qetësia e natës, kjo qetësi e zakontë e kësaj lagjeje thyhet papritur nga ulërimat dhe britmat therëse të një gruaje. Ulërimat e saj u dëgjuan në të gjithë lagjen, pasi ishin ulërima rrëqethëse dhe histerike. Njerëzit u ngritën menjëherë dhe u drejtuan tek burimi i ulërimave. Britmat dhe të qarat që vazhdonin, i çuan tek një shtëpi e njërit nga Benu Israilët. Teksa e dalluan kasollen nga vinin të qarat, panë karroca ushtarake dhe ushtarë të shumtë, që tashmë po largoheshin. Vallë çfarë i ka sjellë ushtarët këtu në këtë orë të vonë të natës?! Njëri prej ushtarëve mbante në dorë një thikë, e cila kullonte gjak dhe tek pragu i derës së shtëpisë, dalluan pika të shumta gjaku. Brenda shtëpisë një grua vajtonte, ulërinte dhe qante me dënesë. Njerëz të shumtë qëndronin tek pragu me sy të zgurdulluar, pa ditur se çfarë kishte ngjarë dhe çfarë të bënin.

Në një shtëpi tjetër aty pranë, ku një muaj më parë kishte lindur një djalë, ushtarët thyen derën dhe iu afruan lehonës duke e pyetur: “A ti ke lindur para një muaji?” Gruaja u përgjigj: “Po. Përse, çfarë ka ndodhur?”

Ushtarët e pyesin: “Ku e ke djalin?” Gruaja i pyet: “Përse e doni djalin tim?”

Ushtarët përsëri e pyesin: “Ku është djali?” Gruaja e merr djalin dhe ua tregon. Në çast, njëri nga ushtarët nxori thikën dhe në sytë e nënës dhe të babait, e theri djalin pa pikë mëshire. Më pas e hodhën përtokë dhe të gjithë u larguan, duke lënë pas vajin dhe panikun. Të gjithë banorët e lagjes u tronditën nga kjo ndodhi dhe mbetën pa fjalë. Çfarë po ndodh vallë? Përse po ndodh diçka e tillë? Kush janë këta njerëz, të cilët bëjnë mizori të tilla? Kush fshihet pas këtyre krimeve? Mos janë ushtarë të çmendur dhe të luajtur nga mendtë? Apo mos janë krime të organizuara?

Banorët e lagjes iu drejtuan babait të foshnjës që sapo e kishin therur: “Çfarë ke bërë që të ndodhi kjo?” Çfarëdo që të kishte bërë, ajo që kishte ndodhur nuk mund të justifikohej, pasi ishte një krim i shëmtuar.

Të nesërmen në mëngjes, me të lindur dielli, Benu Israilët u grumbulluan dhe filluan të diskutonin rreth asaj që kishte ndodhur një natë më parë. Çfarë kishin bërë që t’u vriteshin foshnjat e sapolindura? Çfarë duhej të bënin pas kësaj ndodhie? A duhej të ankoheshin tek organet qeveritare, apo duhej të heshtnin? A duhej ta merrte vesh faraoni për atë që u kishte ndodhur?

E çuditshme, por ata nuk u ankuan, pasi kishin frikë. Ata preferuan të heshtin, ngaqë kishin frikë se mos u ndodhte diçka më e keqe. E çfarë mund t’u ndodhte më keq se kaq?

Ajo që ndodhi në këtë natë të zezë dhe mosreagimi i këtij populli, nxjerr në pah një cilësi mbizotëruese tek këta njerëz, nënshtrimin. Ata ishin një popull i mësuar me nënshtrimin dhe e patën të pamundur të ngrinin krye edhe kur dikush guxoi t’u vriste fëmijët. Fisnikëria, burrëria dhe krenaria kishin vdekur tek ky popull.

E çuditshme është se e njëjta histori përsëritet një javë më vonë. Një tjetër fëmijë mashkull theret mu para prindërve të tij. E veçanta e këtij rasti është se nëna e djalit kishte lindur dy binjakë, një djalë dhe një vajzë. Ushtarët e morën djalin dhe e therin para syve të nënës. Kur nëna e pa djalin e saj pa kokë, vrapoi tek foshnja tjetër, vajza. Por ushtarët qeshën dhe me ironi ia kthyen:”Mos kij frikë, se nuk e therim atë! Kemi marrë urdhër që të therim vetëm djemtë, vajzat na duhen kur të rriten”.

Javën e tretë u përsërit i njëjti krim në një familje të tretë. Por këtë herë, ndërmorën një vepër akoma më të shëmtuar. Pasi e therën foshnjën mashkull, e hodhën atë në Nil.

Një muaj më vonë, numri i foshnjave meshkuj që ishin therur nga ushtarët e faraonit kishte arritur në dhjetë. Dhjetë foshnja të therura nga dhjetë familje. A e imagjinoni dot tmerrin dhe panikun, që kanë përjetuar banorët e lagjes? A e imagjinoni tmerrin e nënave të foshnjave? A ka krim më të shëmtuar se të therësh foshnjat? Kur ka ndodhur në histori një krim i tillë?

Por mos u çuditni! Ky popull, që në këtë histori është viktimë e dhunës dhe terrorit, pas mijëra vitesh do të shndërrohet në makineri dhune, terrori dhe gjakderdhjeje të një populli tjetër. Krimet që pësuan në kurriz asokohe, ata i kryejnë ndaj popullatës dhe fëmijëve të pafajshëm palestinezë sot. Për këtë, pyesni më mirë mbi atë që i ndodhi fëmijës Muhamed Durre.

Në raste të tilla, si ajo që u ndodhi Benu Israilëve në Egjipt – por edhe ajo që u ndodh fëmijëve palestinezë sot – si ata edhe ne, shpeshherë mund të pyesim veten: “Përse, o Zot, u ndodh diçka e tillë? Përse o Zot e lejon këtë krim?! Përse nuk e ndal kriminelin dhe dorën gjakatare nga këto vepra?! Përse o Zot, nuk ndërhyn me ndëshkimin Tënd, që ta frenosh këtë egërsi?! Përse o Zot, nuk i ndëshkove teksa bënin krime kaq mizore?!”

Historia e Musait (a.s.) është e mbushur me vlera dhe koncepte, të cilat ne do të përpiqemi t’i nxjerrim në pah në çdo temë që do të trajtojmë.

Vlera, që nxjerrim nga sa përmendëm, është se Zoti e ka pajisur njeriun me natyrë të pastër (fitra), e cila e detyron atë ta dënojë dhunën dhe të keqen dhe të solidarizohet me të vuajturit. Zoti ka vendosur në zemrën e çdo njeriu një sistem alarmi, i cili aktivizohet, sa herë që konstaton padrejtësi dhe zullum.

Zoti thotë në Kuran: “Natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut.[4]

Kjo natyrë e pastër, që solidarizohet me të vuajturin dhe dënon zullumqarin, është diçka e pandryshueshme. Asaj nuk mund t’i bëhet transplant dhe të hiqet. Nuk ka zemër njeriu që e pranon zullumin, gjakderdhjen dhe dhunën. Ajo menjëherë reagon dhe kërkon të vendoset drejtësia. Kjo natyrë, fitra, sa më shumë që afrohet me të drejtën dhe rrugën e drejtë, aq më shumë relaksohet dhe qetësohet dhe anasjelltas, sa më shumë të konstatojë gjakderdhje dhe zullume, aq më shumë shqetësohet dhe tronditet. Kjo natyrë, fitra, është krijesë e Zotit, siç është syri, veshi, hunda etj…

Le t’i kthehemi sërish pyetjes tonë: “Përse nuk ndërhyri Zoti me një mrekulli, që të ndalonte dorën gjakatare dhe të ndërpritej vrasja e fëmijëve?”

Nëse do të ndodhte kjo, natyra e pastër, fitra, nuk do të kishte kuptim. Njeriu nuk do të kishte nevojë për një zemër dhe fitra të tillë, nuk do të kishte nevojë të reagojë kur konstaton padrejtësi dhe dhunë. Në vetvete, kjo fitra është një mrekulli e Zotit, ashtu si çdo mrekulli tjetër. Zoti dëshiron që ne të reagojmë në raste padrejtësish.

Zanafilla e çdo fitoreje, triumfi dhe suksesi, është pikërisht tek fitra e zgjuar, tek ajo fitra, që kërkon t’i thotë “jo” dhunës dhe zullumit.

Unë i bëj thirrje çdo lexuesi të këtyre rreshtave dhe i them:”Zgjoje fitran tënde!”

Kur kjo fitra filloi të zgjohej tek Benu Israilët, kur ata filluan të mendonin si t’i thonë “jo” gjakderdhjes, nënshtrimit dhe nëpërkëmbjes, Zoti dërgoi nga mesi i tyre një profet të fisshëm, me fitra të pastër dhe të zgjuar, me emrin Musa (a.s.).

Profeti Musa (a.s.) është prej profetëve, të cilëve Zoti u ka folur direkt, pa ndërmjetës. Ai është nga profetët e dashur tek Zoti. Ai është nga njerëzit e zgjedhur të Zotit, gjë të cilën Ai e ka deklaruar edhe në Kuran.

“Zoti tha: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët – me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë).

Profeti Musa (a.s.) është ai që Zoti e ka deklaruar se e do dhe përkujdeset për të. Zoti thotë në Kuran: “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim.

Është ai për të cilin Zoti thotë: “Unë të kam zgjedhur ty për Vete.”

Profeti Musa (a.s.) ishte model edhe për vetë profetin Muhamed (a.s.), kur dikush sillej keq me të. Në raste të tilla, ai thoshte:”Zoti e mëshiroftë vëllain tim Musanë! Ai është përballur me sjellje edhe më të këqija, megjithatë i përballonte me durim.”

Zgjoje fitran tënde o vëlla dhe oj motër! Largoje prej saj pluhurin, që ka vite që e ka mbuluar dhe ia ka mjegulluar sensorët! Nëse dëshiron tregues për fitran e zgjuar, shihe nëse qetësohet me të vërtetën dhe të drejtën dhe shqetësohet dhe tronditet me zullumin dhe padrejtësinë, duke dashur ta ndryshojë realitetin.

Nëse fitra krejtësisht e zgjuar, do të vlerësohej me notën dhjetë, ti sa pikë i jep fitras tënde o vëlla dhe oj motër?

Fitra e Benu Israilëve ishte krejtësisht e fjetur dhe e mpirë, pasi edhe pse u thereshin fëmijët para syve, kishin frikë të reagonin dhe të kundërshtonin. Kurse profeti Musa (a.s.) nuk ishte i tillë. Siç do e shohim në temat e ardhshme, ai kishte fitran më të zgjuar, pra, meritonte dhjetë pikëshin. Po ti, sa e vlerëson fitran tënde? Plotësoje anketën e mëposhtme, që të shohësh sa të zgjuar e ke fitran:

1- Ndjej një energji, e cila më shpërthen nga brenda, sa herë shoh padrejtësi mbi kurrizin e dikujt tjetër. (Po……………Jo)

2 – Mendoj se jam ambientuar me padrejtësitë dhe nuk ka mbetur gjë, që më shtyn të reagoj. (Po……………Jo)

3 – Ndjej se e duroj padrejtësinë deri në njëfarë mase, por po u tejkalua kjo masë nuk mund të hesht. (Po…………Jo)

4 – Shpeshherë, ndjej një barrierë të brendshme, e cila e refuzon padrejtësinë dhe më shtyn drejt vlerave, që nuk mendoja se gjenden tek unë. (Po…………Jo)

5 – Ndjej se tek çdo njeri ekziston një forcë, e cila e shtyn të përballet me të keqen në kohën e përshtatshme. (Po………..Jo)

6 – Nuk ndjej asgjë brenda meje kur ballafaqohem me padrejtësi. Më duket sikur gjithçka brenda meje ka vdekur. (Po…………….Jo)

7 – Mendoj se është urtësi që njeriu t’i pranojë të gjitha format e padrejtësisë, sido dhe sado të mëdha qofshin dhe të presë që dikush tjetër ta ndihmojë. (Po…….Jo)

8 – Mendoj se forca, e cila i shtyn njerëzit të reagojnë kur u bëhet padrejtësi, është një forcë, që Zoti ua ka falur vetëm profetëve. (Po……….Jo)

9 – Çuditem me këta që zotërojnë sistem alarmi të brendshëm, i cili e refuzon padrejtësinë dhe menjëherë ndërmarrin masa për t’u përballur me të. (Po……Jo)

10 – Njerëzit më etiketojnë si njeri të durueshëm dhe të përmbajtur, por në raste të caktuara habiten nga reagimi im ndaj padrejtësive, që bëhen ndaj personalitetit tim, ose ndaj kujtdo tjetër, me të cilin kam lidhje. (Po………..Jo)

11 – Jam përballur me forma të ndryshme padrejtësie dhe më kanë parë sytë shumë gjëra, por nuk kam reaguar fare. (Po…………..Jo)

12 – Mendoj se njeriu e ka në natyrë refuzimin e të keqes, prandaj unë reagoj menjëherë që ta largoj. Ndjej sikur diçka më shtyn. (Po…………Jo)

13 – Mendoj se e dalloj të mirën nga e keqja nga një ndjenjë e brendshme. Kjo ndodh edhe nëse nuk zotëroj informacionin e duhur. (Po……….Jo)

14 – Mendoj se jemi mësuar me të keqen, gjë e cila është bërë pjesë e pandarë e të mirës. (Po…………..Jo)

15 – Një herë, më ndodhi që reagova me gjithë kapacitetin tim, për të vënë në vend një padrejtësi. Nuk e dija më parë se zotëroj forcë të tillë. (Po…………..Jo)

16 – Interesi dhe përpjekja për një jetë sa më luksoze e kanë fishkur aftësinë tonë për të dalluar të mirën nga e keqja. Tashmë si e mira, ashtu dhe e keqja, janë njëlloj për ne. (Po……………Jo)

Llogaritja e pikëve:

Çdo fjali vlerësohet me një pikë, duke mos harruar se disa fjali vlerësohen me një pikë nëse përgjigja është “Jo”.

Fjalitë që vlerësohen me pikë nëse përgjigja është “Po” janë ato me numër: 1, 3, 4, 5, 10, 12, 13, 15.

Kurse fjalitë, të cilat vlerësohen me pikë nëse përgjigja është “Jo” janë ato me numër: 2, 6, 7, 8, 9, 11, 14, 16.

Niveli i vlerësimit:

Nëse grumbullon nga një deri gjashtë pikë, dije se fitra jote ka nivel të ulët reagimi.

Nëse grumbullon nga shtatë deri në dymbëdhjetë pikë, fitra jote është në kufijtë e mesatares.

Nëse grumbullon nga trembëdhjetë deri në gjashtëmbëdhjetë pikë, fitra jote është në nivelin më të lartë.

Brenda një kohe të shkurtër, numri i fëmijëve të therur nga ushtarët e faraonit, filloi të rritej frikshëm. Benu Israilët filluan të pyesnin banorët e lagjes tjetër çifute, nëse kjo u ndodhte edhe atyre dhe konstatuan se edhe atje ishin therur dhjetë foshnje meshkuj gjer atëherë. Të gjendur në një situatë të tillë, ata vendosën të organizonin një funeral të përbashkët dhe përkujtimore për të gjithë foshnjat e therura. Imagjinojini për pak çaste nënat, të cilave u ishin therur foshnjat e tyre! Ata nuk e dinin përse u kishte ndodhur kjo gjëmë, çfarë fshihej pas këtij krimi mizor dhe çfarë i kishte shtyrë.

Autor: Amër Halid

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Taha: 39.

[2] – Sure Taha: 41.

[3] – Sure A’raf: 144.

[4] – Sure Rum: 30.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.