Çdo komb morali i të cilit sa vjen dhe përkeqësohet, tek ai fillon të shfaqet rrënimi në themelet e tij pa e kuptuar vetë ai. Kjo ndodh sepse morali nuk është thjesht një zbukurim shoqëror që plotëson pamjen e njeriut, por është themeli i marrëdhënieve, shtylla e besimit të ndërsjellë dhe shpirti i jetës shoqërore.
Kur morali prishet, lidhjet shkëputen, zemrat largohen nga njëra-tjetra dhe shoqëria – edhe nëse nga jashtë duket e bashkuar – shndërrohet në një trup të brishtë, të përçarë nga egoizmi dhe të shkatërruar nga ndërprerja e marrëdhënieve.
Sa të bukura janë fjalët e poetit kur thotë:
Kombet jetojnë sa kohë që jeton morali i tyre;
kur u humbet morali, humbin edhe ato.
Sheriati islam e ka rrënjosur thellësisht këtë parim, duke e bërë moralin e mirë një prej degëve më madhështore të besimit dhe duke e lidhur atë me plotësinë e fesë. Profeti (a.s) ka thënë: “Besimtarët me besimin më të përsosur janë ata që kanë moralin më të mirë.”[1]
Kjo tregon se morali nuk është diçka dytësore ndaj besimit, por është pjesë e pandashme e tij. Çdo cenim i moralit është njëkohësisht cenim i vetë realitetit të devotshmërisë.
Në anën tjetër, Islami ka paralajmëruar me forcë kundër moralit të keq, për shkak të pasojave shkatërrimtare që ai sjell mbi individin dhe shoqërinë. Profeti (a.s) ka thënë: “Më të urryerit prej jush për mua dhe më të largëtit nga unë në Ditën e Kiametit janë llafazanët, ata që shtiren me fjalë të zgjedhura dhe ata që flasin me mendjemadhësi.”[2] Të tillët janë ata njerëz që shfaqin arrogancë në të folur dhe e konsiderojnë veten mbi të tjerët.
Po ashtu, ai (a.s) ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai që i ndërpret lidhjet farefisnore.” [3] Pra, kur morali i keq arrin deri në shkëputjen e lidhjeve farefisnore, ai bëhet shkak për privimin nga synimi më i madh: hyrja në Xhenet.
Ky paralajmërim nuk është bërë vetëm për të frenuar njerëzit nga një sjellje e gabuar, por sepse morali i keq godet vetë indin e shoqërisë. Marrëdhëniet njerëzore nuk ndërtohen vetëm mbi interesa materiale; ato kanë nevojë për një kapital të përhershëm sinqeriteti, mëshire, përulësie dhe durimi. Kur këto vlera mungojnë, marrëdhëniet shndërrohen në marrëveshje të përkohshme, të cilat shemben që në provën e parë.
Edhe Kurani e ka theksuar këtë parim në shumë vende. Allahu i Lartësuar thotë: “Falë mëshirës së Allahut, ti u solle me butësi ndaj tyre. Sikur të ishe i ashpër dhe zemërfortë, ata do të largoheshin prej teje.”[4] Ky ajet tregon se edhe udhëheqësi më i madh – Profeti (a.s) – po të ishte me moral të keq dhe i ashpër në sjellje, njerëzit do të largoheshin prej tij. Atëherë, çfarë mund të thuhet për të tjerët? Ky është një ligj i pandryshueshëm shoqëror: ashpërsia përçan, ndërsa butësia bashkon. Edhe Profeti (a.s) e ka përforcuar këtë kuptim kur ka thënë: “Butësia nuk gjendet në asnjë gjë veçse e zbukuron atë, dhe nuk hiqet nga asnjë gjë veçse e shëmton.”[5]
Në realitetin tonë bashkëkohor, pasojat e moralit të keq shfaqen me një qartësi të dhimbshme. Shohim se shpërbërja e familjes po shtohet, mosmarrëveshjet përshkallëzohen edhe për shkaqet më të parëndësishme dhe marrëdhëniet shoqërore po vyshken, ndonëse mjetet e komunikimit janë më të shumta se kurrë. Ndoshta dy të afërm ulen në të njëjtin vend, por zemrat e tyre janë aq të larguara, saqë as fjalët nuk arrijnë ta shuajnë ftohtësinë mes tyre. E gjithë kjo është pasojë e grumbullimit të dyshimeve të këqija, ashpërsisë në sjellje dhe mungesës së faljes.
Madje, ka njerëz që e menaxhojnë me mjeshtëri punën e tyre dhe janë shumë të aftë në profesionin që ushtrojnë, por me një fjalë fyese, një qëndrim mendjemadh ose një shpërfillje të qëllimshme ndaj të tjerëve, shkatërrojnë gjithçka që kanë ndërtuar me mundin e tyre. Pikërisht këtu shfaqet rreziku i ndarjes së aftësisë profesionale nga morali. Nuk mjafton që njeriu të jetë i suksesshëm në punën e tij; ai duhet të jetë edhe i drejtë e fisnik në marrëdhëniet me njerëzit.
Ndër format më të rrezikshme të moralit të keq, të cilat çojnë në prishjen e lidhjeve ndërnjerëzore, janë përgojimi, bartja e fjalëve nga njëri te tjetri për të nxitur përçarje, paragjykimi i keq, ndërprerja e marrëdhënieve dhe mendjemadhësia. Të gjitha këto kuptime Profeti (a.s) i ka përmbledhur në një paralajmërim gjithëpërfshirës, kur tha: “Mos e kini zili njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër mes jush.”[6] Ai (a.s) ka ndaluar çdo shkak që mbjell armiqësi dhe urdhëroi çdo gjë që forcon vëllazërinë.
Po kështu, Sheriati nuk u mjaftua vetëm me ndalimin e moralit të keq, por tregoi edhe rrugët e shërimit. Ai urdhëroi faljen, nxiti përmbajtjen e zemërimit dhe lavdëroi atë që i ruan lidhjet farefisnore edhe me ata që i kanë ndërprerë ato. Allahu i Lartësuar thotë: “…ata që e përmbajnë zemërimin dhe ua falin njerëzve.”[7]
Ndërsa Profeti (a.s) ka thënë: “Mbajtës i lidhjeve farefisnore nuk është ai që vetëm ia kthen të mirën atij që i bën mirë, por ai që, kur të afërmit i ndërpresin lidhjet me të, i ruan dhe i forcon ato.”[8]
Me këto virtyte riparohen marrëdhëniet, rikthehet besimi i ndërsjellë dhe shoqëria ndërtohet sërish mbi baza të shëndosha.
Sa bukur ka thënë poeti:
Bëju mirë njerëzve dhe do t’i fitosh zemrat e tyre,
sepse mirësia ka qenë gjithmonë ajo që e ka bërë njeriun për vete
Nëse meditojmë mbi rrënjët e moralit të keq, do të vërejmë se ato, në shumicën e rasteve, kthehen te dy shkaqe themelore: dobësimi i lidhjes me Allahun dhe pasimi i epsheve. Sa më shumë dobësohet ndjenja e besimit, aq më lehtë njeriu bie në padrejtësi, në sjellje të këqija ose në ndërprerjen e marrëdhënieve, sepse nuk e ka të gjallë në vetëdije mbikëqyrjen e Allahut dhe shpërblimin apo ndëshkimin e Tij. Po kështu, kur epshi merr sundim mbi zemrën, njeriu e vendos veten mbi të tjerët; ai e konsideron të vërtetë vetëm atë që përputhet me dëshirat e tij dhe të pavërtetë çdo gjë që bie ndesh me to.
Prandaj, përmirësimi i moralit nuk është thjesht një çështje këshillash për sjelljen, por një projekt i plotë edukimi shpirtëror dhe besimor. Ai fillon me pastrimin e shpirtit, forcimin e ndjenjës së mbikëqyrjes së Allahut dhe edukimin e zemrës me mëshirë, përulësi dhe fisnikëri. Kur zemra përmirësohet, përmirësohet edhe sjellja, dhe kjo reflektohet natyrshëm në marrëdhëniet me njerëzit.
Shoqëria ku mbizotëron morali i mirë është një shoqëri e bashkuar, ku mbretëron besimi i ndërsjellë, mosmarrëveshjet zgjidhen me humbjet më të vogla të mundshme dhe njerëzit gëzojnë qetësi e siguri shpirtërore. Ndërsa kur përhapet morali i keq, shpërbërja e shoqërisë bëhet e pashmangshme, sado të mëdha të jenë mundësitë dhe burimet materiale.
Ja se si është shprehur një poet:
Kur një popull goditet në moralin e tij,
atëherë ngrihu mbi të me vaj e me zi.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të rishikojmë moralin tonë përpara se të kërkojmë përmirësimin e të tjerëve. Me një fjalë të mirë mund të ringjallim një marrëdhënie, me një falje të sinqertë mund të shuajmë një përçarje, ndërsa me urtësi dhe vetëpërmbajtje mund të shpëtojmë një familje nga shkatërrimi.
Kontributi më i madh që njeriu mund t’i japë shoqërisë nuk është vetëm dija apo pasuria e tij, por morali i tij, i cili afron zemrat, bashkon të përçarët dhe ua rikthen marrëdhënieve ngrohtësinë dhe kuptimin e tyre të vërtetë. Prandaj, morali i mirë nuk është një zbukurim i jetës shoqërore, por një domosdoshmëri për mbijetesën e një shoqërie të gjallë, të shëndoshë dhe të bashkuar.
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.
[2] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen.
[3] – Buhariu dhe Muslimi.
[4] – Sure Ali Imran: 159.
[5] – Muslimi.
[6] – Buhariu dhe Muslimi.
[7] – Sure Ali Imran: 134.
[8] – Buhariu.



















