Sa më e rëndë dhe më e vështirë të jetë një punë, aq më shumë nevojë ka njeriu që të përkushtohet për t’iu përgjigjur nivelit të asaj pune. Puna për fenë e Allahut të Lartësuar është e vazhdueshme, e shumëllojshme dhe ka shumë hapësira. Kjo punë i tejkalon kufijtë e formalitetit (pamjes së jashtme/dukjes), duke i kushtuar rëndësi përmbajtjes apo thelbit. Përgjegjësia e aktivistit (ftuesit) shtohet ditë pas dite, madje përgjegjësia e tij shtohet akoma më tepër, pasi një ide e tij korr sukses.
Për këtë arsye dhe të tjera, ftuesit përballen me sprova nga më të ndryshmet dhe në të gjitha shkallët e vështirësive, madja ata nuk mund t`i realizojnë objektivat e tyre, pa i kaluar këto sprova.
Nëpërmjet konteksteve kuranore dhe haditheve profetike arrijmë të kuptojmë llojet e sprovave dhe rezultatet e tyre.
1 – Llojet e ndryshme te sprovave: Ebu Hurejra (r.a) transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Shembulli i besimtarit është si shembulli i bimës që e lëkund era. Po kështu edhe besimtari përballet me sprova. Nga ana tjetër, shembulli i munafikut është si shembulli i bimës së orizit, që nuk lëkundet derisa të korret”([1]). Ky hadith shpjegon llojin e sprovës, me të cilën përballet xhemati musliman. Lëkundjet e vazhdueshme të bimës e bëjnë atë, që të rezistojë ndaj furtunave të fuqishme, ndërkohë që orizi, të cilin era nuk e lëkund, nuk i bën ballë furtunave dhe erërave të fuqishme dhe si pasojë dëmtohet. Po kështu edhe ftuesit kanë mundësi t’i rezistojnë sprovave të vështira, pasi ata përballen vazhdimisht me to.
2 – Sprova nxjerr në pah elementët pozitivë: Punën e ftuesit nuk mund ta bëjë ai person, i cili është barrë për të tjerët. Në të vërtetë ftues është ai person, i cili ka besim të rrënjosur në zemër dhe kërkon kënaqësinë e Allahut dhe të botës tjetër, për arsye se njeriu – kur duket sikur më tepër humb sesa fiton – e bën këtë zgjedhje (i hyn kësaj rruge), vetëm nëse kënaqet me të ardhmen (Ahiretin), duke mos i kushtuar shumë rëndësi të tashmes (dynjasë).
3 – Sprova zbulon të sinqertët dhe vërtetësinë e besimit të tyre: Pikërisht për këtë pikë flasin ajetet kuranore në suren Ali Imran – menjëherë pas betejës së Uhudit. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Në qoftë se juve u preku çka u dhemb (në Uhud), edhe atë popull (armikun) e pati prekur dhembje si kjo e juaja (në Bedër). Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t’u ditur tek Allahu ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (ose dëshmues). Allahu nuk i do zullumqarët. Dhe që Allahu t’i pastrojë besimtarët, ndërsa gradualisht t’i shkatërrojë jobesimtarët”([2]).
Duke komentuar këtë ajet, imam Razi thotë: “Nga ky ndërrim ditësh, nuk mund të kuptohet se Allahu ndihmon jobesimtarët, sepse ndihma e Allahut i përket një pozite të lartë dhe jobesimtari nuk mund të përfitojë prej saj. Mirëpo qëllimi i këtij ndërrimi ditësh është vështirësia e sprovës, e cila godet jobesimtarët dhe besimtarët. Kjo shikohet në disa këndvështrime:
Këndvështrimi i parë: Nëse Allahu i Lartësuar do t’i sprovonte gjithmonë jobesimtarët, ndërsa besimtarët nuk do t’i sprovonte asnjëherë, atëherë do të ngulitej në mendje, se besimi është i vërtetë dhe çdo gjë tjetër është e shtrembër. Si rrjedhojë nuk do të kishte kuptim përgjegjësia, shpërblimi apo ndëshkimi. Për këtë arsye, sprova godet një herë besimtarët dhe një herë tjetër jobesimtarët.
Këndvështrimi i dytë: Besimtari ndonjëherë mund të mëkatojë, ndërsa sprova është një mësim për të”([3]).
Këndvështrimi i tretë: Sprova e thellon hendekun midis besimtarëve e jobesimtarëve dhe ata kurrsesi nuk mund të bashkohen me njëri-tjetrin, sepse kurthet dhe intrigat e jobesimtarëve për të çrrënjosur besimin dhe për t’i dëmtuar besimtarët, bëjnë që kjo luftë të jetë gjithmonë e vazhdueshme dhe që mbaron, vetëm nëse jobesimtarët i nënshtrohen rregullave të fesë Islame. Nëse jobesimtarët do të silleshin butë me besimtarët dhe do t’i lejonin ata, që t’i ftonin të tjerët në Islam, atëherë besimtarët e lëkundur do të thonin, se jobesimtarët nuk janë aq të këqij sa ç’thuhet. Mirëpo Allahu i Lartësuar e saqaron mjaft mirë në Kuran pozicionin e jobesimarëve: “As ata, ithtarët e librit që nuk besuan, e as idhujtarët nuk duan që juve t`ju vijë ndonjë e mirë nga Zoti juaj”([4]). Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ata do t’ju luftojnë juve vazhdimisht për t’ju zbrapsur, nëse munden”([5]).
Këndvështrimi i katërt: Sprova i bashkon besimtarët me njëri – tjetrin, si në aspektin psikologjik, po ashtu edhe në atë emocional, sepse nëpërmjet saj (sprovës) besimtarët kuptojnë vërtetësinë e ndëtesës së fortë të Islamit, madje sprova e bën edhe më të fortë këtë ndërtesëë. Ata, të cilët sprovohen për shkak të besimit të tyre, sakrifikojnë gjërat më të rëndësishme që posedojnë: veten, pasurinë, familjet dhe vendlindjet e tyre. Përsa i përket aspektit emocional, vuajtja e bën bashkëpunimin më të prekshëm. Njeriu mund ta harrojë bashkëpunimin që ka pasur me dikë në një ceremoni festive, por kurrsesi ai nuk mund të harrojë bashkëpunimin me dikë në vështirësi.
Këndvështrimi i pestë: Sprova nxjerr në pah ftuesin më të mirë, i cili është i denjë për ftesën. Për këtë arsye shumë njerëz kanë parapëlqyer të bëhen pjesë e ftesës, kur kanë parë qëndrueshmërinë e ftuesve dhe durimin e tyre për përballimin e atyre sprovave, të cilave nuk u bëjnë ballë as malet. Përballimi i sprovës me sukses është një dëshmi për njerëzit. Vargjet e sahabiut të nderuar Habib ibn Adij (r.a) merren akoma për shembull:
Nuk e vras mendjen, nëse vdes si musliman
Sido që të më vijë vdekja, vdes për hir të Allahut
Imam Razi vijon: “Dihet se kur pasuesit shikojnë atë – të cilin e ndjekin – që duron ndaj sprovave më të rënda dhe vazhdon të këmbëngulë në idenë e tij, atëherë ata janë më të predispozuar për ta ndjekur atë. Ndryshe ndodh, kur e shikojnë atë të rehatuar dhe pa preokupime”…
Këndvështrimi i gjashtë: Kur besimtari e di se do të sprovohet, është gjithmonë i vëmendshëm dhe e ka frikë Allahun. Kjo gjë e motivon atë, që ta përsosë punën, të plotësojë kushtet për të arritur fitoren, t’i largohet shkaqeve që shkaktojnë humbjen dhe të largohet nga mëkatet dhe paaftësia.
Këndvështrimi i shtatë: Me anë të sprovës besimtari arrin sinqeritetin. Imam Razi thotë: “Sinqeriteti i njeriut gjatë kohës që ai sprovohet, për t`u kthyer tek Allahu, është më i madh se sinqeriteti i tij në kohë të tjera”([6]).
Ky është ligji, që Allahu i Lartësuar e ka vendosur për besimtarët. Ai thotë: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti përgëzoji durimtarët. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Të Allahut jemi dhe ne vetëm tek Ai kthehemi”([7]).
Autor: Hemam Abdurrahim Seid
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Muslimi (2162).
[2] – Sure Ali Imran: 140 – 141
[3] -“Tefsir Razit”: 9/15.
[4] – Sure Bekare: 105
[5] – Sure Bekare: 217
[6] -“Tefsir Razit”: 4/150.
[7] – Sure Bekare: 154 – 155.



















