Statusi i ensarëve
Më 12 të muajit Rebiul-Euel të vitit të njëmbëdhjetë pas hixhretit, ensarët – të dy fiset e tyre, Eus dhe Hazrexh – u mblodhën për të zgjedhur një halif për muslimanët nga mesi i tyre. Ata u mblodhën në Sakifen e Benu Saides, e cila ishte shtëpia ku zakonisht mbanin mbledhjet e tyre të rëndësishme.
Ensarët menduan se halifi duhej të ishte patjetër prej tyre, për arsye të ndryshme, dhe për këtë ata nxituan të mbajnë këtë mbledhje të menjëhershme.
Ky qëndrim i tyre – natyrisht – ngre shumë pyetje. Disa prej këtyre pyetjeve mund të bëhen me qëllim të mirë, për të kuptuar dhe përfituar dije; por të tjera mund të bëhen me qëllim të keq, për të sulmuar, për të dëmtuar dhe për të hedhur dyshime mbi sahabët dhe shtetin islam.
Nga këto pyetje dalin dy pyetje kryesore, mbi të cilat janë përqendruar orientalistët dhe ndjekësit e tyre prej sekularistëve, qoftë nga Perëndimi apo Lindja, madje edhe nga disa prej muslimanëve. Këto dy pyetje kanë për qëllim të hedhin dyshime mbi ensarët, dhe pas tyre do të pasojnë patjetër edhe pyetje të tjera për të sulmuar muhaxhirët dhe pjesën tjetër të sahabëve.
Pyetja e parë:
Si u mobilizuan ensarët për të zgjedhur një halif në të njëjtën ditë kur vdiq i Dërguari i Allahut (a.s)? A nuk ishin zemrat e tyre të mbushura me pikëllim për Profetin e tyre?
Orientalistët thonë: Ensarët deshën dynjanë, e kërkuan atë dhe kjo dëshirë nuk i pengoi ata që ndiheshin keq nga fatkeqësia që i kishte goditu muslimanët. Madje këtë pyetje e bëjnë edhe disa prej besimtarëve duke kërkuar sqarim dhe për t’iu përgjigjur dyshimeve të atyre që i sulmojnë.
Pyetja e dytë:
Pse ensarët deshën ta përvetësonin hilafetin pa muhaxhirët dhe u nxitën drejt Sakifes së Benu Saides për të propozuar një njeri nga mesi i tyre?
Në të vërtetë, para se të hyjmë në përgjigjen e këtyre dy pyetjeve të rëndësishme, dëshiroj të filloj me një përkufizim të ensarëve…
Kush janë ensarët?
Duket se shumë muslimanë nuk e kuptojnë kuptimin dhe vlerën e ensarëve. Ensarët janë një grup njerëzish që u karakterizuan nga cilësi të jashtëzakonshme dhe kaluan nëpër faza të caktuara edukative, të cilat në fund prodhuan një brez burrash, grash dhe fëmijësh që është e pamundur të përsëriten në histori në të njëjtën formë. Në të vërtetë, ensarët janë një fenomen unik; ata u dalluan me cilësi të veçanta që mbetën të pandara prej tyre që nga momenti kur u bënë ensarë, e gjatë gjithë qëndrimeve të tyre.
Ensarët ishin si një fllad i butë dhe i mëshirshëm që fryu mbi shtetin e ri islam, duke e mbushur atë me begatinë dhe mirësinë e tyre ndaj umetit, pastaj ky fllad kaloi pa marrë asgjë për vete. SubhanAllah, ensarët dhanë dhe dhanë, por nuk morën asgjë; dhe sa herë që u jepej mundësia për të marrë, Allahu sillte një çështje tjetër, dhe ata dilnin pa asgjë, të kënaqur, pa zemërim dhe pa mërzi, sikur Allahu të kishte dashur ta ruante shpërblimin e tyre të plotë dhe të mos u jepte asgjë të shpejtuar në këtë botë.
Ensarët… dhe çfarë të thuash për ensarët? Profeti (a.s) ka thënë: “Ensarët nuk i do askush përveç një besimtari dhe nuk i urren askush përveç një hipokriti. Kush i do ata, Allahu e do atë, dhe kush i urren ata, Allahu e urren atë.”[1]
Ky hadith e përmbledh çështjen. Muslimanët duhet ta njohin vlerën e ensarëve para se të flasin për ta. Çështja është çështje besimi dhe hipokrizie, dhe çështje e dashurisë së Allahut për një rob dhe urrejtjes së Tij ndaj një tjetri. Prandaj kujdes nga çdo dyshim që mund t’ua ndryshojë zemrat besimtarëve.
Gjithashtu i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sikur të mos ishte hixhreti, do të isha një njeri nga ensarët.”[2]
Njëherë i Dërguari i Allahut (a.s) i tha ensarëve: “Ju jeni prej njerëzve më të dashur për mua”[3] ai e tha këtë tre herë.
I Dërguari i Allahut (a.s) i tha ensarëve: “Takimi juaj është te Haudi.”[4]
Kjo dashuri e madhe e të Dërguarit të Allahut (a.s) për ensarët dhe dashuria e ensarëve për të Dërguarin (a.s) bëri që të gjithë sahabët t’i donin dhe t’i vlerësonin ata.
Transmetohet se Enes ibn Malik (r.a) doli në një udhëtim me Xherir ibn Abdullah el-Bexheli (r.a), dhe Xheriri i shërbente atij. Xheriri ishte nga fisnikët e fisit Bexheli dhe nga figurat e njohura të arabëve, me pozitë të madhe para Islamit dhe gjithashtu ishte më i moshuar se Enesi. Megjithatë, Enesi e shihte si të çuditshme që një njeri i tillë t’i shërbente atij, dhe i tha: “Mos e bëj këtë.” Por Xheriri u përgjigj: “Unë kam parë ensarët duke i shërbyer të Dërguarit të Allahut (a.s), dhe jam betuar që nuk do të shoqëroj askënd prej tyre pa i shërbyer.”[5]
Enesi ishte nga ensarët dhe megjithatë Xheriri i shërbente atij. Ky nderim dhe vlerësim i ensarëve nga i Dërguari (a.s) dhe sahabët nuk erdhi rastësisht, por si rezultat i qëllimeve të sinqerta, veprave të vazhdueshme dhe moralit të lartë.
Po të shohësh gjendjen e ensarëve, do të gjesh një tipar themelor që përbën boshtin e karakterit të tyre: ai është tipari i altruizmit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që u vendosën në shtëpi dhe në besim para tyre, i duan ata që emigruan tek ta dhe nuk ndiejnë në zemrat e tyre asnjë nevojë për atë që u është dhënë, dhe i japin përparësi të tjerëve mbi veten e tyre, edhe nëse vetë kanë nevojë të madhe. Dhe kush ruhet nga lakmia e shpirtit të vet, ata janë të shpëtuarit.”[6]
Për ne, është e domosdoshme t’i njohim këto gjëra para se të vijmë e të analizojmë qëndrimet e ensarëve në Sakifen e Benu Saides.
Lexoni historinë e ensarëve, lexoni besëlidhjen e Akabes së dytë dhe sakrificat e tyre të çmuara, xhihadin e madh që ata bënë.
Lexoni historinë e hixhretit dhe garimin e ensarëve – të varfër – për të strehuar muhaxhirët, për t’i nderuar dhe për t’i dashur ata.
Ensarët i thanë të Dërguarit të Allahut (a.s): “Ndaje mes nesh dhe vëllezërve tanë hurmat (palmat)!.” Ata donin t’i ndanin hurmat dhe tokat e tyre mes tyre dhe muhaxhirëve. Ai tha: “Jo.” I Dërguari i Allahut (a.s) nuk i lejoi ata ta bënin këtë sakrificë të madhe dhe u tregua i mëshirshëm ndaj tyre. Por a heshtën ensarët pasi i Dërguari i Allahut (a.s) e refuzoi kërkesën e tyre? Aspak. Ata nuk e kishin bërë këtë kërkesë për sy e faqe, as për famë, as nga frika apo detyrimi ndaj të Dërguarit të Allahut (a.s). E bënë vetëm sepse në zemrat e tyre kishin dashuri të vërtetë për muhaxhirët dhe ndjenjë të fortë altruizmi, një dashuri e thellë në rrugën e Allahut që nuk mund të ndalohej.
Pastaj ensarët shkuan te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe e paraqitën çështjen nga një kënd tjetër, sepse ata nuk mund të pranonin të zotëronin diçka që vëllezërit e tyre nuk e kishin. Ata thanë: “Atëherë neve na mjafton kujdesi për punën dhe ju ndani me ne frutin.” Me këtë ata dëshironin që muhaxhirët të punonin në tokë në vend të ensarëve, dhe pastaj prodhimi të ndahej mes tyre. Pra ishte një lloj bashkëpunimi në punë dhe prodhim, jo për shkak se ensarët kishin nevojë për ndihmë, por si mënyrë për t’i bërë muhaxhirët pjesëmarrës pa u ndier të poshtëruar apo të varur. Muhaxhirët thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm.”
Kështu të dy palët u gëzuan. Ndjenjat e ensarëve ishin pothuajse engjëllore; jo vetëm në një apo dy ngjarje, apo një apo dy ditë, por kjo ishte feja që ata e praktikuan gjatë gjithë jetës.
Ensarët pas Hunejnit
Ndodhi diçka edhe më e rëndë se kjo dhe ata dhanë një shembull edhe më të madh se këta shembuj, dhe kjo ishte pas betejës së Hunejnit në vitin 8 të Hixhretit, pra rreth dy vjet e gjysmë para vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe ngjarjes së Sakifes së Beni Sa’d.
Ibn Is’haku e transmeton në detaje, ndërsa Buhariu shkurtimisht nga Ebu Seid el-Hudri, i cili tha: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) shpërndau nga ato dhurata që iu dhanë kurejshëve dhe fiseve arabe, dhe nga to nuk u dha asgjë ensarëve, ky grup i ensarëve e ndjeu këtë në vetvete dhe mes tyre u shtuan fjalët, derisa disa filluan të thonë: “Pasha Allahun, i Dërguari i Allahut (a.s) e ka takuar popullin e tij.”
Çështja ishte serioze. Beteja e Hunejnit ishte një nga betejat më të ashpra në historinë e muslimanëve. Dihet se në fillim të betejës muslimanët u tërhoqën, kur u mbështetën te numri dhe forca e tyre, dhe vetëm pak veta mbetën me të Dërguarin e Allahut (a.s). Atëherë i Dërguari i Allahut (a.s) thirri: “O grupi i ensarëve! O grupi i ensarëve!”
Ata iu përgjigjën menjëherë dhe beteja u zhvillua me ashpërsi të madhe, pastaj Allahu i dha fitoren të Dërguarit të Tij (a.s) dhe besimtarëve, dhe muslimanët fituan plaçkë të madhe lufte: robër, deve, dele, ar, argjend, armë e të tjera.
I Dërguari i Allahut (a.s) filloi t’i shpërndante plaçkat. Çfarë bëri ai me to?
Ai pa se shumë nga prijësit e Kurejshëve dhe banorët e Mekës kishin hyrë në Islam ose nga frika e shpatës, ose nga dëshira për pasuri, dhe pas tyre qëndronin edhe shumë të tjerë. Nëse nuk do t’u jepte, ata mund të largoheshin nga feja dhe të ktheheshin kundër saj, dhe humbja nuk do të ishte vetëm e tyre, por edhe e atyre pas tyre.
Ndërsa forca e Islamit ende ishte e dobët dhe nuk ishte stabilizuar plotësisht në gadishull, i Dërguari (a.s) deshi t’i afrojë zemrat e tyre dhe t’i forcojë në këtë fe, prandaj u dha dhurata të mëdha dhe u tregua shumë bujar me ta.
Ai dha e dha, derisa nuk mbeti më asgjë për ensarët, ndërkohë që ensarët ishin ata që kishin qëndruar me të Dërguarin e Allahut (a.s), që kishin luftuar dhe mbrojtur Islamin. Po, ata nuk e kishin bërë për pasuri apo plaçkë, por megjithatë njeriu mund të pyesë: pse kjo pabarazi në shpërndarje?
Ensarët u frikësuan se ndoshta i Dërguari i Allahut (a.s) kishte vendosur të kalonte nga Medina në Mekë, dhe po u jepte njerëzve të tij për t’i afruar zemrat, e pastaj do ta linte Medinën. Nëse ai do ta linte Medinën, kjo do të ishte një çështje shumë e rëndë: përveç mallit për ndarjen nga ai, ata do të rrezikoheshin sepse arabët mund të hakmerreshin ndaj tyre për shkak të mbështetjes që i kishin dhënë të Dërguarit (a.s)
Gjithashtu, ata kishin frikë se kjo mund të nënkuptonte anashkalimin e rolit të tyre dhe zvogëlimin e vlerës së tyre. Nuk përjashtohet as fakti se mund të kenë pasur një dëshirë për pasurinë e lejuar që po shihnin përpara syve të tyre, sidomos pasi kishin marrë pjesë në fitimin e saj, dhe përjashtimi i tyre mund të shkaktonte pakënaqësi.
Në këtë moment u ngrit udhëheqësi i ensarëve, sahabiu i nderuar Sa’d ibn Ubade el-Hazrexhi, me shpejtësi dhe urtësi për t’ia përcjellë ankesën e ensarëve të Dërguarit të Allahut (a.s), në mënyrë që situata të mos përshkallëzohej.
Ai hyri te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, ky grup i ensarëve ka ndjerë pakënaqësi ndaj teje për atë që ke bërë me këtë plaçkë lufte; e ke shpërndarë mes popullit tënd dhe u ke dhënë dhurata të mëdha fiseve arabe, ndërsa nga ensarët nuk ka pasur asgjë.”
Një sinqeritet i madh dhe një qartësi e bukur nga Sa’d ibn Ubade, me të cilën fitnet mund të shuhen që në fillim. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “E ku qëndron ti nga kjo, o Sa’d?” Ai u përgjigj edhe më hapur: “O i Dërguar i Allahut, unë jam vetëm pjesë e popullit tim,” duke nënkuptuar se edhe ai ndiente diçka në zemër.
Atëherë i Dërguari i urtë Muhamed (a.s) tha: “Mblidhe popullin tënd në këtë vend!”
Sa’d doli dhe i mblodhi ensarët në atë vend. Erdhën disa burra nga muhaxhirët, por ai i la jashtë dhe ata nuk hynë. Më pas erdhën disa të tjerë dhe ai i ktheu mbrapsht.
Duket se i Dërguari i Allahut (a.s) nuk dëshironte që fitneja të përhapej te grupe të tjera njerëzish, dhe nuk donte të linte hapësirë për fjalë e thashetheme, prandaj deshi ta kufizonte bisedën vetëm te ata që kishin nevojë për të.
Kur ensarët u mblodhën, Sa’d ibn Ubade i tha: “Ky grup i ensarëve është mbledhur për ty.” I Dërguari i Allahut (a.s) erdhi tek ata, e lavdëroi Allahun dhe e falënderoi Atë, pastaj tha: “O grupi i ensarëve, çfarë janë këto fjalë që më kanë ardhur për ju dhe kjo pakënaqësi që keni ndier ndaj meje në vetvete? A nuk erdha te ju kur ishit të humbur dhe Allahu ju udhëzoi? Të varfër dhe Allahu ju pasuroi? Armiq dhe Allahu i bashkoi zemrat tuaja?”
Ensarët u përgjigjën me një edukatë të madhe: “Për Allahun dhe të Dërguarin e Tij është mirësia dhe dhuntia.”
I Dërguari i Allahut (a.s) po u kujtonte të kaluarën e tyre, vetëm dhjetë vite më parë: si ishin në humbje të kufrit, në përçarje dhe varfëri; pastaj si besuan, u udhëzuan, u bashkuan dhe u pasuruan me Islamin.
Ashtu siç i ngriti Allahu me Islamin dhe ata shijuan ëmbëlsinë e tij, i Dërguari i Allahut (a.s) donte të ngrinte edhe disa njerëz të tjerë drejt ëmbëlsisë së besimit. Pastaj tha: “A nuk po më përgjigjeni, o grupi i ensarëve?”
Ensarët thanë me një përulësi të habitshme: “Çfarë të të përgjigjemi, o i Dërguar i Allahut? Për Allahun dhe të Dërguarin e Tij janë mirësia dhe dhuntia.”
Ensarët nuk përmendën asnjë nga meritat e tyre në thirrje; nuk përmendën se ata kishin besuar, ishin udhëzuar dhe ishin pasuruar pasi kishin dhënë shumë e shumë: kishin dhënë jetët, shtëpitë dhe tokat e tyre; kishin dhënë mendimin dhe këshillën; kishin dhënë dëgjim dhe bindje; dhe kishin vendosur të Dërguarin e Allahut (a.s) mbi çdo gjë që donin.
Ndërsa ata njerëz nga Kurejshët që tani ishin mbushur me pasuri, kishin sjellë vetëm kufër, mohimin dhe luftën kundër të Dërguarit të Allahut (a.s) për tetë vite në Medinë dhe më parë në Mekë. Por ensarët nuk i përmendën këto gjëra, sepse e dinin se mirësia e udhëzimit dhe besimit nuk krahasohet me asgjë nga kjo botë apo nga plaçka e saj. Prandaj u mjaftuan me fjalët: “Për Allahun dhe të Dërguarin e Tij është mirësia dhe dhuntia.”
Por i Dërguari i Allahut (a.s) ishte ai që dinte të peshojë gjërat dhe t’u japë njerëzve vlerën e tyre. Ai tha: “Pasha Allahun, sikur të donit, do të thoshit dhe do të ishte e vërtetë: erdhe te ne i përgënjeshtruar dhe ne të besuam; erdhe i braktisur dhe ne të ndihmuam; erdhe i përzënë dhe ne të strehuam; dhe erdhe i varfër dhe ne të mbështetëm.”
Por ensarët nuk e thanë këtë, megjithëse ishte e vërtetë, për shkak të edukatës së tyre, vlerës së tyre, sakrificës së tyre dhe madhërimit të tyre ndaj të Dërguarit të Allahut (a.s).
Pastaj i Dërguari i Allahut (a.s) filloi t’u flasë zemrave të ensarëve me fjalë të buta e të dhembshura: “A u mërzitët, o grupi i ensarëve, për një pjesë të vogël të kësaj bote (diçka shumë e vogël e pavlerë), me të cilën unë desha të afroj disa njerëz që të hyjnë në Islam, ndërsa në mesin tuaj lashë Islamin tuaj të qëndrueshëm? A nuk jeni të kënaqur, o grupi i ensarëve, që njerëzit të shkojnë me dele dhe deve, ndërsa ju të ktheheni në shtëpitë tuaja me të Dërguarin e Allahut (a.s)?”
Pastaj tha: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, sikur të mos ishte hixhreti, do të isha njeri prej ensarëve. Dhe sikur njerëzit të shkonin në një shteg, ndërsa ensarët në një tjetër, unë do të ndiqja shtegun e ensarëve.”
“O Allah, mëshiroji ensarët, bijtë e ensarëve dhe bijtë e bijve të ensarëve.”
Njerëzit qanë derisa u lagën mjekrat e tyre dhe thanë: “Jemi të kënaqur që kemi për pjesë dhe fat të Dërguarin e Allahut (a.s).”
Pastaj i Dërguari i Allahut (a.s) u largua dhe ata u shpërndanë.
Me këto pak fjalë dhe me këtë thirrje të butë ndaj zemrave të pastra të ensarëve, fitneja përfundoi brenda pak minutash. Ensarët u larguan duke qarë, me zemra të kënaqura dhe të qeta. Në ato çaste kuptuan se qindra deve apo pasuri e kësaj bote nuk vlejnë asgjë përballë fjalëve të të Dërguarit të Allahut (a.s).
Ku ishte interesi i tyre vetjak? Ku ishte bota në zemrat e tyre? Ku ishte egoizmi apo dashuria për veten? Asgjë. “Ata i japin përparësi të tjerëve mbi veten e tyre, edhe nëse vetë kanë nevojë të madhe…”[7]
Këta janë ensarët që u mblodhën në Sakifen e Benu Sa’d për të zgjedhur një halif për të Dërguarin e Allahut (a.s), dhe duhet që historia e Sakifes të studiohet në dritën e këtij sfondi dhe këtyre të vërtetave.
Tani le të kthehemi te dy pyetjet që i kemi ngritur lidhur me shkuarjen e ensarëve për të zgjedhur një halif nga mesi i tyre:
Pyetja e parë:
Si u nxitën për ta bërë një veprim të tillë, pa u ndalur te fatkeqësia e vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s)?
Orientalistët thonë: ata nuk u pikëlluan mjaftueshëm; prandaj dynjaja i shpërqendroi nga kjo fatkeqësi e madhe.
Për t’iu përgjigjur kësaj dyshimi themi:
Së pari: orientalistët nuk e kuptojnë këtë sfond që e kemi përmendur mbi natyrën e ensarëve, ose ndoshta e kuptojnë, por e injorojnë qëllimisht. I Dërguari i Allahut (a.s) ka folur qartësisht se ata nuk kërkonin përfitime materiale nga kjo botë, dhe po kështu edhe Allahu i Madhëruar në Kuran.
Së dyti: orientalistët nuk e kuptojnë domethënien e durimit të bukur: “Prandaj duro durim të bukur!”[8]
Durim që nuk shoqërohet me ankesa, durim në goditjen e parë…
I Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë një gruaje që po qante te një varr dhe i tha: “Ki frikë Allahun dhe duro.” Ajo i tha: “Largohu prej meje, sepse ti nuk je goditur me fatkeqësinë time.” Ajo nuk e kishte njohur atë. Pastaj iu tha: ai ishte i Dërguari i Allahut (a.s). Ajo shkoi te dera e tij, por nuk gjeti roje. Kur u takua me të, tha: “Nuk të njoha.” Ai i tha: “Durimi i vërtetë është në goditjen e parë.”[9]
Durimi i ensarëve ishte durim i bukur, durim në goditjen e parë, dhe siç thotë Zoti ynë: “Me të vërtetë, të durueshmëve u jepet shpërblimi pa masë.”[10]
Kjo kuptohet në dritën e jetës së tyre dhe të kënaqësisë së Allahut ndaj tyre.
Së treti: a e pengon ky durim faktin që zemrat e tyre të ishin të mbushura me pikëllim për të Dërguarin e Allahut (a.s)?
A ka kundërshtim mes pikëllimit dhe veprës së mirë?
Aspak. Muslimani pozitiv, sado të pikëllohet, nuk lejon që ai pikëllim ta ndalojë nga detyra e tij. Pikëllimi që i ndalon njerëzit nga veprimi është një pikëllim i sëmurë dhe i papëlqyer.
Nëse e mendojmë pak situatën: sikur ensarët të prisnin një ditë, dy ditë, një javë apo dy javë derisa të qetësoheshin emocionet e pikëllimit dhe jeta të kthehej në normalitet, çfarë do të ndodhte?
Po sikur persët ose romakët të sulmonin tokat e muslimanëve? Kush do të merrte vendim për luftën apo jo? Kush do t’i përgatiste ushtritë, do të organizonte përgatitjet dhe do t’i mobilizonte njerëzit? Çfarë do të ndodhte nëse renegatët do të sulmonin Medinën?
Fiset e “Absit” dhe “Dhubjani”t ishin disa milje larg Medinës, dhe Islami i tyre ishte i ri; prandaj mundësia e kthimit të tyre ishte e pritshme. Po çfarë do të ndodhte nëse Musejleme gënjeshtari do të sulmonte Medinën me ushtritë e tij renegate? Kush do të merrte vendimin për luftë kundër tyre?
Po sikur hebrenjtë ta prishnin marrëveshjen e tyre? A do të luftonin apo do të bënin paqe? A do t’u vendoseshin kushte të reja dhe një marrëveshje e re?
Pastaj çfarë do të ndodhte nëse hipokritët në Medinë nxirrnin një njeri prej tyre dhe i jepnin besën për hilafet, dhe edhe fisi i tij dhe fise të tjera ia jepnin besën? Cili do të ishte reagimi i sahabëve? A do ta kundërshtonin besën e tij dhe do të luftonin, duke shkaktuar fitne të madhe dhe fatkeqësi të madhe? Apo do ta linin një hipokrit t’i udhëhiqte?
Po sikur çdo fis nga fiset e ndryshme—të cilat tani përbënin shtetin islam—të zgjidhnin nga një udhëheqës prej tyre dhe muslimanët të shpërndaheshin në parti e grupe? Kush do t’i bashkonte dhe kush do t’i unifikonte?
Duke menduar në mënyrë të drejtë, logjike dhe objektive, kuptojmë se nxitimi i ensarëve për të zgjedhur halifin, pavarësisht fatkeqësisë së madhe të vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s), është një virtyt që u llogaritet atyre, jo mangësi apo gabim. Ata kishin arritur një nivel të përgjegjshmërisë dhe pozitivitetit që vështirë se mund të përsëritet te brezat e tjerë.
Ensarët zgjedhin halifin nga mesi i tyre:
Por pyetja më e vështirë, për të cilën shumë muslimanë, e aq më tepër jo-muslimanët, habiten është: Pse ensarët nxituan të zgjedhin halifin nga mesi i tyre dhe jo nga muhaxhirët?
Së pari: Për ta kuptuar qëndrimin e ensarëve, duhet patjetër t’i emërtojmë gjërat me terminologjinë moderne të kohës, në mënyrë që të kuptojmë tërë dimensionin e çështjes. Ensarët, në terminologjinë bashkëkohore, janë autuktonë. Medina ishte si një shtet i pavarur ku jetonin fiset Eus dhe Hazrexh, para ardhjes së të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe para ardhjes së muhaxhirëve.
Pastaj muhaxhirët u përndoqën në vendin e tyre, në Mekë—një shtet tjetër i pavarur pranë Medinës—dhe iu ngushtua jeta derisa u detyruan ta linin vendin dhe të kërkonin strehim në Medinë.
Pra, sipas këtij përkufizimi modern, muhaxhirët janë një grup refugjatësh politikë në Medinë. Dhe si një shtet bujar e i drejtë, Medina i priti ata në mënyrën më të mirë, i nderoi dhe u dha atyre të gjitha të drejtat e qytetarëve autoktonë. Me kalimin e kohës, atyre nuk iu vendosën kufizime që t’ua vështirësonin jetën; përkundrazi, shpeshherë u jepej përparësi mbi vetë banorët autoktonë.
Më vonë – pas disa videtesh – udhëheqësi i Medinës dhe prijësi i saj, i Dërguari i Allahut Muhamed (a.s) vdiq, dhe kështu që kishte ardhur koha për të zgjedhur një udhëheqës të ri.
Kështu që logjikisht, udhëheqësi i shtetit duhet të jetë autokton dhe jo refugjat.
A është logjike që drejtimi i shtetit t’u jepet atyre që kanë sakrifikuar për ata që u strehuan, apo t’i jepet atij që erdhi i përzënë nga vendi i tij dhe u strehua diku tjetër?
Nëse, për shembull, një grup palestinezësh do të emigronin në Amerikë, Angli apo edhe në një vend tjetër islam, a do të ishte e pranueshme në këto vende që pas vdekjes së presidentit, udhëheqësi i ri të zgjidhej nga refugjatët?
Sipas logjikës së pastër të shumicës së njerëzve që mendojnë racionalisht, kjo nuk është e pranueshme, përveç nëse ekziston një ligj i mëparshëm që e lejon këtë. Dhe, me sa di unë, nuk ka asnjë shtet në botë që ka vendosur një ligj të tillë që u lejon refugjatëve të ngjiten në postin më të lartë të shtetit mikpritës.
Kjo ishte ajo që i shkoi në mendje ensarëve pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s): ata ishin banorët autoktonë, pronarët të tokës, të cilën e kishin trashëguar nga baballarët e tyre. Prandaj, përse në krye të Medines duhej të vendosej një i huaj?
Pra, kjo është një pikë.
Së dyti: A nuk janë banorët e Medinës më të njohur me rrugët, shtigjet dhe administrimin e saj? Është e qartë se Medina është qendra kryesore e shtetit islam, ndërsa Meka, Taifi dhe qytete të tjera janë vetëm vartëse. A nuk është e arsyeshme që ensarët të mendojnë se është në interesin e përgjithshëm që këtë shtet ta udhëheqë ai që e njeh më mirë gjendjen e tij, banorët e tij, fiset përreth, historinë dhe rrënjët e tij? A nuk është nga logjika e interesit të përgjithshëm që udhëheqësi i shtetit të Medinës të jetë nga vetë banorët e Medinës?
Pa dyshim, kjo ide i shkoi në mendje ensarëve; prandaj ata u mblodhën për të zgjedhur halifin nga mesi i tyre.
Së treti: A do të kishin mundur muhaxhirët të krijonin një shtet pa ensarët? Muhaxhirët kaluan plot trembëdhjetë vite në Mekë dhe nuk arritën ta kthenin atë në një shtet islam. Prandaj ishte e domosdoshme hixhreti derisa të arrihej fuqia e mjaftueshme për t’u kthyer sërish në Mekë.
I Dërguari i Allahut (a.s) kërkoi strehim në shumë vende, por ato refuzuan ta pranonin dhe ta ndihmonin. Kurejshët ishin bashkuar kundër tij. Ai shkoi në Taif, por ata e refuzuan dhe e përzunë, madje e gjuajtën me gurë. Ai iu drejtua shumicës së fiseve arabe në sezonet e haxhit, por të gjitha e refuzuan. Ai iu drejtua Benu Hanifes, Benu Kinde, Benu Shejban, Benu Amir ibn Lu’ej, Benu Kelb dhe shumë të tjerëve, por të gjithë e refuzuan.
Pastaj vetëm një grup i vogël nga Hazrexhët e pranoi, dhe më pas ata u kthyen te populli i tyre dhe sollën të tjerë me vete. Më pas njerëzit hynë në fe grupe-grupe dhe e pritën të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe muhaxhirët në vendin e tyre, Medinë. Ata i dhanë besën të Dërguarit (a.s) për të sakrifikuar veten, pasurinë, përpjekjen, kohën, mendimin dhe çdo gjë.
Kështu i Dërguari i Allahut (a.s) dhe muslimanët e Mekës emigruan në Medinë, dhe u formua shteti islam. Pa dyshim, po të mos kishin qenë ensarët, shteti nuk do të ishte formuar në atë kohë, përveç nëse do të shfaqej një grup tjetër që pranonte atë që pranuan ensarët.
Prandaj ishte krejt e natyrshme që ensarët të ndjenin se ishte logjike që udhëheqësi i ri të ishte nga mesi i tyre.
Së katërti: që është mjaft e rëndësishme
Ensarët mendonin se pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, muhaxhirët do të ktheheshin në Mekë. Meka është qyteti i shenjtë, Meka ku ata kishin lënë shtëpitë, tokat dhe pasuritë e tyre që u ishin konfiskuar nga idhujtarët.
Tani që idhujtarët kishin hyrë në Islam, ishte e natyrshme që muhaxhirët të ktheheshin në vendin e tyre për të marrë atë që u ishte marrë më parë, duke patur parasysh se Meka ishte një qytet i shenjtë ku një namaz vlen sa njëqind mijë namaze. Pra ishte mëse e natyrshme që ata të ktheheshin tek familjet e tyre në Mekë.
Madje një mendim të tillë, ensarët e kishin pasur edhe më parë, siç ndodhi në betejën e Hunejnit, ku thanë: “Pasha Allahun, i Dërguari i Allahut (a.s) ka takuar popullin e tij.”
Ata kujtuan se i Dërguari i Allahut (a.s) do të zhvendosej në Mekë pas çlirimit të saj. Edhe pse kjo nuk ndodhi, çfarë I pengonte muhaxhirët të ktheheshin në vendin e tyre, pasiqë banorët e saj e kishin pranuar Islamin.
Nëse kthimi i muhaxhirëve ishte evident, a nuk është logjike, për stabilitetin e shtetit islam, që udhëheqësi i tij të jetë nga banorët e kryeqytetit pasi ai të mbetet pa muhaxhirët?
Nëse thuhet se në këtë rast kryeqyteti do të zhvendosej në Mekë, atëherë përgjigjja është se nuk është mençuri që kryeqyteti të zhvendoset në një vend kaq të paqëndrueshëm. Banorët e Mekës kishin hyrë në Islam vetëm para pak vitesh, rreth tre vite më parë, dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk është se ishin fort të qëndrueshëm në besimin e tyre, ashtu siç edhe u vërtetua në ditët në vijim.
Ata ishin ende të rinj, sapo ishin larguar nga idhujtaria dhe nuk kishin dijen e banorëve të Medinës. Mundësia që ata të largoheshin nga feja e re nuk ishte e pamundur; madje, pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s), ata ishin shumë afër devijimit, po të mos ishte Allahu që i forcoi në Islam përmes Suhejl ibn Amrit dhe të tjerëve.
Prandaj, nuk ishte mençrui politikisht që udhëheqja të kalonte në Mekë.
Nëse ajo do të mbetej në Medinë, dhe muhaxhirët do të largoheshin prej saj, atëherë kush do të sundonte?
Një pyetje që ensarët patjetër e kanë menduar dhe që përgjigjja e saj është shumë e thjeshtë është se ensarët ishin më meritorë se muhaxhirët që të udhëhiqnin.
Së pesti: Ensarët e kishin kuptuar se arabët do t’ju këndërviheshin atyre duke i luftuar pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s). Zemrat e arabëve ishin të mbushura me urrejtje ndaj ensarëve, sepse ata ishin ata që e ndihmuan Muhamedin (a.s) dhe që luftuan në vende të ndryshme të gadishullit arabik. Ata nuk kishin prestigjin që kishin Kurejshët, madje edhe vetë Kurejshët mund të luftonin kundër tyre. Nëse nuk do të kishin forcën e pushtetit dhe autoritetit, mund të shfaroseshin nëse fiset arabe do të bashkoheshin kundër tyre. Kjo ndjenjë do të shfaqej edhe në fjalët e tyre, siç do të shohim në Sakifen e Beni Sa’d.
Për këto arsye të përmbledhura, dhe ndoshta për të tjera që nuk i dimë, ensarët menduan se ishte logjike që halifi të ishte nga mesi i tyre dhe jo nga muhaxhirët. Kjo nuk ishte për të nënvlerësuar muhaxhirët në sytë e tyre, as për t’i neglizhuar ata, por sepse ata besonin se kjo ishte një e drejtë që askush nuk mund t’ua kundërshtonte.
Megjithatë, me gjithë këtë, ndoshta do të kishte qenë më e hijshme që ata t’i informonin vëllezërit e tyre muhaxhirë për atë që synonin të bënin dhe t’u shpjegonin arsyet e zgjedhjes së halifit nga mesi i tyre, në mënyrë që të shmangej çdo dyshim apo hidhërim në zemrat e muhaxhirëve. Edhe pse edhe ensarët kanë disa justifikime për këtë:
Së pari: Ndoshta ata menduan se muhaxhirët nuk do të mendonin fare për hilafetin, pasi në bindjen e tyre ai ishte një e drejtë e plotë e ensarëve.
Së dyti: Ndoshta donin të mbyllnin derën e fitnes dhe të parandalonin debatet duke e zgjidhur çështjen shpejt dhe prerë.
Së treti: Ndoshta ngaqë panë se muhaxhirët ishin të zënë me larjen, qefinosjen dhe varrosjen e të Dërguarit të Allahut (a.s), dhe nuk deshën t’i shpërqendronin me këtë çështje që ata e konsideronin të drejtën e tyre.
Këto janë arsyet se përse në Sakifen e Beni Sa’dit shkuan ensarët e të dyja fiseve për të zgjedhur halifen nga mesi i tyre.
Burimi: islamstory.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu
[2] – Buhariu
[3] – Buhariu dhe Muslimi
[4] – Buhariu dhe Muslimi
[5] – Buhariu dhe Muslimi
[6] – Sure Hashr: 9.
[7] – Sure Huxhurat: 9.
[8] – Sure Mearixh: 5.
[9] – Buhariu dhe Muslimi.
[10] – Sure Zumer: 10.



















