Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe salavatet e selamet më të mira qofshin për hazretin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij të gjithë.
Vëllezër të nderuar!
Nga shenjat e afrimit të Kijametit është largimi i të mirëve, i dijetarëve të devotshëm dhe veprues, si dhe mbetja e pjesës së pavlerë të njerëzve, të cilët nuk urdhërojnë në të mirë dhe nuk ndalojnë nga e keqja.
Abdullah ibn Amr (r.a) ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s): “Nuk do të vijë Kijameti derisa Allahu t’ua marrë të zgjedhurit (të mirët) banorëve të tokës, dhe do të mbetet në të një turmë njerëzish të padobishëm, të cilët nuk e njohin të mirën dhe nuk e mohojnë të keqen.”[1]
“Sharitah” janë njerëzit e mirësisë dhe fesë; ndërsa “të padobishmit” janë njerëzit e prishur dhe të ulët, dhe ata që nuk kanë asnjë të mirë në vete; ata janë “ruuejbida” (njerëz të pavlerë që merren me çështjet e mëdha pa dije).
Vëllezër të nderuar!
Nga shenjat e Kijametit është largimi i të mirëve, pakësimi i njerëzve të mirë dhe shtimi i të këqijve, derisa të mos mbeten veçse njerëzit më të këqij, dhe mbi ta do të ndodhë Kijameti.
Me të vërtetë, ardhja e Kijametit lidhet me urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja; kur kjo të zhduket, do të vijë Kijameti.
Profeti (a.s) ka thënë: “Do t’u vijë njerëzve një kohë në të cilën do të siten (filtruar) siç sitet mielli; do të mbetet prej tyre një mbeturinë, marrëdhëniet dhe amanetet e tyre do të jenë të prishura, dhe do të përçahen derisa të jenë kështu”, dhe i bashkoi gishtat e tij. Ata thanë: O i Dërguari i Allahut, çfarë është rrugëdalja nga kjo? Ai tha: “Merrni atë që e njihni si të drejtë, dhe lini atë që e mohoni si të keqe; dhe përkushtohuni çështjeve tuaja të veçanta, dhe lini çështjet e përgjithshme.”[2]
Kur do të ndodhë largimi i të mirëve?
Largimi i të mirëve, pakësimi i njerëzve të zgjedhur dhe shtimi i të këqijve e mëkatarëve, nuk ndodh veçse me shfaqjen e mëkateve dhe veprave të ndaluara, si dhe me lënien e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja.
Zejneb bintu Xhahsh (r.h) tregon se Profeti (a.s) u zgjua nga gjumi duke thënë: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut! Mjerë arabët nga një e keqe që është afruar! Sot është hapur nga pengesa e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve sa kjo” dhe Sufjani bëri shenjë me dorë në formën e dhjetës. Unë thashë: O i Dërguari i Allahut, a do të shkatërrohemi edhe pse në mesin tonë ka njerëz të mirë? Ai tha: “Po, kur të shtohet prishja (mëkati i hapur).”[3]
Vëllezër të nderuar!
Shthurrja është shtuar në shoqëri dhe nuk është më e fshehtë, por është bërë e dukshme dhe e hapur. Madje disa e shohin të mirën si të keqe, dhe të keqen si të mirë; disa madje urdhërojnë në të keqe dhe ndalojnë nga e mira. Shthurrja ka hyrë në shumicën e shtëpive dhe është përhapur në rrugët dhe tregjet e muslimanëve.
Njerëzit dikur, kur bënin mëkate, fshiheshin dhe kishin turp. Por sot çështja ka arritur deri në publikimin e hapur të mëkateve. Dhe ai që i shfaq mëkatet hapur është larg mëshirës së Allahut në Ditën e Kijametit.
Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “I gjithë umeti im është i falur përveç atyre që i bëjnë mëkatet hapur. Dhe nga shfaqja e mëkatit është që njeriu bën një vepër natën, pastaj zgjohet dhe Allahu ia ka mbuluar atë, por ai thotë: O filan, mbrëmë bëra kështu e ashtu, ndërkohë që Zoti i tij ia kishte mbuluar, ndërsa ai e zbulon mbulesën e Allahut mbi të.”[4]
Shthurrja e dukshme në shoqëri është largim i begative dhe sjellje e ndëshkimeve.
Largimi i të mirëve është shkatërrim për shoqërinë:
Vëllezër të nderuar!
Me të vërtetë largimi i të mirëve dhe humbja e tyre nga shoqëria është shkatërrim për shoqërinë, dhe një shkak për largimin e begative dhe ardhjen e ndëshkimeve. Çdo poshtërim, përulje, dhimbje, vështirësi, shqetësim dhe brengë që ka zbritur mbi umetin, nuk ka ardhur veçse për shkak të pakësimit të të mirëve dhe shtimit të prishjes.
Ummeti është privuar nga e mira e njerëzve të devotshëm dhe reformues. Është privuar nga bekimet dhe lutjet e tyre. Ajo që ka ndodhur mbi umetin ka ndodhur që njerëzit të kthehen në udhëzim të drejtë, të rikthehen në të vërtetën e tyre, të ndalen nga përhapja e shthurrjes dhe të bëhen ndihmës të njerëzve të mirë në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk i shkatërruam qytetet përveçse kur banorët e tyre ishin zullumqarë.”
Dhe thotë: “Zoti yt nuk i shkatërron qytetet padrejtësisht, ndërsa banorët e tyre janë reformues.”
Të mirët janë një “monedhë” e rrallë. Nëse njerëzit nuk e njohin vlerën e tyre dhe nuk marrin këshillën e tyre, Allahu i Lartësuar nuk i lë gjatë në këtë botë, por i merr tek Vetja e Tij, sepse Ai i do dhe u ka përgatitur shpërblim të madh.
Kur Zoti ynë i merr ata, nuk mbetet veçse pjesa më e keqe e njerëzve, mbi të cilët do të ndodhë Kijameti.
Mirdas el-Eslemi, i cili ishte nga shokët e pemës (Baj’atu Rridëan) ka thënë: “Të mirët merren (vdesin) njëri pas tjetrit, dhe mbetet një mbeturinë si mbeturina e hurmave dhe elbit; Allahu nuk i kushton rëndësi atyre aspak.”[5] “Mbështjellja e keqe” dhe “mbeturina” janë e njëjta gjë: pjesa më e ulët dhe e pavlerë e çdo gjëje.
Së fundmi e lusim Allahun për një përfundim të mirë:
Vëllezër të nderuar!
Shkaku i fatkeqësive të muslimanëve në këtë kohë është largimi i tyre nga dijetarët e devotshëm dhe veprues, si dhe largimi nga të mirët reformues dhe nga mexhliset e të devotshmëve dhe të dijshmëve.
Me njerëzit e mirë forcohet ummeti, me ta ndihmohet, me ta largohet fatkeqësia, me ta u vjen ndihma njerëzve dhe vendeve, dhe me ta njerëzit bëhen të lumtur në këtë botë dhe në ahiret.
Vëllezër të nderuar!
Dhimbja nuk është për atë që ka vdekur nga të mirët, por dhimbja është për atë që nuk e ka shfrytëzuar praninë e tyre. Të mirët janë të lumtur në jetën e tyre dhe të lumtur në vdekjen e tyre.
A nuk ka thënë Profeti (a.s) se kur kaloi një xhenaze, tha: “I çlodhur dhe çlodhës prej tij.” Ata thanë: O i Dërguari i Allahut, çfarë do të thotë i çlodhur dhe çlodhës prej tij? Ai tha: “Robi besimtar çlodhet nga lodhjet e kësaj bote, ndërsa robi i prishur çlodh prej tij njerëzit, vendet, pemët dhe kafshët.”[6]
A nuk thotë Allahu i Madhëruar: “Me të vërtetë, miqtë e Allahut nuk kanë frikë dhe as nuk pikëllohen. Ata që besuan dhe ishin të devotshëm. Për ta ka lajm të mirë në këtë botë dhe në tjetrën. Nuk ka ndryshim në fjalët e Allahut. Kjo është fitorja e madhe.”
Vëllezër të nderuar!
Vdekja e të mirëve apo largimi i tyre nga një vend është paralajmërim rreziku për umetin. Allahu thotë: “Ne nxorëm prej saj ata që ishin besimtarë.”
O Allah, na bashko me robërit e Tu të mirë dhe mos na privo nga bereqeti i tyre. Amin.
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi zotërinë tonë Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Lavdi Zotit tënd, Zotit të madhërisë, larg asaj që ata i përshkruajnë. Paqe mbi të dërguarit. Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Autor: Ahmet Sherif Na’san
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Ahmedi.
[2] – Ahmedi.
[3] – Buhariu dhe Muslimi.
[4] – Buhariu.
[5] – Buhariu.
[6] – Buhariu dhe Muslimi.



















