Para se të lexosh këtë artikull timin, të ftoj vëlla lexues që të hapësh Mus’hafin tënd te ajetet nga 243 deri në 251 të sures El-Bekare. Lexoji dhe medito mbi to; do të ndjesh sikur ato kanë zbritur pikërisht tani në lidhje me ngjarjet e Gazës.
Është një histori krahasuese mes dy popujve, të dy të dobët, që kanë përjetuar vrasje, shpërngulje, poshtërim dhe nënçmim.
I pari zgjodhi sigurinë dhe ikjen, duke braktisur vendin e tij. Tokën e tij e konsideroi të pavlerë, dhe kush e nënçmon tokën e tij, i nënçmohet edhe dinjiteti dhe ekzistenca e tij. Ishin frikacakë, edhe pse ishin me mijëra; nuk u mungonin burrat, por u mungonte burrëria:
“A nuk i ke parë ata që dolën nga shtëpitë e tyre, dhe ishin me mijëra, nga frika e vdekjes? Allahu u tha: Vdisni, pastaj i ringjalli.”
I dyti deshi çlirimin, dhe kush kërkon çlirim zgjedh përballjen. Prandaj vendosi të përballet dhe nuk hoqi dorë nga toka, historia dhe e drejta e tij:
“A nuk i ke parë parinë e bijve të Izraelit pas Musait, kur i thanë profetit të tyre: Na cakto një mbret që të luftojmë në rrugë të Allahut.”
Por zgjedhja e përballjes dhe luftës, edhe pse është rruga e çlirimit, nuk është e shtruar me lule, por kërkon sakrifica, gjakderdhje, durim pa lodhje dhe vullnet që nuk thyhet.
Njerëzit që ngjiten mbi shkallët e luftës janë të shumtë, dhe ata që flasin për atdhedashuri edhe më të shumtë, por të paktë janë ata që durojnë vështirësitë dhe tregohen të sinqertë kur vjen momenti i përballjes.
“Ai tha: A nuk do të ndodhë që, nëse ju urdhërohet lufta, të mos luftoni?”
Po, ka dallim mes fjalës dhe veprës, mes pretendimit dhe provës. Të shumtë janë ata që flasin, por të paktë ata që durojnë dhe e përmbushin premtimin kur vjen momenti.
Kështu shumica u tërhoqën dhe u kthyen mbrapsht:
“Kur u urdhërua lufta, u kthyen përveç një pakice prej tyre.”
Por nuk ka problem nëse shumica e njerëzve tërhiqen nga përpjekja; fitorja kërkon vendosmëri para numrit, dhe përgatitje para armëve. Faqet e fitores i shkruajnë ata me vendosmëri të sinqertë, edhe nëse janë pak.
Kur erdhi momenti i përballjes dhe u zbuluan realitetet në fushë, disa filluan të bënin krahasime dhe të flisnin për “balancën e forcave”, me dyshim dhe pasiguri, duke thënë:
“Sot nuk kemi fuqi ndaj Xhalutit dhe ushtrisë së tij.”
Por grupi i besimtarëve të durueshëm, themeli i ngritjes dhe shkëndija e fitores, thanë me besim:
“Sa herë një grup i vogël ka triumfuar mbi një grup të madh me lejen e Allahut, dhe Allahu është me të durueshmit.”
Dhe vërtet, fitorja u realizua.
Këto ajete kanë zbritur më shumë se 1400 vjet më parë dhe do të mbeten deri në Ditën e Kiametit si dritë udhëzuese për popujt e shtypur që kërkojnë çlirim nga padrejtësia dhe tirania.
Dhe sot i shohim ato të mishëruara te populli i Gazës, besimtarë dhe të durueshëm, të cilët nuk zgjodhën ikjen dhe braktisjen e tokës, por zgjodhën rrugën e përballjes dhe çlirimit, pavarësisht vështirësive, dhimbjes, lotëve dhe gjakut.
Por ende ka nga ata që zgjedhin ikjen dhe i dorëzojnë pushtuesit me poshtërim; ende ka nga ata që tërhiqen kur vjen momenti i përballjes; dhe ende ka nga ata që thonë: “Nuk kemi fuqi kundër Beni Israilëve dhe ushtrisë së tyre!”
Ata justifikohen herë me pabarazinë e forcave — por kur në histori luftërat e çlirimit kanë qenë ndonjëherë të barabarta në forcë? Përndryshe nuk do quheshin luftëra çlirimi!
Dhe herë tjetër justifikohen me numrin e të vrarëve dhe të plagosurve, sikur rruga e çlirimit të jetë pa sakrifica, dhe sikur liria fitohet duke qëndruar si spektator.
Ndërsa përballë tyre është një grup besimtarësh të durueshëm, të cilët nuk i dëmton braktisja e të tjerëve dhe motoja e tyre është:
“Sa herë një grup i vogël ka triumfuar mbi një grup të madh me lejen e Allahut.”
Autor: Ebu Bekër Xhunejd
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















