Dijetarët në jetën e popujve nuk janë thjesht një shtresë shoqërore kalimtare dhe as vetëm ushtrues të një profesioni intelektual. Ata janë zemra rrahëse e umetit, mendjet e tij udhëzuese dhe kandilat që shpërndajnë errësirën e sprovave, humbjes dhe devijimit. Nëpërmjet tyre njihet e vërteta kur rrugët ngatërrohen, me fjalët e tyre zgjohen ndërgjegjet, ndërsa me qëndrueshmërinë e tyre umeti ruan ekuilibrin përballë stuhive.
Allahu i Lartësuar ua ngriti pozitën, duke e lidhur dëshminë e tyre me dëshminë e Tij dhe të melaikeve fisnike, kur tha: “Allahut i mjafton dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, po ashtu edhe melaiket dhe dijetarët, duke qëndruar në drejtësi.”[1] Gjithashtu, Ai i bëri ata njerëzit e frikërespektit të vërtetë ndaj Allahut, duke thënë: “Vërtet, Allahut ia kanë më shumë frikën nga robërit e Tij dijetarët.”[2]
Nderi i dijetarit nuk qëndron te shumësia e asaj që ka memorizuar, por te masa e dritës së udhëzimit që mbart dhe te besimi, vetëdija dhe dinjiteti që mbjell te njerëzit. Për këtë arsye, emrat e dijetarëve të mësimeve të Zotit kanë mbetur të gjallë në ndërgjegjen e umetit përgjatë shekujve; sepse ata nuk ishin thjesht depo informacioni, por rojtarë të akides, ndërtues të njeriut, krijues të ringritjes dhe trashëgimtarë të profetësisë, që bartin pishtarët e udhëzimit në kohët më të errëta.
Llojet e dijetarëve
Dijetarët në peshoren e mesazhit (të fesë) nuk janë të njëjtë, dhe as në pozitën e kumtimit, thirrjes dhe reformës nuk qëndrojnë në një shkallë të vetme:
Prej tyre ka dijetarë të së vërtetës dhe të devotshmërisë (rabbanij), të cilët e mbajnë amanetin e shpalljes ashtu siç mban besimtari zemrën e tij. Ata nuk e shesin të vërtetën në tregun e pushtetit, nuk e ndryshojnë fjalën kur sprova ashpërsohet dhe nuk heshtin kur kërkohet sqarimi. Këta janë ata që e kanë bërë dijen adhurim, thirrjen amanet dhe qëndrimin për të vërtetën një afrim tek Allahu i Lartësuar. Ata janë vazhdimi i vërtetë i dritës së profetësisë, të cilët Allahu i përshkruan me fjalën e Tij:
“Ata që kumtojnë mesazhet e Allahut, i frikësohen Atij dhe nuk i frikësohen askujt tjetër përveç Allahut. Dhe mjafton Allahu për llogaritës.” [El-Ahzab: 39]
Në anën tjetër, ka dijetarë të pushtetit, të cilët e kanë bërë dijen mjet për interesa personale dhe mënyrë për t’iu afruar dyerve të forcës dhe ndikimit. Ata i përshtatin fetvatë sipas dëshirës së sundimtarit, i formësojnë tekstet për t’i shërbyer politikës dhe i japin padrejtësisë mbulesë fetare, derisa disa prej tyre – Allahu na ruajttë – bëhen zëdhënës të shtypjes në vend që të jenë mburojë e umetit. Të parët e kanë paralajmëruar ashpër për këta, sepse prishja e dijetarit nuk është prishje e një individi, por prishje e një umeti; pasi njerëzit devijojnë duke i besuar atij dhe e marrin të pavërtetën për të vërtetë kur del nga gjuha e dijetarëve.
Dhe ekziston një lloj i tretë: ai që nuk është hipokrit, por hesht në momentet e rrezikut dhe zgjedh sigurinë kur duhet të flitet e vërteta. Nuk qëndron me zullumqarin, por as nuk qëndron me të shtypurin, sikur dija të ishte një mesazh i ftohtë pa shpirt, ndërkohë që Allahu ka marrë besën nga njerëzit e dijes që të mos e fshehin të vërtetën, siç thotë i Lartësuari:
“Kur Allahu mori besën nga ata që iu dha Libri: do t’ua sqaroni njerëzve dhe nuk do ta fshehni atë.” [Ali Imran: 187]
Detyrat e dijetarëve
Prandaj, umeti nuk mund ta rikthejë shëndetin e tij dhe as të ringrihet në misionin e tij qytetërues, përveç nëse në të del në plan të parë dijetari rabbanij, i cili bart brengën e fesë dhe të njeriut, dhe e bën dijen një mision udhëzimi dhe reforme, e jo një mjet për pozitë apo shkallë interesi. Ai e ndien se është trashëgimtar i pozitës së profetësisë në kumtim, sqarim dhe udhëzim. Nga këtu dalin në pah funksionet e mëdha të dijetarëve në jetën e popujve: ata ndërtojnë njeriun, drejtojnë mendimin, udhëzojnë realitetin dhe formësojnë të ardhmen sipas udhëzimit të shpalljes dhe dritës së mesazhit. Këto janë detyrat e dijetarit si vijon:
Së pari: Dijetari rabbanij dhe ndërtimi i njeriut
Detyra e parë dhe më e madhe e dijetarit është ndërtimi i njeriut; sepse mesazhet hyjnore nuk kanë ardhur për të ndërtuar gurët para zemrave, dhe as për të ngritur ndërtesat para se të ngrihet besimi. Dijetari rabbanij nuk mjaftohet me transmetimin e informacioneve, por ai formon ndërgjegjen, zgjon shpirtin dhe e edukon njeriun mbi adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar, si dhe mbi kuptimet e sinqeritetit, amanetit, devotshmërisë dhe frikërespektit ndaj Zotit.
Prandaj Kurani e lidh dijen me frikën ndaj Allahut, jo thjesht me shumësinë e memorizimit, siç thotë i Lartësuari:
“Vërtet, Allahut i frikësohen nga robërit e Tij vetëm dijetarët.” [Fatir: 28].
Pra, dijetari i vërtetë është ai, dija e të cilit shndërrohet në dritë në zemrën e tij dhe pastaj në ndikim tek njerëzit.
Nga këtu kuptojmë pse ndikimi i Imam Ahmed ibn Hanbelit ka mbetur i gjallë ndër shekuj; sepse ai nuk ishte thjesht mbajtës tekstesh, por një shkollë e qëndrueshmërisë, edukimit dhe durimit. Pushteti kërkoi t’i nxirrte një fjalë që t’i përshtatej në sprovën e krijimit të Kuranit, por ai zgjodhi burgun, goditjet dhe vuajtjet, dhe nuk zgjodhi tradhtinë e dijes. Kur njerëzit shohin një dijetar që qëndron i palëkundur në të vërtetën nën kamxhikë, ata mësojnë nga qëndrueshmëria e tij më shumë sesa nga mijëra ligjërata.
Po ashtu ishte Ebu Hamid el-Gazali, kur kuptoi se kriza e umetit nuk ishte krizë informacioni, por krizë zemrash. Ai shkroi projektin e tij të madh për pastrimin e shpirtit dhe ringjalljen e kuptimeve të besimit, për të rikthyer ekuilibrin mes dijes dhe veprës, mes mendjes dhe shpirtit, dhe mes fikhut dhe sjelljes.
Ndërtimi i njeriut do të thotë që dijetari të formojë një brez që e njeh Zotin e tij, e kupton misionin e tij dhe bart moralin e Islamit në jetën reale; sepse umeti nuk ngrihet me mendje të arsimuara dhe zemra bosh, dhe as me diploma akademike pa ndërgjegje.
Së dyti: Drejtimi i mendimit dhe mbrojtja e vetëdijes
Ndër detyrat më të mëdha të dijetarëve është drejtimi i mendimit dhe mbrojtja e vetëdijes nga devijimi dhe manipulimi; sepse popujt nuk mposhten vetëm me armë, por kur i deformohet vetëdija, u ngatërrohen konceptet dhe humbasin aftësinë për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta.
Allahu e ka bërë sqarimin një detyrë të dijetarëve, siç thotë:
“Që të thellohen në fe dhe të paralajmërojnë popullin e tyre kur të kthehen tek ata, që të ruhen.” [Teube: 122].
Ky paralajmërim nuk është thjesht frikësim, por ndërtim i një vetëdijeje që e mbron umetin nga humbja dhe devijimi.
Prandaj dijetarët e mëdhenj hynin në beteja të mendimit ashtu siç luftëtarët hynin në beteja të fushës së luftës. Ibn Tejmije nuk ishte një jurist i izoluar në mihrab, por një mendje qytetërimi që përballej me devijime akideje, shtrembërime ideologjike dhe dobësi shpirtërore, duke i folur umetit me gjuhën e forcës, besimit dhe sigurisë, derisa prania e tij shkencore u bë një mburojë e fortë për umetin në kohë trazirash.
Po ashtu edhe shejhu ynë, Imam Jusuf el-Karadavi, që mbajti barrën e ripërtëritjes së fikhut, lidhjes së sheriatit me realitetin e njerëzve, dhe përballjes njëkohësisht me ekstremizmin dhe shthurjen, duke u përpjekur ta paraqesë Islamin si projekt mëshire, ringritjeje dhe jete, jo si rregulla të ngurta të shkëputura nga realiteti.
Kur dijetari e drejton mendimin, ai e mbron umetin nga ekstremizmi dhe nga shkrirja (humbja e identitetit), ruan identitetin nga deformimi dhe riorganizon konceptet, në mënyrë që të mos ngatërrohen prioritetet, të mos vendosen gjërat dytësore mbi thelbësoret dhe umeti të mos shndërrohet në një ndjekës të verbër të mendimeve të të tjerëve.
Së treti: Orientimi i realitetit dhe përballja me padrejtësinë
Dija në Islam nuk është një reflektim i izoluar mendor i shkëputur nga jeta, por një mision për reformimin dhe drejtimin e realitetit. Prandaj dijetarët rabbanij qëndronin përballë padrejtësisë, luftonin korrupsionin dhe e mbronin umetin nga rrënimi moral, politik dhe shoqëror. Allahu i Lartësuar thotë:
“Sikur t’i ndalonin ata rabbanijët dhe dijetarët nga fjalët e tyre mëkatare dhe nga ngrënia e haramit, do të ishte shumë e keqe ajo që vepronin.” [El-Maide: 63]
Pra, dijetari që nuk e ndalon padrejtësinë dhe nuk e kundërshton korrupsionin, ka lënë pezull një nga detyrat më të mëdha të mesazhit.
Një nga shembujt më të ndritur në këtë drejtim është Sulltani i dijetarëve, Izz ibn Abd es-Selam, i cili nuk iu frikësua as sundimtarit e as princit, derisa u quajt “Sulltani i dijetarëve”. Ai qëndroi përballë pushtetarëve kur shihte devijim dhe madje i shiti emirët në tregun e skllevërve kur pa se ata nuk ishin liruar në mënyrë të rregullt sipas sheriatit, duke mos e bërë dijen shërbyese të pushtetit, por duke e bërë pushtetin të nënshtruar ndaj sheriatit.
Kështu kanë qenë dijetarët e sinqertë gjatë historisë: nuk kanë qenë thirrës të kaosit, por as dëshmitarë të rremë. Ata i peshonin çështjet me peshoren e sheriatit, qëndronin me drejtësinë, refuzonin padrejtësinë dhe i kujtonin njerëzit se fjala e së vërtetës është adhurim, ndërsa heshtja për të pavërtetën kur kërkohet sqarimi është tradhti ndaj amanetit.
Orientimi i realitetit nuk nënkupton vetëm kritikë, por edhe ofrimin e zgjidhjeve, ringjalljen e vlerave dhe forcimin e ndërtimit moral e shoqëror, derisa sheriati të shndërrohet në forcë reformuese në jetën e njerëzve.
Së katërti: Formësimi i së ardhmes dhe ruajtja e ringritjes së umetit
Dijetari rabbanij nuk jeton i robëruar nga momenti, por bart brengën e së ardhmes, sepse ai është trashëgimtar i projektit të profetësisë që erdhi për t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë dhe për të ndërtuar umetin e dëshmisë dhe udhëheqjes.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe kështu ju bëmë një ummet të mesëm, që të jeni dëshmitarë mbi njerëzit.” [El-Bekare: 143]
Kjo dëshmi qytetëruese ka nevojë për dijetarë që formësojnë vizionin, e lidhin umetin me objektivat e tij madhorë dhe mbjellin në të shpresë, besim dhe veprimtari.
Ndërtimi i së ardhmes fillon me ndërtimin e vetëdijes, pastaj me ndërtimin e njeriut dhe më pas me shndërrimin e vlerave në lëvizje shoqërore. Dijetari që mbjell dëshpërim në umet e tradhton misionin e tij, ndërsa dijetari rabbanij u hap njerëzve dyert e shpresës dhe u mëson se humbjet nuk janë fat i përhershëm dhe se një umet që posedon shpalljen nuk duhet të dorëzohet kurrë para thyerjes.
Për këtë arsye, fjalët e dijetarëve rabbanij kanë mbetur si karburant i ringritjes së umetit ndër shekuj; sepse ata nuk ishin thjesht shpjegues të teksteve, por ndërtues të shpresës, krijues të ringritjes dhe roje të identitetit.
Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve
Umeti, kur i humb dijetarët e tij rabbanij, humb busullën e vet dhe hyn në një kohë humbjeje e çoroditjeje; sepse dijetarët e vërtetë janë siguresa e mendimit, e moralit dhe e qytetërimit. Dhe nëse profetët kanë mbajtur pishtarët e udhëzimit, atëherë dijetarët rabbanij janë ata që e ruajnë këtë dritë nga shuarja. Prandaj, nevoja e sotme nuk është për shtimin e atyre që flasin në emër të fesë, por për dijetarë që mbartin cilësitë e profetëve: sinqeritetin, guximin, mëshirën, vetëdijen dhe përkushtimin e pastër ndaj Allahut të Lartësuar. Dijetarë që ndërtojnë njeriun, udhëzojnë mendimin, drejtojnë realitetin dhe formësojnë të ardhmen, në mënyrë që flamuri i shpalljes të mbetet i ngritur dhe drita e mesazhit të vazhdojë të përhapet në tokë.
Sa shumë ka nevojë umeti sot për dijetarë që kur flasin thonë të vërtetën, kur sqarojnë janë të sinqertë, kur njerëzit frikësohen ata qëndrojnë të palëkundur, dhe kur të tjerët e shesin fenë për dunjanë e pushtetit, ata thonë siç kanë thënë njerëzit e së vërtetës gjatë historisë: dija është amanet, fjala është besë, dhe kumtimi i së vërtetës nga Allahu është një nder që nuk i përshtatet frikës nga krijesat.
Autor: Uasfi Ashur
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Ali Imran: 18.
[2] – Sure Fatir: 28.



















