Një mesazh zemre nga toka dhe njerëzia e sprovuar me tërmetin e dt 06.02.2023, Antakia & Kahraman Marash, Turqi.
Selam alejkum we rahmetullahi we berekatuhu të dashur e të nderuar vëllezër dhe motra.
Tërmeti, si term dhe si koncept, i përket një kategorie të veçantë, madje të jashtëzakonshme.
Bëhet akoma dhe më shumë i veçantë e i jashtëzakonshëm gjatë përpjekjes për ta perceptuar, siç po bëjmë unë dhe vëllezërit e mi, bashkëudhëtarë e bashkëpunëtorë, të përcjellë për në këto vende, nga kontributet tuaja fisnike dhe duatë tuaja të sinqerta, gjatë këtyre 2-3 ditëve, përmes vizitave të realizuara në qytetet e dëmtuara rëndë nga tërmeti, Antakia & Kahraman Marash.
Kurse përjetimi i tërmetit, me këto përmasa, i bie të jetë komplet gjë tjetër.
Të përshkruash situatën, me detaje, nuk ia vlen. Nuk ia vlen sepse çfarëdo të them nuk arrin në thellësinë e përjetimit. Lëre që vet koncepti, po ashtu dhe videot e ndryshme nga terreni, flasin shumë më tepër se përshkrimi im.
Nëse ndonjëri realisht dwshiron të dijë më shumë detaje, i mjafton fakti i mijëra të vdekurve, informacion që e kemi të gjithë, por edhe fakti i një infrastrukture të shkatërruar totalisht, veçanërisht në Antakia.
Por…
Por…, kjo pjesës leksikore, në këtë rast nuk luan thjesht rolin e shpëtimtarit retorik, përkundrazi bën një transferim të madh drejt disa fakteve tjera shumë të rëndësishme… .
Puna për të rregulluar e asfaltuar rrugët, puna për të pastruar vendin nga rrënojat, bashkëpunimi i njerëzve me institucionet, e gjitha kjo, dhe jo vetëm, tregon se tashmë bashkëveprimi me sprovën duket normal, edhe pse goditja e parë, përfytyrohet se ka qenë e tmerrshme.
Vullnetarizmi duket ashiqare. Ngritja e kampeve, në shumë vende ku është e nevojshme, angazhimi shumë serioz i OJF-ve të ndryshme, dallon IHH, përpjekja këmbëngulëse për t’iu gjendur në kohë rekord me ushqim dhe me strehë, edhe kjo është e dukshme në terren. Vullnetarët në momente të caktuara dalin edhe për të orientuar trafikun, dhe jo vetëm tek kampet e strehimit.
Nuhatet dhe kuptohet gjithashtu se anarshia dhe spontaniteti në monitorimin e situatës në terren, ka shumë pak apo aspak hapësirë. Përkundrazi monitorimi duket se bëhet me plan nga institucionet përkatëse, gjë që njerëzisë i jep goxha siguri.
Ishim të detyruar të falim namazin e iqindisë në një kuadrat të posaçëruar, pranë një kampi. Vëmendjen na e tërhoqi ezani që po bëhej mu aty… . Mesazhi u duk i qartë: këta njerëz sprova nuk i kishte bërë të harrojnë veten… .
Me këta njerëz shkëmbyem shumë selame, por folëm me njëri-tjetrin edhe me shikime, të cilat shumë shpesh na thonin: Faleminderit për vizitën, sprova është realisht e madhe, por do t’ia dalim inshallah, nuk jemi vetëm, sepse kemi me vete Atë që është I Vetëm. Kështu na priti edhe drejtori i IHH, në Antakia, Arkadash Zekiu, të cilit i kishte vdekur i ati nën rrënoja. E kur kolegut të tij i shpërthyen lotët, ai i kthehet; Abiii, ne jem razi me caktimin e Allahut.
“Era shtet”, vjen edhe në këto vise skajore të tokës turke, me popullsi me shumicë arabe, në kufi ne Sirinë, dhe kuptohet qartë se një nga begatitë e solidaritetit real të popullit dhe shtetit turk me popullin sirian, qenka përvoja e fituar në menaxhimin e krizave dhe sfidave të përmasave të tilla.
Ju kërkoj leje, të dashur vëllezër dhe motra, të ndaj me ju edhe një mesazh që ma dha lumi Sajhun, i mbuluar me rrënoja nga të dy anët, objekte që deri para 10 -tw ditësh, mbase, e kanë zbukuruar.
Kjo pamje me foli shumë… .
Më tha: “Sa krenar isha dje, e sa i përulur jam sot.
Sa i bukur isha dje, e sot nuk jam më i tillë.
Ku i dihet, mbase paqëndrueshmëria e dynjasë e bën atë dhe më me kuptim, por nevoja e madhe për kuptimin e këtyre ngjarjeve të këtyre përmasave e të këtyre pasojave kapërcen me distanca shumë të largëta këtë interpretim mitik sizivist… .
Mu tek dy brigjet e mia, dhe jo vetëm, empirizmi me “gjthçkanë” e tij, dështoi së dhëni kuptim… .”
Këtë më tha Sajhuni.
E pas këtij komunikimi me Sajhunin, para se të largohem, më tha:”Hej, ti udhëtar, drejt Rabilalemin, edhe diçka tjetër: mos u shqit së thelluari në “Fatiha-në”, “Elhamdu Lilahi Rabilalemin, Errahmani Rrahim, Maliki Jeumiddin”
E në fund, e ndjej se duhet theksuar, se realisht e bëmë mirë që erdhëm dhe i vizituam, këto toka e këtë njerëzi të “sprovuar”, brenda kufirit të Turqisë, siç duhet theksuar se në raste të tilla, dhe jo vetëm, vizitori përfiton shumë më tepër se i vizituari dhe kontribuesi përfiton shumë më tepër se i sprovuari.
Faleminderit vëllezër dhe motra, që ishit me ne, e na përcollët, me kontributet tuaja e me duatë tuaja. Allahu i pranoftë kontributet tuaja dhe duatë tuaja. Allahu ua lehtësoftë të sprovuarve në Turqi e Siri. Amin
Kryetari Shoqatës Kulturore Ardhmëria: Sabaudin JASHARI