Kam hasur shumë raste që njerëzit ankohen dhe kërkojnë këshillë për ndryshimet e humorit, ndryshimin e shijeve dhe roleve në jetë kur arrijnë moshën dyzetvjeçare.
Kur flas me ta për disa nga shenjat dhe dukuritë, ata më thonë: Po, pikërisht kështu ndihemi. Atëherë u them: Këto janë ndjenja që i përjetojnë shumica e njerëzve dhe psikologët i quajnë “kriza e moshës së mesme”, ndërsa Kurani e quan “faza e falënderimit”.
Këto ndjenja mund ta shoqërojnë njeriun kur arrin mesin e jetës.
Dje erdhi një burrë dhe po më fliste për ndryshimin që po ndiente në veten e tij. I thashë: “Më lër të të përshkruaj ty vetë: ti ndien mërzitje nga jeta, ndien pakënaqësi ndaj bashkëshortes, fëmijëve dhe punës tënde, madje ndonjëherë arrin deri aty sa të mos jesh i kënaqur as me trupin, veten dhe qenien tënde.”
Ai më pa i habitur dhe më tha: “E vërtetë… si e di këtë?”
I thashë: “Më lër të vazhdoj: ndonjëherë ndihesh sikur je i moshuar.”
Ai tha: “Saktë. Kam filluar ta ndiej këtë para rreth një viti, megjithëse ende jam i ri; jam vetëm dyzet e dy vjeç.Por çudia është se kam filluar t’i dëgjoj të njëjtat ndjenja edhe nga bashkëshortja ime. Ajo tani është tridhjetë e tetë vjeçe dhe ka filluar të dëshirojë të shpenzojë shumë para.”
I thashë: “Kjo është e vërtetë.” Këtë fazë e kalojnë si burrat ashtu edhe gratë dhe ndiejnë të njëjtat emocione. Nga shenjat e saj është se njeriu dëshiron të blejë gjëra që e bëjnë të ndihet më i ri, si për shembull një makinë apo biçikletë sportive ose rroba rinore.
Ndonjëherë të vjen një dëshirë e fortë për ta ndryshuar jetën, por nuk di si ta bësh këtë ndryshim. Ndonjëherë të shoqëron një lloj depresioni, dëshpërimi, pagjumësie, dhe fillon të mendosh për ndryshimin e zakoneve ushqimore.
Disa njerëz në këtë moshë ndiejnë një prirje të fortë drejt dashurisë për trashëgiminë dhe kujtimet e vjetra; lexojnë libra historie dhe mallëngjehen për të kaluarën… e të gjitha këto janë shenja të kësaj faze.
Ai tha: “Kam filluar të ndiej më pak nevojë për gjumë dhe më shumë energji e aktivitet, ndërsa bashkëshortja ime fle shumë dhe ankohet për mungesën e shoqeve.”
I thashë: “Sepse kjo lidhet me ndryshimet hormonale të kësaj faze moshe ose me ndryshimin e stilit të jetës. Ndodh që të dalësh në pension dhe të mos kesh më një punë me të cilën merresh, prandaj të vijnë këto ndjenja. Ose mund të të ketë ndodhur një ndryshim në jetën tënde, si vdekja e njërit apo të dy prindërve, gjë që të bën të ndiesh trishtim dhe dhimbje.”
Mes moshës njëzet dhe dyzet vjeç njeriu zakonisht është i zënë me martesën, fëmijët, studimet dhe punën. Kur fëmijët rriten dhe ti i ke arritur synimet për sigurimin e së ardhmes së familjes, atëherë ndien zbrazëti dhe fillon të mallëngjehesh për të kaluarën dhe jetën me miqtë.
Tha: “Por pyetja më e rëndësishme është: si të merrem me veten në këtë fazë?”
I thashë: “Ka hapa shëndetësorë, të tjera planifikues dhe shpirtërorë apo imanorë.”
Sa i përket anës shëndetësore, duhet të kontrollosh hormonet për t’u siguruar për gjendjen tënde shëndetësore dhe të kujdesesh për shëndetin përmes një programi sportiv dhe një regjimi ushqimor të shëndetshëm.
Ndërsa nga ana planifikuese, duhet të shkruash objektivat e tua dhe atë që dëshiron të arrish në jetë, qoftë në aspektin shoqëror, shkencor, shëndetësor apo fetar.
Më e rëndësishmja është që të mendosh dhe të planifikosh për një projekt që vazhdon edhe pas vdekjes tënde, në mënyrë që të të jetë sadaka rrjedhëse.
Në këtë fazë përpiqu të mbash lidhje me miqtë e vjetër dhe të fitosh miq të rinj, sepse ata të japin mbështetje dhe ngrohtësi në jetë.
Përpiqu gjithashtu të rrish shpesh vetëm me veten, sepse lidhja me vetveten në këtë periudhë është shumë e rëndësishme. Meditimi dhe reflektimi të ndihmojnë të sistemosh mendimet e tua dhe të motivojnë për një fillim të ri.
Ndërsa sa i përket anës shpirtërore dhe të besimit, Kurani e ka përmendur këtë fazë në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!.”
Prandaj kjo fazë është quajtur në Kuran “faza e falënderimit” dhe jo siç e quajnë psikologët
“kriza e gjysmës së jetës”, sepse ajo është një mirësi dhe jo një krizë.
Falënderimi është i nevojshëm, sepse në këtë fazë njeriu përjeton frikëra të shumta, si frika nga vdekja, sëmundja, pleqëria, paraqitja, ose frika se nuk do t’i realizojë qëllimet e tij. Kjo mund të sjellë një konflikt të brendshëm në sjelljen e tij.
Disa njerëz madje mendojnë për divorc, poligami, ose devijim dhe rënie në mëkate. Prandaj, kur njeriu hyn në këtë fazë, duhet të sillet me veten me urtësi dhe të përdorë “ilaçet kuranore” që janë katër: durimi, falënderimi, pendimi dhe lutja.
Këto janë trajtimi kuranor dhe shpirtëror për këto ndjenja natyrore të çdo njeriu, përveç metodave që përmendëm më parë për t’u përballur me këto emocione.
Autor: Xhasim Mutava
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com



















