Shenjat e Kiametit: Vdekja e profetit (a.s) është një prej fatkeqësive më të mëdha

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me të vërtetë, Ora (Kiameti) do të vijë, për këtë nuk ka asnjë dyshim, dhe Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre. Pjesa e mbetur nga jeta e kësaj bote, në krahasim me atë që ka kaluar prej saj, është e vogël – madje shumë e vogël.

Abdullah ibn Omeri (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke qëndruar mbi minber dhe duke thënë: “Qëndrimi juaj në krahasim me popujt që kanë qenë para jush është si koha ndërmjet namazit të ikindisë dhe perëndimit të diellit.”[1]

Halid ibn Umejr el-Adevij ka thënë: Utbe ibn Gazavan na mbajti një hytbe. Ai e falënderoi Allahun dhe e lavdëroi Atë, pastaj tha: “Me të vërtetë, kjo botë ka lajmëruar për përfundimin e saj – për ndërprerjen dhe shuarjen e saj – dhe është larguar me shpejtësi. Prej saj nuk ka mbetur veçse një mbetje e vogël, si ajo që mbetet në fund të një ene, të cilën e mbledh i zoti i saj. Ju do të kaloni prej saj në një shtëpi që nuk ka zhdukje, prandaj kaloni atje me më të mirën që keni në praninë tuaj. Na është përmendur se një gur hidhet nga skaji i Xhehenemit dhe bie në të për shtatëdhjetë vjet pa arritur fundin e tij. Pasha Allahun, ai do të mbushet! A po çuditeni? Na është përmendur gjithashtu se distanca ndërmjet dy kanateve të një dere prej dyerve të Xhenetit është sa ecja për dyzet vjet, dhe do të vijë një ditë kur ajo do të jetë e mbushur plot nga turma e njerëzve.

E kam parë veten si i shtati ndër shtatë veta me të Dërguarin e Allahut (a.s) , dhe nuk kishim ushqim tjetër përveç gjetheve të pemëve, derisa na u plagosën cepat e gojëve. Njëherë gjeta një mantel dhe e ndava mes meje dhe Sa’d ibn Malik; u mbështolla me gjysmën e tij dhe edhe Sa‘di u mbështoll me gjysmën tjetër. Sot nuk ka mbetur asnjë prej nesh veçse është bërë prijës mbi një qytet prej qyteteve. Dhe unë kërkoj mbrojtje te Allahu që të jem i madh në sytë e vetes sime, por i vogël tek Allahu. Nuk ka pasur kurrë profetësi që të mos pasohej (me kalimin e kohës) nga një sistem mbretëror; dhe ju do t’i njihni dhe do t’i provoni sunduesit pas nesh.”[2]

O vëllezër të nderuar! Allahu i Lartësuar e ka fshehur nga të gjitha krijesat e Tij çastin e Orës dhe e ka bërë atë prej veçorive të dijes së Tij. Ai nuk ia ka zbuluar atë askujt prej robërve të Tij , as ndonjë engjëlli të afërt dhe as ndonjë profeti të dërguar. I Lartësuari thotë: “Të pyesin ty për Orën: kur do të ndodhë ajo? Thuaj: Dijen për të e ka vetëm Zoti im. Askush përveç Tij nuk e shfaq atë në kohën e saj. Ajo është e rëndë në qiej dhe në tokë. Ajo nuk ju vjen veçse papritur. Të pyesin sikur ti je i informuar hollësisht për të. Thuaj: Dijen për të e ka vetëm Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”

Por Allahu i Madhëruar deshi t’i njoftojë krijesat e Tij për shenjat, treguesit dhe paralajmërimet e saj. Këto shenja kanë filluar të shfaqen dhe të pasojnë njëra-tjetrën pas dërgimit të hazretit tonë Muhammedit (a.s), i cili është shenja e parë e Kiametit.

Shenja e parë e Orës është dërgimi i tij (a.s), sepse ai është i fundit i profetëve dhe i dërguarve; pas tij nuk ka më profet. Pas tij vjen vetëm Kiameti, ashtu siç gishti tregues pasohet nga gishti i mesit. Ky është kuptimi i fjalës së tij (a.s): “Jam dërguar unë dhe Ora si këta dy”, – dhe bashkoi gishtin tregues me gishtin e mesit.”[3]

Nga shenjat e Orës është vdekja e të Dërguarit të Allahut (a.s)

O vëllezër të nderuar! Nga shenjat dhe treguesit e Orës është vdekja e hazretit tonë, të Dërguarit të Allahut (a.s), siç ka ardhur në hadithin fisnik nga Auf ibn Malik, i cili ka thënë: “Shkova te Profeti (a.s) në betejën e Tebukut, ndërsa ai ishte në një çadër prej lëkure. Ai tha: “Numëro gjashtë gjëra para Orës: vdekja ime; pastaj çlirimi i Bejtul-Makdisit; pastaj një vdekje masive që do t’ju godasë si sëmundja e deleve (një sëmundje që i kap delet, u rrjedh diçka nga hundët dhe vdesin papritur); pastaj përhapja e pasurisë, derisa një burri t’i jepen njëqind dinarë dhe ai përsëri të mbetet i pakënaqur; pastaj një fitne që nuk do të lërë asnjë shtëpi arabe pa hyrë në të; pastaj një armëpushim mes jush dhe Benu el-Asfarit (bizantinëve), por ata do të tradhtojnë dhe do t’ju vijnë nën tetëdhjetë flamuj, nën çdo flamur dymbëdhjetë mijë (ushtarë).”[4]

Vdekja e tij  (a.s) është prej fatkeqësive më të mëdha

O vëllezër të nderuar! Vdekja e hazretit tonë, të Dërguarit të Allahut (a.s), ka qenë prej fatkeqësive më të mëdha që i goditi muslimanët. Me të, bota u errësua në sytë e sahabëve fisnikë (Allahu qoftë i kënaqur me ta), pasi më parë ishte ndriçuar me të (a.s), pas dërgimit të tij dhe pas hixhretit të tij në Medinën e Ndritur.

Enes ibn Maliku (r.a) ka thënë: “Kur erdhi dita në të cilën i Dërguari i Allahut (a.s) hyri në Medinë, çdo gjë në Medinë u ndriçua. Ndërsa kur erdhi dita në të cilën ai (a.s) ndërroi jetë, çdo gjë në Medinë u errësua. Dhe sapo mbaruam me varrimin e tij, ne e ndjemë se zemrat tona kishin ndryshuar.”[5]

Ibn Haxher Askalani (r.h) thotë: “Kjo do të thotë se ata i gjetën zemrat e tyre të ndryshuara nga ajo që kishin njohur në jetën e tij – nga harmonia, pastërtia dhe butësia – për shkak të humbjes së asaj me të cilën ai i furnizonte nga mësimi dhe edukimi.”

O vëllezër të nderuar! Me vdekjen e hazretit tonë, të Dërguarit të Allahut (a.s), përfundoi profetësia, u ndërpre shpallja nga qielli dhe u ngrit njëra prej dy sigurive (mbrojtjeve). Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk do t’i dënojë ata përderisa ti je në mesin e tyre, dhe Allahu nuk do t’i dënojë ata përderisa ata kërkojnë falje.”

Ai (a.s) ishte siguri për njerëzimin; me të (a.s) largoheshin ndëshkimet, sprovat dhe fatkeqësitë.

Abdullah ibn Abasi (r.a) ka thënë në lidhje me fjalën e të Lartësuarit: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty veçse si mëshirë për botët”: “Kush beson në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, atij i plotësohet mëshira në këtë botë dhe në botën tjetër. Ndërsa kush nuk beson në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, ai është ruajtur nga ajo që i godiste popujt e mëparshëm në këtë botë prej dënimeve si fundosja në tokë, shndërrimi (në krijesa të tjera) dhe goditja me gurë nga qielli; dhe kjo është mëshira në këtë botë.”[6]

Fikhu i Ummu Ejmenit

O vëllezër të nderuar! Ummu Ejmen, ishte shërbyesja (e liruar) e hazreti tonë, të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe dadoja e tij. Ai e trashëgoi atë nga babai i tij dhe e liroi kur u martua me Hatixhen (a.s) qoftë i kënaqur me të). Kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut (a.s), ajo qante me lot të hidhur për humbjen e tij (a.s).

Enes ibn Malik (r.a) ka thënë: Ebu Bekri (r.a)  pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s), i tha Omer ibn Hatabit: “Eja të shkojmë te Ummu Ejmeni ta vizitojmë, ashtu siç e vizitonte i Dërguari i Allahut  (a.s).” Kur arritën tek ajo, ajo filloi të qajë. Ata i thanë: “Çfarë të bën të qash? Ajo që është tek Allahu është më e mirë për të Dërguarin e Tij  (a.s).” Ajo tha: “Nuk po qaj sepse nuk e di se ajo që është tek Allahu është më e mirë për të Dërguarin e Tij (a.s) , por po qaj sepse shpallja është ndërprerë nga qielli.”Kjo fjalë i preku të dy dhe i nxiti në lot, dhe ata filluan të qanin bashkë me të.”[7]

Përfundim

O vëllezër të nderuar! Largimi i hazretit tonë, të Dërguarit të Allahut  (a.s), nga kjo botë është paralajmërim për fundin e kësaj bote dhe fillimin e botës tjetër. A ka vallë prej nesh kush që e shfrytëzon Kuranin Madhështor, i cili është shpallja e fundit që Allahu i Lartësuar ua zbriti robërve të Tij?

Ummu Ejmen (r.a) qau për ndërprerjen e shpalljes nga qielli. Po a ka ndër ne kush që qan për mungesën e lidhjes së tij me Librin e Zotit të vet, të Madhëruar e të Lartësuar?

Ummu Ejmeni qau, sepse ajo kishte dëgjuar fjalën e Allahut të Lartësuar: “Allahu e ka zbritur fjalën më të bukur, një Libër të ngjashëm (në harmoni e përsosmëri), të përsëritur herë pas here; prej tij rrëqethen lëkurat e atyre që i frikësohen Zotit të tyre, pastaj zbuten lëkurat dhe zemrat e tyre drejt përmendjes së Allahut. Ky është udhëzimi i Allahut, me të cilin Ai udhëzon kë të dojë; e kë Allahu e lë në humbje, për të nuk ka udhëzues.”

Cila është pra lidhja jonë me Fjalën më të Bukur?

Profeti (a.s) i tha Abdullah ibn Mesudit (r.a): “Lexomë Kuranin.” Ai tha: “A të ta lexoj ty, ndërkohë që ty të është zbritur?” Ai (a.s) tha: “Unë dua ta dëgjoj nga dikush tjetër.” Atëherë ai i lexoi Suren Nisa, derisa arriti te fjala e të Lartësuarit: Si do të jetë atëherë kur Ne do të sjellim nga çdo popull një dëshmitar dhe do të të sjellim ty dëshmitar mbi këta? Ai  (a.s) tha: “Mjafton.” Dhe sytë e tij rridhnin lot.”[8]

A nuk duhet të ulemi në këtë çast, në këtë kohë sprovash, ashtu siç u ul Ummu Ejmeni (r.a), duke qarë për ndërprerjen e shpalljes nga qielli?

O Allah, na jep sukses në atë që të kënaq Ty prej nesh. Amin.

Autor: Ahmet Sherif Na’san

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Buhariu.

[2] – Muslimi.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.

[4] – Buhariu.

[5] – Ahmedi dhe Tirmidhiu.

[6] – Bejhakiu në “Delail”.

[7] – Muslimi.

[8] – Buhariu dhe Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *