Objekti i shkencës së Usul Fikhut

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Objekti i shkencës së Usul Fikhut është sqarimi i metodologjisë që ndjek muxhtehidi gjatë procesit të Ixhtihadit për nxjerrjen e ligjeve dhe dispozitave praktike të zbatueshme, në mënyrë që ky proces të jetë në përputhje me parimet dhe normat juridike. Kështu, muxhtehidi i kushton rëndësinë e duhur burimeve sheriatike, hierarkisë së tyre, kushteve të ixhtihadit, rregullave gjuhësore, kritereve të epërsisë së një argumenti ndaj një tjetri, dallimit të dobisë dhe dëmit, objektivave të Sheriatit, etj.([1])

Objekti i kësaj shkence janë burimet e Sheriatit dhe ligjet sheriatike. Pra, janë burimet sheriatike që mundësojnë përftimin e ligjve dhe dispozitave praktike sheriatike, janë llojet e burimeve sheriatike dhe hierarkia e tyre, janë metodologjitë e përftimit të ligjeve sheriatike, të cilat janë fryt i këtyre burimeve.([2]) Objekti i kësaj shkence është argumenti sheriatik universal, që ka si rezultat një pohim juridik universal. P.sh: Kurani është burimi themelor dhe bazë për ligjet sheriatike, mirëpo tekstet e tij ligjësuese nuk janë të një niveli dhe gjendjeje: disa prej tyre janë në urdhërore, disa prej tyre janë ndaluese, disa prej tyre janë gjithëpërfshirëse, disa prej tyre janë të pakufizuara, disa prej tyre janë të specifikuara. Përveç këtyre kemi edhe lloje të tjera gjendjesh, që i referohen këtij burimi të përgjithshëm, pra Kuranit.

Usulisti i hulumton me detaje të gjitha këtë lloje, duke iu referuar mekanizmave të gjuhës arabe dhe përdorimit sheriatik të fjalëve të arabishtes, ndërsa më pas del në një pohim universal. Pas studimit të mirëfilltë, ai del në konkluzione universale, si: urdhëri imperativ obligon kryerjen e veprës, urdhëri ndalues obligon moskryerjen e veprës, etj.([3])

Për ta përmbledhur, objekti i shkencës së Usul Fikhut përfshin burimet sheriatike të përgjithshme, të cilat shëmbëllejnë me pemët frutore; janë ligjet sheriatike që shëmbëllejnë më frytet e parashikuara; janë domethëniet e burimeve sheriatike, që shëmbëllejnë me mjetet që mbledhin frutat; janë tiparet dhe kushtet e muxhtehditi që shëmbëllejnë me mbledhësin e fryteteve; pasuesi dhe zbatuesi i ligjeve sheriatike që shëmbëllen me ngrënësin e frytave të mbledhura”.([4])

Përsa i përket çështjeve, prej të cilave nuk ka dobi konkrete, ato nuk janë objekt i kësaj shkence, megjithëse janë përfshirë në të. Shatibiu thotë: “Çdo çështje që përmendet në këtë shkencë dhe mbi të cilën nuk ndërtohet një ligj praktik juridik, apo etikë sheriatike, apo nuk ndihmon në konkretizimin e njërës prej tyre, konsiderohet e panevojshme. Kjo shkencë është zhvilluar për të lulëzuar Fikhun dhe për të konkretizuar Ixhtihadin në të. Nëse nuk e përmbush këtë qëllim, nuk mund të konsiderohet bazë e Fikhut”.([5])

Autor: Rushit Musallari

By: ardhmëriaonline.com

([1]) –  Salimi, “Mealimûn fi Usûli`l-Fikhi`l-Islami”, f. 35.

([2]) –  Sipas dijetarëve të medhhebit maliki, shafi dhe hanbeli, objekti i Usul Fikhut janë vetëm katër burimet sheriatike: Kurani, Suneti, Ixhmaja dhe Kijasi, ndërsa sipas dijetarëve hanefi dhe disa dijetarëve të medhhebeve tët tjera, objekti i Usul Fikhut janë burimet sheriatike dhe ligjet sheriatike. Për më shumë shiko: Rashid, “Khulâsatu Ilmi Usûli`l-Fikh”, f. 44; Esadi, “El-Mûxhezu fî Usûli`l-Fikh”, f. 15.

([3]) –  Khalaf, “Ilmu Usûli`l-Fikh”, f. 8.

([4]) – Abdullah, “Usûlu`l-Fikhi`l-Islâmî”, f. 27-28.

([5]) –  Shatibiu, “El-Muvâfekât”, vëll, f. 1, f. 21, botimi i parë i Dar ibnul Xheuzi, Kajro, 2013; Khuderiu, “Usûlu`l-Fikh”, f. 16;

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *