Thirrja e Lutit (a.s) në monoteizëm, adhurimin ndaj Allahut dhe ndalimin nga veprat e shëmtuara

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kushdo që studion tregimet e profetëve në Kuranin Fisnik dhe hulumton marrëdhëniet e zhvilluara ndërmjet tyre dhe popujve të tyre, do të vërejë se çështja e Monoteizmit (Teuhidit) dhe thirrja për adhurimin e Allahut të Madhërishëm e të Lartësuar, përbën kauzën themelore dhe zanafillën me të cilën erdhën të gjithë profetët. Rregullisht, nuk ka pasur asnjë profet që të mos e ketë ftuar popullin e tij drejt njësimit të Allahut, përkushtimit të adhurimit ndaj Tij dhe braktisjes së politeizmit. Kjo vlen edhe përkundër faktit se çdo popull prej popujve të profetëve shfaqte anomali dhe rregullsi të tjera të shëmtuara të cilat ishin më të theksuara dhe më dominante në jetën e tyre se tek të tjerët, siç ishte rasti i korrupsionit ekonomiko-financiar te populli i Shuajbit (a.s), apo përhapja e magjisë në mesin e popullit të Musait (a.s)..etj, megjithatë thirrja në monoteizëm ka qenë baza e thirrjes së çdo profeti.

Luti (a.s) e ftoi popullin e tij në adhurimin e Allahut dhe në braktisjen e politeizmit, të moraleve të ulëta dhe të veprave të shëmtuara. Kështu, në suren Shuara, Allahu i Madhërishëm e i Lartësuar sqaron se Luti (a.s) e thirri popullin e tij që t’i frikësoheshin Allahut dhe t’i binden atij si i dërguar i Tij. Ndërkaq, nuk ka dyshim se zanafilla dhe shtylla kryesore e devotshmërisë është Monoteizmi dhe zhvleftësimi i shirkut ndaj Allahut. I Lartësuari thotë: ”Kur vëllai i tyre, Luti, u tha: “A nuk po frikësoheni? Unë për ju jam një i dërguar i besueshëm. Prandaj, frikësohuni Allahut dhe binduni mua!”[1]

Po ashtu, në suren Dharijat, Allahu i Madhërishëm e i Lartësuar vë në dukje faktin se populli i Lutit ishin mosbesimtarë, përmes fjalës së Tij: “Por aty nuk gjetëm asnjë shtëpi tjetër (të besimtarëve), përveç një shtëpie të myslimanëve.”[2] Kjo është një çështje krejtësisht e qartë dhe e vetëkuptueshme.

Rregullisht, nuk ka asnjë dyshim se populli i Lutit (a.s) ishin mosbesimtarë, adhuronin idhujt dhe përgënjeshtruan të dërguarin e Allahut, Lutit (a.s). Një sërë komentuesish kanë konfirmuar se ata ishin mohues dhe se Luti (a.s) i ftoi ata në adhurimin e Allahut Një e të Vetëm. Imam et-Taberiu thotë: “Allahu e dërgoi Lutin te banorët e Sodomës, të cilët ishin popull mohues dhe praktikonin imoralitetin (veprën e shëmtuar).”

Gjithashtu, Imam Kurtubiu, në komentimin e tij  të sures A’raf, rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “Ju, vërtet, qaseni me epsh ndaj burrave në vend të grave…”[3] dhe ndaj ajetit të ngjashëm me të: “Dhe lini anash atë që Zoti juaj krijoi për ju nga bashkëshortet tuaja…”[4] shprehet: “…domethënë, që krahas politeizmit, ju i bashkëngjitët edhe këtë vepër të shëmtuar.” Po ashtu, në komentimin e ajetit të të Lartësuarit: “Ata thanë: “Ne jemi dërguar te një popull kriminel (mëkatar).”[5] ai thotë: «Domethënë: idhujtarë”

Ndërsa Ibn Kethiri ka thënë: “Për më tepër, krahas kësaj, ata mohonin Allahun dhe përgënjeshtronin të dërguarin e Tij”

Ndërsa imam Sa’di shprehet: “Ata, së bashku me idhujtarinë e tyre, kishin bashkuar edhe praktikimin e imoralitetit me meshkujt (homoseksualizmin) dhe grabitjen e rrugëve (banditizmin)”.

Këto janë thëniet e dijetarëve të tefsirit, të cilat dëshmojnë qartë dhe në mënyrë të prerë se populli i Lutit gjendej në gjendje mosbesimi dhe adhuronte tjetërkënd veç Allahut.

Rregullisht, Luti (a.s) e ftoi popullin e tij në besim dhe i ndaloi ata nga mohimi; i thirri ata drejt Monoteizmit e drejt të mirës e të moralshmes si dhe i ndaloi nga imoraliteti dhe veprat e shëmtuara Ai e përmbushi detyrën e tij në formën më të shkëlqyer dhe e përcolli misionin e tij ashtu siç duhej. Ai e kishte përvetësuar dhe kuptuar thellësisht thirrjen e Ibrahimit (a.s) përpara se t’i jepej profetësia; për më tepër, historia e Ibrahimit (a.s) dhe metodologjia e tij në thirrje (a.s) ishte pikërisht vija udhëheqëse që ndoqi edhe Luti (a.s).

Autor: Ali Muhamed Salabi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Shuara: 161 – 163.

[2] – Sure Dharijat: 36.

[3] – Sure A’raf: 81.

[4] – Sure Shuara: 166.

[5] – Sure Hixhr: 58.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.