Krenaria të cilën duam

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Shpesh shohim një musliman me mjekër të gjatë dhe pamje të jashtme orientale, i cili fal namazin dhe thërret ezanin në vende publike në Perëndim, duke menduar se në këtë mënyrë po shfaq dinjitetin dhe krenarinë e muslimanit. Kjo ngre disa pyetje: Çfarë kuptimi ka “krenaria” në mendjen e këtij muslimani? Si i kupton ai bazat dhe shkaqet e saj? Dhe a kufizohet krenaria e muslimanit vetëm në këto veprime?

Në fillim theksoj se krenaria jonë në adhurimet, ritualet dhe pamjen tonë është diçka e domosdoshme dhe nuk duhet të heqim dorë prej saj. Por nëse koncepti i krenarisë dhe bazat e saj kufizohen vetëm në këto rite, atëherë kjo është padyshim një kuptim i mangët.

Muslimani duhet të kuptojë se krenaria bazohet në ndjenjën e lirisë, dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe barazisë, si dhe në zbatimin e tyre në realitet. Pa këto, krenaria është e paplotë dhe një ndjenjë mashtruese.

Ai musliman mund të mendojë se me këto veprime po shfaq krenarinë e tij përballë të tjerëve, ndërsa ata e dinë se janë pikërisht ata që i kanë siguruar lirinë për t’i kryer këto praktika, dhe se ligji i tyre ia garanton këto të drejta pa i dëmtuar askush. Ndërkohë, në vendin e tij musliman, ndoshta nuk gjen as këtë ligj dhe as këtë liri!

Ndoshta koncepti i krenarisë tek këta njerëz është ndërtuar mbi imazhe “formale” në mendjet e tyre për Profetin tonë të nderuar, kalifët e drejtë dhe shokët e tyre, në veshjen, ecjen dhe mënyrën e jetesës.

Ndoshta në mendjet e tyre përsëritet skena e Rib’ij ibn Amir (r.a) kur hyri te Rustemi mbi gomarin e tij, me rroba të vjetra dhe pluhurin e xhihadit ende mbi të, dhe si ai foli me krenari dhe dinjitet. Por ata harrojnë ose nuk e dinë se para kësaj, Rib’ij dhe sahabët e tjerë jetuan në një shoqëri që praktikonte lirinë, drejtësinë dhe barazinë në mënyrë reale, jo vetëm si ide. Këto vlera janë ato që ndërtojnë krenarinë e vërtetë te muslimani.

Si mund të jetë ndjenja e muslimanit dhe krenaria e tij me fenë e tij kur dëgjon Profetin (a.s) të thotë:
“Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, sikur Fatimja, bija e Muhamedit, të vidhte, do t’ia prisja dorën.” Kjo tregon barazinë para ligjit, pa dallim mes njerëzve të thjeshtë dhe bijve të udhëheqësve.

Si mund të jetë ndjenja e tij kur dëgjon Ebu Bekrin, në ditën e parë si halif i muslimanëve, të thotë:
“I dobëti prej jush është i fortë derisa t’i marr të drejtën, dhe i forti prej jush është i dobët derisa t’ia marr të drejtën.”

Dhe si mund të ndjehet kur sheh Omerin (r.a) duke i kthyer të drejtën një kopti nga Egjipti kundër Amr ibn el-Asit dhe djalit të tij, duke thënë fjalën e tij të famshme: “Kur i keni bërë njerëzit skllevër, ndërkohë që nënat e tyre i kanë lindur të lirë?”

A nuk do të jetonte muslimani në një atmosferë të tillë me krenari për fenë e tij, e cila i ka ruajtur dhe garantuar lirinë, dinjitetin dhe njerëzoren e tij?

Kështu, me këto vlera të lirisë, drejtësisë dhe barazisë, Islami ndërtoi krenarinë e ndjekësve të tij. Prandaj, krenaria është një vlerë para se të jetë formë, dhe një ndjenjë para se të jetë fjalë.

Si mund të mbetet krenaria e muslimanit kur i hiqen këto baza? Dhe çfarë krenarie mund të ekzistojë pa këto vlera dhe kuptime?

Autor: Ebu Bekër Xhunejd

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *