Qytetërimet përplasëse

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Janë qytetërimet që karakterizohen kryesisht nga përplasja dhe konflikti me të tjerët. Në të vërtetë, këto nuk do të duhej të quheshin fare “qytetërime”, por ne e përdorim këtë term në mënyrë figurative, për të paraqitur një pamje të një shoqërie të caktuar me tipare të veçanta. Ato mund të ndahen në dy lloje, ashtu siç i kemi klasifikuar edhe “qytetërimet e njohjes dhe bashkëjetesës”: ato mund të jenë ose përplasëse brenda vetes, ose përplasëse me të tjerët jashtë saj.

Sa u përket qytetërimeve që përplasen brenda vetes, ato janë qytetërime ku zhvillohet konflikt ndërmjet individëve të popullit të tyre ose ndërmjet vetë popujve të tyre. Ky është lloji më i rrezikshëm i përplasjes, sepse pasojat janë të rënda dhe plagët janë të thella. Kjo është ajo që njihet si luftë civile.

Shembuj të tillë i kemi parë në histori: në Jethrib ndërmjet fiseve Evs dhe Hazrexh para hixhretit të Profetit (a.s) drejt saj; në Romë para rënies së saj; si dhe në kohët bashkëkohore në Liban, Ruandë apo në atë që shohim sot në Irak.

Këto shoqëri zakonisht nuk arrijnë kurrë një stabilitet të vërtetë. Për këtë arsye, ato nuk kanë fuqi për përplasje të jashtme dhe zakonisht zhyten në problemet e tyre të brendshme.

Ndërsa lloji i dytë i qytetërimeve përplasëse janë qytetërimet që përplasen me të tjerët jashtë vetes. Këto zakonisht janë të bashkuara dhe të qëndrueshme nga brenda në një masë të madhe, gjë që u jep mundësinë të mendojnë për botën e jashtme. Por, fatkeqësisht, ky mendim është i shtrembëruar dhe çon në përplasje të vazhdueshme.

Përse këto qytetërime përplasen me të tjerët dhe nuk kërkojnë interesa të përbashkëta? Arsyeja zakonisht lidhet me një gjendje mendjemadhësie dhe arrogance të skajshme, e cila ua verbon shikimin ndaj të drejtave të pjesës tjetër të njerëzimit. Kjo mendjemadhësi vjen si pasojë e njërit prej dy shkaqeve, ose e të dyjave së bashku.

Shkaku i parë është teprimi në fuqi. Këtë e ka përmendur Allahu i Lartësuar në Kuran, kur rrëfen për një qytetërim përplasës, atë të popullit Ad, duke thënë: “Sa i përket fisit Ad, ata u treguan mendjemëdhenj në tokë pa të drejtë dhe thanë: ‘Kush është më i fuqishëm se ne?’”[1]

Siç kuptohet qartë nga ajeti, shkaku i mendjemadhësisë së tyre ishte fuqia e madhe që zotëronin.

Ndërsa shkaku i dytë është epërsia racore, domethënë kur një popull e sheh veten më të lartë në aspektin racor se të tjerët. Për këtë arsye, ata mendojnë se kërkimi i interesave të përbashkëta është cenim i të drejtave të tyre, sepse e konsiderojnë veten me vlerë më të madhe dhe me pozitë më të lartë; prandaj, sipas tyre, bota duhet t’u shërbejë atyre dhe të kujdeset për interesat e tyre.

Edhe pse ky botëkuptim është jashtëzakonisht i papranueshëm dhe i palogjikshëm, ai ekziston. Madje, disa popuj të botës janë karakterizuar nga kjo qasje gjatë shumë periudhave të historisë.

Një prej shembujve më të spikatur të qytetërimeve përplasëse me botën e jashtme është ajo që kemi parë në historinë e tatarëve. Ushtritë tatare u nisën nga Azia Lindore, duke depërtuar në shtetet e botës, duke shkatërruar çdo gjë që u dilte përpara dhe duke rrënuar çdo vend ku kalonin. Ato nuk kërkuan asnjëherë njohje, bashkëpunim apo komunikim me të tjerët; përkundrazi, synimi ishte shkatërrimi, përmbytja dhe zhdukja e qenies njerëzore.

Ky është një shembull i qartë i shpirtit të keq përplasës, i cili nuk njeh asgjë përveç shkatërrimit.

Autor: Ragib Serxhani

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Fussilet: 15.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *