Urdhëresat dhe ndalesat nuk janë në të njëjtin nivel përsa i përket kërkesës për të vepruar apo mosvepruar

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kontektsi i këtij rregulli:

Konteksti i këtij rregulli shërben si plotësim dhe sqarim i rregullit të shtatë: “Urdhëresat janë të sintetizuara me dobinë që sjellin, kurse ndalesat me dëmet që sjellin”, siç do të sqarohet më tej.

Edhe pse ky parim është i përmendur dhe i pranishëm në përmbajtjen dhe pasojat e tij ligjore te shumë dijetarë të usulit dhe juristë islamë – në veçanti te Ibn Abdu Selami dhe Karafi – meritën për artikulimin e qartë dhe trajtimin sistematik të tij e mban imam Shatibiu. Formulimi i titulli të këtij rregulli e hasim në citatin e tij, në të cilin ka thënë: “Urdhërat dhe ndalesat, për nga forca e theksimit, nuk janë në një shkallë të vetme për sa i përket kërkesës për t’i vepruar apo për mos t’i vepruar ato. Përkundrazi, ato ndryshojnë në përputhje me shkallën e interesave që burojnë nga zbatimi i urdhëresave dhe shmangia e ndalesave, si dhe me shkallën e dëmve që burojnë nga kundërshtimi i tyre.”[1] Në një tjetër shprehje, ai thotë: “Urdhëresat në sheriat nuk qëndrojnë në të njëjtën gradë për sa i përket theksimit.”[2]

Shpejgimi i këtij rregulli:

Duke qenë se urdhëresat dhe ndalesat (në ligjin islam) janë të ndërlidhura në mënyrë thelbësore me interesat dhe dëmet , siç është parashtruar më parë në rregullin e shtatë dhe duke qenë se këto dobi dhe dëme nuk janë as të njëjtës natyrë dhe as në të njëjtin nivel rëndësie, atëherë rrjedhimisht edhe vetë urdhëresat dhe ndalesat nuk mund të jenë të të njëjtit nivel. Përkundrazi, ato dallohen sipas rangut, nivelit dhe peshës që mbartin, qoftë në aspektin e theksimit të kërkesës për të vepruar apo mosvepruar, qoftë në aspektin e shpërblimit ose ndëshkimit që buron nga zbatimi apo shkelja e tyre. E gjitha kjo varet nga shkalla e interesave dhe dëmeve të lidhura me to.

Në këtë kuadër, imam Shatibiu citon si më poshtë: “Ky dallim në nivelin e urdhëresave dhe ndalesave është në përputhje të drejtpërdrejtë me dallimin në interesat që burojnë nga zbatimi i urdhrave dhe shmangia e ndalesave, si dhe dëmet që lindin nga kundërshtimi i tyre. “Bazuar në këtë vlerësim, koncepti i kërkesës sheriatike për veprim ose mosveprim ndahet në katër kategori: detyrimi (vaxhib), rekomandimi (mundeb), papëlqyeshmëria (mekruh) dhe ndalimi i prerë (haram).”

Ky diferencim shfaqet në dy aspekte:

Aspekti i parë ka të bëjë me dallimin që ekziston ndërmjet një urdhri dhe një urdhri tjetër, ose ndërmjet një ndalese dhe një ndalese tjetër. Kjo do të thotë se të gjithë urdhëresat  nuk janë të barasvlefshme për nga pesha e tyre normative, ashtu siç nuk janë as të gjitha ndalesa të njëjta. Çdo urdhër mbart gradën dhe peshën e vet specifike, dhe po kështu çdo ndalesë.

Aspekti i dytë ka të bëjë me faktin se edhe një urdhër i vetëm, apo një ndalesë e vetme, mund të ndryshojë në shkallën e tij sipas rrethanave specifike, si dhe në varësi të rëndësisë së veprës së urdhëruar dhe interesave që ajo përmban, apo rëndësisë së veprës së ndaluar dhe dëmeve që ajo mund të sjellë.

Argumentet e këtij rregulli:

Një nga argumentet më të dukshme që mbështesin këtë rregull është ajo që është e pranuar unanimisht nga dijetarët: ndarja e urdhëresave të sheriatit në detyrime (vaxhib), të rekomanduara (mendub), dhe kategori të tjera si shtyllat (arkanet), obligimet (farzet) dhe veprat e pëlqyeshme (mustehab). Po ashtu, edhe ndarja që ata i bëjnë ndalesave në të ndaluara në mënyrë të prerë (haram), të papëlqyeshme (mekruh), dhe në nivele të tjera si mëkatet e vogla, mëkatet e mëdha dhe mëkatet shkatërruese.

Shembuj praktik të këtij rregulli:

1 – Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmëve e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura  dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim. Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se Allahun e bëtë garant tuajin.”[3]

Këto dy ajete përfshijnë katër urdhra: drejtësinë, bamirësinë, ndihmën e dhënë të afërmve dhe përmbushjen e premtimit. Po ashtu, përfshijnë katër ndalesa: imoralitetin, të keqen, padrejtësinë dhe thyerjen e betimit. Megjithatë, këto urdhëresa dhe ndalesa nuk janë në të njëjtën shkallë rëndësie apo peshe, e as në të njëjtin nivel shpërblimi dhe ndëshkimi, ndonëse të gjitha janë të shpallura nga Allahu i Lartësuar dhe të shprehura në të njëjtën formë gjuhësore. Rangu i çdo urdhri apo ndalese përcaktohet në bazë të interesave ose dëmeve që burojnë prej tij.

2 – Allahu i Madhëruar ka urdhëruar që dëshmia të jepet, dhe ka ndaluar fshehjen e saj. Allahu i Madhëruar ka thënë: “E dëshminë zbatojeni për hir të Allahut!”[4] “Mos e fshihni dëshminë sepse ai që e fsheh atë, ai është mëkatar me zemrën e vet.”[5]

Megjithatë, vlera e dhënies së dëshmisë dhe mëkati i fshehjes së saj ndryshojnë në varësi të çështjes për të cilën jepet dëshmia, si dhe nga shkalla e interesave ose dëmeve që lidhen me dhënien apo fshehjen e saj. Në bazë të kësaj, urdhri dhe ndalimi, si dhe shpërblimi dhe mëkati, mund të jenë më të forta ose më të lehta.

Dëshmia që jepet mund të ketë të bëjë me jetën e një personi ose me disa jetë, mund të lidhet me pasuri dhe prona të mëdha ose me gjëra të vogla e të pavlera, dhe mund të përfshijë çështje të nderit, moralit apo prejardhjes… e në të gjitha këto raste, ekziston një ndryshim i dukshëm në rëndësinë dhe peshën e dëshmisë.

3 – Imam Izudin Abduselami ka thënë:

“Gënjeshtra, edhe nëse dëmi apo dobia e saj nuk i kalon kufijtë e vet (pra mbetet vetëm në vetvete), është e ndaluar për shkak të dëmit që vetë gënjeshtra përmban. Por nëse gënjeshtra shkakton dëme të mëtejshme, atëherë mbart mëkatin e vetë gënjeshtrës dhe mëkatin për dëmin e shkaktuar, në varësi të shkallës së atij dëmi. Kush dëshmon rrejshëm për çështje që prekin jetën apo pasurinë e dikujt, ai bart dy mëkate: mëkatin për gënjeshtrën dhe mëkatin për dëmin që ajo shkakton. Por nëse gënjeshtra sjell një interes të mundshëm atëherë mëkati i saj hiqet dhe personi shpërblehet për atë interes, si për shembull  kur njeriu gënjen me qëllim të ruajë jetën, nderin, fenë ose pasurinë. Kush pranon vetë, në mënyrë të rreme, se ka kryer një vrasje apo një krim që sjell prerje gjymtyrësh, fshikullim, ose cenim të nderit, ai bart mëkatin e gënjeshtrës dhe mëkatin për shkaktimin e atyre pasojave të rënda si prerja, vrasja, rrahja apo poshtërimi.

Sa për të vërtetën: nëse nuk sjell as dëm as interes, ajo është e lejueshme (mubah). Por nëse shkakton dëm, atëherë bart mëkatin për atë dëm, sipas shkallës së tij. Për shembull, kushdo që udhëzon një zullumqar drejt pasurisë, nderit, jetës apo ndonjë të drejte të mbrojtur, nuk konsierohet mëkatar për faktin që tha të vërtetën, por konsiderohet mëkatar për dëmin që shkaktoi duke ndihmuar (zullumqarin).

E vërteta që sjell interes nuk ka shpërblim për faktin që është e vërtetë, por ka shpërblim për interesin që sjell, në varësi të shkallës së saj.

Sa për përgojimin, nëse dëmton dikë, përveç mëkatit të përgojimit, shtohet edhe mëkati për dëmin e shkaktuar. Por nëse përgojimi sjell dobi, atëherë ai lejohet dhe bart shpërblim për atë dobi, sipas shkallës së saj.

Sa më e madhe të jetë dobia që buron nga një veprim, aq më e lartë është grada e tij tek Allahu, sepse kryerësi i saj shpërblehet për të gjitha dobitë që ai përmban. Dhe sa më i madh të jetë dëmi i një vepre, aq më i madh është mëkati për të, sepse ai është i ekspozuar ndaj ndëshkimit dhe zemërimit të Allahut për çdo dëm që sjell.”[6]

4 – Imam Shatibiju ka thënë:

Urdhëresat që kanë të bëjnë me çështjet domosdoshme, nuk janë si urdhrat që lidhen me çështjet e nevojave sheriatike, as me ato të dobive përmirësuese, dhe as çështjet plotësuese të domosdoshmërive nuk janë në të njëjtin nivel me vetë domosdoshmëritë. Ndërmjet tyre ka një ndryshim të njohur. Madje, edhe vetë çështjet e domosdoshme nuk janë të gjitha në të njëjtin nivel për nga pesha e kërkesës (urdhërit); për shembull, kërkesa që lidhet me themelin e fesë nuk ka të njëjtën forcë theksimi si ajo që lidhet me ruajtjen e jetës, dhe ruajtja e jetës nuk është si ajo e arsyes, e kështu me radhë për të gjitha llojet e domosdoshmërive.

Edhe nevojat sheriatike janë kështu. Kërkesa që lidhet me shijimin e gjërave të lejuara pa ndonjë kundërshtim nuk është si kërkesa që lidhet me gjëra që përfundimisht përballen me kundërshtime, si p.sh. shijimi i kënaqësive të lejuara duke përdorur mjete si huadhënia, shitblerja me paradhënie, marrëveshja për ujitjen e tokës, dhe të ngjashme me to. Po ashtu, kërkesa për këto raste nuk është si kërkesa për lehtësimet juridike (rukhsa) që, nëse lihen pas dore, sjellin vështirësi të përgjithshme. As kjo e fundit nuk është si kërkesa për ato raste që, nëse lihen pas dore, do të sillnin ngarkesë që nuk përballohet (d.m.th. ngarkesë përtej mundësive njerëzore).

E njëjta logjikë vlen edhe për çështjet e dobitë plotësuese – komplementare, fjalë për fjalë.”[7]

Autor: Ahmed Rejsuni

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – “El Muuafekat” i imam Sahtibiut, fq: 3/239.

[2] – “El Muuafekat” i imam Shatibiut, fq: 3/209.

[3] – Sure Nahl 90-91.

[4] – Sure Talak: 2.

[5] – Sure Bekare: 283.

[6] – “Shexheretul Mearifi uel Ah’uali ue Salihul Ak’uali uel Ef’ali”, fq: 457-458.

[7] – “El Muuafekat”, i imam Shatibiut, fq: 3/209.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *